I moshuari nga Bulqiza: “Nuk kërkoj gjë tjetër veçse një dhomë ku të fus kokën”

676

Sami Curri

Ditët e fundit dëgjon për dhurata, tryeza mbushur plot me ushqime të mira, por ka edhe shumë e shumë të tjerë të cilët nuk kanë luksin dhe nuk duan një gjë të tillë, por vetëm një strehë ku të fusin kokën. I tillë është edhe Islam Hasmeta, 80 vjeç nga Valikardha e Bulqizës, që bashkë me bashkëshorten e tij Farie Hasmeta, 76 vjeç janë të pastreh prej më shumë se tre vitesh. Kjo sepse më 23 korrik të vitit 2013 ju është djegur shtëpia, si pasojë e një shkëndije elektrike. Në përpjekje për të shuar flakët e zjarrit, Islami është djegur edhe vetë, ku i është dashur që të shtrohet për dy javë në spitalin e Bulqizës.

80-vjeçari i cili ka studiuar Biologji – kimi, por për shkak të një krize nervore nuk ka mundur të punoj në profesion, ka punuar për shumë vite në seleksionimin e kromit, ndërsa e shoqja ka punuar në kooperativë. 20,000 lekë të reja në muaj janë të ardhurat e të dyve nga pensionet, dhe Islami na tregon vështirësitë me të cilat i duhet të përballet: “Jam vendosur në këtë shtëpi me qira, me një dhomë, një sallon të vogël dhe një banjo që kur dola nga spitali dhe paguaj 6,000 lekë në muaj. Çdo gjë që unë kam këtu e kam me gjëra të falura pasi çfarë kisha tek shtëpia në fshat m’u dogjën.
Më kanë dhënë një ndihmë prej 40,000 lekë të reja në fillim, ishte një ndihmë sa për të jetuar e jo për të rindërtuar shtëpinë. Kjo ndihmë ishta nga Komuna e Zerqanit. Bashkë me bashkëshorten marrim diku tek 20,000 lekë pension në muaj. Unë nuk mundem të blej drutë e zjarrit e të ngrohem, por edhe sobën nuk kam ku e mbaj pasi jam shumë ngushtë, kështu që më duhet të përdor rezistencën për ngrohje.”
Përpos kësaj, ata kanë edhe probleme shëndetësore: “Bashkëshortja më shumë qëndron shtrirë pasi është e sëmurë nga astma, tensioni i lartë edhe nga zemra. Unë vetë jam me tension të ulët. Të dy jemi me probleme shëndetësore. Shumicën e ilaçeve i kemi të parimbursueshme, e në këtë mënyrë jemi të detyruar t’i blejmë vetë. Vetëm energji harxhojmë diku te 5,200 lekë në muaj. Me zi e kalojmë muajin, me kufizime të mëdha, më shumë hamë sup se nuk kemi se çfarë të bëjmë.”
Islami me Farien kanë vetëm një gocë, edhe kjo e fundit e ka të pa mundur që t’i ndihmoj. Ai ka aplikuar edhe për ndihmë ekonomike në Bashkinë Bulqizë, por që nuk është përfitues pasi trajtohet me pension: “Unë ndihmë ekonomike nuk marr pasi trajtohem me pension. Kanë ardhur disa shoqata vitin që shkoi edhe na kanë ndihmuar, me disa ushqime. Jam drejtuar disa herë në bashki për të më dhënë një dhomë ku unë të strehohem. Edhe se jam i pastrehë kam aplikuar, por gjithë këto vite asgjë, pavarsisht se kryetarët janë ndërruar, unë po në të njëjtat kushte jam.”
Sipër kokës sonë, varur në mur është KURANI, që Islami e kishte marrë në xhaminë e qytetit. Teksa qëndron ulur përpara rezistencës vendosur sipër tavolinës, duke fërkuar duart nga i ftohti, pyetjes se çfarë do të donte në këtë fundvit, shprehet: “Unë nuk kërkoj gjë tjetër vetëm një dhomë ku të fus kokën se e kam të pamundur të paguaj qiranë!”

S'KA KOMENTE