KOMENT ZGJEDHJE TË LIRA

64

Nga Halil Rama

Qytetarët shqiptarë me të drejtë vote do t’iu drejtohen kutive të votimit më 18 qershor të këtij viti për të dhënë verdiktin e tyre për legjislativin e ri. Sipas dekretit që mban numrin 9883, kreu i shtetit Bujar Nishani ka përcaktuar ditën kur votuesit do të zgjedhin qeverinë që do t’i drejtojë në katër vitet e ardhshme (2017-2021).
Për vetë situatën kaotike të parlamentit aktual, të shkaktuar kryesisht nga prezenca në të e eksponentëve me të shkuar kriminale, përgatitja për zgjedhjet e ardhshme parlamentare është e një rëndësie jetike. Në këto kushte Shoqata Atdhetare-kulturore “Bulqiza”, u kërkon partive politike që të zbatojnë me përpikmëri Ligjin për Dekriminalizimin, për të sjellë në legjislativin e ri shqiptar intelektualë me integritet moral e profesional, të denjë për të përmbushur misionin e tyre.
Tashmë pritet që partitë parlamentare shqiptare të intensifikojnë përpjekjet për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, që do të aplikohet në zgjedhjet e vitit 2017, si një nga kushtet e ndërkombëtarëve lidhur me zhvillimin demokratik të vendit.
Shoqata Atdhetare-kulturore “Bulqiza” shpreh shqetësim për faktin se ende nuk janë miratuar ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR.
Sipas Dekretit të Presidentit Nishani zgjedhjet do të zhvillohen pas pesë muajsh dhe ende nuk është hartuar projekti i ndryshimeve që duhet t’i bëhen Kodit Zgjedhor duke u mbështetur sidomos në rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it.

Është kjo arsyeja që Shoqata Atdhetare-kulturore “Bulqiza” e sheh të arsyeshme t’i sugjerojë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën zgjedhore të krijuar qysh me 15 Dhjetor 2015, të intensifikojë punën e tij me synim hartimin e një projekti cilësor dhe me formulime të qarta që të mos lejojmë keqinterpretime. Zgjedhjet e lira janë domosdoshmëri pasi ato janë kushti themelor për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

36 çështje për të cilat kërkohet vendimmarrje deri në fund të shkurtit

Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore ka zbardhur një plan mbi bazën e të cilit do të vijohet puna e këtij komisioni për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Plani në fjalë përmban 36 çështje që deri në fund të muajit shkurt parashikohet të merret një vendim. Plani nis me financimin e partive dhe në të preken edhe tema të tjera të ndryshimit të sistemit, ankimimet, votimi i emigrantëve, kostoja e zgjedhjeve dhe mbulimi mediatik i fushatës elektorale. Nga tabela mund të vihet re që disa parti kundërshtare bien dakord për disa pika, ashtu sikurse ndahen për çështje të tjera.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka mbështetur propozimin e Partisë Demokratike për identifikimin biometrik, votimin dhe numërimin elektronik. “Votim elektronik me mundësinë e kontrollit të dyfishtë të rezultatit përfundimtar në formë shkresore. Numërim elektronik me mundësinë e kontrollit të dyfishtë të rezultatit përfundimtar në formë shkresore dhe sistem elektronik për identifikimin e zgjedhësve”, ka propozuar PDIU. Po ashtu pro sistemit të votimit, numërimit dhe identifikimi të zgjedhësve është edhe Partia Republikane dhe partitë e tjera të vogla parlamentare. Ajo që mund të shihet nga tabela është se LSI nuk ka bërë propozim lidhur me sistemin e votimit dhe të numërimit, edhe pse para disa ditëve nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili tha se duhen parë të gjitha mundësitë për përdorimin e teknologjisë në zgjedhjet e 18 Qershorit.

S'KA KOMENTE