Saga e Rrugës së Arbërit – 10 vjet nga fillimi, nuk duket fundi

331

Më shumë se një dekadë nga fillimi i punimeve të ndërtimit, Rruga e Arbërit ka një pamje të shkretë

Gjatë dy viteve të fundit, kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, dy ministrat e Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj, dy ministrat e financës, Shkëlqim Cani dhe Arben Ahmetaj, si dhe deputetët tanë të nderuar të qarkut të Dibrës kanë deklaruar në vijimësi afate për fillimin e punimeve…..Ajo që nuk kanë thënë ende është se për cilin vit e kanë fjalën, 2017 apo 2021. Deri atëherë, Rruga e Arbrit ka thyer tre qeveri, përfshirë atë të Ramës

 

Më shumë se një dekadë nga fillimi i punimeve të ndërtimit, Rruga e Arbërit ka një pamje të shkretë. “Rruga është shumë e amortizuar, me zor kalojnë makinat dhe kamionët”, thotë një banor.
Rruga, që lidh Tiranën me Dibrën, ka një gjatësi prej 75 kilometra, por deri tani janë ndërtuar plotësisht vetëm 17 km, nga Bulqiza në Urën e Cerenecit.
“U bë gati 10 vjet që ka filluar dhe s’është bërë asgjë”, thotë një banor tjetër.
Në vitin 2014, qeveria hyri në negociata me një kompani kineze. Por, edhe pse u njoftua me bujë nga vetë kryeministri Rama, oferta e kinezëve u rrëzua për shkak të kostos së lartë.
“Ka 2-3 vjet që s’ka vendosur njeri dorë”, denoncojnë më tej banorët.
Gjatë dy viteve të fundit, kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, dy ministrat e Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj, dy ministrat e financës, Shkëlqim Cani dhe Arben Ahmetaj, si dhe deputetët tanë të nderuar të qarkut të Dibrës kanë deklaruar në vijimësi afate për fillimin e punimeve…..Ajo që nuk kanë thënë ende është se për cilin vit e kanë fjalën, 2017 apo 2021. Deri atëherë, Rruga e Arbrit ka thyer tre qeveri, përfshirë atë të Ramës.

Kush do ta financojë “Rrugën e Arbërit”?
15 Shtator 2016 – Për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, një tjetër aks i rëndësishëm rrugor nga lindja në perëndim të Shqipërisë, qeveria po shqyrton dy mundësi, atë të financimit nga buxheti i shtetit dhe mundësinë e një partneriteti publik privat.
Në një prononcim për TVSH, ministri i financave, Arben Ahmetaj e anoi peshoren tek financimi i përbashkët me biznesin privat.
Ndërkaq nga ministria e transporteve bëhet e ditur se ky dikaster ka çdo gjë gati për të nisur ndërtimin e Rrugës së Arbrit, dhe janë në pritje të fondeve. Do të jetë partneritet publik- privat apo financim nga shteti, kjo mbetet për tu parë.
Por pavarësisht se për mënyrën e financimit nuk ka një vendim të prerë, afati për nisjen e punimeve është i vendosur. Ashtu si  kryeministri Rama, edhe ministri Ahmetaj thotë se rruga që lidh Tiranën me Dibrën do të nis para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Dervishaj: “Rruga e Arbrit” nis në pranverë
7 Tetor 2016 – Punimet për “Rrugën e Arbrit”, një tjetër aks i rëndësishëm rrugor nga lindja në perëndim të Shqipërisë parashikohet të fillojnë në pranverën e vitit të ardhshëm. Lajmi është dhënë nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj. Ai tha se ministria është në fazën e gjetjes së mënyrë së financimit. Egziston mundësia që ndërtimi i kësaj vepre të jetë një partneritet publik privat. Këto deklarata ministri i transporteve i bëri gjatë inspektimit të impiantit për ujërat e ndotura në Tiranë.

Kompania shqiptare ‘Gjoka Konstruksion’ paraqet ofertën
Një muaj më parë, më 15 Nëntor 2016, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj bëri të ditur  se kompania shqiptare ‘Gjoka Konstruksion’ ka paraqitur ofertë për të ndërtuar Rrugën e Arbërit.
Bëhet fjalë për segmentin më të vështirë të kësaj rruge, Tujan-Ura e Vashës rreth 27 km, ndërtimi i së cilës do të lidhte përreth një orë Tiranën me Maqedoninë. Aktualisht, për të shkuar nga Tirana në qytetin e Peshkopisë duhen rreth tre orë udhëtim.
Dervishaj i cili prezantoi në komisionin e Veprimtarive Prodhuese projektbuxhetin e vitit 2017 për infrastrukturën, theksoi se oferta e kompanisë shqiptare është e pranueshme, ndërsa informoi se oferta me kompaninë kineze “China State Construction” ka pushuar.
Sipas të dhënave në faqen zyrtare të kompanisë ‘Gjoka Konstruktion’, ARRSH ka kontraktuar këtë kompani edhe për Lotin e parë të rrugës , dalje Ura e Vashës – Bulqizë.

S'KA KOMENTE