“TOPONIMIA E ÇIDHNËS”, NJË BOTIM ME VLERA TË RRALLA SHKENCORE

193

Vepra e Haki Përnezhës e Rruzhdi Bitrit ka një mënyrë të konceptuari e shtjelluari mjaft të rrallë, brilante

Nga Halil RAMA

Botimet “M&B”, pas suksesit ta padiskutueshëm në Panairin e Librit 2016, prezantuan më 25 Nëntor 2016, në sallën e Akademisë së Shkencave në  Tiranë librin “Toponimia e Çidhnës” (me 110 ilustrime fotografike dhe me një fjalës të leksikut të rrallë), të bashkëautorëve Haki Përnezha e Rruzhdi Bitri.
Për vlerat e rralla shkencore të këtij botimi folën: poeti dhe prozatori i mirënjohur Agron Tufa, Prof. Gjovalin Shkurtaj, Prof.Dr. Shaban Sinani, si dhe studjuesit Ali Hoxha, Besim Cengu e Mustafa Tola.
Përveç studimit të thelluar e skurpuloz, për besueshmërinë e këtij botimi flasin qoftë dhe 328 referencat e përdorura nga bashkautorët, ku spikasin ato të Prof.E.Çabej, Mjeshtrit të Madh, Hazis Ndreu, studiuesit Iljaz Kaca, apo dhe të Giussepe Valentini (E Drejta e komuniteteve në traditën juridike shqiptare). Në përpjekjet për të sjellë aromën e vendlindjes së tyre, H.Përnezha dhe Rr.Bitri hyjnë në analet e historisë së letrave me një botim të rrallë. Pa hyrë në një analizë të thellë të këtij botimi tejet dinjitoz, në këto pak radhë unë dua të shpreh vlerësimin për kontributin e tyre në kërkimet shkencore.
Një sipërmarrje të tillë të vështirë mund ta quajmë pa mëdyshje të suksesshme dhe merita për këtë u takon dy bashkautorëve, por edhe redaktorit potencial, akademik Shaban Sinanit, si dhe botuesit M&B (Miranda e Bujar Karoshi). Larmia e studimeve të paraqitura në këtë libër janë dhe një nga arsyet e suksesit të botimit, i cili është i një cilësie shumë të mirë, i denjë për të nderuar dy studiues të shquar, botuesin dhe redaktorin.
Në këto studime, pa mëdyshje shquhen ato mbi fshtarat Sinë e Epër e Sinë e Poshtme, Çidhën e Poshtme, Grykë Nokë, Mustafe, Zall dhe Kodër Leshe, Fushë Alie, Laçes, Çelias, Blliçe, Rrenx, Kastriot, Brest i Epër e Brest i Poshtëm. Natyrisht, lexuesi shqiptar, bazuar në këto studime merr një informacion relativisht të pasur për këtë trevë të njohur që nga lashtësia.
Vepra e H.Përnezhës e Rr.Bitrit ndërkaq ka një mënyrë të konceptuari e shtjelluari mjaft të rrallë, brilante.
Meritë e padiskutueshme e këtyre autorëve, krahas njohurive që zotërojnë për vendlindjen e tyre, është padyshim shfletimi dhe studimi në origjinal i  një bibliografie mjaft të pasur.
Më së miri e vlerëson librin e tyre redaktori Sh.Sinani, i cili evidenton 100 fotot ilustruese dhe me një lexicon të fjalës së rrallë e në zhdukje, që së bashku me frazeologjinë që lidhet me to, është një provë burimore dhe shkencore e rëndësisë kulturore e historike të emërtimeve vendore.
“I shkruar pas një vëzhgimi kërkimor prej shumë vitesh, prej dy njerëzish që janë edhe vetë subjekt i kërkimit; me një vëmendje diturore të kthyer në qëllim prej dekadash më parë, “Toponimia e Çidhnës”, – thekson akademiku – është një regestum i emërtimeve të përveçme të kësaj krahine etnografike, një hipotekë e kësaj pasurie shpirtërore, e cila për fat tashmë ka zot, dhe ky zot është folësi shqiptar i atyre anëve, bartës brez pas brezi i saj, një bartës sa krijues aq dhe ruajtës, sa pragmatik, aq dhe sintagmatik, sa figurativ aq dhe përdorues”. Sipas Prof.Sh.Sinanit “Në librin e këtyre dy autorëve janë ndërthurur meritat e mbledhësit, tejshkruesit dhe të studiuesit. Aty janë bashkë edhe filologu, edhe dialektologu, edhe antropologu e historiani. Libri i tyre është një arritje etnogjuhësore, në të cilën fjala dhe bartësi i saj nuk ndahen”. Madje sipas akademikut të mirënjohur “Toponimia e Çidhnës” dëshmon mbi të gjitha se populli i këtyre anëve nuk ka jetuar si popull malesh, si barinj shtegtarë, sikurse shkruhet edhe sot në disa botime enciklopedike, por ka ditur të jetojë dhe madje ka jetuar mirë.”

S'KA KOMENTE