FJALA E FUNDIT …

190

*Nga Ermir Balla

Ishte mesi i dhjetorit dhe atmosfera festive e festave të fundvitit dukej larg. Mbizotëronte një zymtësi që ndihej deri në frymën që thithnim dhe deri në diellin që përpiqej sadopak të ngrohte dhe ndriçonte këtë farsë realiteti.Unë dhe shoku im diskutonim shpesh tema dhe jepnim ide që realisht ishin absurde për punën dhe vendin ku jetonim.
Jetonim në Bulqizë, në qytetin e minierave dhe ashtu si 90% e të rinjve bulqizakë punonim në minierë, të detyruar në një farë mënyre nga vetë vetja jonë. Na dukeshin ato 2000 lekë ( të reja ) që merrnim në ditë si një pasuri e tërë me të cilën mund të bënim gjithë ato gjëra, por në fakt rroga që merrnim në fund të muajit ikte shumë më shpejt se sa dhimbja e mesit dhe e shpatullave apo se sa forma e kërrusur që kishim marrë si pasojë e punës në minierë.
Atë ditë ishte e shtunë dhe si çdo ditë dita nisi në 5 të mëngjesit. U bëra gati me shpejtësi, lidha bukën që do merrja me vete dhe u nisa për në qytet. Ai mëngjes në fakt dukej si mesnatë; më i errët dhe më i ftohtë se kurrë, pak nga dhjetori, pak nga retë e zeza që kishin pushtuar qiellin dhe pak në mënyrë të çuditshme. Arrita në qytet në orën 6 fiks, aty ku u takova me shokun tim dhe ashtu si përditë u futëm tek i njëjti lokal dhe bëmë të njëjtën porosi: kafe të zezë. I hidhnim pak sheqer, por çuditërisht atë ditë e mbushëm mirë. Nuk e di pse akoma kafeja na dukej e hidhur, ndoshta dhe më  e hidhur se fytyra e atij mëngjesi që paraqisnin gjithë ato punëtorë që kishin mbushur plot e përplot lokalet. Diskutuam muhabetet e zakonshme dhe faktin se sa shpejt kishte kaluar java duke treguar dhe nota gëzimi për faktin se e diela pushim.
Çohemi nga lokali në orën 6 e 30 minuta dhe nisemi me furgonin e njëjtë drejt vendit që quhej Zona D.  Arritëm në vendin e punës në orën 7 fiks. Poshtë nesh shtrihej një qytet i tërë, i vogël dhe i varfër, ndërkohë mbrapa krahëve tona shtrihej mali i kromit, i pasur dhe i populluar në atë orë. Veshëm shpejt e shpejt rrobat e lagura nga djersa e punës së djeshme të cilat në atë periudhë të vitit ishin dhe si të ngrira nga të ftohtit, vumë në kokë kasketën gjithë pluhur, llampën dhe u nisëm drejt derës së minierës. E kishim zakon që pragun e hyrjes ta kalonim me këmbën e djathtë gjoja për mbarësi; punëtorët luteshin që të dilnin dhe një ditë tjetër të gjallë, ndërsa pronarët dhe të besuarit e tyre luteshin që të nxirrnin sa më shumë krom. Vazhduam punën dhe për të plotësuar normën ditore më shpejt punonim më fort sepse në minierat private puna intensive e justifikonte shkurtimin e 8 orarshit. Punuam deri rreth orës 1 të mesditës dhe na kishte mbetur dhe një vagon i fundit për t’u mbushur. U ulëm 5 min. Sa për të ndezur një cigare duhani dhe për të marrë pakëz fuqi. Duke shijuar cigaren lexova me zë etiketë e paketës ku shkruhej : “Duhani VRET”.  Ehhh, çmarrëzira!   Në të gjitha ato mundësi për të vdekur duhani do na vriska ?!
Atë pushim e zgjatëm më shumë se zakonisht, biseduam për jetën, familjen, të ardhmen dhe në fakt të dy ishim të mendimit se ky vend nuk të ofron asgjë, asnjë mundësi për të përparuar dhe për të jetuar normal, biles përqeshnim shpesh ata që kishin krijuar familje të rinj dhe që ishin të detyruar të futeshin në çdo vend dhe t’i luteshin pronarit që ti mbante në punë. Në të vërtetë ne të gjithë ishim të zhytur në një lloj realiteti mbytës të padëshiruar nga askush. Nuk donim ta pranonim, por ja që ai ishte aty bashkë me ne, më i vërtetë se kurrë. Vagonin e fundit më tha që të rrija ulur se do e mbushte ai i vetëm, më tha të çlodhesha dhe ta përfundoja cigaren i qetë. Sipër kokës së tij ishim një shumicë gurësh të mëdhenj të cilët vazhdimisht dukej sikur jepnin shenja se diçka nuk ishte në rregull. Por ne thuajse kishim mbaruar dhe kujt ja merrte mendja se…..
E kisha jo më larg se 5 metra dhe brenda 5 sekondave, e vetmja gjë që dëgjova ishte zhurma e masivit që shembej dhe një rënkim i sëmurë para asaj zhurme.
As edhe një fjalë të fundit, vetëm një aaa e zgjatur!
As edhe një fjalë të fundit, vetëm një njeri i pajetë poshtë atij masivi dheu.
Isha i shokuar dhe i ngrirë derisa erdhën të tjerët dhe më tërhoqën duke më nxjerrë jashtë. Dhe kur më pyetën se çfarë të tha në fund u përgjigja: As edhe një fjalë të fundit.
Diku, mora vesh se pakujdesia kishte marrë edhe një jetë tjetër të një të riu bulqizak. Dhe në të vërtetë pakujdesia na doli krimineli më i rrezikshëm. Sa jetë mori dhe nuk u dënua kurrë!
Ajo minierë u mbyll për vetëm një muaj dhe pas një muaji çdo gjë vazhdoi normalisht, njerëzit vazhduan punën dhe çdo gjë u harrua, por jo nga unë; unë nuk mund të harroja shokun tim dhe nuk mund të punoja në të njëjtin vend ku punëtorët e tjerë nxirrnin çdo ditë nga një copë të rrobave që ai mbante veshur atë ditë.
Bazuar në një histori të vërtetë…

S'KA KOMENTE