Të jeshë nënë

83

Hysen KICA

– Rrofsh moj bijë! Ti mos vdeksh kurrë!
Ishte një e moshuar, mbi gjashtëdhjetë vjeçe, që ecte duke uruar kështu dhe nuk e di pse u bëra kurioz, iu afrova dhe e pyeta.
– Më falni zonjë. Mos keni ndonjë problem?
– Probleme pleqërie, – tha plaka duke ecur ngadalë, – por ka edhe njerëz të mirë në këte botë. Thuaj shyqyr që ka edhe të tillë se do na kishte marrë lumi.
– Po nuk ka lum këtu prandaj mos kij frikë, – i thashë unë me shaka dhe eca pranë saj. Mendova se ajo e kishte një shqetësim dhe ndoshta e ndihmoja apo e qetësoja.
– Ke të drejtë të bësh shaka me mua se nuk e ke provuar mbi kurrizin tënd por… Uroj të mos e provosh kurrë.
– Më fal! Ndoshta të shqetësova?
– Jo, s`ka gjë.
– A ke fëmijë?
– Kam dy vajza.
– T’i keshë me jetë!
– Të falemnderit! Njërën e kam të martuar në Amerikë dhe tjetrën të martuar në Itali, – vazhdoi plaka pavarësisht se unë nuk e pyeta.  Kuptova se ajo kishte nevojë të fliste dhe të çlirohej nga pesha e jetës. Patjetër ndihej e vetmuar dhe e mërzitur për vajzat e saj që i kishte larg.
– A e ke burrin? – e pyeta unë vetëm për të thënë diçka.
– Burrin ma kanë pushkatuar që në vitin 83 se gjoja kishte lidhje me veprimtarinë armiqsore të ushtrisë. Pa mbushur akoma 30 vjeçe mbeta me dy vajzat e vogla dhe u kushtova atyre gjithë jetën time.
– Besoj se edhe ato të duan shumë, – i thashë unë.
– Ashtu thua ti, – tha plaka dhe ndali.
– A fola gabim!
– Vajza e madhe u martua më shpejt dhe iku në Amerikë. Jo vetëm se kisha vajzën e vogël por, nuk më dhanë vizë dhe, nuk shkova dot në Amerikë.
– Vajzën e vogël e paske martuar afër se në Itali tani shkon edhe pa vizë.
– Po, po. vajzën e vogël e doja si sytë e ballit. Meqenëse nuk kisha njeri tjetër, përveç vajzave, shkova edhe unë në Itali te vajza e vogël. Isha e re dhe punoja çdo ditë. Edhe kur kthehesha nga puna gatuja dhe pastroja shtëpinë se më dhimbsej vajza. Vajzën e vogël e doja si sytë e ballit. Pasi kalova atje mbi tetë vite më thanë se nuk mund të më nbajnë më. “ Nuk më keni mbajtur ju, – u thashë unë. – Unë kam punuar vetë dhe më tepër u kam ndihmuar sesa më keni ndihmuar “.
– Vajza jote të tha kështu!
– Vajza! dhëndri! Ç` vlerë ka! Më detyruan të largohem e të kthehem në Shqipëri. Ma thyen zemrën. Në vitin e parë vuajta tmerrësisht por fillova të mësohem e të pajtohem me vetminë. Shyqyr që ka edhe njerëz të mirë në këte botë. Dikush vuri dorën në zemër dhe më ndihmoi të merrja një hyrje të vogël.
– Ta falën apo ta dhanë me kredi?
– Ma dhanë si dëmshpërblim për vrasjen e burrit tim.
– Thuaj shyqyr që nuk paske mbetur rrugëve.
– Po, po. Gjaku dhe jeta e burrit tim nuk më lanë në rrugë.
– Ka edhe më keq.
– Patjetër. Ti nuk e din ku isha tani.
– Ke ndonjë problem!
– Isha te një noter, – tha plaka. – Ja kishin dhënë edhe numrin e telefonit tim. Më thirri dhe më tha se vajzat kërkojnë të bëj testamentin për t’u lënë shtëpinë.
– Si ja bëre?
– Kurrë! I thashë noterit se shtëpinë do ja lë vetëm atij që do më mbaje në pleqëri. Noteri u mundua të më bindë se shtëpia i takon vajzës së vogël se ajo më ka mbajtur shumë vite. Më bëri edhe presion kur e kuptoi se nuk bindesha. Ne të vjetrit jemi budallenj dhe besojmë shumë.
– Ti qenke treguar e mençur.
– Kam dëgjuar me kujdes të madh ato gjyqet që zhvillohen në televizion dhe më duket se kam mësuar shumë. – Prandaj po uroje ashtu? – Po! Po uroja zonjën Eni që më bëri të mençur dhe nuk e dhashë shtëpinë. Mos vdektë kurrë.

S'KA KOMENTE