FATMIR PETI, OFICERI GJITHARMËSH QË DOLI NGA FISI ME TRADITA I LUFTËTARËVE TË LIRISË

1619

Nga Bashkim LAMI

Ndër fiset e moçme të Bulqizës është edhe “Fisi Peti” i vendosur në Fushë-Bulqizë me shtëpi të moçme që populli të drejton tek Kulla e Petit që si dhe fise të tjera ka histori të lavdishme të qëndresës në kohërat kur Shqipëria ishte e pushtuar nga turqit e serbët. Tipar i veçantë i këtij fisi ka qenë në shekuj që djemtë kishin trup të bëshëm muskuloz që i bënte ata të jenë shumë të vendosur për detyrën e luftëtarit të paepur në çdo situatë. Në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë ishin mjaft të njohur Xhaferri e Muharremi dhe sot Saimiri që kanë ushtruar sportin e mundjes duke qenë të suksesshëm secili në kohën e tij.
Shaqir e Ferite Peti ishin dy të rinj që filluan jetën bashkëshortore me vështirësitë e kohës. Ata iu gëzuan martesës me fëmijën e parë që lindi në Fushë-Bulqizë më1958 dhe i vunë emrin Fatmir, që jeta e tyre të kishte fat. Më pas ata e mbushën shtëpinë me shtatë fëmijë që i pagëzuan me emrat Shahie, Jete, Zurie, Mehdi, Melita dhe më i vogli Arjan. Gjyshi i Fatmirit, Izet Veseli në fshatin Krajkë e kishte për zemër nipin e tij vogëlush dhe u kërkoi Shaqirit dhe bijës së tij Ferite që atë djalë ta rriste vetë. Ata ia plotësuan dëshirën dhe kështu Fatmiri u rrit në Krajkë dhe shkollën 8-vjeçare e kreu në Zerqan me rezultate të larta pasi kishte dëshirë të madhe të shkollohej.
Me që ishte djalë i gjatë dhe mjaft energjik e caktuan të vazhdojë shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë në vitet 1973-1977.  Gjatë kohës si “skënderbegas” pati sjellje shembullore dhe rezultate të larta në mësime. Kishte marrëdhënie shumë të mira me shokët që e donin dhe e vlerësonin për tiparet e tij të dashurisë e të respektit në radhët e shokëve por edhe të pedagogëve civilë e ushtarakë. Fatmiri shquhej në përgatitje fizike dhe në stërvitjet ushtarake. Ai në këtë shkollë u burrërua para kohe, por mendja i rrinte gjithmonë tek familja, pasi i dinte vështirësitë e mëdha që kishin për të jetuar. Shfrytëzonte pushimet për të ndihmuar të atin në mal që të siguronin lëndën drusore që ai e përdorte në zejtarinë e punimit të enëve të drurit si burim i vetëm ekonomik për familjen me shumë fëmijë.

FATMIRI PËRLOTEJ KUR TREGONTE NGJARJEN E FEKENIT, SE SI E NDAU ORTEKU ME SHOKËT DHE I LUTEJ ZOTIT QË AI SHPËTOI, POR DHIMBJA PËR SHOKËT QË HUMBËN JETËN DUKEJ NË FYTYRËN E TIJ SE KISHTE MBETUR E PAHARRUAR.
Në vitin 1978-1982, Fatmiri vazhdoj shkollën e lartë të bashkuar të oficerave në Tiranë, ku ai kujtonte me shumë emocione jetën studentore. Në kujtesën e tij kishte lënë mbresa të dhimbëshme, tragjedija që ndodhi nga orteku i dëborës në stërvitjen dimërore në Feken më 6 shkurt 1981 ku humbën jetën 11 pedagogë e studentë. Fatmiri si njëri nga studentët pjesëmarrës rrëfente çastet e asaj goditje të befasishme, kur ka qenë pikërisht në qendër të goditjes nga orteku dhe ka parë me sytë e tij tërë atë “gjëmë”, siç thotë ai “që rrëmbeu, sa hap e mbyll sytë, gati tërë kolonën e gjatë të studentëve që i ngjiteshin Malit të Micekut me lartësi 1872m”. Fatmiri përlotej kur tregonte se si e ndau orteku me shokët dhe i lutej Zotit që Ai shpëtoi, por dhimbja për shokët që humbën jetën dukej në fytyrën e tij se kishte mbetur e paharruar. …“Ishte mëngjesi i 6 shkurtit i vitit 1981. Ishte një ditë e ftohtë dhe me erë të rrëmbyeshme.
Qendra stërvitore e Fekenit në këmbë të Malit të Micekut kishte mysafirë studentët  e “Akademisë ushtarake” me 12 toga, që kishin në përbërjen e tyre 204 studentë, atë ditë do të bënim ngjitjen malore me elementë të alpinizmit, në një terren të thyer dhe me trashësi të madhe dëbore. Nisja ishte e zakonshme, si në të gjitha ditët e tjera. Kolonën e marshimit e udhëhiqte, si gjithnjë në të tilla stërvitje, pedagogu i talentuar Mark Mici, i cili printe gjithë optimizëm dhe energji. Për çdo rast nevoje, ishin 15 pushkatarë të vendosur 5 në krye të kolonës, 5 në mes dhe 5 të tjerë në fund të saj. Ata garantonin jetën e shokëve nga çdo e papritur gjatë marshimit. Kështu veprohej gjithnjë në demonstrime që bënim gjatë stërvitjeve në lartësi dhe në pyje. Kur kreu i kolonës arriti në majën “Tre pemët e vetmuara”, siç e kishim koduar në hartat tona topografike, na rrëshqiti nën këmbë me një shpejtësi të jashtëzakonshme e tërë faqja e malit, mbështjellë me një trashësi të madhe dëbore. Ishte një goditje e beftë dhe e fuqishme, që ushtoi me një gjëmim shurdhues dhe rrëmbeu me vete, sa hap e mbyll sytë, gati gjysmën e kolonës. Për pak sekonda shokët humbën nën trashësinë e dëborës. Sakaq, ai mal i madh dëbore rrëshqiste e rrëshqiste me shpejtësinë e rrufesë, shpatit të thepisur. Ulërima, thirrje dhe krisma vijuan për pak çaste. Ata që mundën të dalin nga masivet e bardha të borës bërtisnin e kërkonin ndihmë, për të shpëtuar shokët e mbetur në rrënojat e ortekut, që aty për aty kishte gëlltitur gjysmën e efektivit… kujton ndërkaq edhe çastet kur përballej vetë me vdekjen: “Më rrëmbeu vala e parë dhe nuk dija ku më çonte nëpër rrokullimë. U përplasa diku, mesa dukej në trungun e një peme dhe më mbuloi sërish një masiv i madh bore. Isha mpirë i tëri dhe kur bëra të lëviz paksa, majat e gishtave më prekën në fytyrën e njërit prej shokëve të tjerë, që rënkonte me dhimbje mbi trupin tim.
Mblodha për një çast veten dhe u përpoqa të dal mbi masivin e borës. Këtë provë kishte filluar të bënte edhe studenti që kishte rënë mbi mua. Dhe ashtu, të goditur e të gjakosur mundëm të çohemi në këmbë. Mblodha për një çast veten dhe hodha vështrimin përqark, kur ç’të shikoja, shokë që bërtisnin e bërtisnin. Kishte ndodhur hataja e vërtetë, “Orteku i dytë ishte edhe më i tmerrshëm e tragjik. Tashmë, te vendi i ngjarjes ishte grumbulluar gati tërë efektivi i shkollës, për të ndihmuar të dëmtuarit dhe për të kërkuar trupat e shokëve nën rrënojat e dëborës. Afërsisht, pas dy orësh nga orteku i parë, goditi furishëm dhe në mënyrë të papritur i dyti, që shkaktoi edhe më shumë viktima”. Orteku i dytë na mori kështu jetën e gjashtë shokëve, mes të cilëve tre pedagogë, dhe gjymtoi mbi gjashtëdhjetë të tjerë, Fatmiri nuk i harronte kurrë emrat e Dushan Shameti komandant batalioni, Çlirim Pulaj oficer shtabi, Nikollaq Bero pedagog, Besnik Shehu student, Ilir Gramatikoi student, Bujar Ago student, Aleko Gjoni student, Qemal Lika student, Bilbil Pashai student, Nexhip Çoba student, Pëllumb Rrapo student që u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”

FATMIRI ISHTE OFICER I PËRKUSHTUAR, QË SAKRIFIKONTE PËR TË PËRMBUSHUR ME SUKSES DETYRAT, POR ISHTE I QESHUR DHE I DASHUR ME SHOKËT DHE QYTETAR E PRIND SHEMBULLOR.
Fatmiri sapo diplomohet e emrojnë shef shtabi i batalionit në Kastriot për një vit deri më 1983. Tani Fatmirit i binte detyra të kujdesej për dy familjet e tij, atë të gjyshërve në Krajkë dhe për motrat e vëllezërit në Fushë-Bulqizë të cilët po jetonin me shumë vështirësi pasi të ardhurat nga puna në kooperativë ishin të pamjaftueshme
Në vitin 1985 Fatmiri u martua me Sheqere Përkolën. Jeta bashkëshortore filloi me vështirësi të jashtëzakonshme pasi nuk kishin strehim. Pas shumë përpjekjesh strehohet në Shupenzë ku i lindën fëmijët Malvina, Eltoni dhe Elsa.
Duke vlerësuar shkathtësinë e seriozitetin në kryerjen e detyrave Fatmiri caktohet komandant batalioni deri në vitin 1986. Për një vit komandon kompaninë mitraliere dhe në vitin 1987 e emrojnë komandant i batalionit në Shupenzë ku qëndroi deri në vitin 1993. Me riorganizimin e ushtrisë kreu detyrën e shefit të stërvitjes së brigadës në Bulqizë nga 1993-1995 e më pas për një vit shef operativ i kësaj brigade me gradën ushtarake “major”. Përsëri i del përpara çështja e strehimit të familjes në Bulqizë që u detyrua ta zgjidhë vetë duke blerë një hyrje në qytetin e Bulqizës.
Me reformimin e brigadës kalon tre muaj në asistencë dhe në vitin 1996 filloi punën në zyrën e MCR-së të rrethit Bulqizë. Për të qenë bashkëkohor në plotësimin e detyrës mësoi të përdorë kompjuterin në një kurs privat. Ai ishte shumë sistematik në përmbushjen e detyrës duke kapërcyer vështirësitë që po sillte jeta e re demokratike e shqiptarëve. Kur i shihje dokumentacionin dhe raportet për organet eprore tregonte se ishte shumë profesionalist dhe nuk i mungonte asgjë në përmbushjen e detyrës.
Fatmiri ishte në krye të gjithë organizimit dhe të pritjes së kosovarëve të dëbuar në pranverën e vitit 1999. Ai po e përjetonte këtë dramë të dhimbshme të bashkëkombasve me emocion, por shumë i përqëndruar për të kryer në kohë rekord çdo detyrë që lidhej me sigurimin e kushteve për jetesë dhe afrohej të bisedonte me çdo person që i kërkonte ndihmë. Ai në këtë periudhë po e përjetonte shpirtërisht ecurinë e strehimit e të ushqimit duke mos treguar kurrë lodhje. Ai mbeti në kujtesën e kosovarëve shumë i dashur dhe i paharruar.
Në vitin 2002 caktohet komandant i stacionit të mbrojtjes kundër zjarrit në Bulqizë. Edhe në këtë detyrë ai e tregoi përkushtimin e tij për përmbushjen e detyrës duke pasë vështirësi të jashtëzakonshme për paisjet e MKZ-së si dhe personelin e mangët përballë rasteve kur duhej shkathtësi e guxim dhe përsëri ja doli duke e bërë këtë njësi sipas kërkesave të kohës, duke qenë gjithmonë i papërtueshëm e i pa thyeshëm përpara fatkeqësive.
Në pranverën e vitit 2012 përjeton një sëmundje të rëndë. E gjithë familja ishte shumë e shqetësuar. Bënë të gjitha përpjekjet nëpër spitale në Tiranë dhe Itali por sëmundja e rëndë e ndau nga jeta shumë parakohe duke lënë në pikëllim familjen e tij dhe fëmijët ende të vegjël. Fatmir Petin do ta kujtojnë me dashuri e respekt familja dhe shoqëria që e njohën pasi Ai kudo që punoi e jetoi la pas vetëm shembullin e admirueshëm si oficer dhe si qytetar.

S'KA KOMENTE