Poezi me mendim të thellë dhe mjeshtri artistike befasuese

374

Dr.ASTRIT GJUNKSHI PROMOVON “BOTËT BRENDA SHPIRTIT”

Nga HALIL RAMA

Në praninë e dhjetra krijuesve dhe intelektualëve më të mirë, jo vetëm nga Dibra, por nga e gjithë Shqipëria, Dr.Astrit Gjunkshi promovoi të shtunën, më 5 Nëntor 2016, librin e tij të parë poetik “Botët brenda shpirtit”.
Si redaktor i librit, pata privilegjin të isha ndër të parët lexues dhe vlerësues të këtij libri të ndarë në tetë pjesë, apo botë. Në këtë sprovë, u ndjeva mirë që isha në të njejtën linjë me recensentët: Dr.Gëzim Alpion (Sociolog, Univeristeti i Birminghamit – Britani e Madhe) e Sami Milloshi (gazetar, Boston – SHBA), si dhe me poetin e talentuar Martin Cukalla, në vlerësimin e Dr.A.Gjunkshit si poet-filozof, duke sjell për lexuesin poezi me mendim të thellë dhe mjeshtri artistike befasuese.
Libri “Botët brenda shpirtit”, me 100 poezi dhe poema të Dr.Astrit Gjunkshit, dëshmon një hop jo vetëm sasior por edhe cilësor të këtij poeti. Dëshmi e këtij hopi janë qoftë edhe vetë titujt tepër sinjifikativ të kapitujve të këtij vëllimi, si:“Bota sfiduese e filozofisë së jetës”, “Bota magjike e dashurisë”, “Bota  ëndërrimtare e fëmijërisë”, “Bota  e shenjtë e Familjes”, “Bota  drithëruese e identitetit”, “Bota  mëkatare e politikës”, “Bota  e ndjeshmërisë për qytetërim” dhe “Bota  frymëzuese e të mëdhenjve”(poema).
Ndërtimi kompozicional i këtij libri, me tetë  kapituj, është interesant e disi i veçantë, duke ndërthurur dy linja që ecin paralel me njëra-tjetrën: atë të traditës dhe atë të dashurisë njerëzore. Nga faqja në faqe, nga kapitulli në kapitull, në  poezitë dhe poemat e librit, këto dy linja zbulohen më të plota e më bindëse.
Dhe siç shprehet vetë poeti që nëparathënien, në vargje “Botët brenda shpirtit” (një risi kjo në tërësinë e botimeve tona letrare): “Ka botë të tëra ende pa zbuluar/ shkenca çan përpara me mund e krijim/ sepse gjithësia është e ndërlikuar/ njerëzimi piqet, kërkon çdo spjegim….”.  Në vetvete këto vargje përbëjnë një sentencë me të cilën poeti shtjellon gjithë shtratin e tij poetik, me mjedise estetike elitare, me një gjuhë të zgjedhur dhe leksik mjaftë të pasur.
Në këtë libër bie në sy hopi cilësor që e karakterizon, si në aspektin e rritjes së mjeshtërisë artistike, ashtu edhe të zgjerimit të gamës e konceptimit të realitetit.
Në poezitë dhe poemat e këtij vëllimi gjejmë përshkrime plotë finesë. Përgjithësisht autori operon me një strukturë figuracionesh të ngjeshura, origjinale, që të befasojnë me të papriturën që krijon situatë poetike. Në këtë këndvështrim, autori shprehet me kumtin e tij, për “fëmijërinë, si njëëndërr e bukur”(NË CENTRIFUGËN E JETËS); për “Zgjidhjet e mahnitshme (të shkencës) që s’i rrokte mendja” (PËRJETËSI) apo dhe “për rrugët e jetës mbushur plot me kthesa”(KTHESAT E JETËS).
Poezia filozofike e Dr.Astrit Gjunkshit të ndihmon të kuptosh universin e dashurisë, për të cilën ai shprehet: “Të gjithë bashkë pa urrejtje/ në harmoni edhe pse ndryshe/ krijesa të dashurisë jemi/ botën shtëpi tok e kemi”.
Në lëndën mjaftë të pasur e të larmishme të këtij vëllimi gjejmë gjithashtu poezi qëperceptojnë gjer në thellësi dhimbjen njerëzore, të cilat i hasim te kapitulli “Bota  drithëruese e identitetit”. Gjithsesi, në filozofinë e Dr. Gjunkshit gjejmë përcaktime gjeniale, se : “… humnerë e prapambetjes/ me dy hapa të vegjël nuk kalohet/ duhet një hap i madh përtej vetes/ që çdo gjë siç duhet të zhvillohet”.  Në tetë ciklet e këtij vëllimi dallohet fare qartë fryma e analizë-sintezës si konfirmuese, ashtu dhe kritike konstruktive e polemizuese që jep mesazhe civilizuese. Mjafton për këtë t’i referohesh qoftë dhe vetëm ciklit “Bota mëkatare e politikës”, ku brenda saj gjejmë“të bukurën”dhe “bishën”; “Baballarët e kombit në dy kohë”si dhe “Verbimin nga pushteti.
Ndërsa në ciklin e fundit, veçanërisht në dy poemat mjaftë të arrira artistikisht, kushtuar Migjenit në 105 – vjetorin e lindjesdhe shkrimtarit të madh Ismail Kadare,në 80 vjetorin e lindjes, autori arrin të japë me mjeshtri krijuese artistike thelbin e veprave të tyre madhështore në një kontekst si historik ashtu dhe bashkëkohor.
Në tërësinë e këtij libri, gjetjet apo përgjithësimet poetike Dr.Astrit Gjunkshit vijnë natyrshëm, sepse ai ka aritur të derdhë në poezitë e poemat e tij shqetësimin evetë të ligjshëm për udhëkryqin ku ndodhet shoqëria jonë. Ai zgjedh këndvështrime të freskëta e origjinalë, në të cilat shoqëria e realiteti i sotëm jepen në unitet e vazhdimësi. Kjo pohohet artistikisht përmes tablove e detajeve të zgjedhura me kujdes për të pasqyruar sa më realisht këtë shoqëri në evoluim.
Në 100 poezi e poema, autori është përpjekur të përcjellë mesazhe që bëjnë bashkë të bukurën, të vërtetën, imagjinatën dhe arsyen për atë që përjetojmë dhe ndjejmë të gjithë në jetën tonë. Në këtë mënyrë, Dr.Gjunkshi na prezantohet si një penë e fuqishme, duke e përdorur fuqinë e poezizë edhe në perfeksionimin e politikës, të shoqërisë dhe të personalitetit të njeriut.
Libri me poezi “Botët brenda shpirtit, vjen pas botimit të disa librave të autorit Astrit Gjunkshi, në fusha të tilla si diplomacia –  në veçanti diplomacia e mbrojtjes, menaxhimi i konflikteve, integrimi Euroatlantik, fusha këto që lidhem me arsimimin dhe kualifikimet e tij të shumta, me përvojën e punës në marrëdhëniet me jashtë në dikasterin e Mbrojtjes dhe si Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO, në Bruksel.
Dr.Shk.Astrit Gjunkshi u doktorua për Siguri Globale pas marrjes së gradës Master i Shkencave në Universitetin e Cranfield, në Britaninë e Madhe dhe përfundimit të Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s në Romë.
Pjesëmarrrësit e shumtë në këtë takim promovues, organizuar në mënyrë perfekte nga botuesit “M&B (Miranda e Bujar Karoshi – ndër botuesit dhe promovuesit më të suksesshëm të krijimtarisë së poetëve, prozatorëve, publicistëve e historianëve dibranë), në një mjedis mjaftë të këndshëm te Taverna “Tafaj”, patën kënaqësinë ta përjetojnë poezinë brilante të Dr.A.Gjunkshit nëpërmjet interpretimit të tyre nga ikona e skenës dhe ekranit, Margarita Xhepa, si dhe nga mjeshtri i fjalës artistike, regjisori i mirënjohur Xhelil Aliu.
Duke shprehur bindjen, se qoftë edhe me këtë vëllim poetik, Dr.A.Gjunkshi hyn me dinjitet në fondin e artë të letrave shqipe, e uroj atë përzemërsisht për krijimtari edhe më të suksesshme në të ardhmen.

S'KA KOMENTE