E dhimbshme, 61 vjeçarit pa këmbë e duar i refuzohet pagesa e kujdestarisë

181

Tefik Seferi, 61 vjeç, pasi pësoi një aksident në Metalurgjikun e Elbasanit, ka mbetur pa këmbë e duar.

 

Nga Sami CURRI

•    Ai çdo ditë lyp nëpër rrugët e Tiranës, pasi i duhet të paguaj ilaçet dhe qiranë e shtëpisë.
•    Edhe pse pa këmbë e duar atij i refuzohet pagesa e kujdestarisë nga shteti.

Tefik Seferi, 61 vjeç, ka lindur në Klenjë të Gollobordës. Histroia e tij është më komplekse, pasi me vendosjen e kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonis, motra e tij që ishte më e madhe lindi në Maqedoni e ai në Shqipëri. Pasi ka punuar për vite të tëra me forcat e ushtrisë për ndërtimin e fortifikimeve, por edhe në minierat e zonës së Bulqizës, në vitin 1993 largohet nga Klenja e Gollobordës dhe vendoset në Elbasan, aty ku fillon punë tek metalurgjiku. Por aty ai pësoi një aksident, si pasojë e së cilës humbi duart dhe këmbët.
61 vjeçari edhe pse pa këmbë e duar, prej 23 vitesh i është refuzuar pagesa e kujdestarisë, pasi ai bën pjesë në grupin e invalidëve të punës. Para dy vitesh i prishën shtëpinë, tani është detyruar të lyp nëpër rrugët e Tiranës, për të paguar qiranë, e për të blerë ilaçet.
“Unë jam aksidentuar në vitin 1993 dhe që prej atij viti unë nuk marrë as kujdestari, veç ç’kam ato 16.000 lekë e çfarë fitoj këtu rrugëve. Kështu është jeta. Të gjithë qeveritarët janë mashtrues, gënjejnë dhe gjë nuk zgjidhin. Që të ndihmohem unë apo edhe të tjerët si unë duhet që jeni në qeveri, që t’ja merrni kolltukun Edi Ramës sepse ai është armiku i Shqipërisë, madje edhe për ju, por ju akoma nuk e keni kuptuar. Ai edhe plehrat do që t’i bie, madje do sjellë edhe ato kimike”- shprehet Tefiku.
61 vjeçari na rrëfen edhe për anëtarët e tjerë të familjes dhe vështirësitë financiare me të cilat përballet: “Absolutisht që pagesa prej 16.000 lekë nuk më del. Vetëm ilaçet që unë marr më shkojnë 12.000 lekë, por nga ana tjetër duhet edhe të paguaj qiranë. Kam edhe dy fëmijë me probleme mendore, një gocë dhe një djalë. Një djalë e kam mekanik, me dy fëmijë dhe nusen, ndërsa të tjerët i kam të papunë, ku do të punojnë, ku do të shkojnë”. Edhe pse është drejtuar në disa institucione shtetërore, edhe pse ka punuar në punët më të vështira, ai deklaron se për problemin e tij nuk ka marrë asnjë zgjidhje:
“Te Shërbimi Social të nxjerrin përjashtë. Kam punuar në punët më të vështira, duke filluar që në miniera. Kam punuar në Trebisht të Bulqizës, në minierën e Manganit që në përbërjen e tij ka 12% flori.
Nga Fushë – Stude e deri në Trebisht, kam punuar në ndërtimin e fortifikimeve të ushtrisë. Ku pastaj në vitin 1993 kam kaluar në Elbasan dhe aty pësova edhe aksidentin, ku u dogja në Metalurgjik. Më ka ngelur vetëm një këmbë, por as këtë nuk e ndiej pasi ma ka dëmtuar korrenti, thjeshtë e kam për formë.
Unë për të lypyr qëndroj nga ora tetë e mëngjesit e deri në tetë të darkës. Me këta lekët që marr këtu unë thjeshë mund të siguroj ushqimin dhe të paguaj qiranë e shtëpisë, edhe për qiranë nuk del” – shprehet 61 vjeçari.
Edhe pse me një kalvar vuajtjesh, ai që në momentin kur është aksidentuar e deri më sot, nuk trajtohet me pagesën e kujdestarisë nga shteti, për arsyen që ai e tregon më poshtë:
“Çfarë trajtim i veçantë? Kush më trajton, asnjë trajtim. Është futur një gazetare që po merret me rastin tim, ku do t’i duhet të marr një çertifikatë të trungut familjar në Elbasan, nëse do të mund që të përfitoj kujdestari. Nga 23 vite nuk kam marrë kujdestari. Unë nuk mund t’i shërbej vetes. Si mund t’i shërbej vetes unë në këtë gjendje që jam, pa duar dhe pa këmbë?! Për këtë kam shkuar mbi 20 herë tek Sigurimet Shoqërore dhe më kanë thënë që vetëm paraplegjikëve ju takon dhe jo ty që je invalid pune” – shprehet me tone të larta Tefiku.
Dy vite më parë 61-vjeçarit i prishën edhe shtëpinë, e tani detyrohet të qëndroj me qira, lekët e së cilës atij i duhet t’i nxjerr duke lypur:
“Unë nuk po i kërkoj Edi Ramës bukë, por të më jap shtëpi. Unë e kisha shtëpinë dhe ma prishën, shtëpi të cilën e kisha blerë me mund dhe para emigracioni. Kanë dy vite që ma kanë shembur dhe tani po rrij rrugave. Ky është shteti jonë”.
Edhe ilaçet i duhet t’i blej vetë, pasi nuk rimbursohen nga shteti: “Unë edhe tek ilaçet që marr nuk kam rimbursim, pasi janë shumë të shtrenjta. Ku një pako me 10 hapje kushton 3000 lekë, e nuk e marrin përsipër që të na rimbursojnë” – deklaron ai.
Tefiku i është drejtuar edhe mediave të ndryshme në vend: “Unë nuk jam lyps që t’ju bërtas njerëzve. Kush do më jep ndonjë diçka. Edhe në media jam drejtuar, në shumë televizione, gazeta dhe nuk kam marrë ndonjë zgjidhje për problemet e mia, duke filluar që nga problemi i shtëpisë. Sa për këta organizatat që merren me ndihma e me gjëra as që kam shkuar fare,  pasi e di që prej tyre nuk merr as edhe një zgjidhje” – deklaron ai.
Por Tefiku ka edhe një apel:
“Apeli im është që të më strehojnë diku. Jemi 11 persona në një shtëpi që është 2 dhoma e një guzhinë. Nuk po kërkoj asgjë më shumë. Se shteti ma shembi, e jo tërmeti dhe uji. Gjithashtu edhe diasporës që të më ndihmojë me aq mundësi sa ka”.

S'KA KOMENTE