MIDIS NJERËZVE QË NDËRTUAN SHQIPËRINË

503

Shënime për librin me dëshmi dhe materiale për historinë e Trebishtit dhe Gollobordës

Dr. Besnik RAMA

“Midis njerëzve që ndërtuan Shqipërinë” është një libër ndryshe nga librat që kemi lexuar deri tani për Gollobordën dhe banorët e saj. I shkruar nga Agim Bekteshi, bir i Trebishtit, libri përmban kujtime, dorëshkrime, materiale, referenca, bibliografi e studime aq sa autori i ka gjykuar si të mjaftueshme “për t’i bërë brezat e rinj të djemve dhe vajzave të Trebishtit e të Gollobordës, krenarë për paraardhësit e tyre trima dhe punëtorë, kontributi luftarak dhe ndërtimtar i të cilëve është një betejë e vërtetë triumfale”.
Kujtimet, materialet faktike, vlerësimet për njerëzit e mirë, fjalët e ëmbla burojnë nga një zemër e shpirt i pasur e i pastër, nga një vëzhgues i hollë gjer në imtësi i jetës së kohës që e ka jetuar dhe regjistrues i të gjitha detajeve. Të gjitha këto, të bashkuara dhe në koherencë, formojnë “skenarin” e një filmi, të cilit është shumë e vështirë t’i gjesh fillesat, sepse ato burojnë thellë nga duart plot kallo e të plasaritura që, siç i përshkruan Agimi pesëmbëdhjetëvjeçar në 1968-ën, “mezi hapeshin e mblidheshin për të ngjyer kotheren e bukës, e nga ato plasarima, shpesh na rridhte currili i gjakut, i cili mpiksej prej të ftohtit dhe trazohej me bukën që hanim, por ne punonim të frymëzuar me bindjen se po jepnim kontributin për një jetë më të mirë, për një botë të re, për një botë pa shtypës e shfrytëzues…”.
Një nga meritat e autorit është fjalori i pasur që përdor për portretizimin e personazheve – ustallarë, mjeshtër të ndërtimit, arkitektë të veprave në çdo skaj të vendit. “Shtatlartë, shpatullgjerë, me shikim shqiponje, ai e përpinte objektin, e “trembte” punën, sepse ndihej zot i punës dhe jo rob i saj, prandaj kurrë nuk frikej prej punës,…” – shkruan Agimi për Mehmet Bekteshin. Me ngrohtësi e respekt, autori skalit portretet e heronjve të oxhakëve, si H. Caka e A. Xhelo, të urave, si Kamber e Shefki Shevroja, të luanit të tuneleve Ramazan Seferi etj. Agimi nuk nguron që, me sinqeritetin e ndjeshmërinë e tij, të bëjë dhe krahasime: “Kur i krahasoj këta heronj të vërtetë dhe njerëz fisnikë që i njoha në ditë e net punësh të mëdha ndërtimtare, me heronjtë shpesh të stisur në laboratorët e parfumosur të krijimtarisë së propagandës, shikoj hendekun e thellë midis heronjve të vërtetë punëtorë, të cilët i njoha në jetën time punëtore, me ata të stisurit që gëlojnë nëpër faqe romanesh e novelash, e sot gumëzhijnë dhe çirren pa pushim në ekrane televizionesh”.
Libri i Agim Bekteshit u duhet rekomanduar gjithë atyre që shkruajnë e flasin sipas krahut nga anojnë, pa fakte e argumente, ndryshe nga dokumentet e kohës kur kanë ndodhur ngjarjet. Duke lexuar këtë libër, ata do të nxiten që, në vend “mexhliseve” nëpër kafene, t’u drejtohen arkivave; në vend të librave me llafollogji shterpë, të na sjellin të dokumentuar gjithçka që pretendojnë; ose, në vend që të na sëmurin kokën, të heshtin, se heshtja u bën mirë dhe vetë atyre, më mirë se kujtdo tjetri.
Nga mënyra se si dhe çfarë shkruan, autori e shfaq veten si një dëgjues shumë i vëmendshëm i bisedave në oda dasmash e sebepesh të ndryshme, në tryeza me gollobordas, por jo vetëm kaq. Agimi është dhe një hulumtues i palodhur e i papërtuar për të verifikuar në burime historike e në botime të ndryshme ndodhitë e dëgjuara në popull. Këtë e deklaron dhe vetë dhe na e provon në faqet e librit.
Në vitet kur autori i librit ishte në rininë e tij, Trebishti e Golloborda krenoheshin me heronjtë e punës socialiste, me ata heronj të vërtetë që transformuan vendin. Krahas figurave të famshme e madhështore gollobordase, si Mehmet Bekteshi, Hamdi Caka, Ahmet Xhelo, Ferhat Pupuleku, Xhafer Hajrullai, Fiqiri Pupuleku, Vahit Sulku, Aldo e Selim Hajrullai etj., autori lartëson dhe mjeshtërit e talentuar të konstruksioneve metalike, si Llazo Papamihali, Maqo Polena, Hysni Veizi, Kimet Gjyli, Dhimitër Bardhi etj., edhe pse këta të fundit nuk janë bijë të Gollobordës. Me ata mjeshtër të shquar krenohemi dhe sot. Në një mënyrë a në një tjetër, u kishte duk puna mjeshtërve gollobordas dhe u vlerësoheshin mundi e djersa. Atëherë, ata punonin në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa sot pasardhësit e tyre janë shpërndarë në katër anët e botës, ku enden, përsëri, për koren e bukës, me shpresën për një jetë më të mirë.
Gollobordasit sot nuk i vlerëson kush, se sot ustallarë mbi ustallarët janë politikanët e biznesmenët që pasurohen e rrojnë duke rrjepur fukaranë, duke e shfrytëzuar deri në palcë, pa i paguar as hakun e mundit, të djersës, pa i krijuar as mundësinë për mbijetesë. “Duhet të vuash edhe vetë, që të kuptosh se ç’do të thotë fjala punë dhe fjala punëtor”. Kështu shkruan autori, kur kujton muaj e vite të tëra kur era e thante dhe e mpinte sa gërryente dhe eshtrat atij dhe bashkëfshatarëve të tij në Kavajë, në metalurgjik, kudo.
Një nga temat e trajtuara gjerësisht, por dhe me kompetencë nga autori, është ajo e qëndresës së krahinës së Gollobordës ndaj reprezaljeve të çdo pushtuesi, përfshirë shovinizmin sllav (serb e bullgar). Falë hulumtimeve në biblioteka, në shtypin e atyre kohëve e në internet, Agimi sjell në faqet e librit të tij fakte e ngjarje që kanë ndodhur realisht ndër vite e shekuj. Ai, pa u mjaftuar në literaturë, ka përjetësuar dhe histori të dëgjuara nga brezi i tretë i viteve ’60-’90 të shekullit të kaluar. Kjo mënyrë të shkruari e pasuron brumin e librit, duke përfshirë aty detaje që brezat e banorëve të Gollobordës i ruajtën gojë më gojë për çdo fis e fshat. Në burimet historike të shfrytëzuara nga autori evokohet heroizmi i gollobordasve qysh në kohën e Skënderbeut. Theksi vihet në faktin se gollobordasit nuk kanë vepruar e nuk kanë rezistuar asnjëherë të ndarë nga pjesa tjetër e Shqipërisë dhe nuk janë treguar asnjëherë indiferentë ndaj fateve të kombit tonë. Dëshmohet se kryetarë komune, kryepleq, por dhe gollobordas të thjeshtë, nuk janë mashtruar e nuk kanë rënë në grackën e tradhtarëve apo të brigantëve, kriminelëve e sahanlëpirësve, por kanë qëndruar me dinjitet dhe kanë përballuar me stoicizëm çdo situatë, duke derdhur dhe gjakun e bijve më të mirë.
Autori i librit është bir i Trebishtit. Si të tillë, “kërraba” e ka tërhequr nga fshati i vendlindjes e i fëmijërisë. Ndaj Trebishti vjen në këtë libër voluminoz thuajse në çdo faqe të tij. Megjithatë, libri është një fond i pasur për gjithë krahinën e Gollobordës, për gjithë gollobordasit, sepse autori ka arritur të dalë jashtë “sinorëve” të fshatit të lindjes. Kjo duket jo vetëm në trajtimin e ngjarjeve historike, por dhe në aspekte të tjera. Kështu, personazhet që janë përfshirë në libër, janë mbarëkrahinorë, jo vetëm trebishtas, ngjarjet historike shënojnë një gjeografi të gjerë të Gollobordës, krijimtaria gojore folklorike, por dhe e shkruar, aq sa ka zënë vend në faqet e librit, del përtej Trebishtit (nuk mbetet vetëm te “Çuma çukat po sred sello” – Murtaja i ra fshatit).
Nga fondi i pasur i shkrimeve për Gollobordën, autori ka nxjerrë  “ajkën” për ta përfshirë në librin e tij. Një sërë shkrimesh, duke filluar me reportazhin e vitit 1914 “Udhëtim në Gollobordë” e më tej me portrete personalitetesh që kanë lënë gjurmë të pashlyera (luftëtarë, ushtarakë, intelektualë, dëshmorë të luftës, heronj të punës e laureatë çmimesh, intelektualë të arsimit, shëndetësisë, bujqësisë etj.), me përshkrime vendesh historike e tempujsh, me paraqitje objektesh të ndërtuara nga duart e arta të gollobordasve brenda e jashtë vendit etj. na japin tablonë e plotë për Gollobordën dhe për gollobordasit.
Një nga titujt e përdorur nga autori i librit është “Është nder dhe krenari të jesh gollobordas”. Me të vërtetë, kështu është. Libri i Agim Bekteshit, me gamën e madhe të çështjeve që trajton, rrit dhe ngre më lart, me shumë siguri, nderin dhe krenarinë e çdo gollobordasi. Për gjithë meritat që i takojnë, uroj zotin Bekteshi që të na vijë me libra të tjerë, se njeriu me vlera, siç është Agimi, bëjnë vetëm vepra me vlerë.

S'KA KOMENTE