ZGALEMI I TË GJELBËRTËS

260

Universi krijues shkencor, praktik, inxhinierik i pylltarit Haki Kola ngjan për kohën e sotme me një Zgalem

Dr.Selman MËZIU

 “Nëse gjenerata jonë do arrijë të vendosë piketat e pajtimit të njeriut me natyrën, së paku kemi bërë diçka shumë të vogël për një fillim të ri…,,
(Haki Kola.)

E njoha shumë vonë, sa kishte humbur dielli në murin natyror të vargmalit të Runjës. Ulur në një tavolinë pune, mbushur me gjithëfarë letrash. Kuptohet ngjyrash e formatesh të ndryshme, por ama të shkruara. Një stilolaps të thjeshtë e një laps i zi, marka kineze vendosur nga e djathta e saj. Një turrë librash e revistash në të majtë. U çua në këmbë e më përshëndeti. Shtërnguam duart, dhe sakaq më afroi karriken prej druri dhe më ftoi të ulem.
Filluam të bisedonim për projektet tona. Hakiu më tregoi mbi një studim për arrën. Sistemin e shpërndarjes së eksperimenteve. Rezultatet e matjeve, të rritjeve të kampioneve të drurit, studimin e tokës e madhësinë e kokrrave. Më pas ai shfletoi punimin e tij të shkruar. Kishte cituar mjaft autorë, anglezë, rusë, gjermanë, italianë etj. Të përkthyera kuptueshëm nga anglishtja e rusishtja. Emrimin ia kishin dhënë në N B. Peshkopi. Hartonte, projekte për kulturat e arrës, gështenjës, lajthisë, por edhe të qershisë, të cilat i ndiqte mbjelljet dhe dinamikën vegjetative. Megjithatë këto nuk ishin ajo silvikultura që ai kishte mësuar në Fakultetin e Pyjeve e që dashuronte pa masë. Por çfarë të bante, ky ishte urdhër e vendim i Komitetit ekzekutiv.
Por inxhinier Hakiu, i mëkuar me dashurinë për punën e studimin, këmbënguljen dhe pasionin si dhe falë zgjuarsisë së tij, mblidhte të dhëna për kulturat drufrutore, pyjore, në libra, revista dhe në punën e përditshme dhe shkruante.  Për fëmijët në revistat, për rininë ne gazetën e tyre tek rubrika e natyrës, për të rriturit në revista gazeta etj., edhe për specialistët agronomë e inxhinierë në revista, buletinë artikuj shkencor.  Me tematikë, si funksiononin indet e qelizat. Pse natyrën duhët ta ruanin e respektonin. Dobitë e tyre duke filluar nga organet vegjetativ, riprodhues, frutat, gjethet, sythet e fjetur etj. Sipas gjuhës, moshës, ai gjente edhe çështjet që ngrinte, deri te kuriozitetet tërheqëse e të habitshme. Kështuqë inxhinier Hakiu, kijoi shoqëri të ëmbël, plot dashuri njerëzore në lagjen ku jetonte e punonte në Debrove të Peshkopisë, por me rrezatime deri në Malsitë e Vermoshit, Konispolit, Korçës, Shkodrës etj., ku lexoheshin me endje e shumë interes shkrimet me plotë dituri dhe filozofi natyrore.
Ai punoi me papërtueshmëri, me pasion për dituri e kërkime shkencore, me shpirt praktikë e në bashkëpunim me kolegët agronom e inxhinier pyjesh në situata relievesh mjaft të ndryshme më se pesëmbëdhjetë vjet rrjesht në gjithë hapsirën e gjërë të Dibrës së poshtme, që nga Kodrat e Çenokut e deri në fushat e kodrinat e Shumbatit.
Kur bujqësisë filluan t’i tundeshin themelet së bashku me rendin ekonomik të pronës së përbashkët e punës kolektive me pronarin e vetëm shtetin, ai transferohet në Ndërmarrjen Pyjore Peshkopi. Por njohuritë e thella të tija në fushën e ekosistemit pyjor, ekologjisë, prakticiteti i tij, thesari i kulturës dhe mënyra e edukuar e sjelljes me njerëzit, njohja e gjërë me specialistë pyjesh, e “detyrojnë,, që të transferohet me punë në Tiranë në Drejtorinë e Pyjeve dhe Kullotave me projektin e Bankës Botërore.
Dhe ja si do të shprehet Inhinieri Haki Kola në lidhje me detyrën e re dhe hyrjen në botën e silvikulturës, e realiteteve bioekologjike e biosistemeve të lidhura ngushtësisht njëra me tjetrën në dobi të vetëvetes e  njeriut si qënia më aktive, për zhvillim,(Mjerisht në Shqipëri për shkatërrimin barbar). ” Më pas unë e pata fatin të futem më në detaje të situatës së pyjeve e lidhjes së saj me gjëndjen sociale të Shqipërisë si dhe me kushtet ekologjike.,, (H. Kola. Mesazh)
Inxhinieri dikur provincial e i marrë më shumë me pemtari, u hodh i vrullshëm plotë energji krijuese, me vullnet studimi, projektimi, art drejtimi të dhjetra projekteve në gjithë pyjet e Shqipërisë dhe ja rezultati i parë: ‘’Në fakt u gëzova që Komuna Grekan më bëri këtë nder duke më dhënë çertifikatën:  “Hakiu qytetar nderi në Grekan.” (Në Dumre të Elbasanit, Shtator 2009.)  Dhe ja sepse: ‘’Nëse shkurret e Shqipërisë së mesme do të trajtoheshin me prerje të pastra, fillimisht me rotacione të shkurtëra 5-15 vjeçare, pas 30 vitesh e gjithë Shqipëria do të ishte siç u bë Dumreja në 700 hektar brenda 7 vitesh 1998-2005,, ( H. Kola Mesazh)  Pra specialisti i mirënjohur inxhinier Haki Kola, nga eksperimenti mjaft rezultativ, kalon në një përgjithësim me kufinj të gjërë ekologjik, duke manifestuar guximin e tijë për një tezë silvikulture tanima të re, por me efektivitet ekonomik e siguri teknike biosilvike.
Ai nuk ndalet vetëm së shkuari me grupe të ndryshme pune në mbarë shqipërinë, duke e shkelur atë pëllëmbë për pëllëmbë sepse,’’Tek i lexon në natyrë, tek sheh të vërtetat e pathëna, rrekesh t’i shohësh e të besh prova, sigurisht edhe të tregosh.,, (H. Kola, Mesazh) Dhe vërtet, ky marthonomak i gjelbërt, ky shkencëtar, dhe ideolog i ekosistemit pyjor, ka shkruar më shumë se 245 artikuj, studime, përkthime, manuale me filozofine e tijë të thellë, me vërtetësi, korrektësi, besnikëri, e hollësitë e përshkrimeve të realiteteve ekologjike e politikave në pylltarinë shqiptare dhe tani së fundi ai punon, studion, eksperimenton dhe i përgjithëson me traktatet e tij shkencore në Republikën e Kosovës, që përbëjnë një thesar të madh për pylltarinë shqiptare, ballkanike dhe më gjërë, kulturën historike, të marrdhënieve ekonomiko-shoqërore e njohëse deri në perfeksionim të fshatrave e krahinave gjeografike shqiptare e kosovare me pasuritë natyrore të tyre.
Por çfarë e shqetësonte pa masë, deri në revoltë të papërmbajtur kur vizitonte pyjet e ulëta e të larta, pra shkurret, cungishtet e trungishtet inxhinierin ‘’bredhacak,,? Dhe ja si shprehet:‘’Unë në fakt kam qenë i sfiduar, sidomos lidhur me marrdhëniet shekullore të drunishtes me njeriun dhe me të vërtetat e të pavërtetat ndërmjet tyre, që gjënden në sjelljen e banorëve dhe zabeleve  tona, ashtu siç gjënden mbetjet nga historia psh. e Skënderbeut.,, (H. Kola, Mesazhe)
Ndërsa pena me plotë logjikë teknike, me një zhbirim të pa kompromis të realitetit duke thurur me mjeshtri të habitshme por mjaft tërheqëse dukuritë natyrore, e shoqërore, sistemin e ekonomik dhe politik që po lindte, ai do të shkruaj: ‘’Gora e Korçës ёshtё nё njё protestё tё pandërprerë kundër shtetit qё i ka marrё dhe po i pret nё mёnyrё barbare Malin, pikërisht emrin e saj.
Zagoria ankohet pёr prerjen e pyllit të Ilqeve qindravjeçare, djegien e drurёve e prodhimin e qymyrit pёr nё Greqi. Lumi i Vlorёs e Piluri i Himarёs ankohen pёr prerjen e Ilqeve qindravjeçare, mё tё fundit tё mbetura, po kёshtu Fterё, Cora. Tё shpresojmë se zёri e ankesat e bazuara nё logjikën e historisё sonё shekulloretë Gorёs, Zagorisё dhe gjithё Malësorёve tё tjerë do tё dëgjohet.,, ( H. Kola‘’Engjëlli shpëtimtar i Labërisë,, Gazeta Shqip,më 3.04.2008)
Po këtu shkruesi i artikullit H. Kola do të jap rrugëzgjidhjet e kësaj drame të mjerueshme, mënyrën e operimit të kësaj nyje vdekje prurëse për pasurinë pyjore të pa zotë dhe të fshatarsisë që iu dhunohet, mohohet e drejta  e pronësisë të sipërfaqeve pyjore e prodhimeve të tyre. Nyje aleksandriane e cila ende ka mbetur e pa zgjidhur ende sot, fatkeqësisht e mjerisht. Dhe ja me sa kulturë e në mënyrë prekëse dhe figurative na shkruan ai: ‘’Tregjet dhe e drejta e pronësisë kanë qenë gjithmonë armët e engjëllit në garë me djallin e kërkesën e tij për rishpërndarje të pasurisë. Po kështu, mbështetësit e institucioneve të tregjeve e të pronave, në polemikën e vazhdueshme me mbështetësit e rishpërndarjes. Veprimet për rishpërndarje të pasurisë kanë pasur kosto shumë të lartë shoqërore në Shqipëri.,, H. Kola po aty)
Në rastë se nuk do të veprohet me urgjencë, pjekuri, maturi në një qeverisje racionale atëhere do të vazhdoi tragjedia e shkatërrimit të tokës, të djepit të jetës, të asaj që zbukurohet pa ndërprerje ose vuan padrejtësisht dhunën e njeriut të djallëzuar ose të paditur. Dhe ja përshkrimi i tabllos peisazhistike me penelata të imëta:’’Toka që duhej t‘i vishte këto shpate malesh të thepisura, është zhveshur e djegur, drurët janë zëvendësuar nga gëmusha të rralla, me skeletet e zinj të mbetura pas zjarreve të njëpasnjëshme, si fantazma në shpatet të bërë copë e cikë deri në ekstrem, që u ikën toka me ritme të shpejta drejt përrenjve lumenjve e deteve, sa herë shirat e furishëm mesdhetarë përplasen me të, pasi zhegu i korrik-gushtit me zjarret pas tyre e kanë pjekur e i heqin atë pak shtresë të mbetur.,, ( H. Kola  po aty)  Lexojeni me kujdes se, me sa mjeshtri, me çfarë teknike përdorimi të koncepteve teknike me ato gazetareske, janë ndërtuar frazat, janë shprehur mendimet,  duke na dhënë situatën e dhimbshme por\ reale, të besueshme emocionuese e thellësisht të bindëshme për plagët e shumta që po i shkaktohen nënës tokë.
Përgjate viteve e dhjetëvjeçarëve, tashmë plot 40 vjet inxhinieri Haki Kola (fatkeqësisht ende pa titull shkencor) me përvojën e tij praktike, me studimet e tija në literaturën botërore mbi shkencën e pyjeve, me eksperimentet e ngritura sipas metodikave e analizave te rezultateve ai arrinë të dal me tre postulate  të vlefshme për silvikulturën shqiptare:
‘’ …..nëse kodrat( shkurret e dushkajat cungishte) të Shqipërisë së mesme trajtohen me prerje me çeltira të vogla me cikle 5- 10 vjeçare, pas 320 vitesh ( përafërsisht) kthehen në pyje me mbi 50 % dushk e plot vitalitet e prodhim, kjo është për shumë kodra me pyje, prej në Gjirokastër e Leskovik në të cilën prodhohet qymyr ku pjesa më e madhe e hapsirës është e mbuluar me shkurre, është potencial për punësim të madh e përmirësim e prodhim të bollshëm, plot biodiversitet.,, ( H. Kola, Mesazh)
Dhe më poshtë ai vazhdon të vejë në dukje një pengesë kryesore e cila medoemos duhet zgjidhur. Dhe ja: ‘’Problemi është që përgjithësisht shoqëria Ballknaike, e veçanërisht pylltarët shqiptarë kanë mësuar në shkollë vetëm konvertimin e jo trajtimin (të cungishteve të dushqeve).,, ( H. Kola, Mesazh) Ku vazhdojnë eksperimentet, vëzhgimet e trajtimi i kësaj teme me rëndësi të madhe për silvikultorët dhe ekonominë shqiptare dhe të Kosovës.
Studiuesi Haki Kola, pasi ka përgatitur edhe një manual mjaft të rëndësishëm për arrën, ai herë pas here iu kthehet studimeve të tij të kaluara duke hedhur fasha të reja drite diturie, e theksuar vlerat e përdorimit të saj dhe dobitë shumëplanshe në ekosistemin bujqësor e pyjor. Lexojmë:  “Ȅshtë koha që për të larguar emocionet apo opinionet personale, të përdoret kalkulimi i kostos, si për arrën, gështenjën apo lajthinë, kur janë në të njëjtat kushte ekologjike me misrin, sojën apo grurin. Koha po punon, eksperimentimi e tradita po demonstrojnë që këto tre mrekulli të natyrës, të vlerësohen e të pasurojnë dijet e mirëqenien njerëzore.,, ( H. Kola, Mesazh)
Arsenali i tijë teorik e praktik në fushën e ekosistemit pyjor, njohja e thellë e gjëndjes së pylltarisë shqipëtare që Inxhinier Hakiu nuk reshti së shkruari, së vizituari masive të ndryshme pyjesh në shqipëri ( Edhe pse me punë në Kosovë) por mjerisht  në agoni vegjetative të jep  mendime dhe  rrugëzgjidhje. Dhe ja lexoni: ‘’ Zabeli i Nikës ( Lurë S.M) kujtohet i prerë dhe i rirritur ashtu siç e pamë neve 40 m të lartë, prap është prerë e djegur. Anglia dhe gjithë Europa para dyqind vjetësh ishin pothuaj të prera plotësisht. Ata i bënë që atëhere disa reforma dhe ringritja u realizua për dy tre gjenerata njerëzore, tashmë kanë dhe u tepron, vendet duken si kopshtije madhështore. Nëse gjenerata jonë do arrijë të vendosë piketat e pajtimit të njeriut me natyrën, së paku kemi bërë diçka shumë të vogël për një fillim të ri…,, ( H. Kola, Mesazh)
Por në çfare gjendje morale, ideologjike, psikologjike, marrdhëniesh janë sot intelektualët shqiptarë në regjimin e demokracisë njëzetë e pesë vjeçare ? Lexojmë: ”… juve pohoni me ëmbëlsi jetëshkrimin e një njeriu që e don Shqipërinë, shqiptarët e pyjet e tyre, i qan zemra për papjekurinë,  mëndjelehtësinë që e karakterizon kohën e sotme, kur duket sikur intelektualëve sikur iu është operuar truri, janë zhdukur, apo u kanë prerë duart e mbyllurgojën, pasi asnjë shenjë jete nuk japin, as nuk shkruajnë, as nuk flasin….,, (H. Kola, Mesazhe)
Vizitat e punës në shumë qendra kërkimore shkencore, në pyje në shumë vende të botës, pjesëmarrës në shumë konferenca ndërkombëtare, shoqëruesi i mjaft grupeve të ekspertëve të pyjeve nga europa perëndimore e më gjërë i kanë hapur horizonte të reja, si dhe i kanë dhënë detyra për zgjidhje në shkallë ballkanike. Lexojmë:‘’.. tash jam në punë intensive për pyjet e ulta të balkanit për një prezantim në Krongresin e radhës të IUFRO që mbahet në SHBA në shtator.,, ( H. Kola, Mesazh. Më 23.04.2014)
Inxhinieri i apsionuar pas pyllit, banorëve të përhershme të tij, i dashuruar fort pas natyrës nuk ka kryer eksperimente në laboratore  me eproveta e letër lakmuese, por atje, ku nevojat e njeriut kërkojnë prodhimet e pyllit, atje ku ai është djegur, shkrumbuar, është shpërfytyruar marrëzisht me prerje sharlatanësh,  gërryerje e masakruar mbulesa biologjike e tokës dhe këputur arterjet jetëdhënëse, duke u treguar një doktor kirurg me bisturi minçuriane por mbi të gjitha një ‘’psikolog,, i shquar i njohjes së thelle të pyllit, të karakterit dhe tempramentit të tij. Pranadaj ai do të shkruaj: “ Pra, ne duhet të shohim jo vetëm drurët, por edhe pyllin, e cila është mënyra me të cilën elementët individuale (pemë, shkurre, krimba, zogj, kafshë të egra, barera, etj) të punojnë së bashku si sisteme për të bërë diçka që është më e madhe se çdo pjesë individuale. Njerëzit të cilët nuk mund ta shohin pyllin përtej drurëve, janë aq të përqëndruar në të kuptuarit e pjesëve të veçanta, sa që ata kurrë nuk mund të gjejnë se si çdo gjë në pyll është e lidhur me shumë elementë e përbërës të këti ekosistemi.,,( H. Kola Mesazh) Për t’u shprehur mbi ato ai përdor revista, gazetat, rrjetet sociale etj ku i ka mjaft për zemër duke i përdorur si tryeza debati, dhënie përvoje prodhimi e shkence, histori të pylltarisë shqiptare dhe evropiane si dhe për drurët shtatëlartë që janë si engjëj që lidhin qiellin me tokën dhe kombinate të fuqishme të natyrës që transformojnë materjen dhe marrin e krijojnë energji.
Universi krijues shkencor, praktik, inxhinierik i pylltarit Haki Kola më ngjan për kohën e sotme me një Zgalem që ‘’Çaje, çaje rrugën vetë, kur rreh vala me rrëmbim…fitimtar me nder në jetë, del ve ai që ka guxim.,,( Fan Noli Zgalemi) Por i veshur me rroben jeshile. Na shtyn, na ndërgjëgjeson  për t’u brumosur me ideologjinë e gjelbërt, me teorinë e teknikën e shkencave të pylltarisë, se vetëm kështu do të jemi kujdestar të vërtet  e të vetëm të pyllit, të zellshëm, këmbëngulës e njëkohesisht të guximshëm në studime, kërkime shkencore, zbatime praktike,  për të çuar përpara stafetën e blertë të kësaj pasurie shumë të çmuar kombëtare, me vlera të shumta e të domozdoshme për jetën e një kombi.
*Firence 09. 10. 2016

S'KA KOMENTE