NJË METEOR NË POLITIKËN SHQIPTARE

194

Renditja në mënyrë kronologjike e axhendës së ish – themeluesit dhe drejtuesit të degës së PD-së, Dibër, ish – depuetit të rrethit të Bulqizës në dy legjislatura (1992-’96 dhe 1996-‘97) dhe ish-ministrit të parë të Mbrojtjes të periudhës së demokracisë e pluralizmit, argumentet dhe faktet që sjellin bashkëkohësit, na çojnë në konkluzionin se figura e Safet Zhulalit qëndron në panteonin e personaliteteve të shquara kombëtare që personifikojnë periudhën 25-vjeçare të historisë së Partisë Demokratike dhe të qeverisjes së saj. Prandaj edhe interesimet dhe interpretimet e rolit të tij janë trajtuar nga këndvështrime të ndryshme. Përgjatë viteve nga individë dhe me qëllime dashakeqëse ka patur dhe interpretime me nota subjektiviste e nihiliste, çka nuk përkon me të vërtetën, e aq më pak me realitetin shoqëror shqiptar.
Safet Zhulali me kontributin dhe angazhimin e tij, ka luajtur një rol të rëndësishëm në përmbysjen e sistemit komunist dhe vendosjen e demokracisë e të pluralizmit në Shqipëri, ku si një burrë shteti ka dhënë ndihmesën e tij për vendosjen e themeleve të Qeverisjes Demokratike.
Pikërisht për këtë kontribut ai është dekoruar nga ish-Presidenti i RSH, Sali Berisha me Dekret nr. 374, datë 30.11.1992, me motivacionin: “Për merita të larta patriotike në sigurimin e lirisë dhe për shërbime të shquara në reformimin e Ushtrisë”.
Përvoja e tij si organizator në organizimin dhe drejtimin politik të degës së Partisë Demokratike, përbën edhe tani një shembull të shkëlqyer, për t’u marrë si model nga politika shqiptare për metodën e punës, kreativitetin, inspirimin dhe aftësinë për të dhënë mesazhe shprese.
Si ministër i Mbrojtjes në vitet e vështira 1992-97, ai ia ka dalë me sukses që të paraqesë, të mbrojë dhe të avancojë platformën e reformimit të Ushtrisë Shqiptare dhe të çuarjes së saj drejt standardeve të NATO-s.
Madje është ky vlerësim real dhe objektiv mbi të cilin Këshillat Bashkiakë të Peshkopisë, Libohovës dhe Poliçanit i kanë akorduar Safet Zhulalit titullin “Qyetar Nderi” të bashkive respektive.
Autoritetet vendore, dhe mbi të gjitha qytetarët e bashkive Dibër e Libohovë e vlerësojnë Zhulalin si shembullin e qëndrestarit e luftëtarit, shembullin e njeriut që na tregon se si duhet jetuar jeta dhe menaxhuar pushteti për të kuptuar më thellë rrënjët dhe lidhjet që ekzistojnë midis shtetit dhe shtetasit, midis politikës dhe qytetarit.
Pas Peshkopisë e Libohovës, Poliçani ishte qyteti i tretë që e nderoi ish-ministrin e Mbrojtjes Safet Zhulali, në vitin 2015, për punën dhe kontributin e Tij me titullin “Qytetar Nderi”.
Bashkia e Poliçanit e ka shpallur qytetar nderi, ish ministrin e Mbrojtjes në vitet 1992-1997 Safet Zhulalin, në një ceremoni të veçantë ku merrnin pjesë qytetarë të Poliçanit, drejtues të bashkisë dhe familjarë të Zhulalit. E bija e tij, Ilda Zhulali mori titullin që i akordoi këshilli bashkiak i qytetit. Titulli iu dha me motivacionin “Për kontribut të veçantë në reformën e punonjësve të Kombinatit Mekanik, Poliçan”. Fabrika e armëve në këtë qytet ishte nga të paktat vepra industriale që vijoi të punonte dhe prodhonte edhe përgjatë viteve 1990-të falë kontratave dhe
kujdesit të Ministrisë së Mbrojtjes së atëhershme.
Në ceremoninë festive me rastin e 97-Vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura, ish – Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, e dekoroi Zhulalin me Medaljen “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për kontribut të shquar, si Ministër i parë i
Mbrojtjes në periudhën e ndryshimeve demokratike të vendit, në reformimin, ristrukturimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura”. Kjo medalje jepej në Përvjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura.
Ne tashmë jemi një vend anëtar i NATO-s. Ky ka qenë një projekt për të cilin Zhulali punoi dhe besoi deri në fund. Tashmë ai u bë realitet. Si askush tjetër, mësuesi i matematikës Safet Zhulali për 20 vjet, i vlerësuar maksimalisht nga institucionet arsimore, ishte dhe një njeri që njihej si simbol i mençurisë, guximit e stoicizmit, që linte kudo gjurmë të pashlyera në udhën e jetës, gjurmë që po i ndjekin dhe pasardhësit e tij. Ai mbahet mend nga breza nxënësish e mësuesish të gjimnazit të Peshkopisë si një njeri mjaft serioz, shumë i dashur dhe me një humor, gjithmonë të shëndetshëm. Njeri i veçantë, energjik, në sjellje e qëndrime, me një mënyrë të foluri karakteristike, që të mbushte mendjen për çdo gjë që mund të fliste.
Safet Zhulali ishte një njeri shumë më i përparuar se koha që jetoi. Prej tij mësonin të gjithë, jo vetëm nxënësit dhe kolegët e tij, por të gjithë ato që patën fatin të bëhen pjesë e Ekipit të tij Ministror. Personaliteti i tij, kudo dhe në çdo rrethanë reflektonte vlera. Qe një njeri me nivel të lartë në të gjitha dijet, një filozof dhe psikolog, mësues dhe edukator shembullor që të gjendej në ditë të vështira.
Intelektualë më në zë, jo vetëm të Dibrës por nga i gjithë vendi e vlerësojnë Safet Zhulalin si një shembull të dijes, i sigurtë në fjalën që të thoshte, i qartë në konkluzionet që jepte, njohës i filozofisë dibrane, të cilën (edhe pse s’ishe dibran) e përvetësoi dhe avancoi dukshëm në Dibrën ku shërbeu për dekada të tëra, Ai dhe familja e Tij. Mbi këtë bazë, Safet Zhulali duhet kuptuar dhe çmuar si vizionar, largpamës, i cili me vendosmërinë e urtësinë e një politikani të spikatur mundi të arrijë këto vlera për vendin dhe popullin e tij. Ai nuk e njihte veten ndryshe, veçse i lidhur ngushtë me popullitn për të cilin duhej sakrifikuar gjithçka nga vetja, duke pasur parasysh përgjegjësinë për detyrën që ushtronte në emër dhe në dobi të bashkëqytetarëve.
Janë pikërisht këto merita, që jo vetëm në Shqipëri, por dhe në qarqet diplomatike ndërkombëtare, Safet Zhulali vlerësohet si figura më e rëndësishme shqiptare e këtij çerekshekulli. Kjo, për faktin se pjesë kyçe e idesë prijëse të motos së tij ka qenë besimi se fitorja e forcave demokratike do të sillte vendosjen dhe konsolidimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
Në krye të dikasterit të Mbrojtjes ai ndërtoi një politikë të ruajtjes së substancës të Forcave tona të Armatosura, ndërkohë që shtroi shinat e reformimit të tyre sipas standardeve të NATO-s.
Mesazhi i qartë që na vjen nga jeta e Safet Zhulalit është për ne, respekti për ish-ministrin demokrat të Mbrojtjes Safet Zhulali, për Shqipërinë, për vlerat idividuale të Tij dhe për të kuptuar se sa lartësohet njeriu kur përkushtohet për kombin e tij dhe për demokracinë. Ai e donte Shqipërinë, jo vetëm sepse ishte mësuar për këtë nga familja e tij për ta dashur Atdheun, por se besonte në forcën e resurseve njerëzore e pasurore, për ta bërë atë si gjithë Evropa. Ai ishte idealist dhe provë e gjallë e ëndrrës “Shqipëria si gjithë Evropa”. Safet Zhulali, hyri dhe mbeti si një meteor në politikën shqiptare.
Le të jetë ky libër një homazh në nderim të personalitetit të tij të paharruar, skalitur në kujtesën tonë historike dhe në qiellin blu të demokracisë.

S'KA KOMENTE