Misionare e pasqyrimit të vlerave historike e kulturore

306

Nga Bashkim LAMI

Të parët tanë bënë luftën e mbrojtën Atdheun me gjak e sakrifica, ne kemi detyrë t’i kujtojmë e të nderojmë veprën e tyre

Gazeta “Bulqiza” është bërë mjaft e dashur për lexuesit. Kjo për faktin se në dy vite të botimit të saj, nga nr 1 deri 20, (si edhe në dhjetra numrat e botuar gjatë viteve 1992-1996), ajo është bërë misionare e pasqyrimit të vlerave historike e kulturore të zonave Bulqizë, Grykë e Madhe, Grykë e Vogël, Gollobordë e Martanesh. Aty gjejmë shkrime mbi zhvillimet historike në kohëra të ndryshme dhe njihemi me protogonistët e ngjarjeve ashtu siç ruhen në kujtesën e popullit tone, duke plotësuar më së miri imazhin e kujtesës për të gjitha moshat.
Të parët tanë bënë luftën e mbrojtën Atdheun me gjak e sakrifica, ne kemi detyrë t’i kujtojmë e të nderojmë veprën e tyre. Edhe në trevat tona në çdo kohë ka pasur njerëz të shquar në jetën e tyre që kanë dhënë kontribute të rëndësishme si drejtues apo si krijues, por që shpesh herë mbeten në harresë. Puna dhe vepra e njerëzve të shquar pasuron çdo ditë traditën e zonës prandaj ne i kujtojmë me respekt e dashuri dhe mësojmë nga shembulli i tyre.
Shumë të rëndësishme janë edhe traditat e zakonet, etnografia, këngët që këndojmë, veshjet që përdorim, vallet popullore, doket, toponimet, etj që i japin identitet zonave, prandaj duhet të mos i lëmë të harrohen.
Trashëgimia historike e kulturore duhet të shihet e të përdoret për të na mbajtur më afër me njëri tjetrin, pasi një fjalë e urtë thotë: “Koha e ban të vetën”. Sot kur nevojat ekonomike i kanë shpërndarë njerëzit në të gjithë botën është shumë e rëndësishme që të punohet për ta ruajtur traditën në të gjitha mënyrat dhe më vjen mirë që gazeta “Bulqiza” e ka vlerësuar këtë çështje, duke i lënë vend në faqet e saj, por më shumë duhet të punohet nga institucionet e zonës duke shtuar larminë e aktiviteteve.
Është për t’u vlerësuar motivi i përdorimit të veshjeve popullore në hapjen e ceremonive të dasmave. Për këtë kontributi i disa artizaneve që i përgatisin këto veshje është një vlerë e çmuar për ruajtjen e identitetit.
Shoqata Atdhetare Kulturore “Bulqiza” e ka në programin e saj pikë kryesore: “Të evidentojë e premovojë e vlerat e trashëgimisë njerëzore, etno-kulturore, historike dhe përvojat më të shquara të veprimtarëve, të kryera në dobi të atdheut e të krahinave e fshatrave të Bulqizës, për mbrojtjen dhe zhvillimin në fusha të ndryshme të drejtimit, edukimit, zhvillimit, shkencës, kulturës, zejtarisë, sportit, artit, etj ”.  Po punohet për të nxitur e mbështetur organizimin e aktiviteteve në të gjitha fushat dhe evidentimin e talenteve të reja dhe mbështetjen e promovimin e arritjeve të tyre.
Po punohet nga mbështetësit e veprimtarive tona që të organizohen aktivitete për këtë, por realizimi kërkon mbështetje nga donatorë. Në të ardhmen do të punohet me këmbëngulje nga drejtues e kontributorë të shoqatës që të kemi më shumë aktivitete që freskojnë e ngrenë më lart traditën tonë.

S'KA KOMENTE