Një dëshirë për t’u përmbushur

1458

ERJONA KETA

Ditët ecin e bashkë me to rritet edhe kalvari i vuajtjeve të çdo qytetari minator të qytetit tim të vogël të Bulqizës. Një ditë e nisur që në orën gjashtë të mëngjesit dhe e ngrysur në orët e vona të mbrëmjes, me dëshirën se e nesërmja nuk do të jetë ajo e një fatkeqësie për to.
Dita nis në këtë mënyrë për gjithsecilin punëtor, i cili dëshiron që të reduktojë sadopak kthetrat e varfërisë për të mundësuar një jetesë më normale për familjen e tij.
Orët kalojnë nxitimthi për ne që s’jemi aty, por vetëm ato e dinë se sa e vështirë është të numërosh sekondat, minutat, orët aty brenda. Por ç’të bësh xhanëm? Ky ishte fati që zoti kish rezervuar për to.
Nga ana tjetër, jam unë që lutem që çdo prindi i cili realizon sakrifica kaq të mëdha për mirëqenien e familjes dhe shkollimin e fëmijeve të tij, një ditë t’ju shpërblehet mundi e djersa e hedhur në ato vende, të varfëra në dukje por të vlefshme deri diku kur vjen dita e shpenzimit të këtyre të ardhurave për nevojat e tyre.
Jam unë ajo që mundohem që dita-ditës të realizoj sadopak synimet e mia për të ardhmen, me ndihmesën e madhe të përdorimit të këtyre të hollave të siguruara nga kjo punë e mundimshme e tim eti.
Kam bërë premtime gati të parealizueshme sipas tyre, por me vullnet, bindje,vendosmëri e këmbëngulje do të arrij t’i bëj realitet me se s’bën. Fundja këto janë ato që një prind dëshiron për fëmijën e tij, të ecë me këmbëngulje për përmbushjen e premtimeve të kërkuara me aq ngulm.
Të bëj punën e tyre nuk e bëj dot, ndaj nuk më mbetet gjë tjetër veçse të studioj e të punoj fort për synimet e mia. Ehh… ç’mund të thuash më tepër për to?!
Të thuash se sa e vështirë është puna e tyre? As këte nuk e thua dot po nuk e provove.
Por jo i dashur lexues, puna e tyre nuk ka nevojë vetëm të provohet.
Ajo shihet qartë sesa e lodhshme, e vuajtshme dhe jo e hareshme është kur shikon fytyrat e tyre të zbehta, kur shikon se sa kanë ndryshuar  krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, fundja ato janë kaq të zotë, saqë mundohen ta fshehin lodhjen kur shohin se pak nga pak e nga dita në ditë po kompletohen sadopak nevojat e familjeve të tyre.
Jam po unë e cila kur hyj në mendime, kujtoj shumë gjëra që kanë ndryshuar tek vetja por ato, ato mbesin me të njëjtën monotoni përditshmërie.
Mendoj dhe kujtoj momente jetese nga fëmijëria deri tek rinia, ku çdo stad jetese ka pësuar ndryshimet e saj. Por ato janë aty muaj pas muaji duke u përpjekur për realizimin e nevojave tona me anë të po të njëjtit vend.
Bashkë me natën po e mbyll edhe unë këtë shkrim me dëshirën më të madhe të mundshme që një ditë do të mund t’ja shpërblej sakrificën dhe mundin që im atë po bën karshi meje, për t’i dhënë zë mundit të tij e për t’i thënë që me anën e saj ja dola të mbijetoj, por pa qenë unë vetë pjesë e atij vendi në të cilin t’i hyre për mua…për shkollimin tim…për të ardhmen time …

S'KA KOMENTE