Shoqëria shqiptare në krizë, shumë familje në hasmëri me njëra-tjetrën

139

Një nga fenomenet më negative që po tërheq vëmendjen e opinionit të gjerë shoqëror në ditët tona sot është edhe çështja e hasmërive mes familjeve shqiptare. Është fakt i pamohueshëm se thuajse çdo ditë media pasqyron në rubrikat e informacionit raste të krimit si shkak i gjakmarrjes. Grindje, dhunë, abuzim seksual, vrasje, vetëvrasje… me një shpërndarje gjeografike pothuajse gjithëshqiptare. Ka treva dhe zona të veçanta, ku çdo tre ditë shënohet një i vdekur ose gati për të vdekur nga hakmarrja primitive e “hasmit”. Braktistjet e shtëpive dhe vendlindjes tashmë janë bërë të zakonshme. Ndërsa dhuna, kryesisht ndaj femrave dhe fëmijëve, është aq e shpeshtë, sa të krijohet përshtypja se jetojmë në një shoqëri tërësisht të karakterit primitiv.
Akoma dhe më të shëmtuara janë rastet kur krimi në familje merr karakter gjinor,babai vret djalin dhe anasjelltas, babai shfrytëzon vajzën, vëllai motrën,burri gruan… Ngjarje të tilla po bëhen aq të shpeshta në realitetin shqiptar saqë shoqëria, politika,opinioni,shteti dhe institucionet e tjera sikur, kanë krijuar imunitet dhe janë ambientuar me to.
Në këto kushte, Shqipëria po braktiset masivisht. Shumë familje po ikin nga Shqipëria për arësye të hasmërive. Një rast konkret është familja e Zabit Fisnikut nga fshati Trenë, qyteti Peshkopi. Ndërsa Zabiti ndodhet në burg, bashkëshortja (Lulzime Fisniku) bashkë me dy djemtë (Ergis dhe Emin Fisniku) janë detyruar të ikin, pasi dy herë radhazi, më 15 Mars dhe 25 qershor  i kërcënuan se do t’i vrasin. Kështu, problemet e shkaktuara nga kryefamiljari, Zabiti, i vuajnë bashkëshortja dhe fëmijët. Për më keq, ky person ka shfrytëzuar dhe një vajzë dhe tani njerëzit e afërm të saj kërcënojnë me jetë gruan dhe dy djentë e Zabit Fisnikut.
Si ky, ka dhe disa raste të tjera, në Bulqizë, Luzni e Kastriot të Dibrës, ku familje të tëra janë në hasmëri me njera-tjetrën.
Nuk qarkullon kot mendimi te qytetarët, sipas të cilëve në Shqipëri tashmë asgjë nuk na bën përshtypje. Shkurt: kronikat e zeza na kanë lodhur, na kanë stresuar dhe po denigrojnë personalitetin e shoqërisë sonë. E turpshme për ne që vazhdojmë të jetojmë me shpresën se pas reflektimit diçka do të korrigjohet, se politikëbërësit do t’i vënë gishtin kokës për ta shëruar disi këtë plagë të shëmtuar të shoqërisë dhe me kosto të lartë për jetën. Pas rasteve të përditshme, që transmetohen me aq zell në median elektronike dhe të shkruar, vijnë edhe “shkaqet”, edhe “motivet”, shpesh edhe banale: “Ishte në gjendje të rëndë depresive,i sëmurë psikik, i dehur…”. Janë të rralla rastet, kur bëhen përpjekje për të dalë përtej këtyre “argumenteve” absurde, që nuk bindin askënd.

KORAB RUNJA

S'KA KOMENTE