200 ish-minatorë mbeten pa pension

239

Përparim Sejdi: I kemi shkruajtur Kryeministrit, ministrit të linjës dhe kryetarit të Kuvendit, pak më vonë kemi vënë në dijeni edhe prefektin e Dibrës

Prej mëse dy muaj, më shumë se 200 ish – minatorë të Minierës së Bulqizës nuk marrin pensionet e tyre. Edhe pse janë drejtuar në shumë institucione, problemi i tyre deri më tani nuk ka marrë zgjidhje. Një nga arsyet sipas instancave përkatëse është punësimi i tyre pasi kanë dalë në pension. Edhe pse vendimi i qeverisë numër 551 datë 08. 11. 1993 për ripunësimin e pensionistëve e parashikon një gjë të tillë, por me kusht që të paguajnë të gjitha kontributet shoqërore, me sa duket nga institucionet shtetërore nuk është lexuar siç duhet. Përparim Sejdi është njëri prej tyre, i cili do të na rrëfej më shumë rreth këtij problemi.
“Unë jam një nga personat që kanë dalë me trajtim të veçantë në 2001. Nga 2001 deri në dhjetor 2015 ne jemi trajtuar me “Trajtim të veçantë miniere”. Në dhjetor të vitit 2015 qeveria mori vendim dhe e uli moshën e pensionit për punonjësit e minierës nga 60 në 55, ku me këtë ndryshim përfituan të gjitha ata persona që kanë punuar në minerat e kromit; në total në minierat e Bulqizës dhe të Batrës me këtë ligj të ndryshuar, ku u bë edhe një përllogaritje e re mbi bazën e një koefiçenti ku llogariten pensionet e pleqërisë dhe nga përllogaritjet, pensioni kaloi në pension pleqërie, pra nga trajtim në pension pleqërie”.
Sa kohë kanë që nuk e marrin pensionin dhe ku janë drejtuar? “Duke filluar nga muaji shkurt ne morëm pensionin e pleqërisë ku shumica këtë pension e kanë marrë deri në muajin gusht 2016. Deri më tani janë prekur interesat e 200 personave që janë vendosur në vështirësi financiare.
Kjo shifra prej 200 personave është relative, pasi mund të jetë më e madhe. Gjendur përballë kësaj situate ne u mblodhëm një pjesë dhe zgjodhëm një përfaqësi, ku një nga ata isha edhe unë dhe menduam që për këtë problem të shkonim edhe në Peshkopi.
Kemi shkuar në degën e pensioneve të Bulqizës. Nuk na sqaruan, por vetëm na thanë se janë në proces verefikimi. Niveli jonë i jetesës lë për të dëshiruar pasi është i ulët. Vetëm në Peshkopi kam qënë tre herë vetëm unë, ku me të gjithë personelin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore kam folur, por vetëm me drejtorin nuk kam arritur të flas. Nuk na jepnin as një lloj shpjegimi, na thonin e kanë ato të Tiranës.
Ne i kemi shkruajtur edhe Kryeministrit, ministrit të linjës dhe kryetarit të Kuvendit, pak më vonë kemi vënë në dijeni edhe prefektin e Dibrës. Nga ky i fundit jami pritur shumë mirë e na ka thënë se shqetësimin tuaj do ta nis urgjentisht për tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Kryeministri, ministri dhe Kuvendi na kanë kthyer përgjigje që kemi marrë letrën tuaj, por jo rreth problemit në fjalë, por edhe prefekti akoma nuk na ka kthyer përgjigje. Ne jemi në pritje se do të marrë zgjidhje ky problem. Kemi menduar t’ju lëmë kohë. Ne do të mblidhemi sërish, ku do të diskutojmë për të rënë në një mendim të përbashkët, e në rast se ne nuk marrim zgjidhje do të detyrohemi të shkojmë në Tiranë pasi nuk ka rrugë tjetër”.
Një kryqëzim institucionesh, pa rrugëzgjidhje: “Kur kam shkuar herën e parë në Peshkopi më thanë, nuk ke punë me ne po shko në Tiranë. Ku këtë gjë nuk ma kanë thënë vetëm mua, por edhe të tjerëve.  Pse duhet të shkojmë në Tiranë? Unë ju thash, unë jam qytetar i qarkut Dibër, jo i Tiranës. Ju paguheni për këtë punë, e keni plotësuar dosjen time disa herë dhe shokëve të tjerë, pse duhet të shkoj atje? Ata na akuzojnë ne se kemi punuar në punë private. Po, është e vërtetë që kemi punuar në punë private. Por ligji për pensionin e minierës, në dijeninë time lejohet të punoj, por jo në shtet; por do të paguash tatimin, gjë e cila ka ndodhur edhe me ne. Me një fjalë ke të drejtë të punosh në pleqëri. Edhe në faturat kur marrim pensionet, thuhet pension i plotë pleqërie. Pas një viti kujtohen të bëjnë një gjë të tillë.
Ku ishin këta një vit, e tani kujtohen të thonë se kemi bërë gabim. Unë tani jam 61 vjeç, nuk punoj më. E lash punën pasi nuk kisha ndërmend të punoja e të humbja pensionin. I vogël është, por aq sa është. Shkurt, për momentin ne kemi ngelur edhe pa pension edhe pa punë. Ne këtë zgjedhje mes pensionit dhe punës e kemi bërë vetë sepse nuk na ka lajmëruar kush se kë do të marrësh.
Kur kemi shkuar të marrim lekët na kanë thënë se është bllokuar, pse!? Sepse je i punësuar. Kur je me pension trajtimi të veçantë nuk lejohesh, ndërsa kur je me pension pleqërie lejohet dy punësimi, por jo në shtet. Por nuk ka asnjë shkelje në këtë pikë, pasi ne kemi punuar e shteti ka marrë lekët. E tani të na ndalësh lekët, për mua është e pakuptimtë. Është me të vërtetë për të ardhur keq, që të kesh një administratë të tërë e të mos të të vënë në dijeni. Pasi ne e kemi ditur se kemi të drejtë të punojmë”.
Sipas Z. Sejdi ata u janë drejtuar edhe sindikatave por edhe juristëve: “Unë kam komunikuar vetëm me Kol Nikollën. Sipas tij kur është bërë ligji është shkruar pension miniere. Sipas tij ky është një interpretim i gabuar, pasi nuk e kanë shkruar pension pleqërie, por miniere. Unë kam folur edhe me juristë, dhe më kanë thënë se në asnjë vend të botës nuk ka pension social për ata që kanë punuar në minierë, pasi bëjnë një punë që futet në kategorinë e parë për nga vështirësia.
Ne kemi kontribuar, kemi derdhur lekët për këtë shtet dhe nuk mund të trajtohem unë njëlloj me atë që trajtohet me një pension social, pasi nuk ka pasur se ku të punojë. Nëse ky problem nuk zgjidhet në mënyrë institucionale, do ti drejtohemi gjykatës. Nuk mund të jetë pension social, pasi kjo nuk ka as logjikë, por as edhe bazë ligjore”.
Sipas tij, një nga alternativat për ta zgjidhur këtë problem janë edhe gjykatat: “Unë jam i sigurtë se po shkoi puna në gjykatë, kjo çështje është e fituar, por se duhet të shkoj puna deri aty. Duhet të shpenzojmë, kur kjo është fare e lehtë për t’u zgjidhur. Ky problem duhet zgjidhur një minut e më parë, pasi njerëzit janë në vështirësi”.

Ishull.com

S'KA KOMENTE