Sabri Caka, krahu i shqipes në flamur

101

Nga Halil Teodori

Që kur mora përsipër të shkruaj këto radhë për Sabri Cakën, nuk mund të lija pa përmend Okshtunin, Ternovën, Zerqanin, Gollobordën dhe fshatrat përreth. Janë këto piketa gjeografike, janë këto toponime, me të cilat mbetet e lidhur vegjëlia e heroit, andrallat dhe shpresimet, e djeshmja, e sotmja dhe e ardhmja e atyre banorëve. Me ndërgjegje të kthjellët dhe përgjegjësi,pohoj, se sado të përpiqesha për ta dhënë të përplotësuar panoramën, e pamundur do të ishte të arrija të thoja gjithçka që duhej.  Gjithçka që dija do të ishte e paplotë dhe e pamjaftueshme për të qenë në vetvete një dëshmi e shtresimeve të ndryshme që do të përfaqësonin në tërësinë e vet këtë rrekje promovuese, këtë panoramim përmes së cilës përshkohet e gjithë ajo rrjedhojë, gjithë ajo tokë e gatuar prej gjakut dhe amaneteve, lotësh dhe shpresimit.  Kjo mëdyshje i ngjet një ngulmi për të marrë mbi vete synime, të cilat kërkojnë të përsosurën dhe vetëm të përsosurën. Me gjithë përpjekjet që bëra, për ta plotësuar këtë kuadër, duke konsideruar si të frytshme njëherazi ndihmën e dhënë nga bashkëpunëtorët që mu gjendën pranë me gatishmërinë e tyre për të më mbështetur me fakte dhe dëshmi për botimin e këtij libri, e ndjej se kam ende shumë gjëra. Megjithatë, çdo vullnet pozitiv është një përpjekje dhe çdo rrekje për të dëshmuar të shkuarën është një rreze drite që udhërrëfen rrugën e brezave. Por e ndjej obligim t’u kërkoj ndjesë bashkëfshatarëve të mi të nderuar, ku u lindëm dhe u rritëm të më mirëkuptojnë në këtë dashamirësi.  Gjithsesi, për të qenë i sinqertë me lexuesit, shpresoj dhe besoj, që kam hapur një dritare sado të vogël, për të hedhur dritë në plotësimin e imazheve për ata që mund dhe duhet të guxojnë të marrin penën dhe të shkruajnë në këtë drejtim, pasi çfarëdo që të shkruash, përsëri e përsëri do lësh e do mbetesh mangët në dhënien e panoramës dhe portreteve të plota të gjithë atyre personaliteteve që shërbyen dhe sakrifikuan jetën e tyre në shërbim të trevës së “Grykës së Zajeve” dhe më gjerë, të Dibrës e gjithë Shqipërinë.
Historia duhet të jetë e shkruar dhe duhet t’u përcillet brezave ashtu siç është, ku ata të shohin veten në të kaluarën.
Jo vetëm për periudhën post-komuniste, por edhe ato të mëhershmet pak është shkruar për historikun e vendlindjes sonë. Zona jonë ka nxjerrë heronj dhe figura të shquara, personalitete të rëndësishme të kulturës dhe dijes, guximit dhe vendosmërisë, traditës dhe atdhetarisë. Kjo kolanë e gjatë dishepujsh të vlerave dhe krenarisëi ka shërbyer vendit, por ata kanë ngelur pa u bërë të njohur, përfaqësuar dhe vlerësuar. Sepse është detyrim i gjeneratave që në emër të mirënjohjes, në emrin e thirrjes së gjakut, në emër të më të shtrenjtës që na ndjek nga pas kudo që të shkojmë, në emër të plisit, t’i njohim, t’i promovojmë dhe ta çmojmë kontributin e tyre. Sepse është kjo përpjekje, është ky angazhim, është kjo detyrësi, ajo që na nxit të jemi ne ata që do të shkruajmë ato faqe të historisë që trualli na i ka besuar ne, sepse vetëm ne mund ta matim dhimbjen e kësaj toke, ta dëgjojmë kushtrimin e këtyre maleve, t’u bindemi këshillave të etërve flokëbardhë, ta lehtësojmë dhimbjen e kësaj plage.
E shkuara vetëm përmes gojëdhënave ka ardhur brez pas brezi deri në ditët tona. Ne duhet të pranojmë se kemi detyrën historike të nënshkrimit të kësaj kontrate për të dëshmuar, për të trashëguar, për të çuar më tej, për të mos e lënë të shuhet, të vdesë, ta nënshtrojë harrimi një pjesë të krenarisë sonë, një domosdo që mbartet për t’ua pasuar brezave si amanet, të cilin nuk e tret as dheu.
Arsyeja pse unë i hyra këtij studimi ishte se në realitet është shënuar një ndryshim shumë i kufizuar në drejtim të shkrimit ndërnacional të historisë.
E rëndësishme është që të sjellim ndër mend se historia e zonës është pak e njohur. Në të vërtetë mund të thuhet se për periudha të gjata, vështirë se mund të thuhet se kanë ekzistuar këto njohuri. Është mirë ta bëjmë vetë historinë e brezave tanë dhe të mos e lëmë atë, në duar të dikujt tjetër. Sepse vetëm ne e njohim këtë ritëm gjaku, këtë vërshim limfe, këtë kreshtë krenarie që matet me malet, ku bora shkrin me vonesë.
Çfarëdo interpretimesh që janë bërë për atë kohë që ka shkuar, në kuptimin e atmosferës së përgjithshme të historiografisë, duhet thënë se pasqyrimi ka qenë jo i mjaftueshëm.
Vetëm në historinë e Okshtunit, Ternovës, Smollikut, Lubaleshit, Kojavecit dhe zonës përreth, kanë zënë vend episode të tilla dhe këtu flitet për martirizimin, me figura të tilla si: Hoxhë Hasan Muglica dhe heroin e Popullit Qemal Stafa të cilët luftuan për nacionalizmin shqiptar parimor, duke flijuar jetën e tyre në rrethana të vështira.

S'KA KOMENTE