FAMILJA 5 ANËTARËSHE NË BULQIZË E ‘MBYTUR’ NË VARFËRI

543

Vetëm pak metra larg nga qendra e Bulqizës gjendet shtëpia e Nezmi Shirës, një 48 – vjeçar i cili në vitin 2008 pësoi një aksident me motorr e tani ndodhet në kushte shumë të vështira ekonomike. Futemi në një rrugicë të ngushtë, ku sipër kokës ngrihet një stog me gurët që nxirren nga miniera e Bulqizës. Në hyrje të një grumbulli ndërtesash të rrënuara, si një copë pëlhure e arnuar, ndodhet shtëpia e Nezmiut. Të parët që na presin janë fëmijët e tij, por edhe qeni e macja e kësaj shtëpie, të cilët përpëliteshin nëpër këmbë. Nusja na fton brenda, ku takojmë Nezmiun. Që prej aksidentit këmbën dhe dorën e djathtë me zi i lëviste dhe gjatë gjithë intervistës, i merrej fryma e i dridhej trupi. Kishte raste që duhej t’ja ripërsërisje pyetjen për të kuptuar se çfarë donte të thonte. Merr frymë thellë e fillon na tregon:

Nezmi, mund të na thuash nga se vuan dhe çfarë problemi ke?
Unë kam shumë probleme, vetë i pesti në shtëpi. Marr një pension 14, 000 mijë lekë dhe 2, 700 lekë ndihmë ekonomike. Kur bie shi, në shtëpinë time, çfarë bie jashtë bie edhe brenda, ndërsa në dhomën tjetër është çarë muri totalisht, është e pabanueshme. Unë në këtë gjendje që jam nuk mundem që të punoj. Kam punuar roje para ca vitesh, por tani nuk mundem më. Unë kam probleme me krahun edhe këmbën.
Në vitin 2008 më rekomanduan që të shkoj në Tiranë që të operohesha. Pësova një aksident me motor në korrik të vitit 2008. U nisa për në Spitalin Ushtarak, por që të më bënin operim më kërkuan 80, 000 lekë dhe e lash pas dore, nuk e vazhdova më. Ai doktori mua më tha: “Unë të operoj, por duhen 80, 000 lekë”. Por unë i thash se të kisha lekë unë nuk operohesha këtu. Më tha se këtu nuk është xhami, këtu është spital. I thash këtu është spital e për këtë punë ju paguan shteti, ma ktheu e më tha: “… me që ti kërkon shtetin, shko të të operoj shteti”. I tregova rekomandimet. Më tha nuk kam nevojë t’i shikoj fare letrat, unë të shikoj ty.
Unë dola, por nuk di si të them, i vrarë në shpirt. Ku do ku jam shtruar, njëri më thotë se ke sëmundjen e parkinsonit, një tjetër herriediskale, se kuptoj. Por kirurgu që ka qenë në Peshkopi, që tani nuk jeton, më tha: “Ja ku i ke rekomandimet, por nuk besoj se do të bëjnë gjë, pasi ato duan lekë”.

Gjatë kësaj periudhe, të ka ndihmuar ndokush?
Rastin tim e kanë përcjellë edhe shumë media të ndryshme, ku ka pasur raste që më kanë sjellë edhe ca ndihma ushqimore. Por mua nuk më mban një thes mielli apo disa ushqime, pasi ato janë të përkohshme, por unë dua të kurohem të shëndoshem.
Kur ishin zgjedhjet mua më ndihmoi një deputet ku më bëri dyert dhe një dritare.  Xhamia më ka ndihmuar, vijnë ato çunat që janë aty dhe më ndihmojnë. Zoti jua shpërbleftë!!!
Në këtë dhomë rrimë, gatuajmë dhe flejmë në këto divane që janë këtu. Nuk kemi krevat, nuk kemi frigorifer, televizori një herë punon një herë jo.

Po fëmijët shkojnë në shkollë?
Unë jam sot për nesër, por më shumë e kam hallin për fëmijët. Fëmija që kam këtu ka problem me sytë. Duhet që çdo gjashtë muaj t’i ndërroj syzet; në syrin e djathtë nuk shikon fare, ndërsa në të majtin shikon me vështirësi. Po mua kjo më kushton shumë se duhen afro 18, 000 lekë për t’i ndërruar syzet. Halle sa më s’ka.

Fëmijët i kanë librat, me mësimet si janë?
Me 14, 000 lekë si mund të jetohet, si mund të mbahet familja!? Vetëm librat i kam marrë 12, 000 lekë, pa llogaritur këtu fletoret, lapsat e mjetet e tjera që duhen. Gocën që e kam 14 vjeç dhe djali i dytë më ecin mirë me mësime, kurse këtë që e kam me probleme në shikim ka shumë vështirësi. Ky tani si ka vendosur syzet pasi i është thyer krahu i syzeve e pret që t’ia rregullojmë.

Ku jeni drejtuar për ndihmë?
Jam drejtuar tek kryetari i Bashkisë, ai që ishte më parë. Më tha se ke shumë nevojë, shumë halle. Erdhën dhe më panë shtëpinë dhe më dhanë një ndimë prej 50, 000 lekësh.Ka edhe shoqata të ndryshme që ofrojnë ndihmë, por unë e kam të pamundur që të lëviz e t’jua përcjellë shqetësimin. Nusen e kam të papunë.

Po ju me se merreni?
Nusja – Mbledh nga një herë krom këtu sipër shtëpisë, po me 3 lekë për kg nuk ta levërdis.Unë nuk shkoj dot vetëm, kështu që marr edhe çunin. Fëmijët e di që nuk duhet t’i nxjerrësh të punojnë në këtë moshë, por është e pamundur, kështu që sa vijnë nga shkolla pasdite shkojmë tek stogu sipër shtëpisë. Për punë kam shkuar vetëm tek Zyra e Punës.

Borxhe keni?
Për 15 llamarina më ka ngelur çatia, e tani sa bie shi më futet brenda. Kam edhe shumë borxhe, më shumë tek një kushëriri im që ka ushqimore, kam 120, 000 mijë lekë.Tani tek pensioni më mbajnë nga 4,600 lekë vetëm për energjinë elektrike sepse jam 170, 000 lekë debitor tek energjia elektrike. Ndërsa tek uji e kam paguar se pak është ai. Energjinë nuk mundem me e paguar sa të jem gjallë. Për këtë, herë m’i kanë ndërprerë e herë m’i kanë sjellë.

Keni ndonjë thirrje për të drejtuar?
Apeli im shkon jo më tek shteti se ai si ka hedhur sytë ndonjëherë, por tek shqiptarët që janë jashtë atdheut, ta vënë dorën në zemër, jo për mua, por për këta fëmijë të cilët kanë nevojë! Të kemi një shtëpi ku të fusim kokën, pasi kjo është kryesorja!

S'KA KOMENTE