Statusi i gjyqtarit dhe reforma në drejtësi

112

Dr. Vladimir SKËNDERI*

Abstrakt

Pushteti gjyqësor në Shqipëri sot konsiderohet si mëkatari më i madh në shoqërinë shqiptare. Por a është ai i vetmi mëkatar? A është trajtuar ai me respekt e dinjitet nga shoqëria shqiptare? Në vlerësimin e autorit të këtij shkrimi, bashkëfajtorë për këtë gjendje të gjyqësorit janë edhe politikanët e këtij vendi. Këta të fundit kur kanë nevojë për të pastruar figurën e tyre, deklarojnë se janë shpallur të pafajshëm nga gjykatat. Kur i pafajshëm është shpallur kundërshtari politik, nxitojnë të anatemojnë gjykatat si të korruptuara etj. Në vlerësimin tonë, gjyqësori është konsideruar nga shteti si i njerkës krahasuar me punonjësit e sektorëve të tjerë të shtetit. Gjyqësori në Shqipëri përveçse është i sulmuar në bllok nga politika e media, gjithashtu është i paguar më keq dhe i poshtëruar. Kjo gjendje nuk i shërben shoqërisë shqiptare dhe duhet ndryshuar me shpejtësi.
Të pretendosh që të kesh një gjyqësor të nivelit euro-atlantik ndërkohë që nuk kujdesesh për të plotësuar kushtet e gjyqtarëve është mision i pa mundur. Një kryetar bashkie filloi të gjobiste qytetarët e tij që urinonin poshtë urave apo në trungjet e pemëve, ndërkohë që qyteti nuk kishte asnjë banjo publike. Njerëzit detyroheshin të hynin në një lokal e të porosisnin edhe kur nuk u hahej, e nuk u pihej, vetëm e vetëm që të justifikonin vajtjen në tualet. Vendosja e banjove dhe jo vendosja e gjobave e zgjidhi problemin. Edhe në rastin e drejtësisë, mendojmë se plotësimi i kushteve të gjyqtarëve dhe jo reformat përmbysëse e prerjet e kokave janë zgjidhja. Evidentimi i gjendjes dhe kërkesa që të mos diskriminohen më tej gjyqtarët shqiptarë në raport me kategoritë e tjera të punonjësve të shtetit e në raport me kolegët e tyre në botë, janë objekt i këtij shkrimi.

Analizë e gjendjes në gjyqësor
Në gjithë këto vite përvoje pune të autorit në gjyqësor, flalët kyçe më të përdorura nga ekzekutivi kur flitej për drejtësinë ishin reforma dhe korrupsioni. Gjyqësori në Shqipëri nga qeveria dhe media është evidentuar si mëkatari i madh. Kjo qasje ka pasur ndikimin e vet edhe tek publiku i cili është mëkuar çdo ditë me këtë lloj informacioni. Kjo propagandë, shto këtu edhe raste të evidentuara të korrupsionit në drejtësi, kanë bërë që perceptimi i publikut për gjyqësorin të jetë në nivelin më të ulët historik.
E keqja e madhe në këtë rast është se ekzekutivi dhe mediat e përgjithësojnë fenomenin dhe nuk merren me rastet individuale të gjyqtarëve të korruptuar. Sikurse ka gjyqtarë të korruptuar, ka edhe ministra, deputetë, e gazetarë të korruptuar, por kjo nuk do të thotë se e gjithë qeveria, i gjithë parlamenti, apo e gjithë media është e korruptuar. Për rrjedhojë mendojmë se është urgjente që të ndalohen akuzat on block në drejtim të gjyqësorit.
Në përgjigje të këtij perceptimi negativ për drejtësinë, pas përfundimit të ligjit për dekriminalizimin e tij, legjislativi tashmë ka vendosur si prioritet të punës reformën në drejtësi. Në kuadrin e reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi një vend të veçantë zë edhe bërja e një ligji për statusin e gjyqtarit që deri tani ka munguar. Statusi i gjyqtarit rregullohej në mënyrë të përmbledhur nga Kushtetuta  e nga ligji  por nuk kishte një ligj të veçantë që të rregullonte statusin e gjyqtarit. Për rrjedhojë projekti për rregullimin me ligj të statusit të gjyqtarit është i mirëseardhur. Megjithatë nga përmbajtja e projektligjit konstatohet se sikurse në të shkuarën gjyqësori konsiderohet si i njerkës në raport me funksionet e tjera shtetërore, por edhe me gjyqtarët e vendeve përreth e më gjerë. Trajtimi i këtyre dallimeve është objekt i këtij shkrimi. Ky shkrim do të fokusohet në rregullimet ligjore në fuqi (de lege lata ) .

Paga e gjyqtarëve.
Me ligjin në fuqi, nenet 26, 27, gjyqtari i shkallës së parë dhe ai i apelit përfitojnë respektivisht një pagë të barabartë me 60%  dhe 75% të pagës së gjyqtarit të gjykatës së lartë. Paga e këtij të fundit është e njësuar me pagën e ministrit. Kjo pagë është më e vogël sesa paga e gjyqtarëve të çdo vendi ballkanik e evropian, madje edhe më e ulët se paga e gjyqtarëve të Republikës së Kosovës që është shteti më i ri në Europë. Megjithatë caktimi i përqindjeve të mësipërme nuk lejonte diferencim shumë të madh të pagave të gjyqësorit në krahasim me degët e tjera të qeverisjes, legjislativin e ekzekutivin.
Pagat e gjyqtarëve shqiptarë as kanë të krahasuar me pagat e homologëve të tyre evropianë, ku përmendim se paga minimale e një gjyqtari në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) është $166.000 në vit, ose sa paga e 10-15 gjyqtarëve shqiptarë. Shoqëria shqiptare duhet të krijojë modelin e një gjyqtari të mirë paguar, të mirë edukuar, dhe t’i mundësojë atij një jetesë dinjitoze, e jo modelin e një gjyqtari që zvarritet dhe llogarit qindarkat për mbajtjen e familjes, apo që hap sytë të paguhet nga avokatët apo qytetarët.

Dieta dhe kompensimi kur ushtrohet detyra larg vendbanimit.
Autori i këtij shkrimi për afro 10 vite ushtroi detyrën e gjyqtarit në qytetin e Vlorës ndërkohë që vendbanimi i tij ishte në Kamëz pra rreth 150 km larg. Gjatë gjithë atyre viteve ai nuk është trajtuar as me djetë, as me shpenzimet e transportit, as i është siguruar banesë, e as i është siguruar punë për bashkëshorten. Në të njëjtën mënyrë janë trajtuar gjithë kolegët e tjerë që prej vitesh ushtrojnë detyrën e gjyqtarit në gjykatat e Kavajës, Lushnjes, Fierit, Shkodrës, Lezhës, Laçit, Krujës, Durrësit, etj e që banojnë në Tiranë. I njëjti fenomen ndodh edhe kur gjyqtarët delegohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në një gjykatë të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë zakonisht funksionin e gjyqtarit. Pra edhe në këtë rast nuk u paguhet djetë apo shpenzime transporti.
Krejt ndryshe ndodh me punonjësit e tjerë të shtetit. Nëpunësi civil i administratës shtetërore përfiton “kompensimin  e shpenzimeve të kryera për ushtrimin e detyrës jashtë vendit normal të punës.”  “Personeli ushtarak (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist) i jepet kompensim për: a) qira banese kur ushtaraku i shërbimit aktiv nuk mund të strehohet me banesë nga Ministria e Mbrojtjes. Masa e kompensimit është jo më shumë se 80 për qind e vlerës së qirasë; b)ushqim. …”  Më tej në nenin 25 të të njëjtit ligj parashikohet kompensimi në rast emërimi ose komandimi në detyrë jashtë vendbanimit të ushtarakut. Aty thuhet se ushtarakut dhe familjes së tij “i jepet kompensim për shpenzimet për udhëtim e transport të materialeve të shtëpisë. Shpenzimet përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Kur ushtaraku i forcave të armatosura komandohet në një detyrë tjetër, jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, Ministria e Mbrojtjes i siguron fjetjen dhe transportin. Në rastet kur fjetja dhe transporti nuk i sigurohen nga Ministria e Mbrojtjes, ai përfiton djeta sipas legjislacionit në fuqi.”
“1. Kur ushtaraku aktiv …, ne rastet e emërimit ne detyre jashtë vendbanimit te përhershëm te tij, brenda dhe jashtë vendit, ndërron vendbanimin se bashku me familjen dhe, si rrjedhoje e kësaj, bashkëshorti/bashkëshortja humb vendin e punës, ne pamundësi te punësimit ne vendbanimin e ri, i jepet page papunësie ne masën dhe sipas kritereve te përcaktuara me vendim te Këshillit te Ministrave. Paga e papunësisë jepet ne emër te bashkëshortes/bashkëshortit. 2. Koha e qëndrimit pa pune e bashkëshortes/bashkëshortit te ushtarakut, për një periudhe deri ne 7 vjet, njihet si vjetërsi sigurimi, për efekt përfitimi pensioni pleqërie. … Personat te cilët e kane përfituar këtë te drejte, sipas nenit 17 te ligjit nr.7496, date 3.7.1991 “Për statusin e ushtarakut te Forcave te Armatosura te Republikës se Shqipërisë”, do te vazhdojnë ta përfitojnë këtë pagese edhe për periudhën e përcaktuar ne piken 2 te këtij neni, por jo me shume se 15 vjet. 3. Bashkëshortja/bashkëshorti e/i ushtarakut e përfiton pagën e papunësisë edhe për periudhën kur ushtaraku nxirret ne rezerve, ne lirim ose vdes, por jo me shume se periudha e përcaktuar ne piken 2 te këtij neni.”
Të njëjtat lehtësira parashikohen edhe në rastet e punonjësit të policisë. Ligji parashikon se “kur punonjësi i policisë emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda dhe jashtë vendit, i paguhet qiraja e banesës, kur nuk i sigurohet ajo. 2. Kriteret dhe masa e përfitimit të pagesës së qirasë për strehim përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”  Në të njëjtin ligj në nenin 67 të tij parashikohen kompensimi për privacionet që i krijohen punonjësit të policisë për largësi nga vendbanimi, sipas kostos së transportit publik dhe paga për papunësinë e bashkëshortit/es. Po kështu në ligj parashikohet “c) trajtimi me ushqim për punonjësit e policisë; ç) ndihma financiare në masën e një page mujore në rastet e fatkeqësive në familje; … ndihma e menjëhershme financiare në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, sipas akteve të vlerësimit të dëmit.”
“1. Deputeti që nuk banon ne qytetin e Tiranës përfiton dieta gjatë kohës që merr pjese ne mbledhjet e Kuvendit, te komisioneve e mbledhjet e grupit parlamentar, ndërsa deputetet qe banojnë ne Tirane përfitojnë dieta për ditët e shërbimit jashtë Tiranës. …”

Leja vjetore e gjyqtarëve
Statusi i gjyqtarit, ndryshe nga profesionet e tjera të përfshira në këtë studim, nuk është i rregulluar me ligj të veçantë, por disa dispozita (nenet 20 -30) që rregullojnë këtë status janë të inkorporuara në ligjin  ‘për organizimin e pushtetit gjyqësor’. Konkretisht në nenin 24 përcaktohet se gjyqtari përfiton leje të pagueshme vjetore për 30 ditë kalendarike dhe se kjo leje meret gjatë muajit Gusht. Kohëzgjatja e kësaj leje është dukshëm më e vogël sesa leja e përcaktuar për punonjësit e tjerë të administratës shtetërore etj.
Sipas nenit 27 të ligjit  inspektori i shërbimit informativ kombëtar përfiton 40 ditë kalendarike leje të pagueshme vjetore. Në lidhje me deputetët neni 74 i Kushtetutës përcakton se sesioni i parë fillon të hënën e tretë të janarit, kurse sesioni i dytë fillon të hënën e parë të Shtatorit. Sipas kësaj dispozite kushtetuese deputeti përfiton 15-21 ditë kalendarike leje dimërore dhe leje verore 31-37 ditë kalendarike.  “…Kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar për oficerët dhe nënoficerët aktiv të forcave të armatosura është 45 ditë kalendarike, ndërsa për ushtarët me pagesë/profesionistë është 30 ditë kalendarike. …”. “Koha e pushimit … për punonjësit e policisë është 28 deri në 40 ditë kalendarike dhe jepet i shkallëzuar, sipas vjetërsisë dhe gradave.”

Leja e veçantë e gjyqtarëve
Ligji  nuk parashikon dhënien e lejes së veçantë të gjyqtarëve për raste martese, vdekje, sëmundje të rëndë të anëtarëve të familjes etj., sikurse nuk parashikon as dhënien e lejes pa të drejtë page. Dhënia e këtyre lejeve është rregulluar me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Krejt ndryshe ndodh me punonjësit e tjerë shtetërorë. Konkretisht sipas nenit 27 të ligjit  punonjësi i shërbimit informativ kombëtar përfiton: deri në dhjetë ditë leje të pagueshme si dhe deri në dy muaj leje pa të drejtë page nëse ai martohet; deri në dhjetë ditë leje të pagueshme si dhe deri në dy muaj leje pa të drejtë page për shkak të sëmundjes serioze të bashkëshortit; deri në dhjetë ditë leje të pagueshme si dhe deri në dy muaj leje pa të drejtë page në rast të vdekjes së bashkëshortit; deri në dhjetë ditë leje të pagueshme si dhe deri në dy muaj leje pa të drejtë page në rast sëmundje serioze të fëmijës; deri në dhjetë ditë leje të pagueshme si dhe deri në dy muaj leje pa të drejtë page në rast vdekje të fëmijës; deri në dhjetë ditë leje të pagueshme si dhe deri në dy muaj leje pa të drejtë page në rast të martesës së fëmijës; deri në dhjetë ditë leje të pagueshme si dhe deri në dy muaj leje pa të drejtë page leje kur bashkëshorti tjetër lind një fëmijë
Ushtaraku “ka të drejtën e pushimit të paguar edhe për rastet e martesës, martesës së fëmijës, lindjes së fëmijës, sëmundjes së rëndë ose vdekjes së bashkëshortit/bashkëshortes, fëmijës, prindërve, vëllezërve dhe motrave, pësimit të dëmtimeve nga fatkeqësitë natyrore, ndërrimit të banesës, ndërrimit të vendbanimit të përhershëm për shkak të detyrës, përgatitjes dhe mbrojtjes së titujve pasuniversitare për punën që kryejnë, kur thirret nga organet e drejtësisë si palë, dëshmitarë ose ekspert, si dhe për raste të tjera të paparashikuara, të cilat vlerësohen nga eprori i tij”.

Humbja e jetës dhe trajtimi i familjarëve
Ka ndodhur që gjyqtari në Shqipëri ka humbur jetën dhe asnjë mbështetje nuk është ofruar nga shteti për të mbështetur familjen e tij. Kjo sepse një gjë e tillë nuk është parashikuar në ligj, e kundërta ndodh me familjet e punonjësve të tjerë. Familja e ushtarakut “që humbet jetën në detyrë ose për shkak të detyrës, përfiton pension familjar në masën 100 për qind të pages mujore të muajit të fundit, pavarësisht nga periudha e sigurimit të të ndjerit. …Fëmijët e ushatarkut që ka humbur jetën në detyrë ose për shkak të detyrës, kur fitojnë të drejtën e ndjekjes së arsimit të lartë shteti u jep bursë të plotë.”
“1. Kur punonjësi i policisë humb jetën për shkak të detyrës, pjesëtarët e familjes përfitojnë: a) ndihmë të menjëhershme financiare, deri në 10 paga mujore, si pas pagës referuese të muajit të fundit; b) pension familjar suplementar, në masën 100 për qind të pagës mujore të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, pavarësisht nga periudha e sigurimit. … c) rimbursim, në masën 100 për qind të bursës së studimit në institucionet e arsimit shtetëror për fëmijët e punonjësit; ç) banesë falas për bashkëshorten/in dhe fëmijët kur janë të pastrehë, sipas procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave; d) ndihmë financiare, në masën e 1 page mujore, sipas pagës referuese, çdo përvjetor vdekjeje; dh) ceremonia mortore organizohet nga drejtuesi i strukturës dhe shpenzimet paguhen nga buxheti i policisë; e) punësim me prioritet në përputhje me arsimimin, përvojën dhe kritere të tjera të nevojshme për vendin e punës. 2. …”
Në rastet kur ushtaraku aktiv “vdes, pëson sëmundje të rëndë e të gjatë ose dëmtime të mëdha të pronës, si rezultat i një fatkeqësie natyrore, familjes ose atij i jepet ndihmë financiare e menjëhershme në masën deri në gjashtë paga mujore” . “Në rastet kur ushtarakut aktiv i vdes bashkëshorti/bashkëshortja ose një familjar në ngarkim të tij, pëson sëmundje të rëndë e të gjatë, ose vdes i jepet ndihmë financiare e menjëhershme në masën deri në tri paga mujore.”

Sëmundja aksidentimi.
Ligji nuk afron asnjë mbështetje për gjyqtarin edhe në rast se ai pëson aksident apo sëmundje të rëndë. Në praktikë ka pasur raste të sëmundjes dhe vdekjes së gjyqtarëve nga sëmundje të rënda, e shteti nuk u ka ofruar asnjë suport financiar që të mund të kurohen jashtë shtetit etj. E kundërta ndodh me profesionet e tjera.
Ushtaraku që ndërpret karrierën “si rezultat i një gjymtimi fizik ose mendor, në detyrë ose për shkak të detyrës, duke humbur plotësisht aftësinë për punë, përfiton pension në masën 100 për qind të pagës mujore të ushtarakut në detyrë”. Kur ushtaraku lirohet nga shërbimi për arsye shëndetësore ai “përfiton trajtim financiar deri në punësimin e tij ose deri në daljen në pension pleqërie, …”   “1. Ushtaraku … dhe pjesëtarët e familjes ne ngarkim të tij, …përfitojnë ndihmë mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile ose në qendrat mjekësore private brenda vendit. 2. Ushtaraku …dhe pjesëtarët e familjes …përfitojnë ndihmë mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile ose në qendrat mjekësore private, kur dërgohen për t’u kuruar ose për t’u diagnostikuar jashtë vendit.”  “1. Ushtarakut aktiv, në rezervë, në lirim ose në pension pleqërie, u rimbursohen barnat në masën 80 për qind në rast se në akte të tjera nuk parashikohet një përqindje më e lartë. 2. Ushtaraku që ka marrë pjesë në operacionet ndërkombëtare përfiton rimbursim të plotë të barnave, kur shëndeti është dëmtuar gjatë operacioneve të tilla dhe kompensimi zgjat për aq kohë sa të bëhet riaftësimi shëndetësor. …”
“1. Punonjësit e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit, në funksion të përmbushjes së detyrës së tyre, përfitojnë sigurim shëndetësor të veçantë për shërbime shëndetësore, të cilat nuk janë pjesë e paketave të shërbimit shëndetësor, që ofrohen nga Fondi për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. 2. Sigurimi i shëndetit për punonjësit e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit bëhet sipas kontratës së lidhur me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Ky sigurim mbulon shpenzimet për kontrollin parandalues, diagnostikues dhe kurues, të ofruara nga institucionet shëndetësore, brenda dhe jashtë vendit. 3. Lista e shërbimeve shëndetësore, si dhe autoriteti mjekësor që vendos për shërbimet shëndetësore, rast pas rasti, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.4. Procedurat për sigurimin shëndetësor të veçantë dhe strukturat e veçanta që përfitojnë, sipas këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”  “Punonjësi i policisë përfiton sigurim jete, sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”
Deputeti “…Për sëmundjet që shfaqen gjatë ushtrimit të detyrës dhe kur personeli shëndetësor vlerëson trajtimin e tyre të specializuar, deputeti mund të dërgohet për kurim jashtë shtetit. Fondet për këtë qëllim sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë.”

Pensioni i gjyqtarëve, pension te parakohshëm pension suplementar.
Ligji ekzistues për organizimin e pushtetit gjyqësor, sikurse dhe kushtetuta  parashikon daljen në pension të gjyqtarëve kur mbushin moshën 65 vjeç, ndërsa masa e pensionit rregullohet nga ligji i pensioneve  e jo me ligj të veçantë siç ndodh me punonjësit e tjerë shtetërorë.
“1. Oficerët, nënoficerët dhe ushtarët me pagesë/profesionistë, me vjetërsi shërbimi në Forcat e Armatosura 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, gëzojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 për qind të pagës mujore deri në plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Për çdo vit tjetër shërbimi mbi kufirin e mësipërm ushtarakut i jepet një shtesë pensioni në masën 2 për qind të pagës mujore. 2. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk ndërpritet në rastin e punësimit të përfituesit. 3. Kriteret dhe kushtet e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi përcaktohen në ligjin “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror”, i ndryshuar” .     “Ushtaraku aktiv,…, përfitojnë pension suplementar për vete dhe familjen, të përcaktuar në ligjin “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror”, i ndryshuar.”
“Punonjësi i policisë, që ndërpret marrëdhëniet e punës me Policinë e Shtetit, përfiton: a) pagesë kalimtare; b) pension të parakohshëm suplementar; c) pension shërbimi; ç) pension suplementar pleqërie. 2. Trajtimi financiar për rastet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni bëhet me ligj të veçantë.”
“1. Deputeti përfiton të drejtën e pagesës kalimtare dhe të pensionit suplementar sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” me ndryshimet dhe plotësimet e mëvonshme dhe ligjit nr.8097, datë 21.3.1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit” me plotësimet e mëvonshme.”

E drejta për sigurimin e strehimit
Për gjyqtarët e gjykatave të rretheve gjyqësore ligji nuk parashikon të drejtën e tyre për t’u strehuar duke i vënë në dispozicion banesë apo kredi në kushte lehtësuese për të siguruar banesën. Ndryshe ndodh me punonjësit e tjerë shtetëror.
“1. Ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/ profesionist), të pastrehuar ose me sipërfaqe të vogël banimi, i jepet kredi për strehim nga Buxheti i Shtetit. 2. Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/ profesionist), të cilët kur dalin në rezervë, në lirim ose në pension pleqërie dhe janë të pastrehe ose me sipërfaqe të vogël banimi trajtohen për strehim si ushtaraku aktiv. 3. Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura (oficer, nënoficer, ushtar me pagese/profesionist), i cili është trajtuar sipas këtij neni, kur del në rezervë ose ne lirim dhe nuk ka shlyer detyrimet përkatëse vazhdon t’i shlyeje ato si ushtaraku aktiv. 4. Përjashtohen nga e drejta e përfitimit, sipas këtij neni, ushtaraket, te cilët dalin ne lirim për shkak se dënohen me burg për krime me vendim gjykate te formës se prere. 5. Kriteret për kredinë dhe masa e saj përcaktohen me vendim te Këshillit te Ministrave.”
“1. Punonjësi i policisë përfiton kredi për strehim me një interes në masën 3 për qind. 2. Rimbursimi i interesave të kredisë ndërpritet për punonjësin e policisë vetëm në rastin kur ai/ajo përjashtohet nga policia. 3. Kriteret për përfitimin e kredisë për strehim dhe masa e saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”
“1. Prokurori ka të drejtë të përfitojë banesë me kredi me kushte lehtësuese kur nuk ka banesë ose sipërfaqe të banueshme banimi në rrethin ku punon. 2. Në rast se prokurori ka banesë në një rreth tjetër nga ai ku ushtron detyrën, ai përfiton sipas pikës 1 të këtij neni, por shuma e kredisë do të jetë sa diferenca ndërmjet vlerës së kredisë për banesën e re me vlerën e banesës që ka në pronësi. 3. Fondet për strehim parashikohen në buxhetin vjetor të Prokurorisë.”  “1. Prokurori gëzon të drejtën e paradhënies ose të rimbursimit të plotë të shpenzimeve të transferimit të tij dhe të familjes, si dhe të transportit të orendive shtëpiake, kur ai ngrihet në detyrë ose transferohet në një rreth tjetër për shkaqe që nuk lidhen me masa disiplinore. 2. Ai nuk përfiton nga kjo e drejtë kur transferohet me kërkesën e vet.”  “…Deputeti përfiton me përparësi të drejtën e strehimit ose i jepet kredi afatgjatë nga organet shtetërore përkatëse. …”

Paisja me automjet, telefon e lehtësira të tjera.
Shteti garanton të drejtën e pushimit në shtëpitë shtetërore të pushimit për ushtarakët, punonjësit e policisë etj. por jo për gjyqtarët, të cilët edhe në këtë aspekt janë të diskriminuar. “1. Ushtaraku … dhe familja e tij kanë të drejtë të pushojnë në shtëpitë e pushimit të ushtarakëve në përdorim dhe administrim të Ministrisë së Mbrojtjes. 2. Të drejtën e pushimit në shtëpitë e pushimit të ushtarakëve e ka edhe ushtaraku (oficer dhe nënoficer) në rezervë, në lirim ose në pension pleqërie, së bashku me familjen e tij. …”
Deputeti ka të drejtë të pajiset me automjete nga Kuvendi. Shpenzimet për transport (shofer, karburant, shërbime teknike) përballohen nga Kuvendi, deri në 45.000 lekë/muaj. “Deputeti pajiset me shërbim telefonik. Vlefta e shpenzimeve për shërbimet e telekomunikacionit përcaktohet me vendim të Kuvendit. Shpenzimet e mësipërme për kryetarët e grupeve parlamentare dhe të komisioneve të përhershme parlamentare janë 20 për qind më të larta se ato të deputetit.”   Deputetit i lejohet që vetëm në një rast gjatë mandatit të tij të mos paguaj detyrim doganor për mjetet e punës, që lidhen me veprimtarinë e tij si deputet. Deputeti e bashkëshortja e tij paisen me pasaportë diplomatike për kohën që janë deputetë dhe tre vjet mbas mbarimit të mandatit. “Deputeti nuk i nënshtrohet kontrollit doganor. Nuk i nënshtrohen këtij kontrolli në pikat e kontrollit doganor bagazhet dhe kolitë vetjake që vijnë nga jashtë shtetit në emër të deputetit.”

Konkluzione
Ligji për satusin e gjyqtarit sikurse edhe ligje të tjera që do miratohen në kuadrin e reformës në drejtësi duhet të mbajnë parasysh të rregullojnë disproporcionin e krijuar me ligj midis trajtimit të gjyqtarit dhe trajtimit të punonjësve të tjerë shtetëror. Ligji i ri duhet të parashikojë që kur gjyqtari nuk ka banesë në qytetin ku punon, ose t’i garantohet banesë e punë për bashkëshorten, ose t’i paguhen dieta dhe shpenzime udhëtimi. Për rastet kur sëmuret gjyqtari ose pjesëtari i familjes (fëmija, bashkëshort) t’i garantohet kurimi brenda ose jashtë shtetit falas. Për rastet kur gjyqtari humb jetën në detyrë ose për shkak të detyrës të garantohet rritja dhe shkollimi i fëmijëve si dhe mbështetje tjetër financiare e nevojshme. Realizimi i këtyre standardeve rëndon buxhetin e shtetit por mund të gjenden zgjidhje.
Zgjidhja duhet gjetur tek trajtimi më i mirë i gjyqtarëve ekzistues e jo tek shtimi i numrit të gjykatave e gjyqtarëve. Shqipëria sipas censusit të fundit ka më pak banorë sesa kishte në vitin 1990, për rrjedhojë është e panevojshme mbingarkimi me gjykata të shumë lloji për një vend të vogël me më pak se tre milion banorë. Specializimi i gjyqtarëve dhe profilizimi i tyre është shumë i domosdoshëm, por ky specializim e profilizim mund të realizohet edhe përmes krijimit e konsolidimit të seksioneve përkatëse brenda të njëjtës gjykatë.
Për një vend të vogël nuk është e nevojshme që të ketë gjykatë penale, gjykatë civile, gjykatë administrative, gjykatë për krimet e rënda, gjykatë për çështje familjare, gjykatë për të mitur etj. Ato ekspertë që sugjerojnë modele të tilla nisen nga përvoja e vendeve të zhvilluara si SHBA, Gjermani, Itali, Francë, etj. por harrojnë se këto shtete kanë një popullsi shumë herë më të madhe se vendi ynë. Krijimi i gjykatave të specializuara është barrë për buxhetin e shtetit, i cili duhet të parashikojë fonde për ndërtesa, personel e logjistikë për këto gjykata. Mendojmë se është e pa nevojshme ekzistenca e njëkohshme e gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese, e akoma më keq, është krejt e pa nevojshme krijimi edhe i një gjykate të lartë administrative. Zgjidhje shumë e përshtatshme do ishte që të kishte vetëm një gjykatë kasacioni e cila të kishte 4-5 seksione të veçanta që do të shqyrtonin çështje kushtetuese, çështje administrative, çështje penale, çështje civile.
Në shumë raste ekspertët për çështje të ndryshme u referohen legjislacioneve të shteteve të ndryshme, gjë që krijon kolizion (përplasje) ligjesh. Shumë më efektive do ishte zgjedhja vetëm e një modeli të suksesshëm e të ngjashëm të cilit t’i përmbahesh plotësisht e deri në fund.

(Marrë nga revista shkencore ndërkombëtare “Academicus”, nr 14, Korrik 2016)

S'KA KOMENTE