Lahim Kola, muzikanti i talentuar nga Sopoti

670

Si shpëtoi artisti nga akuzat si “i molepsur nga psikologjia mikroborgjeze dhe zbutës i luftës së klasave”

Nga Halil RAMA

Një nga personalitetet e muzikës shqiptare është padyshim edhe Lahim Kola. Ai ka lindur në mars të vitit 1938, në familjen Kola në Sopot. Fëmijëria e tij përkon me vitet e  vështira, të Luftës Nacionalçlirimtare.
Nga viti 1945 deri ne vitin 1949 ka kryer shkollën fillore në Sopot, me vështirësi e mungesa të mëdha deri te librat e fletoret. Falë mësuesve të përkushtuar, si dhe vullnetit e këmbënguljes, e mbaroj me rezultate shumë të mira shkollën fillore. Por kushtet e veshtira ekonomike e familjare nuk e lejuan te vazhdojë shkollën shtatë vjeçare në Zerqan.

Nga fizarmoniçist amator te Estrada Profesionste e Peshkopisë
Si dhjetra bashkëmoshatrë, Lahimi u detyrua të rritej para kohe dhe t’u përkushtohej punëve, për t’i ardhur në ndihmë sado pak familjes së tij të madhe. Provoi të gjitha punët, duke filluar që nga ruajtja e bagëtive e më pas me të gjitha proceset e punëve bujqësore.
Gjatë kësaj kohe filloi të kremtohej festa e 3 gushtit në Livadhet e Zerqanit. Kaloi një fëmijëri të vështirë, duke mos pasur asnjë lloj argëtimi, sepse atëherë nuk bëhej fjalë për radio apo energji elektrike, madje nuk kishte vajguri për ndriçim. “Jemi ndriçuar me pishë për disa vite. Ne fëmijët mezi e prisnim ditën e kësaj feste, si i vetmi argëtim për ne. Bukurinë, kësaj feste, përveç tjerave ia shtonin ardhjet e grupeve artistike nga Tirana e Shkodra. Orkestrat e këngëtarët e mrekullueshëm na jepnin kënaqësi të veçantë. Por mua, në mënyrë të veçantë, më pëlqente fizarmonika. Dhe nuk më hiqej nga mendja për shumë kohë…”, rrëfen Lahimi. Për të, kjo qe shkëndia e parë dhe që më vonë, me ndihmën e Zotit dhe të Familjes u bë e mundur që të blenin një fizarmonikë të vogël. Me këtë fizarmonikë të vogël shkoi për të kryer shërbimin ushtarak 40 mujor. Aty ka hyrë në orkestrën e repartit të kufirit Peshkopi, nga viti 1957 deri më 1960.
Duke kujtuar ato kohë fatlume, mjeshtri i ardhshëm, i muzikës shprehet se falë kushteve që iu krijuan, pasionit dhe vullnetit, ndihmës që i dha fizarmonicisti tjetër i repartit,  si dhe ndihmës teorike nga shoku dhe miku i tij, Ahmet Balliu,(në atë kohë fizarmonicist në shtëpinë e kulturës), arriti të ecte mjaft mirë në përvehtësimin e instrumentit të lakmueshëm. Që në ushtri krijuan grup artistik dhe orkestra  e repartit përballonte një pjesë të mbrëmjeve që bëheshin në qytetin e Peshkopisë.
Në Estradën Profesioniste të sapo krijuar të Peshkopisë kishte ardhur në detyrën e drejtuesit të muzikës kompozitori i mirënjohur shkodran Tonin Rrota. Pasi e dëgjoi Lahimin në disa mbrëmje, e thirri për të biseduar dhe i vuri përpara ca partitura me pjesë muzikore, ndërkohë i dha një fizarmonike dhe po e dëgjonte me vëmendje. Pasi u bind në talentin e djaloshit nga Sopoti, i premtoi që pas mbarimit të shërbimit ushtarak ta merrte si bashkëpunëtor në orkestrën e Estradës Profesioniste të Peshkopisë.
Për Lahim Kolën, kjo ishte e paimagjinueshme, por ja që ndonjëherë edhe ëndrrat bëhen realitet. Kështu,  më 2 dhjetor 1960, sapo u lirua nga ushtria, u paraqit sipas porosisë. Tonini thirri dhe drejtoreshën Vera Muça dhe përsëri i dha fizarmonikën që ta dëgjonte edhe drejtoresha. “Ndërkohë që unë i bija fizarmonikës ata diçka bisedonin bashkë. Në fund më thanë: me 16 dhjetor do vish të fillosh punë këtu si fizarmonicist profesionist në orkestrën e estradës”, vazhdon rrëfimin Lahimi.
Pas fillimit të punës në Estradën Profesioniste, vazhdoi me korespondencë shkollën shtatëvjeçare, si dhe shkollën pedagogjike, ku u diplomua në vitin 1966. Natyrisht që shkollimi e ndihmoi që të ecë me kurajo edhe në fushën profesionale si muzikant.
Falë punës profesinale që bënte kompozitori Tonin Rrota me sektorin e muzikës dhe studimit individual Lahim Kola arriti që, jo vetëm të perfeksionohej në fizarmonikë, duke luajtur dhe pjesë solo me të në skenë, si “Vallja e shpatave”  e një kopozitori rus, “Fantazi për fizarmonikë”, nga Agim Krajka, valsin “ Indiferenti”, pjesë koncerti etj. por nën shembullin dhe kujdesin e tij, filloi edhe të krijojë këngë me motive dibrane. Si të tilla vlen të përmenden: “Eja cucë dibrane”, duetet “Aksioni na bashkoi” dhe “Si dy lule ndër agime”, të kënduara me shumë sukses nga Flora Toska e Abdyl Sturçe, të cilat janë vlerësuar me çmime të para nga juritë përkatëse. Po kështu Lahimi krijoi “Këngë malesh”, e vlerësuar me çmim të dytë në Festivalin e Radio Kukësit. Në memorien e bashkëkohësve të tij ruhen të freskëta gjithashtu krijimet mahnitëse: “Aksionistja e malit”, kënduar nga Melita Shehu,  “Këngë e punë kudo”, “Dibranja e re”, “Kombanjeri” etj. Këto dhe mjaftë të tjera janë të registruara dhe të transmetuara dikur nga RadioTirana, por si shumë nga këngët e asaj kohe, ca nga tematika e ca nga aparaturat e vjetëruara, nuk transmetohen më.

Në vitin 1971 merr drejtimin e orkestrës së Estradës Profesioniste
Me largimin e kompozitorit të ndjerë Toni Rrota nga Peshkopia, në vitin 1971, Lahim Kola u ngarkua me drejtimin e sektorit të muzikës dhe orkestrës së Estradës Profesioniste. Në fillim, ai tregon se e pati mjaftë të vështirë, sepse duhej siguruar repertori i kengeve për çdo premierë, duhej të punonte me këngëtaret, të orkestronte pjesët muzikore dhe t’i përgatiste me orkestren etj. Të gjitha këto deri në atë kohë i bente kompozitori Tonin Rrota. Kjo gjë, sipas tij, i kufizoi kohën për studimin e mëtejshëm në fizarmonikë, që ishte pasioni i tij. Por gjithsesi ishte i detyruar. Ishte përgjegjësi e madhe për të sepse niveli artistik duhej të vinte gjithmonë në ngritje. Gjatë viteve që ka qenë në drejtim të orkestrës ka dalë dhe dy herë jashtë shtetit me Ansamblin “Dibra”, në Turqi dhe Maqedoni. “Si Estradë Profesioniste kishim plan shtetëror. Duheshin realizuar katër premiera në vit: 160 shfaqje në qytet dhe në fshatrat e rrethit. Për çdo vit bënim një ose dy turne me shfaqje në qytetet e vendit”,-thotë Lahimi. Veçanërisht ai kujton turnetë e viteve 1961, 1963, si dhe më vonë kur kanë dhënë shfaqje në çdo qytet të Shqipërisë, në çdo fshat të Dibrës, si dhe në veprat e qendrat industriale. Ai vlerëson punën e palodhur dhe krijimtarinë e regjisorit Tefë Krroqit si dhe këngët e bukura të Tonin Rrotës dhe ato dibrane të trajtuara me mjeshtri nga këngëtarët dhe orkestra, të cilët kishin sukses të jashtzakonshëm kudo që shkonin.

Si i shpëtoi ndëshkimit për zbutje të luftës së klasave
Megjithëse populli i donte e respektonte edhe artistët si Lahim Kola, gjatë viteve të diktaturës kishin problemet e tyre. Ai kujton disa drejtues partiakë, që jo vetëm nuk merrnin vesh nga arti, por nuk ishin as dashamirës të punonjësve të artit. Kështu artistët si Lahimi, veçanërisht  orkestrantët që luanin dhe muzikë të huaj, ishin në shënjestrën e tyre, që të mos ndikoheshim nga ideologjia mikroborgjeze dhe shfaqjet e huaja. “Pas shkarkimit të disa kolegëve më të vjetër, në vitin 1976, si duket, në vitin 1980 më erdhi radha edhe mua. Neve na ngarkonin që të drejtonim grupet artistike nëpër shkolla e qendra pune, si dhe nëpër mbrëmjet që organizoheshin në Turizëm dhe na jepej një farë shpërblimi në bazë të ligjit dhe të rregullave.
Në funksion të këtyre aktiviteteve aktivizonim ndonjë person të talentuar edhe pse mund të kishte ndonjë hije në biografi. Mjaftuan këto pretekste që një drejtues partiak të më kundërvihej deri në atë shkallë, saqë pas debateve të forta me të, në zyrën e tij i propozoi Byrosë së Partisë që të vendoste shkarkimin tim, si i molepsur nga psikologjia mikroborgjeze dhe zbutës i luftës së klasave. Pas kësaj mase priteshin edhe masa të tjera deri në largim nga qyteti, siç kishte ndodhur dhe me të tjerë. Por shyqyr Zotit kishte dhe njerëz të mirë mbi atë, që pasi më dëgjoi me vëmendje, më tha: “Shko pa merak dhe puno ashtu siç ke punuar gjithmonë”. E falenderova dhe u çlirova nga një ankth i jashtëzakonshëm”,-rrëfen Lahimi për atë kohë të trishtë. Dhe nuk nguron të falenderojë personin që e shpëtoi nga ajo isinuatë, ish Sekretarin e Parë të Komitetit të PPSH të rrethit Dibër, Jovan Bardhi që e shpëtoi nga ajo situatë dhe që për të mbetet njeri i respektuar.

Lahim Kola, ndër dhjetë artistët e parë të Estradës Profesioniste të Peshkopisë
Lahim Kola pati fatin që të bënte pjesë në dhjetëshen e parë të artistëve të Dibrës dhe të punonte e të përfitonte nga dy drejtuesit artistikë. Puna e tij është vlerësuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor në vitet 1979 dhe 1989 me Medaljet “Naim Frashëri”, të Klasit të Tretë dhe të Dytë, me motivacionin: “PËR PUNË ME PASION E PËR INTERPRETIM ME NIVEL IDEOARTISTIK SI INSTRUMENTIST DHE PËR NDIHMËN E DHËNË NË MBARËVAJTJEN E FORMACIONIT TË ORKESTRËS në Shtëpinë e Kulturës në Peshkopi”.
Në vitin 1993, u bë reformë në Shtëpinë e Kulturës ku Lahimi punoi për 33 vite, mori për ca kohë asistencë dhe pastaj doli në pension. Që nga viti 1998, Lahim Kola bashkë me familjen janë vendosur me banim në Tiranë.

S'KA KOMENTE