IZET KETA, MINATOR I TALENTUAR, DEMOKRAT I VENDOSUR

352

Shokut dhe mikut tim të paharruar, Izet Keta, njeriut të fortë që falte vetëm urtësi e dashuri

Nga Bashkim Lami*

Në Bulqizë, qytetin e minierave, e kanë njohur të gjithë një burrë me trup të mbushur, me krahët muskuloz që gjithmonë jepte urtësi dhe buzëqeshje, por dorën ta shtrëngonte fort kur e takoje, ky ishte minatori shembullor, Izet Keta.
Izeti ka lindur në nëntor vitin 1949 në fshatin Koçaj. Kishte ardhur në Bulqizë në rininë e tij dhe punoj në minierë 40 vite në frontet më të vështira duke u bërë shembull i admirueshëm në kolektivat e punës vetëm me sjelljen dashamirëse dhe tiparet e tij burrërore duke sfiduar opinionin biografik që e ndiqte pas. Familja “Keta” në Koçaj ka qenë mjaft e njohur për mençuri e burrëri.Të parët e kësaj familje ishin luftëtarë të shquar në qëndresat ndaj pushtuesve. Halil Keta ishte oficer atdhetar nacionalist që kishte mbështetur çlirimin e vendit nga pushtuesit, por ishte antikomunist që kushëririn e tij Asllan Keta që kishte mësuar në shkollën teknike në Kavajë, nuk e pengoi që të rreshtohej me partizanët, sepse e mendonte se çlirimi i Atdheut ishte më i rëndësishëm  se bindjet politike. Halili në mbrojtje të ideve të tij antikomuniste në fundin e vitit 1944, kur Dibra ishte çliruar, u vra në pritë vetëm për idetë e tij si nacionalist. Asllani në rradhët partizane u bë komisari batalionit IV të brigadës 18-s, por humbi jetën në luftë e u bë dëshmor. Familja më pas u trajtua e deklasuar për shkak të Halilit duke u privuar nga të drejtat elementare në fshat. Kontributi i dëshmorit u la në harresë për shumë vite. Izeti dhe djem e vajza të këtij fisi, nuk u lanë të vazhdonin shkollat dhe punuan në kooperativë ose në Minierën e Bulqizës.
Unë Izetin e kam njohur që në fëmijëri kur në verën e vitit 1963 ishim nxënës që kishim mbaruar 7-vjeçaren dhe bëmë së bashku plazhin në kampin e pionierëve në Durrës. Izeti ishte shumë dashamirës dhe rrinim gjithë kohën bashkë. Izeti ishte me trup të bëshëm e krahë të fortë por asnjëherë nuk e përdorte këtë në sjelljen e tij me fëmijët e tjerë. Kur unë fillova punë në Bulqizë Izeti ishte punësuar në minierë dhe shumë shpejt sjellja e përkushtimi i tij në punë bënte që ta donin të gjithë. Në këtë kohë Izeti u martua me Zelie Duriçin, bijë e një fisi të dëgjuar vajkalas. Familja e re u shtua me dy djem që u rritën në kujdesin shembullor të prindëve.
Izetin e donin minatorët por e vlerësonin edhe inxhinierët që shikonin punën e tij të kujdesshme dhe gadishmërinë për të punuar në frontet më të vështira. Shquhej për përvojën në ushtrimin e zanatit dhe inxhinierë, teknikë e minatorë i dëgjonin me vëmendje mendimet e tij për kapërcimin e vështirësive. Me Izetin takoheshim shpesh pasditeve dhe bisedat me plot humor ishin kënaqësia më e madhe dhe mënyra më e mirë për të qënë larg brengave. Izeti punoi minator në pusin Nr. 2 në shembjet e furnelet më të vështira i vendosur dhe i paepur për realizimin e detyrave. Për shkak të persekutimit e lanë pa shtëpi dhe fëmijët i rriti në barakat e braktisura të burgut afër Qafës së Buallit deri afër vitit 1990 bashkë me shumë familje të tjera. Edhe aty ai bashkë me familjen tregonin kulturë në mënyrën e jetesës dhe në marrëdhënien me komshinjtë. Fëmijët e tij gjithashtu ishin shembullor në shoqërinë e tyre duke ndjekur shembullin e prindëve. Izeti ishte ambicioz për të ardhmen e fëmijëve dhe e vetmja kërkesë e tij ishte që ata të sillen e mësojnë mirë.
Shokët e tij gjithashtu e mbajnë mend si talent në sportin e mundjes. Izeti ka qenë sportiest i talentuar i “Korabit” në ekipin e mundjes bashkë me vëllezërit Xhaferr e Muharrem Peti dhe në vitin 1965 u shpall kampion kombëtar në peshën e tij. Në 65 vjetorin e “Klubit Sportiv Korabi” Izet Keta është nderuar me medaljen “Nderi i mundjes shqiptare.”Sot traditën sportive të fisit “KETA” po e ngrenë më lart djemt më të rinj, Ismail, Gjetan e Ferit Keta që janë në majat e arritjeve sportive në boksin profesionist e kick-box. Ata e sollën ringun në Bulqizë dhe ju dhuruan vëllezërve të tyre fitore. Izeti e përjetoi me kënaqësinë më të madhe e me lot malli në sy suksesin e vëllezërve të tij, që e quanin Izetin me nofkën “Arusha e Madhe.” Ai kurrë nuk e uli tempin e tij të punës. Ishte iniciatori i hapjes së furneleve më të vështira që lidhnin nivelet e pusit dhe shtonin frontet e prodhimit të kromit. Izeti shquhej për vendosmërinë në punë por më shumë për marrëdhëniet dashamirëse me minatorë e tjerë. Ai ishte i gatshëm për të mbështetur minatorët e rinj duke dhënë shëmbullin e tij në zbatimin e rregullave të sigurimit, në mirëmbajtjen e veglave të punës, në ajrosjen dhe aspekte të tjera që e bënin atë minator i suksesshëm. Kur minatorët kishin problem me frontin e punës menjëherë u shkonte mendja të pyesin Izetin, se e dinin që mendimi i tij do të ishte zgjidhja. Fjala e profesionalizmi i Izetit vlerësohej deri në personelin inxhiniero teknik të minierës.
Cilido që e njohu nga afër Izet Ketën e kuptonte që shpirti i tij ishte mjaft i rebeluar nga padrejtësitë që përjetonte ai vetë e familja e tij, por ai shprehej edhe për padrejtësitë që shikonte për jetën në qytet e në fshat. Ai iu bashkua që në ditët e para lëvizjes së dhjetorit për shembjen e sistemit diktatorial, dhe mori pjesë në mbledhjen e parë të krijimit të degës PD në Bulqizë në janar të vitit 1991 me komisionin nismëtar, ku menjëherë e tregoi veten shumë aktiv në sqarimin e njerëzve për rëndësinë e ndryshimit që i duhet vendit. Ai në biseda me punëtorët e qytetarët tregonte se si duhej të ishte Bulqiza në një sistem kapitalist. Në atë kohë Izeti kishte 20 vjet punë në minierë dhe vetëm ushqente disi veten e familjen me të ardhurat që siguronte, si minatori më i talentuar. Shquhej për vendosmërinë dhe korrektësinë në kryejen e detyrave duke përdorur me urtësi e logjikë vetëm bindjen. Me bashkëbiseduesit kur haste në kundërshtime në debate, përdorte bukur thënien e tij “Ou bre, po më lodhni më shumë se furneli e marteli” dhe me humorin e fytyrën e qeshur të impononte mirëkuptimin.
Inxhinieri dhe drejtuesi Hamza Gurra duke vlerësuar sjelljen dhe aftësitë e Izet Ketës me të cilin u njoh dhe punoi disa vite në minierë e vendosi në librin e tij “Bulqiza një minierë me histori” me një shkrim në krah të figurave më të njohura të kësaj miniere dhe e fillon shkrimin “Izet Keta minatori i paarritshëm, burrë dhe prind i mrekullueshëm”. (Hamza Gurra, në librin “Bulqiza një minierë me histori”, faqe 85).
Izet Keta ishte njeriu me botë shpirtërore të madhe në vlerësimin e punës së të tjerëve. E kuptoje menjëherë lëndimin e tij, kur ndodhnin aksidente dhe kolegë të tij humbnin jetën  në frontet e punës. Në minierë – thoshte Izeti – shkëmbin e ke mbi kokë dhe rreziku të vjen nga duart e tua, prandaj puna duhet filluar me sigurimin e frontit, duke e kontrolluar me kujdesin më të madh që të vazhdosh punën duke kujtuar rregullat që zbatohen nëçdo veprim. Ai përjetonte me dhimbje çdo humbje jete dhe mori pjesë për ngushëllime në të gjithë Dibrën, në familjet e shokëve të punës. Izeti në biseda nuk rrinte pa kujtuar shokët e rënë në frontet e minierës, Latif Gjoka, Adem Keta, Haki Gjoka, Mehmet Lukani, Qemal Karai, Enver Karai, Besnik Alliu, Njazi Alliu, Naim Shyti, Afrim Rexha, Bajram Alla, Muharrem Peti, Fetah Shehu, Rahman Boba, Kujtim Boba, Sami Doga, Arjan Duva, Hekuran Gjeta, Lulëzim Dedja, Muharrem Cara, Pëllumb Hupi, Sabri Përkola, Bujar Keta, Leonard Shabani, etj. Me disa prej tyre ishte ndarë vetëm pak orë para aksidentit. Izeti mbante mend edhe frontet ku kishte ndodhur aksidenti, por edhe se si kishin ndodhur ngjarjet e papritura për çdo rast. Vetëm ti kujtoje emrin dhe ai të tregonte si janë aksidentuar, Hajredin Lamani, Sami Sula, Shahin Llani, Ismail Ruta, Behar Gjoka, Besim Voci, Miftar Begu, Hasan Mira, Urim Bala, Avni Duriçi, Zaim Hysa, Novruz Gjoka, Gazmend Alla, Dilaver Koçi, Marjana Rushiti, etj,duke ndjerë keqardhje të thellëqë ata të rinj kanë lënë jetët në fronte të ndryshme brënda e jashtë minierës  duke lënë pas shumë dhimbje në familjet e tyre e në shoqëri.
Në minierë kam 40 vjet që punoj – thoshte Izeti – po nuk e ruajte veten dhe shokët gjatë punës, rreziku ështëprezent.Ai i përsëriste shpesh këto fjalë pa e ditur se një ditë kur ai vetë ishte në pension dhe vazhdonte punën në një minierë private do ti ndodhte fatkeqësia edhe atij në njëçast pune në galeri. Aksidenti i 23 tetorit 2015 i mori jetën Izet Ketës,por kushdo që e njohu atë për kujdesin dhe përvojën e tij, nuk e mendonin se do ti vinte vdekja si dhe shumë të tjerë mëpare. Në Bulqizë i madh e i vogël ishin në ngushëllime duke e kujtuar birin e tyre me dashuri e dhimbje. Izet Keta për sa shkruam por edhe për shumë shëmbuj tëjetës së tij që janë një mision i pambaruar, do të kujtohet me respekt e dashuri në atë qytet të vogël ku dhimbja njerëzore për jetët e humbura ka ndodhur aq shpesh, sa njerëzit e familjet zgjohen me brengë të madhe, për ata punonjës që ushqejnë familjet me të ardhurat e punës në minierë.
Shpirti i shokut dhe mikut tonë Izet Keta u preftë i qetë në paqën e përjetëshme.Ai Qoftë i paharruar për jetën, dashurinë, urtësinë, mirësinë, pasionin e profesionalizmin e tij.
* Tiranë, më 23 tetor 2016

S'KA KOMENTE