Votimi elektronik më 18 qershor, betejë e re mes maxhorancës dhe opozitës

106

Mosmarrveshjet lidhur me votimin elektronik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 18 qershorit, duket se do të çojnë në një betejë të re mes maxhorancës dhe opozitës. Në komisionin e Reformës Zgjedhore të zhvilluar të premten më 13 janar 2017, palët komunikuan mes tensionit gjithnjë në rritje.
“Marrim një vendim tani, sipas propozimit, që përveç punës hulumtuese të ekspertëve ti kërkojmë zyrtarisht edhe OSBE/ODIHR-it të vijnë të na japin një opinion për këtë çështje”, tha deputeti socialist Taulant Balla.
Por për deputetin demokrat Oerd Bylykbashi “Vendimin e caktojmë ne, ky parlament. Ajo që ne do t’i kërkojmë OSBE/ODIHR-it është si bëhet më mirë, jo nëse bëhet ose jo”. Debati zgjati derisa zoti Bylykbashi propozoi për t’i dhënë OSBE/ODIHR rol vlerësues mbi votimi elektronik. Mosarritja e konsensusit për ta miratuar propozimin e opozitës e detyroi këtë të fundit të braktisi komisionin. Deputeti Bylykbashi tha se “Me veton e sotme Partia Socialiste praktikisht ka vrarë reformën zgjedhore. Votimi elektronik, indentifikimi elektronik i zgjedhësve me shenjën e gishtit dhe numërimi i votave në mënyrë elektronike është thelbi i reformës zgjedhore për zgjedhje të lira dhe të ndershme” këmbënguli ai.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu paraqiti propozimet e partisë së tij dhe katër partive të tjera të vogla, ku veçoi votimin dhe numërimin elektronik, procesin e dekriminalizimit si një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm, uljen e kostos së fushatës së zgjedhjeve dhe mënyrën e përdorimit të financave të buxhetit të shtetit, shmangien e parave të krimit dhe të korrupsionit, si dhe garantimi i aksesit në media i aktiviteteve të partive politike.
Kreu i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi, gjatë mbledhjes së komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, deklaroi se pas një viti, komisioni gjente dakordësinë për çështje që ishin dakord prej muajsh. “Të gjithë jemi në favor të identifikimit, numërimit dhe votimit elektronik”, tha ai.“Unë nuk di të shpreh keqardhjen apo fatmirësisht më në fund pas 1 viti, po fillojmë të kemi një produkt konkret. Kemi një vit që sorollatemi dhe sot kemi një matricë për të filluar punën. Edhe kur flasim për zgjedhje jo transparente, në radhë të parë kjo vjen nga dy partitë kryesore që ruajnë administrimin politik të zgjedhjeve, që nga KQZ-ja, dhe nga gjithë strukturat e tjera të menaxhimit zgjedhor. Të gjithë jemi në favor të identifikimit, numërimit dhe votimit elektronik. Unë nuk e kuptoj se pas një viti vërtitemi prapë në të njëjtin diskutim. Ky komision të mos mblidhet një herë në 3 muaj. Të mblidhemi dy herë në javë. Të shohim se si mund të veprohet me numërimit elektronik. Për çështje të tjera si financimi, mediat, dekriminalizimi, ne jemi dakord. Unë kërkoj që në qoftë se jemi dakord të fillojmë punën duke shpejtuar punën e këtij komisioni, të fillojmë punën duke u mbledhur dy herë ose tre herë në javë për çështjet më sensitive. Edhe në mbledhjen e para 6 muajve, kemi kërkuar nga KQZ-ja apo ata që na asistojnë për të parë mundësinë e teknologjisë për votimin, identifikimin dhe numërimit elektronik”,– u shpreh ai.
Deputeti socialist Taulant Balla e konsideroi si një “…alibi për të bojkotuar parlamentin dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhje”. Por në disa deklarime të mëvonshme zyrtarë të PD kanë deklaruar se do të këmbëngulin fortë tek votimi elektronik.

Listat e hapura
Në planin për diskutimet në vijim për reformën zgjedhore është parashikuar edhe sistemi zgjedhor, pavarësisht se dy partitë e mëdha PS dhe PD janë shprehur kundër. Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar votim me lista të hapura, gjë që pritet të diskutohet në mbledhjet e Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku dhe do të merret një vendim përfundimtar për këtë lloj votimi. Pro Lëvizjes Socialiste për Integrim janë shprehur edhe parti të të tjera, mes të cilave edhe partia e Bamir Topit, Fryma e Re Demokratike. LSI kërkon vetëm lista të hapura, ndërsa PR, FRD dhe partitë e tjera të vogla kërkojnë edhe ndryshim të sistemit të votimit, nga proporcional rajonal, në proporcional kombëtar. Pro listave të hapura është shprehur edhe Partia Republikane. “Votim preferencial nëpërmjet listave të hapura pa rend të fiksuar”, thuhet në propozimin e Partisë Republikane për sistemin zgjedhor. Ndërkohë, një propozim i dytë i LSI ka të bëjë me ankimimet në Komision Qendror të Zgjedhjeve. LSI propozon që të hiqet kjo hallkë dhe ankimimet për çështje të caktuara gjatë zgjedhjeve të ankimohen në Kolegjin Zgjedhor. “Shfuqizimi i pjesës së 10-të të Kodit Zgjedhor i cili parashikon ankimin në KQZ për të gjitha llojet e vendimeve dhe shmangien e ankimit administrative në KQZ. Ankimim i drejtpërdrejt nga çdo subjekt në Kolegjin Zgjedhor”, thuhet ndër të tjera në propozimet e LSI.
Financat në zgjedhje

Partitë politike ndahen edhe për financimin e fushatës dhe transparencës së partive për financimet e fushatës. Partia Demokratike propozon që fushatat elektorale të financohen 100 për qind nga buxheti, gjë që mbështet edhe nga PR dhe nga partitë e vogla. LSI propozon që partitë që nuk deklarojnë financimet dhe burimet private të mos regjistrohen në zgjedhje. Sipas LSI partitë politike të deklarojnë shpenzimet pas çdo aktiviteti politik brenda 24 orëve.“Deklarimi i shpenzimeve, si dhe burimin e të ardhurave, për çdo aktivitet politik, brenda 24 orëve nga aktiviteti”, propozon LSI.

S'KA KOMENTE