DR. MEHDI CANI, MISIONAR I MJEKËSISË SHQIPTARE

1960

Nga Sakip  Cami

Kohët e fundit Këshilli i Qarkut të Dibrës nderoi me titullin e lartë “Nderi i Qarkut” Dr. Mehdi Canin, mjeku dhe drejtori i parë i Spitalit të Bulqizës si dhe mjek dhe drejtor për një kohë të gjatë i spitalit të Peshkopisë.
Ceremonia e rastit u zhvillua në qytetin verilindor në prani të qindra kolegëve, qytetarëve dhe të afërmve të tij.
Përshëndetën me këtë rast, Kryetari i Bashkisë Muharrem Rama, Drejtori i Spitalit Rajonal të Peshkopisë, Beqir Biçi, Dr. Nazmi Koçi, vajza e tij Dr. Alma Cani, si dhe mjekë pjesmarrës ish kolegë të doktorit, të cilët shprehën impresione nga puna dhe karriera e këtij mjeku të përkushtuar  në shërbim të qytetarëve. Çertifikatën me titullin “Qytetar Nderi” ja dorëzoi bashkëshortes zonjës Tefta Cani, Kryetari i Qarkut të Dibrës Hajri Laçi.
Pas një kohë të gjatë në zonën e vendlindjes së tij, Dibër, Doktor Mehdi Cani u zhvendos në Tiranë, ku shërbeu në Spitalin Infektiv si mjek dhe  drejtor i këtij spitali, deri sa doli në pension. Edhe këtu ashtu si në Dibër spikati fuqishëm puna plot pasion e përkushtim në shërbim të pacienteve dhe mirëmenaxhimit të këtij spitali. ku fitoi respektin e pacientëve dhe kolegëve të tij.
Në mbyllje të ceremonisë  folën për Dr. Mehdi Canin edhe bashkëshortja e tij, Tefta Cani si dhe vajzat, Ilda, Alma dhe Brikena. (Kjo kronikë është transmetuar në televizionet lokale Dibra TV dhe Bulqiza TV si dhe në disa televizione kombëtare).

Jetëshkrimi

Mehdi Cani është lindur më 4 shkurt 1936 në Zerqan të rrethit të Dibrës. Shkollën 7 vjeçare e kreu  në fshatin Zerqan me rezultate të shkëlqyera.
Shkollën e mesme mjekësore e kreu në Tiranë, me rezultate të shkëlqyera. Fakultetin e Mjekësisë  e kreu në vitet 1953-1958, me rezultate të shkëlqyera, duke u futur në librin e artë të Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Emri i tij është shënuar në Librin e Nderit të Fakultetit të Mjekësise. Gjatë periudhës së studimeve ka punuar në Klinikën Universitare të Tiranës, krahas doktorëve dhe profesorëve të nderuar, korifenjve të mjekësisë shqiptare si  Nikolla Shurbani, Petrit Kokalari, Ylli Popa, Orest Papadhimitri, Mynyr Karagjozi, Skënder Çiço, Dr. Shiroka, Dr. Dushniku, Selaudin Bekteshi, Hulo Hadëri, Shefqet Ndroqi, Bajram Preza, Drini Ohri, Jani Basho, S. Trimçev, A. Bozo. A.Gusho, U.Vehbiu, J.Adhami, Ll.Ziçishti, O.Papadhimitri, K.Glozheni, Petrit Gaçe, Xh.Gjata etj.
Ka filluar punën si mjek dhe Drejtor i Spitalit të Bulqizës, menjëherë pas mbarimit të studimeve, në vitin 1958.Në vitin 1960-1976 emërohet Shef i Klinikës së Infektivit dhe Drejtor i Spitalit “Stefan Luarasi” Peshkopi.Në vitet 1965-1976, Shef i seksionit të shëndetësisë pranë Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Dibër
Në vitet 1976-1997 shërben si mjek në Klinikën Universitare të Infektivit të Tiranës dhe nga viti 1982-1992, Drejtor i Klinikës Universitare të Infektivit të Tiranës ose Spitalit Nr 4 të Tiranës siç njihet nga populli.
Nga viti 1976-2006 shërben si pedagog pranë Fakultetit të Mjekësisë dhe në Shkollën e Lartë të Infermierisë. Ai ka vënë bazat e lëndës së neuroinfeksionit  në Universitetin e Mjekësisë.  Nga viti 1997-2006, mjek neuroinfeksionist në dy klinika private, një nga këto klinika Laboratori “Bio-Chem”.
Gjatë gjithë jetës së tij ka studiuar dhe është kualifikuar hap pas hapi duke u bërë Doktor i Shkencave Mjekësore duke dhënë kontribut kryesor në fushën e neuroinfeksionit.
Në vitin 1967 është specializuar për sëmundjet ngjitëse në Klinikën Infektive në Tiranë. Në vitin 1980 është specializuar për neurologji në Klinikën e Neurologjisë në Tiranë.
– Zotëronte gjuhën angleze dhe gjuhën ruse.
– Ka marrë pjesë me referate përkatëse në disa simpoziume dhe konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit si në Austri, Kroaci, Hungari, Itali.
– Ka mbrojtur disertacionin dhe ka fituar gradën shkencore “Doktor i shkencave” në vitin 1985 me temë “Mbi meningjitet për periudhën 1976-1985 në Shqipëri”.

BOTIMET

Është autor i librit të sëmundjeve ngjitëse që përdoret në Fakultetin e Mjeksisë dhe në Shkollën e Lartë të Infermierisë.
Ka bërë mbi 100 artikuj shkencorë e publiçistik të botuara brenda dhe jashtë vendit mbi neuroinfeksionet. Për punën e tij të palodhur në mjekësi është dekoruar me disa urdhra dhe medalje si mjek i shquar.
Me Dekretin nr.7336, datë 13.11.1989 Presidiumi i Kuvendit Popullor i jep titullin “Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës” me këtë motivacion “Për kontributin e dhënë në ngritjen e shërbimit të neuroinfeksionit në vend, për përcaktimin e kritereve të drejta shkencore në mjekimin e meningiteve e për ndihmesën e dhënë në kualifikimin e përgatitjen pasuniversitare të kuadrit në këtë shërbim”.
Me Dekretin Nr.6872, datë 27.3.1984 të Kuvendit Popullor i është dhënë Urdhëri “Për shërbim të mirë popullit”.
Është i njohur si neuroinfeksionist dhe klinicist i shquar i vendit, si dhe si humanist që u ka shërbyer falas pacientëve të fshatit dhe krahinës së tij të Dibrës si dhe njerëzve në nevojë të Shqipërisë.
Eshtë vlerësuar ndër 100 mjekët e famshëm të shekullit, që “ kanë shpëtuar jetë njerëzish dhe janë kthyer në heronj pa titull, që kanë themeluar e kanë promovuar pavjone e spitale anembanë vendit, për vite, dekada e deri një shekull . “
Ka ndërtuar spitalet e Peshkopisë e të Bulqizës dhe hotelin e Llixhave. Gjatë viteve  që ishte shef i shëndetësisë në rrethin e Dibrës ka ngritur e ndërtuar spitale e maternitete në të gjithë rrethin e Dibrës.  Më 8 dhjetor 2006 ka ndërruar jetë.
Është shpallur “Qytetar Nderi” i Qarkut të Dibrës dhe është propozuar nga grupe intelektualesh të Dibrës e Shqipërise që të shpallet “ Qytetar Nderi “ i Shqipërisë dhe emri i tij t’i vihet një spitali në Qarkun e Dibrës.

IMPRESIONE PERSONALE

Një fjalë e urtë popullore thotë:” Njeriut të mirë i dihet kimeti, kur ai nuk jeton më.“  Kështu po ndodh edhe me Dr. Mehdi Canin, të cilin u bë 10 vjet që nuk e kemi midis nesh fizikisht. E theksoj fizikisht sepse Doktor Mehdiu është i ngjizur thellë në zemrat e njerëzve, sidomos të ish pacientëve, shokëve dhe miqve të tij. U mungon shumë… Doktor Mehdiu ishte nga ata njerëz dhe nga ata mjekë që jetën ua kushtoi njerëzve, dha nga jeta e tij.
Kujtimet e mia për Doktor Mehdiun datojnë pasi u emërua drejtor i Spitalit Nr 4 Tiranë, Spitalit Infektiv siç njihet nga njerëzit, pjesë e Qendrës Universitare Spitalore “Nënë Tereza” Në një farë kuptimi Doktor Mehdiu ishte një Nënë Terezë. Ai nuk flinte gjumë kur nuk kishte arritur që të bënte atë që mundej dhe që dëshironte edhe tej pamundësisë siç i thonë shpesh në mjekësi.
Në spitalin ku drejtonte Mehdi Cani dera ishte e hapur për të sëmurët, për hallexhinjtë dhe për miqtë e shokët. “Kurrë mos paçi hall shëndetësor, u thoshte Mehdiu, por telefoni im, shtëpia ime dhe dera e spitalit ku unë punoj dhe drejtoj është e hapur.”
Ai “kritikohej” nga personeli mjekësor sepse merrte pacientë edhe nga spitale të tjerë të pashpresë dhe i shtronte në spitalin e tij dhe i shëronte. I shëronte me fjalën e tij të ëmbël, me ilaçet bashkëkohore që porosiste, me profesionalizmin dhe përkushtimin e tij. Një dhomë në spital e mbante në gadishmëri pikërisht për njerëzit në nevojë, për të largëtit  e rretheve, sidomos për dibranët e bulqizakët.
Në një rast një plak i vjetër kishte ardhur nga larg për t’u vizituar nga Mehdiu. Pasi ju bënë vizitat dhe analizat doli se nuk kishte ndonjë dignozë  serioze. -Të rrijë edhe ca ditë, tha Doktor Mehdiu, sëmundjen e tij e di unë. Ai ka nevojë që të ushqehet me ushqime vitaminoze dhe të ngrohta. Dhe kështu u bë. Pas disa ditësh pacienti e mori vehten…

KANË THËNË DHE KANË SHKRUAR PËR DR. MEHDI CANIN

•    “Humanizmi ka qenë karakteristikë e këtij burri të shquar, për të gjithë të sëmurët, pavarësisht se ç’të krahine apo besimin ishin”
Haxhi Dede Reshat  Bardhi, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve.
•    Atë e karakterizonte humanizmi i paparë si asnjë mjek tjetër, shpirtmadhësia e tij mund të krahasohet me shpirtmadhësinë e dashurinë për njerëzit të  Nënë Terezës” Prof. Dr. Petrit  Bara
•    “I madhi, i miri, i ëmbli, i mençuri, i dituri, i urti, zemërgjëri Mehdi Cani”. Nuk vdesin njerëz dhe mjekë të mëdhenj si ai. Thoni vetëm se Dr. Mehdi Cani lindi në Zerqan të Dibrës më 4 shkurt të vitit 1936.   Dr. Flamur Topi
•    Mehdi Cani i përket asaj kategorie mjekësh, që me punën dhe jetën e tij e ka provuar se e meritonte besimin, respektin dhe miorenjohjen e popullit të Dibrës. Në kujtesën time, koha që unë punova në spitalin e Peshkopisë, të cilin e drejtonte doktor Mehdiu, ka mbetur si një kohë e artë e mbushur me dritë e blerim. Prof.Dr. Ahmet Kamberi
•    Mehdi Cani do të mbetet në kujtesën tonë si një shqiptar patriot i flaktë dhe i pamposhtur. Ai i përket asaj kategorie njerëz që nuk harrohen. Dr. Kristo Pandofski
•    Mehdiu gjithmonë më ka frymëzuar dhe më ka mbështetur në jetë dhe në punën time humanitare. Tefta  Cani
•    Edhe pasardhësit tanë do të mësojnë për urtësinë, dashurinë dhe përkushtimin e gjyshit tonë Dr. Mehdiut.
Av. Dr. Endrit  Poda

S'KA KOMENTE