VLLADAN GJURICA, GJENERAL DHE BASHKEPUNETOR I SKËNDERBEUT

130

Nga SAKIP  CAMI

Kanë kaluar 600 vjet dhe janë shkruar mijëra faqe dhe qindra libra për Skënderbeun, por çuditërisht shkrimtarët dhe studiuesit nuk i përmendin apo i përmendin zgriptas gjeneralët e tij.  Historiografia ushtarake na mëson se asnjë mbret apo prijës ushtarak nuk mund të fitojë luftën apo betejat pa gjeneralë të zotë. Ushtarët e zotë i përgatitin gjeneralët e zotë dhe i të tillë ishte Vlladan Gjurica, për rë cilën është folur dhe shkruar shumë pak.
Prof.Kristo Frashëri tek libri “Historia e Dibrës” faqe 119 thekson faktin se Vlladan Gjurica  ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut . Dhe po  të gjykojmë nga mbiemri , vazhdon K.Frashëri ai duhet të ketë qenë padyshim nga fshati  Gjoricë  e Dibrës së Epërme.
Edhe bashkëautorët Qemal Osmani dhe Shaqir Skarra në librin e tyre “Gjorica” e përmendin Vlladan Gjuricën, por theksojnë  ata që fisi Gjurica  ka emigruar dhe nuk ka më pasardhës në këtë fshat.
Po ti referohesh regjistrit turk të vitit 1467 mbiemrin Gjurica e ndesh vetëm në fshatin Lubalesh, me kryefamiljarin Ivanko Gjurica. Po të kesh parasysh pozitën gjeostrategjike të fshatit Lubaleshit, burimet ujore dhe natyrore të tij beson faktin se familja e Vlladan Gjuricës  mund të ketë jetuar në kullë kështjellën e tij në Lubalesh dhe të kishte në zotërim gjithë ultësirën e Gjoricës, të falur nga Skënderbeu për shërbimet e tij dhe për lidhjen e gjakut me të.
Vlladan Gjurica së bashku me shtatë gjeneralë të tjerë u kapën të gjallë nga Ballaban Pasha në betejën e Vajkalit në prill të vitit 1465 dhe me gjithë përpjekjet e Skënderbeut për t’i kthyer në atdhe,  Sulltan  Mehmeti II,  i zemëruar nga humbjet rradhë,  i torturoi deri në vdekje  këto trima të Skënderbeut.
Tetë gjeneralët e Skënderbeut në këtë betejë ishin Moisiu i Dibrës (Moisi Arianit Komnen Golem Topiaj) zotërues i të dy Dibrave, në fakt nuk ishte dibran, por  gjeneral dhe mik i Skënderbeut, Vlladan Gjurica nga Gjurica e Dibrës së Epërme, Muzaka i Angjelinës, djalë  motre i Skënderbeut, Nikollë Berisha, vëllai i Dhimitër Berishës nga Muhurri  i Dibrës, kushuri i parë i Skënderbeut,  Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Gjergj Kuka nga Kukaj i Kastriotit  dhe Gjin Maneshi nga Cidhna e Dibrës.
Për gjeneralin e Skënderbeut Vlladan Gjurica,  shkruajnë  përveç Barletit edhe Fan Noli e Naim Frashëri tek “Historia e Skënderbeut”, por në mënyrë të veçantë shkruan Haki Stërmilli tek romani i tij “Kalorësi i Skënderbeut”.
Studiuesi Hazis Ndreu në librin e tij:”Kastriotët dhe Skënderbeu në trojet arbërore” në faqen 122 thekson se gjeneralët e Skënderbeut Pal Maneshi, Pjetër e Pal Kuka, Dhimitër e Nikollë Berisha , Vlladan Gjurica dhe shumë të tjerë  ishin të një gjaku me Skënderbeun. Këtë e vërtetojnë dokumentat e kohës, veçanërisht bashkëkohësit e Skënderbeut Marin Barleti, Demetër  Frangu dhe Gjon Muzaka.
Demetër Franku  numëron ndër nënkomandantët besnikë të Skënderbeut  Mois Gjuricën, Nikollë Berishën, Muzakën e Angjelinës, Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Gjergj Kuka dhe Gjin Maneshi.
Disa nga këta gjeneralë arritën tu mbijetojnë luftërave dhe ti japin biografit Franku, vetë me gojën e tyre dëshmitë dhe bëmat e tyre konkrete. Dhe këta ishin: Pjetër Emanueli, Dhimitër Berisha, Zaharia Gropa, Lekë Kuka dhe Pal Maneshi.
Përpara betejës së Sfetigradit në vitin 1464 u shfaqën si nënkomandantë të Skënderbeut nipi i Skënderbeut Gojko Stres Balshiqi, Tanush Dukagjini, Dhimitër Berisha, Muzaka , Pal Maneshi, Pjetër Manueli dhe Rajan Kuka.
Me këto gjeneralë, shumica dibranë, Skënderbeu zhvilloi dhe fitoi 24 beteja , nga këto 19,  të zhvilluara në Dibër.
Faktin që,  Vlladan Gjurica  ka qenë një ndër gjeneralët më besnikë dhe më të afërt të Skënderbeut e  thotë Haki Stërmilli kur përshkruan dasmën e Skënderbeut në Krujë më 26 prill 1451,  ku Vlladan Gjurica së bashku me princeshën Irena Gjurica ishin në tavolinën kryesore dhe në ballë të përgatitjeve dhe të zhvillimit të kësaj dasme  që ishte evenimet kombëtar dhe ndërkombëtar  për kohën.
Noli dhe Naim Frashëri tek “Histori e Skënderbeut” përshkruan edhe fushatën e Skënderbeut, të gjeneralëve dhe të ushtrisë së tij në ndihmë të Ferdinandit të Napolit. Naim Frashëri tek Kënga e XV rendit gjeneralët e Skënderbeut Topia, Stresi, Kuka, Shpata, Golemi, Gjini, Perlati,  Berisha e Vlladen Gjorica.
Vlladen Gjorica do të marrë pjesë në shumë mbledhje vendim marrse të Skënderbeut, siç ishte mbledhja e jashtëzakonshme e qershorit të vitit 1456 për gjykimin e Moisi Golemit pas tradhëtisë së tij dhe kthimit në atdhe  për të kërkuar falje. Në këtë mbledhje krahas Vrana Kontit merr pjesë Vlladen Gjorica, Zaharia Gropa, princi i Ohrit, nga Gryka e Madhe e Dibrës, Lekë Dukagjini, Hamza Kastrioti, nipi i Skënderbeut, Gjergj Topia, Gjin Muzaka i Vllajkës dhe Mamica Kastrioti që pas vdekjes së të shoqit Karl Muzakë Topisë zëvëndësonte të shoqin në kuvende. Sekretar i mbledhjes dhe shkrues ishte Pal Engjëlli. Në këtë mbledhje Vlladen Gjurica  propozoi që të ndihmoheshin miqtë hungarezë, ndërsa u miratua propozimi i Skënderbeut për faljen e Moisiut të Dibrës.
Në përfundim të këtij studimi fillestar do të ftoja historianët ushtarakë  sidomos ato të mesjetës dhe ato të Dibrës që ti kushtonin më shumë kujdes kësaj figure të madhe patriotike dhe ushtarake si dhe të gjithë gjeneralëve dibranë e shqiptarë në tërësi pa të cilët Skënderbeu dhe populli ynë nuk do të arrinte në ato maja lavdie ku arriti.

S'KA KOMENTE