Ministri i Transportit inspekton akset kombëtare në qarkun e Dibrës Dervishaj: Të gjitha akset të hapura

75

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj, ka vijuar ndjekjen e situatës së krijuar si pasojë e rreshjeve të dëborës dhe temperaturave, duke zhvilluar një disa inspektime në qarkun e Dibrës.
Ndalesa e parë e Ministrit Dervishaj ishte në Qafë Buall në Bulqizë më 6 janar, ku qarkullimi i mjeteve ishte pa probleme. Dervishaj tha se pavarësisht motit të ditëve të fundit, janë marrë masat dhe nuk ka asnjë problem në lëvizjen e mjeteve. Megjithatë ai i bëri apel drejtuesve të automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të pajisen me zinxhirë, sidomos kur lëvizin në zona të caktuara ku ka prani akulli.
Më tej Ministri Transportit Dervishaj, deputeti i zonës Përparim Spahiu dhe kryebashkiaku i Bulqizës Melaim Damzi kanë inspektuar   zonat e mbuluara nga dëbora dhe akset më problematike, ku u ndalën në Urën e Çerenecit, që lidh Bulqizën me zonën e Librazhdit. Dervishaj dha një panoramë të plotë të situatës së qarkullimit, duke theksuar se nuk ka asnjë problem në qarkullim në akset kombëtare rrugore.
“Situata e akseve kombëtare është në monitoroim të vazhdueshëm, dhe janë marrë masat e domosdoshme. Ministria e Transportit dhe institucionet e tjera kanë marrë gjithë masat për përballimin e situatës. Por në këto ditë dua t’i lëshoj një apel edhe personave të zgjedhur, që të mos bëjnë deklarata për përfitime politike. Në këto ditë duhet të jemi të kujdesshëm, pasi deklarata të nxituara ngjallin panik të panevojshëm. Në këto ditë është e rëndësishme të solidarizohemi për të tejkaluar situatën. Në lidhje me firmat kontraktore deri tani, kanë punuar siç duhet duke u angazhuar me punonjës shtesë dhe duke hedhur sasi të mëdha me kripë rreth 1 mijë tonë. Është e rëndësishme që qytetarët veçanërisht në zonat malore të përdorin zinxhirët”.
Ministri Dervishaj dhe deputeti Spahiu, kanë vijuar më tej në zonën  Maqellarë – Peshkopi, ku pati bllokime të rrugës nacionale. Dervishaj tha se pas një problematike rruga është hapur me një korsi dhe nuk ka asnjë makinë të bllokuar. Megjithatë problem mbetej era e fortë që kthente borën në rrugë. Në këto kushte Ministri përsëriti faktin, se që të evitohen këto probleme drejtuesit duhet të përdorin zinxhirët sidomos në akse të veçanta.
Ndërkohë kryebashkiaku Melaim Damzi pohoi se po merren të gjitha masat e duhura për përballimin pa pasoja të situatës.

Familjet në vështirësi nuk kanë as dru për të ndezur sobën

Ulja e temperaturave në mënyrë të ndjeshme në rrethin e Bulqizës, shumë familje i ka gjetur të papërgatitura. Kjo ka ardhur për shkak të kushteve  mjaft të vështira, të cilat nuk i përballojnë dot nga ana financiare, ku dimri i këtij fillimviti ka vënë në vështirësi  familjet e varfëra të qytetit minator të Bulqizës. Tv “Bulqiza” ka evidentuar njërën nga këto famije, atë të Nexhmi Shirës prej 5 anëtarësh,  vetëm pak metra larg nga miniera e kromit. Në këto ditë të ftohta, kësaj familje i duhet të përballet me reshjet dhe temperaturat e ulëta, kur i mungojnë drutë e zjarrit dhe baza ushqimore. Kushtet e kësaj familje nuk plotësojnë as kriterin më minimal për të jetuar, pasi kudo në muret dhe dyert e kësaj shtëpie mbizotëron ngrica dhe i ftohti.
Kryefamiljari Nexhmi Shira i cili tashmë është edhe invalid për shkak të një aksidenti të ndodhur vite më parë, shprehet për TV “Bulqiza” se kushtet janë mjaft të vështira  dhe se shtëpia ku jetojnë është jashtë kushteve për të jetuar. Kjo edhe për faktin se muret e kësaj shtëpie kanë krijuar plasaritje kudo. Ndodhur në një situatë mjaft të vështirë, kryefamiljari shprehet se nuk kanë as dru zjarri dhe as ushqime, pasi pensioni që merr nuk i del as për ilaçet. Ndërkohë, Besnike Shira, bashkëshortja e Nexhmi Shirës shprehet se e vetmja mundësi për të ngrohur fëmijët është të rrinë gjatë ditës të mbuluar me batanije, pasi nuk kanë me çfarë ta ndezin sobën
Dy lagje të Bulqizës, disa ditë pa ujë të
pijshëm

Ditët e acarta në qytetin e Bulqizës, ku termometri ka shënuar deri minus 23 gradë Celsius, ka sjelle probleme edhe në furnizimin e banorëve të qytetit, me ujë të pijshëm. Kështu prej disa ditësh, në lagjen  “Gjeologu” të qytetit  të Bulqizës dhe në Lagjen e Re, banorët  nuk janë furnizuar me ujë të pijshëm.  Shkak i kësaj situate, sipas një kronike të TV “Bulqiza”, mësohet të jetë bërë  ulja e temperaturave e shoqëruar me ngrica. Ndodhur në një situatë të tillë, banorëve u duhej të furnizoheshin me ujë jashtë qytetit  për të gatuar dhe për të pirë.
Banorët shprehen se një situatë e tillë ka ardhur  nga mosmenaxhimi i mirë i ujësjellësit nga ana e Drejtorisë së Ujësjellësit Bulqizë, ndërmarrje kjo, që nuk duhet të bënte mbylljen e rubinetave  të depozitave të ujit në këtë acar të ftohti, ku dihet mirëfilli se Bulqiza është dhe mbetet nga qytetet rekord për nga temperaturat e ulta, gjë e cila padyshim që sjell edhe ngrirjen e tubacioneve të rrjetit të ujësjellësit.
Banorët ankoheshin se prej disa ditësh vijonin të mbushnin ujë jashtë qytetit, duke rrezikuar edhe jetën për shkak të  akullit dhe të ftohtit që kanë mbërthyer keq qytetin.

S'KA KOMENTE