Konkurim dinjitoz për kreun e PD-së Bulqizë

563

Hyrja e Isakut në garë,  i dha një hov të ri zhvillimit dhe gjallërimit të strukturave

Në degën e Partisë Demokratike të Bulqizës ka kohë që është hapur fushata zgjedhore për organet drejtuese të kësaj dege, për të rifreskuar strukturat pas humbjes që PD-ja humbi në zgjedhet e pushtetit vendor.  Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë ka patur me të vërtetë një garë reale dhe të fortë për kryetarin e kësaj dege.  Një nga kandidatët përfaqësues të strukturave ekzistuese, Defrim Fiku, me detyrën e sekretarit të degës do të përballet me një kandidat që kishte pak muaj që ish pranuar anëtar i PD-së, i cili vinte me kontribute elektorale të arritura në forcat e djathta politike, Edmond Isaku.  Hyrja e Isakut në këtë garë, vuri në lëvizje tërë mbështetësit e PD-së Bulqizë dhe i dha një hov të ri zhvillimit dhe gjallërimit të strukturave duke ngjallur interes të veçantë. Edmond Isaku, drejtues i një firme kromi, drejtori i “TV Bulqiza” dhe i gazetës së këtij rrethi, kryetar i Shoqatës TV kabllore kombëtare dhe njëkohësisht këshilltar në bashkinë e Bulqizës, ka mjaft reputacion dhe një emër të mirë në këtë rreth. Karizmatik dhe me një dashamirësi të admirueshme, ai siguroi një diferencë të vogël me kandidatin alternative që mbështetej nga përfaqësuesit më trashëgues të  degës. Pavarësisht se fitoi kandidati alternativ Defrim Fiku, këto zgjedhje në Bulqizë u lexuan si një proces pozitiv që kapërcen formalizmin dhe konformizmin politik si sëmundje e vjetër e PD-së ku zakonisht zgjedhjet bëheshin me kandidat të projektuar.  Fryma konstruktive e garës tregon për interesin dhe seriozitetin që strukturat e PD-së u kushtojnë zhvillimeve të brendshme demokratike. Për herë të parë në këtë degë kandidati për kryetar i Degës së PD-së Bulqizë Edmond Isaku  u paraqit para konferencës me një alternativë të shkruar ku objektivizoheshin synimet dhe alternativat e kandidatit përballë delegatëve të konferencës. Përfaqësuesit e PD nga qendra e vlerësuan dhe e inkurajuan përfshirjen e Edmond Isakut si një intelektual me vizion dhe me reputacion publik, për angazhimin e tij në fuqizimin e degës së  PD-së Bulqizë.  Një nga detyrat e kësaj dege është bashkëpunimi për të rritur dhe fuqizuar seksionet dhe krijimin e një klime të mirë bashkëpunimi dhe besimi në vlerat e alternativës së Partisë Demokratike, gjallërimi i punës me rininë dhe gruan si dhe me të gjitha grupet e interest që mbështesin alternativën e qendrës së djathtë, vlerat e lirisë dhe të demokracisë, shtetin ligjor dhe i shpallin luftë krimit dhe korrupsionit për të ndërtuar një shoqëri njerëzish të lirë  dhe të demokratizuar, me ekonomi të zhvilluar, një rend të drejtë shoqëror ku njerëzve t’u rikthehet besimi për  të sotme më të sigurtë dhe të ardhme më të begatë.  Tani më tepër se kurrë PD-ja është në një proces të reformimit të saj, të reflektimit të saj, të hapjes ndaj vlerave njerëzore dhe të një gjithëpërfshirje elektorale që do ta çojë të sigurtë drejt fitores së ardhshme elektorale në zgjedhjet  e  vitit të ardhshëm.

S'KA KOMENTE