BUJAR PATA, një vlerë e vërtetë e qytetarisë

156

Nga Halil RAMA

Këshilli Bashkiak i Bashkisë Bulqizë, në vitin 2005 i dha inxhinierit  Bujar Pata titullin “Qytetar Nderi”, për kontributin e tij në 40 vite si specialist dhe drejtues, që mbajti mbi vete përgjegjësi të mëdha për ecurinë e prodhimit të mineralit të kromit në minierën e Bulqizës

Më 10 Dhjetor 2016, familjarët, miqtë dhe të afërmit, përcollën me shumë dhimbje në banesën e fundit, inxhinierin Bujar Pata, një figurë të nderuar të Bulqizës dhe të Dibrës, me një kontribut të madh në zhvillimin e industrisë së kromit.
Ai  lindi në Peladhi në vitin 1940. Shkollën fillore dhe unike i kreu në Zerqan me rezultate të shkëlqyera, ku dallohej për zgjuarsinë e tij. Shkollën  e mesme e kreu në Politeknikumin “7 Nëntori”, ku përsëri mbaroi me rezultate të shkëlqyera, degën e minierave. Në Politeknikum e donin Bujarin pasi ishte i urtë, i sjellshëm dhe i dashur me shokët. Ai gjithkujt i bënte respektin që i takonte.  Filloi menjëherë punën si teknik miniere në Bulqizë, ku shpalosi çdo ditë aftësitë e tij në kryerjen e detyrave deri në vitin 1965, kur nisi studimet në UT, në Fakultetin e Minierave. Edhe këtu u shqua si student i përkushtuar për të arritur rezultate të shkëlqyera. Gjithashtu ai kishte marrëdhënie shumë të afërta me shokët studentë dhe me pedagogët që e vlerësonin si një ndër specialistët e rinj që do të jepte kontribut të rëndësishëm në zbatimin e teknologjive të reja në nxjerrjen e mineraleve nga nëntoka.
Biri i një familje me tradita e emër të mirë, ku gjenden të kombinuara mençuria, bujaria, fisnikëria e zemërgjerësia, do t’i mishëronte e perfeksiononte ato gjatë gjithë karrierës së tij prej afro pesë dekadash.
I porsadiplomuar inxhinier minierash, ai fillon punën në vitin 1970 në Minierën e Kromit në Bulqizë, ku afirmoi veten si specialist rezultativ në personelin inxhiniero-teknik të kësaj ndërmarrje, që në atë kohë ishte bërë miniera më e madhe në Shqipëri.
Rezultatet e suksesshme në punë shpejt sollën dhe vlerësime për guximin e rrallë, qëndrimin heroik në frontet më të vështira dhe në kujdesin e mirëmbajtjen e mekankikës së minierës. Autori i dhjetra projekteve për modernizimin e minierës më të madhe të kromit në vend, drejtuesi i talentuar, miku më i shtrenjtë i minatorëve, nderohej gjithnjë prej tyre.
Të tillë do ta portetizonte atë edhe ish bashkëpunëtori e bashkëqytetari i tij, Ing.Hamza Gurra, në librin “Bulqiza, një minierë me histori”.
Në vitin 1973 Bujar Pata emërohet Kryeinxhinier në Minierën e Kromit në Bulqizë, ku drejtoi për shumë vite.
Krahas punës ai ushtroi edhe detyrën e mësuesit të lëndëve profesionale në Shkollën e Mesme të Minierave në Bulqizë. Gjithashtu ai ishte këshilluesi më i besuar në mbledhjet e personelit inxhiniero-teknik. Fjala e tij dëgjohej me vëmendje në frontet e prodhimit ku haseshin vështirësi të mëdha në zbatimin e rregullave të prodhimit të mineralit në frontet e thella të puseve dhe traverbangjeve të ndërtuara për hapjen e minierës në të gjithë masivin, tashmë të vërtetuar të kromit.  Ishte një profesionist politeknik dhe mjaft i thelluar në njohuritë për minierat. Dallohej për projektimin e fronteve të thellësive, në kushtet e infrastrukturës mizerabile të kohës dhe gjithnjë ia dilte të korrte suksese.

KARRIERA NË NGJITJE E NJË INTELEKTUALI SHUMËDIMENSIONAL
Bujar Pata, ky intelektual shumëdimensional do të kishte një karrierë gjithnjë në ngjitje, të admirueshme për kolegët e bashkëpunëtorët e tij të shumtë.
Në vitin 1981 emërohet Drejtor i Minierës të Kromit, Bulqizë, por ai mbeti gjithnjë ashtu, i thjeshtë e i dashur me shokët dhe llogjik në trajtimin e problemeve deri në zgjidhjen e plotë të tyre. Në këto vite u rrit me shpejtësi mekanizimi e modernizimi i minierës duke zbatuar teknollogji që i përgjigjeshin realizimit të planit të prodhimit e të kërkimit dhe futjes në funksion të fronteve të reja të nxjerrjes së kromit. Në këtë minierë u hapën rreth 18 km galeri, puse, furnele e rampa dhe u nxorrën rreth 20 milion ton krom, duke qenë një faktor i rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë.
Në vitin 1984,  Bujarin e emërojnë Sekretar të Parë të Komitetit të Partisë së Rajonit të Bulqizës. Edhe këtu ai ruajti po ato tipare të thjeshtësisë e të komunikimit me drejtues, minatorë e qytetarë me të cilët qante hallet e tyre të punës e të jetës. Pas një viti përsëri kthehet kryeinxhinier në minierë, ku shifrat e realizimit të planit të prodhimit kishin arritur në nivelin e një përgjegjësie të jashtëzakonshme.
Në vitin 1989 Bujari emrohet Sekretar i Komitetit të Partisë të rrethit Dibër. Në këtë kohë ai pati edhe probleme shëndetësore me zemrën që i kaloi me sukses.
Në mars 1991, në Kuvendin e parë pluralist, B.Pata zgjidhet deputet deri në marsin e vitit 1992. Aty ai dha kontributin e tij në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
Pas vitit 1992 filloi punë përsëri në minierën e Bulqizës në repartin e cilësisë.
Nga viti 1998 deri 2001 kur doli në pension punoi specialist në Albkrom në Tiranë.

40 VITE KONTRIBUT SI SPECIALIST DHE DREJTUES I MINIERËS
Në vitin 2003 Bujar Pata ngre zërin e tij në shtyp për gjendjen e gjigantit të kromit të Bulqizës, ku paralajmëron vështirësitë e mëdha që sjell keqmenaxhimi i kësaj miniere. Larg klisheve e slloganeve përçarëse, edhe në këto vite ai iu përkushtua profesionit, duke bërë më të mirën e mundshme. Bujari, një profesionist politeknik dhe mjaft i thelluar në njohuritë për minierat, mbajti mbi vete përgjegjësi të mëdha. Kështu vlerësohet kontributi i tij si specialist dhe drejtues për 40 vite, ku mbajti mbi vete përgjegjësi të mëdha. Gjithmonë ishte një burrë me shpirt të jashtzakonshëm, simbol i nëpunësit të drejtë e të përkushtuar, inxhinieri pasionant i minierave të kromit shqiptar, njeriu shumë i dashur për të gjithë minatorët dhe popullin e Bulqizës dhe një vlerë e vërtetë e qytetarisë.
Bujar Pata ishte mjaft dinamik, në lëvizje e kërkim të pasosur njohurish dhe vlerash. Ai ishte shumë i lidhur me punën dhe mjaft i shoqërueshëm; lexonte e shkruante, fliste bukur në kuvende, takime e festa. Në bibliotekën familjare i gjeje të gjitha librat shqip të kohës si dhe koleksionet me revistat përparimtare.
Këshilli Bashkiak i Bashkisë Bulqizë, në vitin 2005 i dha inxhinierit Bujar Pata titullin “Qytetar Nderi” për kontributin e tij në 40 vite si specialist dhe drejtues, që mbajti mbi vete përgjegjësi të mëdha për ecurinë e prodhimit të mineralit të kromit në minierën e Bulqizës.
Gjithë ky aktivitet i dendur e mjaft produktiv i një personaliteti me përmasa shumëdimensionale si Bujar Pata, na bën të hulumtojmë më shumë rreth jetës dhe produktit që ai lë pas, në të mirë të shoqërisë dhe të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të Bulqizës dhe krejt Dibrës.
Në realitetin e kohës që jetoi Bujar Pata përpiqej gjithnjë të ishte në harmoni me vetveten dhe ky ka qenë orientimi më i mirë i tij, orientim drejt lirisë së qënies dhe gjykimit të pandikuar. Pikërisht një orientim i tillë do ta çonte atë në kufijtë maksimalë të cilësimit si një individ i veçantë.

PROMOVUES I VLERAVE QYTETARE
Bujar Pata kultivoi dhe promovoi vlera qytetare, që në etapa dhe forma të ndryshme, në ecjen e njerëzve me kohën e për kohën, nëpërmjet kontributit të tyre modest dhe historik, kanë komunikuar dhe vazhdojnë të komunikojnë, mesazhe modeste e komplekse, dialogimin e së kaluarës, qartësinë e së tashmes dhe udhën e së ardhmes; ndjenja të shpallura këto, për të kuptuar vazhdimësinë e jetës, krenarisë, dhe përjetësisë…, vlera që sigurojnë identitetin e qytetarisë dhe inteligjencës dibrane.
…Lajmi i trishtë se një nga personalitetet më të shquara dibrane, Bujar Pata, u nda nga jeta, u prit me dhimbje e dëshpërim të thellë nga familja, bashkëshortja e fëmijët, nga të afërmit dhe miqtë e shumtë, jo vetëm në Bulqizë e Dibër, por në gjithë Shqipërinë, veçmas nga ata që kanë patur fatin ta njohin, ta kenë mik dhe koleg. Ata shprehën ngushëllimet dhe dhimbjen e tyre në rrjetet sociale e shtypin shqiptar. Në një bisedë ngushëlluese telefonike që pata me djalin e tij, mikun e kolegun shembullor, gazetarin e talentuar, Ylli Pata, përpos kërshërisë sime për të ditur më shumë rreth babait të tij, ndjeva dhimbjen e thellë, respektin dhe një moment homazhi, malli, mungese, dhimbje, dashurie dhe admirimi, për njeriun që e pati pjesë të jetës së tij për 40 vjet, duke e vlerësuar edhe si një tribun promovues dhe përcjellës të vlerave njerëzore dhe qytetare.
Me ndarjen e tij nga jeta, Bulqiza humbi një inxhinier të talentuar e qytetar shembullor, familja e shoqëria ndahen me të shtrenjtin e tyre.  U prehtë në paqe shoku dhe miku ynë i paharruar Bujar Pata. Dheu qoftë i lehtë për të !

S'KA KOMENTE