Në kërkim të një partie

341

Nga Sefulla KATA

Kur u hap Shqipëria, mezi prita t’i bashkohesha ndonjë grupimi politik me qëllim që të fitoja dyfish.
Së pari, të rregulloja hesapet me ish regjimin, të cilin, me thënë të vërtetën e kisha dashur dhe e respektuar si sytë e ballit. E kisha trashëgim nga im atë. Edhe ai e kishte dashur dhe respektuar më shumë se prindërit e tij. Po dhe unë ama, nuk i lashë gjë mangut kësaj dashurie. E forcova dhe e kalita ashtu siç më kishte mësuar partia ime e vetme dhe e dashur. Sapo mbusha moshën, i drejtova një kërkesë Komitetit të Partisë së Rrethit dhe duke i përmendur kontributin e familjes sime e në veçanti të babait, i premtova se do të bëhesha një ndër komunistët e saj më të zellshëm. Partia u mahnit nga kërkesa ime shumë e ndjerë dhe më pranoi përnjëherë. Mbaj mend që u bë një goxha festë atë ditë dhe pjesmarrësit u shprehën të sigurt se tek unë shihnin të ardhmen e vendit, njeriun që do t’ia ndryshonte rrjedhën historisë. Unë mezi i mbajta lotët por u betova se do t’i a dilja dhe ata më besuan.
Udhëtova për vite me partinë time të dashur dhe të dy ia pamë hajrin njeri-tjetrit. Unë sigurova një bursë të mirë për në shkollë të lartë, pastaj një punë shumë të mirë në Komitetin e Partisë së Rrethit, pastaj u martova me një vajzë shumë të mirë, anëtare e devotshme e partisë si unë, dhe bëra një jetë të mrekullueshme. Herë pas here më duhej të merrja më qafë ndonjë nga shokët e mi, me qëllim që partia të kishte sa më shumë besim tek unë, dhe ia dola, madje edhe duke e ruajtur shoqërinë me ish shokët.
Së dyti, kohët po ndryshonin dhe mua më duhej të merrja masa. Partia ime e dashur kishte vajtur për lesh dhe nuk më hynte më në punë, ndaj gjetja e një partie tjetër përbënte objektivin tim më të afërt e më të rëndësishëm. Nuk mu desh të vuaja shumë, sepse si njeri me eksperiencë që isha, u futa në të parën parti që u krijua sapo u shpall pluralizmi politik. Ish shokët e mi që sapo kishin dalë nga qelitë, vazhdonin të besonin se unë kisha qenë një shok shumë i mirë për ta dhe kisha bërë çmos që dënimi të ishte sa më i butë. Në fakt kishte qenë krejt e kundërta, po nejse. Ta hajë kush ta hajë, kështu është kjo jetë.
Unë e shfrytëzova besimin e tyre dhe ata pranuan pa kurrfarë hezitimi të më inkuadronin në partinë e tyre të re. Madje, duke mi vlerësuar aftësitë, më propozuan si anëtar të komitetit drejtues. Kaq mu desh se të tjerat pastaj i bëja vetë. Eksperienca nuk më mungonte. Vërtet eksperienca ime kishte të bënte me një parti të një natyre krejt tjetër, po në fund të fundit, punë partish ishte dhe unë atë punë e bëja me qejf e me zell të madh. Pak nga pak u bëra ndër njerëzit më të fuqishëm të partisë dhe në zgjedhjet e para u bëra edhe deputet. Për katër vjet, e shijova jetën në të tërë kuptimin e saj. Dy gjëra nuk do t’i harroj kurrë nga ajo kohë: nuk më qëlloi kurrë të haja bukë në shtëpinë time, nga që isha i zënë me takime nëpër restorante dhe nuk e mora vesh asnjëherë se sa e kisha rrogën sepse nuk u paraqita ndonjëherë për ta marrë. Nuk e kisha të nevojshme. Se nga më vinin gjithë ato lekë nuk e merrja vesh. Unë thjesht u bëja ndonjë nder lart e poshtë njerëzve që njihja dhe ata nuk ta linin që nuk ta linin mangut. Gjëja më e mirë që bëra është se nuk u ngatërrova me familjarët e mi sepse atyre sado nder tu bësh, asnjëherë nuk ta dinë, jo më të ta shpërblejnë. Kujtojnë se e ke për detyrë.
Por katër vjet kalojnë shpejt. Partia e vuri re se kisha bërë goxha lekë dhe nuk kisha shpenzuar asgjë për të dhe më dha duart në fushatën e ardhshme. U zemërova shumë me të dhe nuk ia fala kurrë atë që më bëri. Mblodha një grup gazetarësh dhe shpalla krijimin e një partie të re. Eksperienca nuk më mungonte, miq e shokë si puna ime kisha bërë në të gjithë vendin dhe ia dola. Për fatin tim të mirë në atë fushatë fitoi opozita dhe kështu nuk pata nevojë të hakmerresha ndaj ish partisë sime e cila më braktisi si të isha jetim. Mora në telefon kryetarin e opozitës dhe i thashë se kërkoja të bëja koalicion me të. E dija që nuk më deshte, por e dija dhe që i duhesha, në situatën ku ekuilibri pozitë-opozitë ishte mjaft i brishtë. Pranoi të më takonte dhe e firmosëm marrveshjen. I kërkova postin e një zëvëndës ministri dhe një post drejtoreje të përgjithshme për time shoqe. Me pak, hezitim, kundërshtari im i dikurshëm premtoi të mi realizonte të dyja kërkesat.
Si zëvëndës ministër nuk munda të qëndroja më shumë se sa katër muaj, pasi pushteti ra dhe nuk më dolën parashikimet që kisha bërë. Edhe gruan ma hoqën nga drejtoreshë pasi e akuzuan se kishte favorizuar dikë në një tender në këmbim të një shume të madhe parash. Në një kuptim kjo ishte e vërtetë, vetëm se në këtë rast ajo kishte favorizuar të vëllain, pra nuk i kishte çuar dëm lekët. Kishte çaluar disi puna, por vëllai ama ia kishte dalë të bëhej ndërtues madje edhe aksioner në disa shoqëri anonime.
Kështu, burrë e grua të mbetur keq, i jemi përveshur punës për të gjetur një parti të re. Tani që jemi mësuar me parti, e kuptojmë që pa të nuk shtyhet fare. Le të jetë çfarë të jetë, vetëm të jetë parti. Emri dhe përkatësia nuk kanë fare rëndësi. Ne tani nuk jemi keq për lekë. Ata i kemi, madje edhe për dy-tre breza, problem është se nuk rrimë dot pa dalë në televizor si drejtues partie dhe qeveritarë të devotshëm. Ndaj, nëse dikush mendon se ka një propozim për të na bërë, kuptohet e kemi fjalën për ndonjë kryetar partie i cli e ka krijuar partinë e tij vetëm me të shoqen, le të mos hezitojë të na dërgojë ftesën. Ne, unë dhe ime shoqe, jemi gati ta pranojmë pa kurrfarë hezitimi. Plani është shumë i thjeshtë : nga dy bëhemi katër, nga katër bëhemi tetë, e kështu, me miq e shokë që kemi lart e poshtë, miq të cilëve në kohë të mira u kemi bërë shumë ndere, i mbushim disi rradhët e partisë së re, futemi në zgjedhje, marrin të paktën një deputet (kuptohet ai do jem unë se tjetri nuk ka eksperiencë) dhe luftojmë fort për të mbrojtur ata lekë që i kemi fshehur diku jashtë shteti se brenda nuk jemi asnjëherë të sigurt. Ia kemi vënë syrin dikujt që sa herë vijnë zgjedhjet mbetet jashtë koalicionit pasi nuk ia fishkëllen askush nga që partia e tij ka vetëm kryetar (atë) dhe nënkryetare (të shoqen). Ka qenë kundërshtari ynë politik në zgjedhjet e para por tani ajo kohë është shumë larg, ndaj nuk kemi përse t’i mbajmë mëri njeri-tjetrit. Do ta marr një ditë në telefon dhe besoj se do të bëhet. Por edhe nëse nuk bëhet, nga që nënkryetarja ka frikë se mos ia merr postin ime shoqe, ne do ta vazhdojëm përsëri kërkimin.
Në një vend si i yni, ku çdo lagje dhe fshat ka partinë e vet, nuk kemi përse të trembemi. Edhe nëse do të na duhet të ndërrojmë vendbanim për hir të partisë, do ta bëjmë. Fëmijët janë jashtë shtetit, lekë kanë dhe as që u bëhet më vonë për ne, madje mund t’iu bëhet qejfi pasi kur të kthehen ndonjëherë për të shuar mallin për Atdheun e tyre të dashur, nuk do të na kenë gjithë ditën nëpër këmbë. Madje me këtë sjellje politike që kemi unë dhe ime shoqe, kam frikë se ndonjë ditë do të na e heqin fare emrin nga çertifikatat e tyre të lindjes dhe do të na zëvendësojnë me ndonjë amerikan me origjinë kineze, që t’i humbin përgjithmonë lidhjet me ne. Dhe mbase kanë të drejtë. Por edhe ne kemi të drejtë. Ndaj do të vazhdojmë ta kërkojmë partinë tonë të ardhshme derisa të kemi frymë për të marrë e këmbë për të ecur.

S'KA KOMENTE