Objektivi im për zgjedhjet elektorale të 2017-ës

1563

Nga Edmond ISAKU

Të nderuar të ftuar!
Të nderuar Delegatë !

Dëshira për të konkuruar si drejtues i degës së PD-së  Bulqizë, është dëshirë për të kontribuar personalisht, në zhvillimin dhe zgjerimin e degës, motivimin e anëtarëve dhe simpatizantëve, afrimin e tyre dhe të gjithë votuesve që i kemi patur ndër vite, për të maksimalizuar pjesëmarrjen dhe rezultatin elektoral për partinë tonë, në betejën elektorale të 2017.  Unë marr përsipër të drejtojë degën e PD, nëse do marr votëbesimin tuaj, duke u mbështetur në mundësitë e mia intelektuale, morale, materiale, psikologjike dhe respektit të pa lëkundur që kam në vlerat e demokracisë, si përfaqësues i djathtë i saj nga viti 90-të e deri më sot.
Unë përkrah dhe vlerësoj alternativën e PD-së për mesazhin e saj demokratik e kombëtar, si alternativë e lirisë dhe demokracisë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Punoj në sektorin privat duke respektuar ligjet dhe rregullat e shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut. Jam i pa implikuar me detyra publike dhe afera me fonde publike.   E dua qytetin tim Bulqizën dhe gjithë  investimet e mia në fushën e medias, të ndërtimit dhe nxjerrjes së kromit, i kam fokusuar pikërisht në këtë qytet, duke punësuar dhe mbështetur qindra familje.
Edhe investimin tim politik, si përfaqësues i forcave të djathta, si këshilltar në Bashki për katër mandate e kam dhënë në mbështetje të vazhdueshme të forcës kryesore politike , lokomotivës së forcave të djathta shqiptare, Partisë Demokratike. Kurrë nuk kam devijuar dhe nuk kam mbështetur forcat politike të majta për këto 25 vjet.
Jam i bindur se në gjendjen aktuale që është dega, nuk garanton fitoren e PD-së, prandaj pa një organizim në qelizë, në të gjithë strukturën, duke i marrë seksionet një për një, me analizë dhe mbështetje me evidentim të kontributeve , vlerave dhe dobësive, me kërkim dhe afrim të potencialeve njerëzore që na mbështesin, duke i zgjeruar dhe krijuar frymëmarrje  seksioneve, duke motivuar një dialog me anëtarët dhe simpatizantët tanë dhe votuesit gri, që nuk janë pak por kanë nevojë t’u gjendemi afër dhe t’ju rrisim besimin dhe shpresën, me premtimin se do të jemi në krah të tyre dhe nuk do t’i zhgënjejmë. Duke u marrë me njerëzit dhe hallet e tyre do të mudësojmë zgjidhje të vogla dhe afrojmë sipas mundësive tona, përkraje për të gjithë ata që ndjehen të pambështetur. Me përkushtim dhe këmbëngulje të përçojmë në seksione dhe në masën e gjerë të votuesve mesazhet madhore demokratike të alternatives sonë që na vijnë nga qendra.
Unë ju siguroj se do t’i motivoj me të gjitha mënyrat strukturat e degës, kryetarët dhe sekretarët e seksioneve dhe së bashku me to të dyfishojmë mbështetjen e PD-së dhe të elektoratit të djathtë.
Ky është objektivi im për zgjedhjet elektorale të 2017-ës.
Unë e kam përvojën, moshën, fuqinë intelektuale, morale, materiale që t’i përkushtohem kësaj detyre, duke premtuar se, nëse do të më votoni për kryetarin tuaj, unë nuk do t’ju zhgënjej. Unë nuk them që nuk kanë punuar paraardhësit e mi, por arritjet dhe rezultatet janë të pamjaftueshme dhe kjo duket edhe në rrudhjen e seksioneve, ne duhet t’i hapim ato ndaj vlerave , ndaj njerëzve të ndershëm dhe intelektualë që kanë dëshirë të militojnë në partinë tonë. T’i trajtojmë problemet me tolerancë, me diversitet mendimi, ta pranojmë tjetrin të ndryshëm brenda programit tonë madhor.
Do të bashkëpunojmë dhe të afrojmë njerëz që kanë ndikim dhe me reputacion shoqëror. Ndaj ju ftoj për një frymë të re në degën tonë të PD –së. Unë premtoj ta sjell këtë frymë dhe së bashku me ju të realizojmë objektivin e fitores së thellë të PD-së Bulqizës, për ta bërë këtë degë model, që edhe ne, të realizojmë modelin e ri politik siç po punon kryesia qendrore e PD-së, nën drejtimin e zotit Lulzim Basha.
Unë hyj në këtë garë me besim të thelle te fitorja jonë e përbashkët. Besimi lëviz malet , thotë një shprehje, dhe këtë besim e kam tek aftësia ime për të bashkëpunuar me grupe dhe faktorë elektoralë.
Do të punoj për gjallërimin e forumit të rinisë, të gruas, të pensionistëve, të veteranëve të minierës, të shoqatave të ndryshme; si atë të invalidëve të punës, të të përndjekurve politikë, ato kulturore, letrare dhe të shoqërisë civile, për t’i patur partnerë dhe për t’i afruar në përkrahje të PD-së. Kështu dhe vetëm me një gjithëpërfshirje, me tolerancë dhe në zbatim të normave demokratike do të jemi të fituar të gjithë. Do të mbroj dhe do të jem mbështetës i juaj në të gjitha problemet që do të kemi në këshillin bashkiak ku jam anëtar, duke u bërë interpret dhe një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave tuaja.  Do të jem në ballë të luftës antikorrupsion për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, të ndershme ku çdo qytetar të ndjehet i vlerësuar dhe dinjitoz në vendin e tij.

I uroj konferencës punë të mbarë !

* Fjala e Z. Edmond Isaku në Konferencën e Degës së PD-së Bulqizë.

S'KA KOMENTE