Vizitë në “pallatin e varfërisë’’

122

Sami Curri

Të them të drejtën si në ishull.com, por edhe në portale të tjera unë kam trajtuar shumë histori nga Bulqiza, që për fat të keq nuk kanë qenë të lumtura. Sot vendosa të ndalem në një pallat, faktikisht shumë banorë përdorin me raste edhe termin “kompleksi i punëtorëve”. Unë një gjë të tillë nuk dua ta përdor, termi kompleks më duket shumë i rëndë për kushtet që ka aty, por kështu “vençe” edhe unë dua ta quaj “pallati i punëtorëve”. Nuk ndodhet shumë larg nga qendra e qytetit, por as edhe shumë larg pusit të Minierës së Bulqizës dhe këtu strehohen afro 26 familje të cilat në shumicën e tyre kanë statusin e të pastrehut. Sapo afrohem dëgjoj ca zëra fëmijësh që diskutonin mes tyre, në ato lojrat e fëmijërisë që këta fëmijë, sa për ironi të fatit, por edhe nga kushtet ekonomike nuk ishin infektuar nga lojërat elektronike.
U ndala. Po i shikoja me shumë vëmëndje dhe për një çast po kujtoja fëmijërinë time me ato lojrat tona. Gurë, krom, gurë, krom, gurë, krom – ky ishte diskutimi që po bënin!!! Në të vërtetë ata kishin marrë një gurë e po bënin fjalë mes tyre, nëse ai ishte krom apo gurë. Këta ishin ekspertët e vegjël të gurëve të stogut të Bulqizës, që në qarqet e tyre “akademike” të fushës së mineralit po futeshin në një diskutim që për ta kishte një rëndësi të veçantë. Nga hutimi im teksa i shikoja, më solli në vete një erë e rëndë që u përplas në hundën time, kundërmonte aq rëndë sa për një çast më zuri frymën e s’po mbushesha dot me ajër.
Në katin e parë të këtij “pallati” ndodhej një pirg i madh mbeturinash, inertesh e më saktë le të them që ishte kthyer në një banjo publike. Vetëm pak metra nga kjo gërmadhë gjendeshin disa pirgje drushë që ishin marrë nga banorët për ngrohje. Të flisje për dritare këtu, ishte luks i tepërt. Këtu në Bulqizë bën shumë ftohtë. Po shumë ama. Me siguri mund të them që është edhe qyteti më i ftohtë në Shqipëri. Përpara hyrjes së pallatit ndodhej një burrë, rreth të dyzetave. Afrohem edhe e takoj. Pasi i prezantohem dhe i shpjegova se po bëja një reportazh për këtë pallat, nuk nguron, ende pa e pytur, ti shpreh hallet që kishin. Ai ishte Hamza Sula, banonte në këtë pallat. U deshën pak minuta që të mblidheshin gati gjysma e banorëve të pallatit që banon këtu. Duhej t’ju luteshe që të flisnin me rradhë, pasi ishin bërë si një kor i “popullit me halle”. Kishin shumë për të thënë. Kaq shumë.
Hamzai po më tregonte paksa në lidhje me historinë e këtij pallati: “Ky si thuajse të gjithë pallatet në Bulqizë është ndërtuar gjatë periudhës së komunizmit. Përfundoi së ndërtuari në vitin 1989. Këtu ishte e ndarë me dhoma dhe ishte kthyer në një vend strehimi për punëtorët të cilët punonin në Minierën e Bulqizës. Por siç ndodhi në të gjithë Shqipërinë, me rrëzimin e sistemit, kjo zonë pësoi shumë shkatërrime. U grabitën tullat e dy pallateve që ishin në projekt ndërtimi në sheshin ngjitur, por edhe këtu u grabitën tuba, tela etj. Në këtë pallat u sistemuan disa familje që ishin të pa streha, ku këto dhoma i kthyen në banesa”.
Ngjisim shkallët bashkë me Hamzain për të vizituar disa nga familjet që jetonin këtu. Shoqëruesit tanë përgjatë rrugës, ishin rrobat e varura nëpër korridor. Hamzai po më tregonte se shumë prej tyre janë sistemuar këtu pasi u larguan nga ish-hoteli që ishte gjoja në shembje, e që më pas u privatizua duke u kthyer në një pallat.
Sipas banorëve, ky pallat kishte edhe konflikt pronësie, ku shumë prej tyre duhej t’i paguanin një shumë parash një personi që e kishte shpallur veten pronar. Ndalemi në njërën prej tyre. Futemi në një korridor të errët, vetëm shikoje në fund të tij një tufë drite, që dilte si nga dritarja e një biruce burgu. Unë paksa i gjatë, duhej të ulja kokën që të mos merrje ndonjë goditje në dyert e kësaj hyrje të modifikuar. Aty jetonin një çift i ri, me disa fëmijë të vegjël. Nuk  mund të flas për kushtet se ishin ku thërret qameti. Sapo futeshe në shtëpi, të uronte mirëseardhje një sopatë e gjendur në mes të atij salloni të improvizuar nga banorët inxhinier. Lagështira ishte kudo. Në mure ishin krijuar shenja të tilla, si tatuazhe në trupin e një të rrahuri për vdekje.
Zonja e shtëpisë po më tregonte se kishte dy vite që kishte ardhur të banonte në këtë pallat, ku për këtë i duhej të paguante një shumë prej 8, 000 lekësh një personi me emrin Nuredin Duriçi, që e konsideronte veten pronar, në një ndërtesë shtetërore. Siç po më tregonte Hamzai, ata si banorë janë drejtuar disa herë në bashki për këtë pallat, e ku ju është thënë se nuk ka pronarë, por kjo është godinë shtetërore. Çfarë lesh e lije është bërë me pronën në Shqipëri. Largohemi nga kjo familje për të shkuar në katin e tretë.
Aty takojmë Zemrie Beçën, një e moshuar që ishte larguar pak vite më parë nga ish-hoteli që gjoja po shembej, ku pasi qëndruan për gati dy vite në ambientet e xhamisë Bulqizë, bashkia e sistemoi këtu. Në dorë mbante një tufë me shkresa, që e deklaronin si të pastrehë dhe vendimin e Bashkisë Bulqizë, që ishte lëshuar në vitin 2010 që e sistemonte në këtë pallat. “Nëse shumë nga këta që banojnë këtu paguajnë qera tek ai pronari i tokës, familja ime nuk e bën një gjë të tillë, pasi ne na ka shpallur bashkia si të pastrehë dhe na ka vendosur këtu. Po këtu nuk ka më keq, o bir. Ç’bie jashtë futet brenda” – Shprehet Zemrija.
Gjatë gjithë rrugës për në katin e pestë, si rrjeta merimangash sipër kokës sonë ishin të varuara telat elektrik. Ishin aq ulët sa mund të arriheshin edhe nga fëmijët e vegjël. Kati i pestë ishte unik për nga ndërtimi. Shumë nga inxhinierët e kësaj fushe do ta kishin zili një projekt të tillë. Gjysma kishte çati e gjysma jo. Armortizuar totalisht, po të hidhje sytë nga qielli, për pak të bëntë të mendoje se ishe në një hotel me shumë yje.
Këtu, duke rënë uji sipër dyshemesë, krijonte lagështirë për të gjithë pallatin. Hamzai po më thoshte se nga këtu, kur bie shi ose shkrin dëbora, uji futej në tërë pallatin e në shumë raste detyroheshin ta thanin me fshesa, edhe në mes të natës, pasi mund të futej uji në banesa.
Zbresim sërish poshtë, në “kampin e përqëndrimit” të varfërisë që këta banorë ishin të dënuar të jetonin. Në hyrje të pallatit fëmijët po loznin. E kishin mbyllur diskutimin nëse ai guri që kishin gjetur në rrugë ishte krom apo gurë. Por njëkohësisht, bashkë me helmet që mbarte, era e rëndë që kundërmonte u përplas në hundën time. Si për të më thënë për të dytën herë që edhe ajo ishte banore aty.

S'KA KOMENTE