Deklaratat e Ramës, Ahmetajt, Canit e Haxhinastos mbi rrugën e Arbërit

256

Edmond Haxhinasto, 6 Dhjetor 2014:
“Jemi në fazën përmbyllëse të negociatave për një marrëveshje konçesionare për realizimin e segmentit kryesor të Rrugës së Arbërit.

Edi Rama, 16 dhjetor 2014:
“U nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit me Chinese Exim Bank për hapjen e një kantieri projektesh në Shqipëri me financime kineze. Projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërise e Kinës do të jetë Rruga e Arbërit, e cila do të nise vitin e ardhshëm”.

Edmond Haxhinasto, 15 dhjetor 2014.
“Nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit me Chinese Exim Bank për hapjen e disa projekteve në Shqipëri me financime kineze. Projekti i parë i këtij bashkëpunimi mes Shqipërise e Kinës do të jetë Rruga e Arbërit, i cili do të nisë vitin e ardhshëm”.

 Arben Ahmetaj: 6 Janar 2015:
Në fushën e transporteve risi është ndërfaqja e koncesioneve për ndërtim, mirëmbajtje, operimi i akseve kryesore rrugore me qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore. Dua të përmend dy projekte që janë tashmë duke u përpunuar si kontraktime publik-privat; një është ndërtimi i segmentit të rrugës së Arbrit, që besoj do të jetë risi e fund dimrit, pra besoj në fund të shkurtit do të jetë në tenderim…

Edmond Haxhinasto, ATSH, 29 Janar 2015:
Kompania kineze China State Construction engrg.corp.ltd do të ndërtojë Rrugën e Arbërit. Kjo u bë e ditur për ATSH-në nga burime nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës. Një ditë më parë, vet ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, tha se punimet për ndërtimin e rrugës së Arbërit, konsideruar si rruga e dytë e rëndësishme në vend pas Rrugës së Kombit, do të nisin brenda muajit prill. “Besoj se brenda muajit prill do miratojmë ligjin përkatës për akordimin e kontratës së Rrugës së Arbërit kompanisë kineze, e cila paraqiti ofertën”, tha ministri. Ende nuk janë bërë publike detaje të ofertës së paraqitur nga kompania kineze China State Construction.

Edmond Haxhinasto, 20 mars 2015:
“Kemi dërguar një pr/ligj në parlament për tu miratuar. Pr/ligji do të jetë i veçantë duke qenë se kompania kineze i ka mundësitë financiare”

Edmond Haxhinasto, 14 prill 2015:
“Për këtë segment kjo vlerë që unë ju thashë sot, 28.7 miliard, është vlerë e projektit e përllogaritur nga ARRSH, ndërkohë që kompania kineze ka paraqitur një vlerë rreth 25% më të ulët”.

Edmond Haxhinasto: 14 prill 2015:
Kjo rrugë nuk parashikon taksim. Rruga e Arbërit është një nga projektet e parashikuara nga qeveria aktuale. Fillimi i punimeve në Rrugën e Arbërit, pritet të jetë në 2016-ën dhe parashikohet të përfundojë brenda 3 viteve.

Arben Ahmetaj, 16 Prill 2015:
“Do të duhet të theksohet këtu se projekti që kompania kineze ka sjellë, është një projekt i cili do të negociohet. Ajo që ne sjellim këtu është kërkesa për të filluar një procedurë të veçantë, për shkak të natyrës së veçantë të financimit, në formën e partneriteti publik privat, për 27 kilometra patjetër super të vështirë nga ana teknike dhe gjeografike. Sa do të jetë kostoja? Sa transparente do të jetë? Besoj se ky Parlament dhe institucionet e tjera kanë mundësi ta ndjekin gjatë procedurës së negociatës…. Nga ana financiare dhe nga ana teknike është një projekt që patjetër jo vetëm duhet mbështetur dhe promovuar por, për mendimin tim, do të duhet të shtyhet më tej për të kapur patjetër kufirin me Maqedoninë”.

 Edmond Haxhinasto, 16 Prill 2015:
“Po diskutojmë këtu sot miratimin e proçedurës së veçantë të Rrugës e Arbërit, vepër e cila ka filluar në vitin 2007 dhe sot jemi në realizimin 50% të kësaj rruge, ndaj mbetet një angazhim i yni për ta realizuar këtë segment të rëndësishëm të rrjetit tonë rrugor… Absolutisht do të jetë një proçes plotësisht transparent, prandaj po sjellim këtë ligj në Parlament dhe po kështu do jetë dhe proçesi i disktutimit të termave final të kontratës, të cilat do të sillen në parlament për tu miratuar. Por mund të them se transparenca në Shqipëri edhe duhet të konfirmohet dhe fakti është që e kemi nisur me transparencë të madhe, pasi planifikimi nga propozimi që na ka ardhur është si vlerë për kilometër shumë më e ulët se ajo që është aplikuar deri më sot, besoj nuk është e dhënë e pakët… E përsëris, se kosto është më e ulët se ajo që është realizuar deri më sot për këtë vepër konkrete… Taksimi i kësaj rruge potencialisht do të vijë vetëm si rezultat i konkluzioneve të Strategjisë së Taksimit të Rrugëve kur të përfundojë studimi. Pra nuk është e vertetë që ne kemi parashikuar një taksë për këtë rrugë, për ta ndërtuar këtë rrugë me taksat e qytetarëve.

16 Prill 2015:
Miratohet ligji nr. 41/2015 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës koncesionare/ppp, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbërit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërisë “China State Construction Company” 11

Arben Ahmetaj: 23 Maj 2015:
“Tek infrastruktura, mos harroni që në bazë të ligjit të ri të koncesioneve, ju keni mundësi të vini të ndërtoni me risk totalisht të mbuluar koncesione për të ndërtuar rrugë apo segmente autostradash. Rasti i kompanisë kineze, konsorciumit kinez që ka marrë Rrugën e Arbrit, është një rast spektakolar. Ne kemi ndërtuar një formulë shumë të thjeshtë, një formulë fituese që është “ëin,-ëin” për shtetin shqiptar, për qytetarët shqiptarë, por edhe për kompanitë”.

Shkelqim Cani, Bulqizë, 8 Qershor 2015:
Nga vjeshtë fillon rruga e Arbrit me tunelin e dytë, shumë më i gjatë se ky dhe me urën e Vashës që është shumë e lartë dhe një nga veprat e rralla në Shqipëri. Ky është premtimi kryesor që ne kemi dhënë për gjithë qarkun e Dibrës

Edi Rama, Bulqizë, 8 Qershor 2015:
“…me këtë tunel jepet edhe mesazhi shumë i qartë për gjithë Dibrën, që rruga e Arbrit nuk është më një fantazmë elektorale që shfaqet vetëm nëpër fushata, por është një realitet mbi të cilin ne po punojmë fort. Kemi siguruar edhe financimin për pjesën më të vështirë, me një kompani ndër më të mëdhatë e Kinës.

Ilir Meta, Bulqizë, 13 qershor 2015.
“Ne kemi treguar se nuk bëjmë rrugë dhe nuk hapim rrugë thjeshtë për fushata elektorale dhe nuk i lëmë rrugët, rrugëve. Në vjeshtë fillon dhe do të përfundojë Rruga e Arbrit, ajo që do ta lidhë Bulqizën me Tiranën për 40 minuta në mënyrën më komode, duke i dhënë fund izolimit historik të gjithë kësaj treve të jashtëzakonshme”.

Shkëlqim Cani, 9 Korrik 2015:
(duke folur për ligjin e konsencionit ne dogana) …Ne kemi llogaritur vetëm 5% rritje në vit. Diferenca është për kursim;  Kursimi është sa për t’u ndërtuar “Rruga e Arbrit”! Jo 100 milionë, por është e sigurt se do t’u kursejmë shqiptarëve edhe 400 milionë euro!

 Arben Ahmetaj, 16 Korrik 2015:
Po u marr shembull rrugën e Arbrit. E kishim dot rrugën e Arbrit me ato resurse financiare? Nuk e kishim dot. Atëherë çfarë do ti thuhej popullit të Dibrës? Ne nuk kemi para, ti gjej rrugë e kalo në rrugë. Jo. Atëherë hyn në një invencion me koncesionarin e mundur, i cili është një kompani kineze që financon. Financon dhe ta sjell rrugën për tre vjet dhe ti e paguan për 15 apo 20 vite. Çfarë është ky? Ky është një partneritet publik privat i shëndetshëm. Ky është invencion Ky është partneritet, që sjell një shërbim nga kalendat greke, ja sjell sot qytetarit. Kjo është detyrë e qeverisë dhe kjo është përgjegjshmëri kur bëjmë debat për koncesionet.

Edmond Haxhinasto: 4 Shtator 2015:
“Jemi në një komunikim të vazhdueshëm me kompaninë kineze që ka marr zyrtarisht kontributin tonë në informacion dhe studime. Kompania Kineze është duke përgatitur ofertën përfundimtare që do të negociohet brenda 60 ditëve siç e kërkon ligji. Ne jemi në pritje. Brenda shtatorit ajo duhet të vijë dhe pastaj janë edhe 60 ditë të tjera negociimi”. (Intervista e Ministrit Haxhinasto për gazetaren Ilva Tare)

Edmond Haxhinasto, 3 nentor 2015:
“Siç e dini, për sa i takon Rrugës së Arbrit, është bërë një ligj i cili ka përcaktuar një procedurë të veçantë për trajtimin e kësaj vepre. Grupi i punës është ngritur që para dy muajsh. Ka pritur dhe konsulencën ndërkombëtare të domosdoshme, për këto lloj kontratash, për kompleksitetin dhe rëndësinë që ato kanë. Besoj që me përfundimin e procesit të përzgjedhjes së Konsulencës, që u bë para pak ditësh, grupi i punës do të rizgjidhet për të vlerësuar edhe ai me transparencë të plotë dhe gjithashtu nëse kjo ofertë e kompanisë kineze ka interes publik. Me të përfunduar vlerësimin grupi i punës, edhe atë vlerësim do t’jua vëmë në dispozicion që ta studioni, ta shikoni, gërmë më gërmë.

 Arben Ahmetaj: 27 Nëntor 2015:
Rruga e Arbrit është në negociatë akoma. Negociata është në nivel të avancuar. Ka debate teknike shumë të rëndësishme dhe mund të them që po vazhdon diskutimi në nivel teknik për rrugën e Arbrit.

 Edmond Haxhinasto, 2 dhjetor 2015:
Për rrugën e Arbërit mund tju them që “po” edhe ky është një projekt i cili ka pikëpyetjet e veta shumë të rëndësishme. Pavarësisht  përpjekjeve tona për të arritur një konkluzion dhe një marrëveshje koncesionare me një ofertë që kemi nga një kompani kineze, kur të konkludojmë sic duhet në shifra në vlera për fiancimin e kësaj rruge do të vijmë këtu dhe do të themi e kemi konkluduar.

Edmond Haxhinasto, 7 dhjetor 2015:
Një shembull tjetër që dua të ndalem, është Rruga e Arbrit. Një deputet tha që nuk është hedhur asnjë qindarkë, por janë 15 milion dollarë që janë hedhur në 2 vite në Rrugën e Arbrit. 75 milion që nga fillimi i saj, dhe akoma kemi një segment 27 kilometra, të papërfunduar. Sepse kushton shumë ky segment sa gjithë rrugët e tjera, rreth 200 milion dollarë, dhe për këtë po negociojmë me kinezët! (Fjala e Ministrit Haxhinasto në Parlament për Buxhetin 2016)

Edi Rama, 27 nëntor 2015:
“…finalizimin sa më parë të negociatave financiare për të nisur punimet në Rrugën e Arbrit…”

S'KA KOMENTE