DIMRI MË I EGËR I KËTIJ ÇEREKSHEKULLI, BULQIZA NËN PUSHTETIN E BORËS DHE NGRICAVE

567

Fillimi i këtij viti solli edhe dimrin më të egër të këtij çerekshekulli. I ftohti tipik i kësaj stine, ka përfshirë të gjithë territorin e vendit. Bulqiza, që padyshim njihet edhe si vendi më i ftohtë (edhe në verë) prej disa javësh u ndodh nën pushtetin e borës dhe ngricave. Në qytetin e akullt në zemër të maleve, si edhe në disa fshatra malorë të rrethit të Bulqizës, për ditë të tëra temperaturat zbritën deri minus 23 gradë Celsius. Dhe padyshim, ky dimër i ashpër e vështirësoi shumë jetesën e banorëve të këtij rrethi.
Që në ditët e para të janarit, prania e reshjeve të dëborës dhe ngricat ka krijuar probleme në qarkullim.  Kjo situatë e pazakontë evidentoi papërgjegjshmërinë e pushtetarëve në drejtim të mirëmbajtjes së rrugëve duke i lënë akset nacionale nën pushtetin e dimrit. Reshjet e dëborës dhe shtresat e akullit bllokuan  fillimisht qarkullimin e lirë të qytetarëve, ndërsa aksi nacional Qafë-Buall-Shupenzë ishte i mbuluar nga akulli duke përbërë rrezik për lëvizjen e udhëtarëve. Trashësia e akullit në këtë zonë, mungesa e skorieve dhe punonjësve të mirëmbajtjes, ka krijuar probleme në qarkullim. Të gjitha mjetet që udhëtonin drejt Peshkopisë dhe anasjelltas kanë vënë në përdorim zinxhirët.
Të njejtën situatë të vështirë përjetuan pothuajse banorët e krejt qarkut të     Dibrës, ku rrugët nacionale e lokale të ndërmjetme ishin mbuluar nga ngricat. Mosndërhyrja e drejtorisë së rrugëve me skorie apo borëpastruese, rrezikoi qarkullimin e njerëzve.  Në segmentet me akull të zonës se Dibrës, dhjetëra makina kanë rrëshqitur por për fat të mirë pa pasoja të rënda. Segmentet më problematike në këto zona ishin: Qafa e Buallit- Klos, segmenti në hyrje të Peshkopisë dhe rruga Fushë-Bulqizë- Shupenzë. Probleme ka patur edhe në ish komunat Lurë, Kala e Dodës, Ostren dhe Martanesh, aty ku dëbora arriti deri mbi një metër.
Moti i vështirë me borë e ngrica vijoi për afro dhjetë ditë, deri më 11 janar kur pati një ngritje të temperaturave  të shoqëruara me reshje shiu. Por kjo situatë zgjati vetëm dy ditë dhe më 13 janar u rikthyen sërish reshjet e borës dhe ngricat.

S'KA KOMENTE