Shkolla gollobordase e ndërtimtarisë

511

Nga Agim BEKTESHI

Në literaturën studimore e shkencore mbi shkollat e ndërtimtarisë në Shqipëri janë botuar studime e trajtesa të shumta shkencore. Si të tilla përmenden shkollat e ndërtuesve oparakë, korçarë, lunxhiotë, etj. Janë që të gjitha shkolla të njohura e të denja për t’u marrë në konsideratë. Në ato studime kalimthi flitet edhe për shkollën dibrane të ndërtimtarisë, e nëpër të, krejt sipërfaqshëm përmendet edhe kontributi i ndërtuesve të atij që shpesh quhet “Lokaliteti i Gollobordës”. Pa dashur ta vendos në pozita krahasuese me ato shkolla, kam mendimin se në Shqipëri ka ekzistuar që herët dhe ekziston edhe sot shkolla gollobordase e ndërtimtarisë, e cila ka dhënë  kontribut të madh për ndërtimin, jo vetëm në Shqipëri, por dhe më gjërë në Ballkan, e gjer në viset më të largëta të Anadollit. Bindja ime është se nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston ndonjë shkollë dibrane e shqiptare më cilësore prej shkollës gollobordase të ndërtimit. Shumë njerëz hezitojnë të përmendin me plot gojën ekzistencën e shkollës gollobordase të ndërtimit, nisur prej faktesh që nuk lidhen me të vërtetën historike në fushën e ndërtimtarisë. Ky qëndrim është një qasje jokorrekte, e cila nuk ndihmon në evidentimin e të vërtetave dhe realiteteve të kësaj bote. Mjeshtëria e ndërtimtarisë nuk ka qenë dhe nuk është tipike vetëm ndër banorët sllavishtfolës  të Gollobordës, por ka qenë dhe është një pasuri po aq e çmuar dhe karakteristike e banorëve të të gjithë fshatrave të Gollobordës e të Dibrës. Tradita e ndërtimtarisë ka qenë e njohur që herët nëpër viset e Gollobordës. Veç të tjerash këtë e kuptojmë prej ndërtimeve të shumta antike të zonës. Në krahinën e Gollobordës gjenden disa kështjella dhe fortesa antike, që janë ndërtuar nga popullsia e atyre viseve në kuadër të fortifikimeve dhe masave mbrojtëse kundër sulmeve të romakëve, që nga shekulli i 3-të para Krishtit e këndej. Një kështjellë e tillë e cila ekzistonte deri vonë në formë mjaft të mirë, është ajo e Gradishtes së Trebishtit të Gollobordës. Të asaj periudhe janë dhe gjurmët e një qyteze romake në vendin që quhet “Urvishte”, mbi kryet e Trebisht – Balasë. Mund të përmendim pastaj edhe fortifikatat antike të Kuteicës në Trebisht, ku Skënderbeu vendoste shatoret e ushtrisë së tij,  kështjellën e Meçadit, atë të Modriçit, Oranikut, Kojovecit, të Koxhaxhikut, por edhe ato në disa fshatra të tjerë të Gollobordës, ose pranë saj. Nëpër Gollobordë kalonte traseja e via Egnatias, e cila nga lartësitë e Raduçit afër Steblevës shkëput një degë të saj për tu lidhur me kështjellën e Gradishtes në Trebisht. Gjurma e kësaj rruge perandorake mund të verifikohet lehtësisht nëpër fshatin Trebisht – Çelebi. Përhapja e krishterimit në krahinën e Gollobordës ndodhi që me ardhjen dhe ngulitjen aty të trupave të para pushtuese romake, por u bë më evidente sidomos kur në Gollobordë u ngulën përfundimisht veteranët e parë romakë, të cilët themeluan disa vendbanime të krahinës që edhe sot mbajnë emra latinë. Lulëzimi i krishterimit, sidomos atij ortodoks, pas skizmës së madhe që ndodhi në gjirin e kishës romake më 1054, solli lulëzimin e objekteve ortodokse të kultit. Shumë kisha e manastire u ndërtuan nëpër Gollobordë. Një i tillë ishte manastiri i Manastirecit të Trebishtit, i cili u themelua aty nga viti 1020 pas Krishtit, nën kujdesin e Patriarkanës ortodokse Bullgare, kur ajo Patriarkanë u vendos në Ohër. Qysh në antikitet në krahinën e Gollobordës ka qenë i zhvilluar edhe arti i ndërtimit të ujëmbledhësve. Studiuesit arabë kur evidentojnë mrekullitë e kulturës arabe në fushën e ndërtimit, përmendin posaçërisht veprat hidroteknike; ujëmbledhësit, kanalizimet, drenazhimet, etj. Këtë bëjnë edhe italianët, spanjollët dhe francezët e sotëm. I tillë është edhe ai që quhet “Kolov Vir”, një vepër e mrekullueshme ujëmbledhëse, e cila gjendet në vendin e quajtur “Gari” të Trebisht – Çelebisë. Ky ujëmbledhës është ndërtuar nga dora e njeriut gollobordas të kohëve antike, fillimisht për të shërbyer për kuajt e karvaneve të panumërt romakë që udhëtonin nga Roma për në Heraklea (Bitola), Selanik, Kostandinopojë, e tutje gjer në Izraelin e largët. Në vendin e quajtur “Gari” në Trebisht ishte stacioni i ndërrimit të kuajve të karvaneve të ushtrive romake, por dhe të tregtarëve të shumtë që mësynin gadishullin Ballkanik. Emri “Gari” që mban ai vend, këtë kuptim ka; stacion i ushtrive. Këto stacione ndërtoheshin përgjatë via Egnatias, ose përgjatë degëzimeve të saj, sikurse është rasti i Kolov Virit, i cili është ndërtuar anës degëzimit të via Egnatias, që lidh kështjellën e Gradishtes në Trebisht me trasenë qendrore të via Egnatias, lart në shpatet e malit të Raduçit. Në Gari, pranë liqenthit, në mesjetën e vonë deri në Luftën e Parë Botërore ka funksionuar një punishte tjegullash. Mesjeta është një epokë tjetër e ndritur, kur gjenia ndërtimtare e gollobordasve ka lënë gjurmë të pashlyeshme mbi truallin e krahinës së vet. Organizimi territorial i popullsisë vendase ngjan se ka qenë i ndërtuar në formën e kapetanive, një traditë e njohur sidomos në viset jugore të Shqipërisë, por dhe të Greqisë së Veriut e asaj të Egjeut, ku kanë jetuar në shumicë popullsi që kishin konsoliduar traditën e armatolive dhe të kapetanive. Është e njohur se kapetanitë  organizoheshin mbi bazën e territoreve të sundimtarëve vendorë dhe kishin Kullat e tyre të vrojtimit, për të kontrolluar territoret dhe kufijtë e zotërimeve. Edhe sot një vend në Fushë të Klenjës  mban emrin “Kuleto”. Aty ka qenë ndërtuar një Kullë vrojtimi. Po ashtu edhe në “Kula – Pesh”, që do të thotë “Kulla e Pestë”. Toponimi “Kulla e Pestë” provon se së paku kanë ekzistuar edhe katër Kulla të tjera ushtarake nëpër territorin e Gollobordës. Por arti ndërtues i gollobordasve ka patur një fushështrirje shumë më të gjërë. Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia, Rumania, Turqia, por edhe më tutje, qenë vende ku ndërtuesit gollobordas kanë shkuar për të punuar. Viseve ku kanë shkuar për të punuar, gollobordasit kanë çuar shkollën e tyre ndërtuese, por dhe kanë fituar përvoja ndërtimi të reja, të cilat i zbatuan në mënyrë krijuese. Qytete të tilla si Durrësi, Tirana, Manastiri, Shkupi, Tetova, Cetinja, Saranda, Selaniku, Stambolli, Izmiri, Edreneja, Sofja, Koprivshtica, Beogradi, Nishi, Bukureshti, Elbasani, Janina, Voskopoja, Shkodra, Ohri, Dimotika, Kosturi, etj, ishin vende të preferuara prej tyre. Këto qytete që i përmendëm ishin qendra të fuqishme ekonomike për çdo kohë dhe aty zhvillonte jetën e vet një klasë e pasur shoqërore, e cila bënte edhe ndërtimet e nevojshme, në përshtatje me kërkesat e saj të gjithanshme. Ndërtimi i banesave të tipeve të ndryshme, ndërtimi i urave, kishave, manastireve, xhamive, teqeve, hamameve, ujëmbledhësve, kanaleve ujitëse, hauzeve, mullinjve me ujë, ndërtimi i oxhaqeve, i varreve monumentale, furrave të pjekjes së gëlqeres, etj,  ishin punë që kërkonin talentin e mjeshtërve gollobordas të ndërtimit. Ka qenë dhe është karakteristike se mjeshtërit gollobordas të ndërtimit ishin dhe janë poliprofesionalë. Ata dinin dhe dinë të bëjnë armaturat e drurit, betonimet, suvatimet, muret e të gjitha llojeve, skalitjen e gurit, të qemerëve dhe të gurëve të qosheve. Ata dinin të nisnin e të përfundonin çatitë e banesave, të prodhonin dyert, dritaret, portat, musandrat, divaneritë, tavanet e drurit, dyshemetë, etj. Gollobordasit kanë qenë dhe janë mjeshtër të dëgjuar në ndërtimin e urave, minareve, kambanareve të kishave, në gdhendjen e ikonostaseve me motive nga më të bukurit e mistikët. Të gjitha ndërtimet kishëtare dhe banesat e tjera të klerikëve të Patriarkanës ortodokse Bullgare, kur ajo Patriarkanë e kishte selinë e vet në Ohër, manastiri i Ardenicës, manastiri i Shën Jonit në Elbasan, manastiri i Shën Naumit në Ohër, kisha e Shën Spasit në Shkup, manastiri i Deçanit në Kosovë, manastiri serb i Hilandarit në siujdhesën e Halkidhikisë në Greqinë veri – lindore, Fari i Selanikut i quajtur “Lefkos Pirgos”, ura mbi lumin Vardar në fushat e Anatolikosë së Selanikut, shumë kalldrëme në qytetet kryesore të perandorisë turke; të Stambollit, Izmirit, Edrenesë, etj; disa banesa vezirësh e pashallarësh të perandorisë osmane, vilat e banimit të krerëve të shtetit shqiptar, deri dhe ato të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, shtëpia e Kryeministrit Mehmet Shehu në Çorrush të Mallakastrës, kulla e Isa Boletinit në afërsi të Pejës, e ndërtuar në vitin 1898, kullat e Istogut në Kosovë, kullat e sahateve në disa qytete të Shqipërisë së Mesme, vila e Margaret Hazllëk në qytetin e Elbasanit, ura e Vezirit në qytetin e Kukësit të vjetër, ura e Mesit në Shkodër me 13 harqe, 108 metra e gjatë, e cila është ura më e gjatë e këtij lloji në trojet shqiptare, e ndërtuar e gjitha me gurë; për ndërtimin e së cilës Bushatllinjtë pajtuan mjeshtër ndërtimi nga Golloborda, xhamia e Plumbit në Shkodër, e investuar  edhe ajo  nga Bushatllinjtë, të cilët për ndërtimin e saj përsëri pajtuan vetëm ndërtues gollobordas, janë objekte të ndërtuara nga mjeshtërit gollobordas të ndërtimit. Edhe Piaca e Shkodrës dhe ndërtesat rreth e rrotull saj,  midis të cilave banesa fortesë e Preng Bibë Dodë Pashës, e cila më vonë do të trashëgohej nga bajraktari i njohur Gjon Marka Gjoni, objekte që u ideuan nga Kolë Idromeno, janë punë të zbatuara nga ndërtuesit gollobordas. Punë e realizuar nga mjeshtërit gollobordas është edhe teatri “Migjeni” në qytetin e Shkodrës. Gollobordasit ishin gjërësisht të njohur e të afirmuar si ndërtues në qytetin e Shkodrës, por dhe më tej, gjer në thellësitë e Jugosllavisë.
-“Dibranët edhe në kohën e Turkisë kanë qenë e janë dhe sod mjeshtër (ustallarë) të shquem për ndërtim shtëpiash, xhamish e kishash, si dhe për të gdhendur në dru fëtyra shenjtësh (ksilografi, ikonostasi) për kisha. Në disa vise të Shqipërisë, si në Shkodër, etj, fjala dibran ashtë sinonime me “ndërtues shtëpijash”.  Kështu ka shkruar për ndërtuesit gollobordas e dibranë një studiues i shekullit të kaluar. Disa ndërtesa banimi të kralëve të Cetinjës në Mal të Zi, kalaja e Kaninës në Vlorë, një varg ndërtesash guri në qytetin e Sarandës, mjaft ndërtime qytetëse e kishëtare në qytetin e Beratit dhe të Voskopojës (Moskopolis), ura e Shkëlqyer e Kamares mbi lumin Shkumbin në Mirakë, midis Elbasanit dhe Librazhdit, e ndërtuar në vitin 1715,  xhamia e Et´hem Beut në Tiranë, të gjitha selitë ministrore e shtetërore në Tiranë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, ura e gurtë mbi lumin Shkumbin në qytetin e Elbasanit, materniteti “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë, pallati mbretëror i Zogut në Tiranë dhe ai në Durrës, godina monumentale e universitetit shtetëror të Tiranës, bankat e shtetit shqiptar në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë, kullat e shumë bajraktarëve në Shqipërinë e Veriut dhe sarajet e bejlerëve e të pashallarëve në Shqipërinë e Mesme, janë vepra ndërtimore ku kanë spikatur mjeshtëria profesionale dhe puna e ndërtuesve gollobordas.
-“Shqiptarët e Dibrës dhe të Ohrit, – thoshte dijetari austriak Hahn, duke folur për ndërtuesit e Gollobordës, Rekës dhe Koxhaxhikut, – janë muratorë të përmendur, aq sa shumë inxhinierë të huaj janë çuditur duke parë aftësitë dhe prirjen e tyre kaq të madhe për një zeje që lyp aq zotësi e zgjuarsi. Këta ndërtues gjendeshin në të gjitha anët e Turqisë, në Bullgari, në Greqi e në Serbi”.  Kështu ndodh edhe sot, kur në Shqipëri është rivendosur sistemi kapitalist. Mjeshtërinë e ndërtimit ndonëse e kanë përqafuar shumë krahina të tjera të vendit, mjeshtërit gollobordas të ndërtimit mbeten të pakonkurueshëm. Fshatra të tillë si Trebishti, Vërnica, Gjinoveci, Ostreni, Zabzuni, Borova, Sebishti, Lejçani, Çereneci, Orzhanova, Pasinka, Okshtuni, etj, vazhdojnë të mbeten të përmendur për mjeshtërit e shquar në ushtrimin e kësaj zejeje të vështirë, por  tepër të nevojshme për njerëzimin. Shkolla gollobordase e ndërtimit është një traditë e vyer, një përvojë kolosale që vjen thellë nga shekujt. Është një shkollë e verifikuar edhe nën goditjen e forcave të verbëra të natyrës. Tërmeti shkatërrimtar i 30 nëntorit të vitit 1967 ishte rasti më i jashtëzakonshëm kur cilësia e punës dhe shkolla gollobordase e ndërtimit u vunë në sprovën më të vështirë prej forcave të verbëra të natyrës. Kam qenë prezent atë mëngjez të frikshëm të 30 nëntorit 1967, kur toka e Trebishtit dhe Gollobordës dridhej e lëkundej porsi një varkë në oqeanin e egërsuar. Bashkë me tokën kolovitej edhe shtëpia jonë, si  gjithë shtëpitë e Trebishtit dhe të Gollobordës. Tentuam të hapnim derën për të dalë jashtë, por ajo nuk mund të hapej. Trarët e shtëpisë kërcisnin frikshëm. Disa qeramidhe fluturuan në tokë. Frika ishte e papërshkrueshme, por shtëpia jonë na ruajti mrekullisht jetën, pa na bërë as dëmtimin më të vogël. Asnjë njeri në Trebisht nuk u vra, e as nuk u plagos rëndë. Nuk pati asnjë shtëpi të rëzuar, që ti shembej çatia apo ti çaheshin muret. Ishin shtëpi të ndërtuara me merak nga mjeshtërit duarartë gollobordas, për familjet dhe fëmijët e tyre. Kur pushoi tërmeti i dhunshëm dhe frika po largohej dalëngadalë, shumë njerëz të rritur e të moshuar puthnin muret e shtëpive të veta, që na ruajtën jetën. Nga hulumtimi që i kam bërë kontributit ndërtimtar të gollobordasve, rezulton se ata pothuaj gjithmonë ishin pa ndonjë shkollim të dukshëm inxhinierik, pra e mësonin dhe  zbatonin zanatin e tyre në mënyrë praktike, duke mësuar bijtë nga etërit, por asnjëherë nuk mbetën të habitur para projekteve teknike, sado moderne e të komplikuara të kishin qenë ato.
-“Mjeshtërit dibranë të ndërtimeve, – shkruante diplomati austriak Th. Ipen, duke patur parasysh ndërtuesit gollobordas, – megjithëse janë empirikë dhe ndërtojnë ende sipas stilit të vjetër të Skënderbeut, ata më të zgjuarit dhe më të shkathtët mund të orientohen edhe në projektet evropiane e të bëjnë ndërtime sipas tyre”.   Është një mision i pamundur përpjekja për të përmendur të gjithë ndërtuesit e talentuar, qoftë dhe vetëm të një fshati siç është Trebishti, e jo më pastaj të gjithë krahinës së Gollobordës, që ka rreth tridhjetë fshatra. Por nuk mund të lemë pa sjellë në vëmendje të lexuesit një ndërtues dibran, pra një gollobordas të mesjetës, një të quajtur Gjeorgji Kulubarda (Golloborda) nga Golloborda, emrin e të cilit studiuesja Zorica Gjokoviç e ka gjetur të shënuar në një regjistër të fshatit Horion të Greqisë, kur Gjeorgji Kulubarda punonte si ndërtues murator në manastiret e Hilandarit në Atos të Halkidhikisë së Selanikut, në vitet 1300 – 1340.  Praninë e mundqarëve dibranë, pra gollobordas, në ndërtimin e manastireve të Hilandarit e ka shënuar edhe R. Bogdani. I barazojmë pa hezitim gollobordasit me mundqarët, sepse e dimë fare mirë se vetëm gollobordasit në mesjetë quheshin mundqarë, prej faktit se duke qenë heretikë në aspektin fetar, u ishin nënshtruar masakrave e mundimeve të shumta, të cilat kishin prapavijë të qartë fetare e kishëtare, por dhe shtetërore prej disa vendeve fqinje. Kontributi ndërtimtar i gollobordasve qysh herët ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve. Një i tillë ka qenë edhe studiuesi i njohur maqedonas, D. Grabjan, i cili në librin e tij “Makedonska Kuqa”, ka prurë këtë dëshmi për historinë, të cilën ai e ka gjetur të skalitur në shtëpinë e një dibrani.  Aty  thuhet: “Në qoftëse humb Stambolli, Dibra do ta ndërtojë përsëri, por nëqoftëse mbaron Dibra, Stambolli nuk do ta rindërtojë atë”.   Ndërsa publicisti dibran Abdurahim Ashiku, duke folur për kontributin ndërtimtar të gollobordasve, ka shkruar: “Gollobordasit e ndërtuan Shqipërinë, kurse Shqipëria nuk e ndërtoi dot Gollobordën”.
Këto vlerësime e konsiderata nuk janë fjalë në erë, të  thëna sa për  të  mburrur gollobordasit, por janë sinteza përgjithësuese të përvojës, talentit dhe kontributit të madh në fushën e ndërtimtarisë, të asaj që e kemi quajtur dhe e quajmë pa ekuivok: Shkolla gollobordase e ndërtimitarisë.

Mbi traditën e gdhendjes së simboleve nga gollobordasit
Njëra nga veçoritë dalluese të mjeshtërisë ndërtimtare të gollobordasve ka qenë gdhendja e emrave, simboleve, figurinave, luleve, rozetave dhe shenjave të ndryshme mbi gurët e mureve të ndërtimeve që kanë realizuar nëpër shekuj. Emrat e shumë ndërtuesve gollobordas janë të gdhendur mbi oxhaqet e lartë të fabrikave dhe uzinave, në gurët e parë përmbi themelet e objekteve, por dhe në qoshetë e ndërtesave të banimit apo mbi arkitrarët e portave të shtëpive. Dora e ndërtuesit gollobordas shpesh herë ka gdhendur edhe gjarpërin mbrojtës të banesës, i cili në Gollobordë njihet me emrin “Tollosum”. Miti i Tollosumit është mjaft popullor nëpër fshatrat sllavishtfolës të Gollobordës. Nënat e Gollobordës kur u drejtohen me përkëdheli bijve të tyre, i quajnë Tollosum. Tollosum janë vetëm djemtë, por në asnjë rast vajzat ose femrat e çdo moshe qofshin. Miti i Tollosumit vjen që nga antikiteti i thellë, nga epoka e agut të historisë njerëzore. Në gojën e popullsisë sllavishtfolëse të Gollobordës, ky mit është i njëkohshëm me “Ogna Majkën”, (Nëna e Zjarrit). Një Tollosum i tillë ka qenë i gdhendur mbi një gur qosheje të një shtëpie në Trebisht – Çelebi, në lagjen Veizovci, për të cilin kemi mendimin se ishte marrë nga rrënojat e kishave të Cërkofit, në Trebisht – Çelebi. Në banesa dhe vende të tjera janë gdhendur thundra e kaut, e dashit, e dhisë, sorkadhes, patkoi i kalit, dora e gruas, këmba e zbathur e njeriut, etj. Dora e femrës e gdhendur mbi një gur masiv në vendin që quhet “Zengoica” në Trebisht – Çelebi, përbri segmentit të via Egnatias, këmba e zbathur e njeriut e gdhendur gjithashtu mbi një gur masiv tek “Portata Dearova”, thundrat e kaut, të dashit, cjapit, etj, po në atë vend, kanë qenë prezente deri në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të njëzetë. Këtu nuk është rasti të merremi me analizën mbi domethënien e atyre simboleve, por vetëm po mjaftohemi duke treguar se ato shenja e simbole vijnë që nga thellësitë e historisë së njerëzimit, dhe kanë qenë praktikuar nga shumë popuj të antikitetit. Në gdhendjet që kanë bërë mjeshtërit gollobordas të ndërtimit, shpesh herë prezente janë edhe rozetat me pesë, gjashtë, shtatë e tetë rreze. Dy rozeta të tilla janë gdhendur mbi një gur në muret e prefekturës së Elbasanit, nën gurin e qoshesë ku është gdhendur emri i usta Jonuz Trebishtës, nga Trebishti i Gollobordës. Fotografinë e një guri të tillë, por këtë radhë me tetë rreze, publicisti gollobordas Velo Cfarku e ka përfshirë në librin e tij; “Një jetë mes dibranëve”. Guri për të cilin shkruan publicisti Velo Cfarku, ka qenë i vendosur në banesën njëqind vjeçare të Mehmet Shutinës, në fshatin Gjinovec të Gollobordës. Simboli i rozetës është mjaft i njohur dhe popullor në krahinën e Gollobordës. Kur bëheshin nuse vajzat e Trebishtit, në kohë të shkuara, në të dy faqet e fytyrës dhe në ball vizatoheshin me rozeta të tilla, me tetë rreze, në mes të cilave vendosej një kryq, pavarësisht se vajzat që bëheshin nuse ishin të përkatësisë fetare islame. Rozeta qendiset edhe nën jakoret e  kostumit nusëror të grave të Trebishtit, por në këtë rast me gjashtëmbëdhjetë rreze. Rozetat kanë qenë gdhendur dhe në disa musandra ku mbaheshin teshat e fjetjes dhe rrobet e familjes gollobordase. Gjer në ditët tona ky simbol vjen që nga epoka para Krishtit. Rozeta me tetë rreze e vendosur brenda një gjysëm hëne, është një simbol tjetër që takohet në disa ndërtime nëpër fshatrat e Gollobordës. Ndryshimi që vihet re në numrin e rrezeve dhe në dekorimin e tyre me elemente shtesë, sikurse është gjysëm hëna, lidhet jo vetëm me besimin e atyre që i gdhendnin ato simbole, por lidhet sidomos me besimin e pronarit të banesës. Në varësi nga karakteri funksional i objektit që ndërtohej, gdhendeshin edhe simbole të tjera, sikurse është kryqi i gdhendur mbi gurët e disa kishave të zonës së Gollobordës dhe mbi varret e të krishterëve. Nuk mungojnë gjysëm hëna, ylli me pesë cepa, çallma karakteristike muslimane, figura të ndryshme gjeometrike, degë pemësh me numër rigorozisht të përcaktuar gjethesh, zogjtë, qysqitë, metri, etj. Tavanet e shtëpisë së vëllezërve Mehmet dhe Hajredin Bekteshi në Trebisht – Çelebi të Gollobordës, ishin të dekoruara me gjysëmhëna. Gurët kronikalë janë një traditë tjetër e përdorur gjërësisht nga ndërtuesit gollobordas. Shumë banesa të ndërtuara nëpër fshatra të ndryshme të Gollobordës, kanë të shënuar vitin e ndërtimit të tyre. Një rast i tillë është dhe kisha e fshatit Gjinovec të Gollobordës, në njërin nga gurët e së cilës është shkruar: “1911 – G”(cirilik), që do të thotë “Godina”, pra “Viti” (në shqip). Kjo kishë mban të gdhendur edhe një gur tjetër, në të cilin në gjuhën sllave janë shkruar fjalët: “Mashalla. Shto hubavo sellçe Gjinevci”, që do të thotë: “Mashalla, sa fshat i mirë Gjinoveci”. Simbole fetare kanë patur të gdhendura mbi gurët e mureve të tyre edhe kisha e fshatit Vërnicë, por dhe kisha tashmë e zhdukur në lagjen Cërkof të Trebisht – Çelebisë. Në pikëpamje të përvojës së ndërtimit dhe asaj etnografike, shkolla gollobordase e ndërtimtarisë është një thesar kulturor krejtësisht i paeksploruar shkencërisht. Një fushë tjetër mjaft e gjërë e gdhendjes së simboleve nga më të ndryshmit e më të çuditshmit, është simbolistika e nekropoleve, pra varrezave; qoftë atyre të popullsisë së besimit ortodoks, por edhe të atij musliman. Ndaj këtyre gjurmëve të jetës, kulturës dhe trashëgimisë njerëzore në viset e Gollobordës, është mbajtur qëndrim shpërfillës, që të mos themi më shumë. Shkatërrimi i varrezave ortodokse dhe i kishës në Cërkof të Çelebisë së Trebishtit, zhbërja dhe fshirja nga faqja e dheut e portës hyrëse në kalanë e Gradishtes në Trebisht – Çelebi dhe marrja e përdorimi për nevoja ndërtimore i gurëve të asaj fortese, shkatërrimi i mureve të qytezës së Urvishtes dhe marrja e përdorimi i gurëve të saj për nevoja ndërtimore, shkatërrimi i gurëve me gdhendje skulpturale anës segmentit të via Egnatias tek “Portata Dearova” në Trebisht – Çelebi dhe çarja e përdorimi i tyre për ndërtim e zbukurim oxhaqesh, sikurse më thanë njerëzit që kontaktova në gusht të vitit 2012, kur kisha shkuar enkas për ti fotografuar ato gurë dhe gdhendjet e realizuara mbi to, mbeten krime të pakorigjueshme mbi trashëgiminë, historinë dhe kulturën e zonës së Gollobordës.
Një krim i tillë i rëndë mbetet edhe rrënimi i manastirit ortodoks të Manastirecit të Trebisht – Çelebisë. Gdhendja e simboleve mbi disa nga objektet që përmendëm, është një nga pjesët më të rëndësishme të artit të ndërtimit gollobordas, të cilin e kemi quajtur dhe e quajmë: “Shkolla gollobordase e ndërtimtarisë”. Ky vështrim, aq sa është evidentim dhe afirmim i vlerave të shkollës gollobordase të ndërtimtarisë, është dhe një përpjekje për të evidentuar e për të bërë problem veprimet dëmtuese mbi trashëgiminë e popullit. Le të vlejë kjo përpjekje hulumtuese për të zgjuar sadopak përgjegjësinë kolektive dhe kujdesin e gollobordasve ndaj trashëgimisë së vet monumentale në fushën e ndërtimit, por sidomos përgjegjësinë e studiuesve nga zona e Gollobordës. Le të vlejë edhe për organet e pushtetit vendor, të cilët kishin dhe kanë të gjitha kompetencat e nevojshme ligjore për të mbrojtur trashëgiminë e begatë që nuk e kemi më, por kanë edhe obligacionin moral e historik, për të ndërtuar një muzeum të denjë, ku të prezantohet trashëgimia impresionante e zonës së Gollobordës në fushën e ndërtimit, por dhe në atë etnografike e etnokulturore.

S'KA KOMENTE