TRADITË NË DASMAT E MARTANESHIT

411

Nga Ramadan Biçaku*

U desh të isha i ftuar në dasmën e djalit të Selman Bamit, Ilirit në fund të gushtit që të freskoja kujtimet e mia për dasmat e vjetra në Martanesh. Ishim mësuar ndryshe me të shkuarën, por shpejt filluam të ambjentohemi me të tashmen. Gërshetimi i dy periudhave që shpesh ndodh në dasmat tona si dhe në dasmën e Selman Bamit e Manushaqe Bamit ku u shpalos ruajtja e traditave edhe në dasmat e sotme ku sallat janë modern, të paisura e zbukuruara, me muzikë dixhei apo me orkestër të nivelit të lartë, ku mblidhemi në një drekë apo darkë të vetme dhe aty gëzojmë duke ngrënë, pirë e vallëzuar. Ndryshe ndodhte më parë kudo, porn ë kujtesën time janë të freskëta dasmat e vendlindjes në Martanesh.
Ato fillonin disa javë përpara ditës së martesës me nxjerrjen e botës (një lloj argjile) për bërjen e çerepëve e gorrikëve që do të shërbenin për pjekjen e bukëve të misrit. Kjo ndodhte 4-5 javë para ditës së dasmës kur 5 gra të veshura me rrobat më të mira, ngarkuar me kosha niseshin për në vendin ku nxirrej bota. Gra të tjera këndonin në kor: “Nusja jonë qan me lot/ botë për dasëm nxjerrim sot…etj.” Në të njejtën kohë 5 gra të tjera të veshura po aq bukur sa të parat, nisen në mal për të prerë pishë që do të shërbejë për ndriçim në ditët e dasmës. Kënga jehon nga gratë përcjellëse:”Nusja jonë qan me lot, / pishë për dasëm presim sot…” Dasma kështu ka filluar dhe për çdo ditë e natë kryhen rite deri kur të mbyllet dasma. Tre ditë para dasmës në mesin e odës zbrazen koshat me kalli misrash dhe dy burra me hunj godasin për të shirë kallinjtë, ndërkohë që të tjerë kapen dorë për dore në valle dhe këndojnë: “T’vaftë mbarë dasma, o dhëndri i ri, / Si gruri kur korret në arë, / do të shijmë njëzet barrë, / ta çojmë në mulli me kuaj alltarë, / do ta hamë me djem beqar…”
E nesërmja, e mërkura ishte ditë më e ngjeshur me punë. Një grua e caktuar për të bluar misrin niset herët për në mulli e cila përcillet me këngë. Miellin e bluar e pret darka ku do të zihet brumi për të bërë bukën e nuses. Pranë magjes afrohet për të situr miellin një burrë dhe kori i grave vazhdon këngën: “ Ti mor Mark, o Mark Korami, / po mëson si zihet brumi…” Pas këtyre riteve një ditë para dasmës vazhdojnë të vijnë njerzit më të afërm me dhuratat e tyre. Në traditën e viteve të shkuara, printe daja i dhëndrit me dashin dhanti e pastaj të tjerët. Pritja bëhej me këngë: “Po vjen daja me dhanti, / vesh e mbath si zotni, / Të na vini trumë e trumë, / se na kemi çuna shumë…”  Kur të ftuarit vazhdojnë të vijnë kënga vazhdon: “ Vjen miqësia palë – palë, / Dil Medi se je i parë, / Dil Mitrush e jepu fjalë, / Ec shpejto e theru kanë, …” Fillojnë pregatitjet për nisjen e “rraqexhinjëve” për të dërguar pajën e nuses tek shtëpia e saj sipas zakonit në dy valenca të endure në vegjë enkas për këtë ditë. Në njërën futen rrobat e bardha dhe në tjetrën ato me ngjyra. Duke u përgatit rrobat në fillim kori i burrave e pastaj edhe i grave vazhdojnë këngën: “ ç’lidh aty o rraqexhi? / Lidh kurorën që do ti, / ç’lidh aty o rraqexhi? / Lidh jelekun që do ti…” Në mbrëmje vjen çasti i bërjes dhëndër. Daja i dhëndrit përgatit veglat për të kryer ritin e qethjes së dhëndrit i cili ulet në një karrige artizanale mban në prehër një shami ku të afërmit duke filluar nga prindërit lënë dhurata. Dy gra e mbajë shaminë në dy cepa dhe vallja me burra e gra vjen rrotull duke kënduar: “ Berberi që rruan mbretin , / Sot po rruan Artan begin, / Se ç’e rroji dhe e qenisi, / Kët’ far djali, n’kët’ farë fisi… “ Pas përfundimit të kësaj ceremonie hapet vallja nga babai i dhëndrit që shoqërohet me këngën: “Po vjen vallja rrotullo, / Po martojmë Artanin –o…” dhe këngët e vallet vazhdojnë të lira. Në dhomën e grave të lodhura nga kërcimi, hyjnë me vrull 3-4 burra të veshur shumë keq dhe në shpinë mbajnë lëkura të pudrosurara me hij zjarri dhe me shkopinj në dorë aty për aty fillojnë të godasin lëkurat e njëri- tjetrit dhe vendi bëhet tym e mjegull ndërkohë që kënga vazhdon: “ Ulu, ulu, iriq-o, / merri plakat iriq-o…” Plakat qëndrojnë ulur pranë çerepit me thëngjij zjarri duke u ngrohur pa ua hedhur sytë pleqve, ndërsa mesnata kalon, të gjithë ulen të pushojnë për të vazhduar të nesërmen dasmën. E nesërmja fillon me nisjen e krushqve që do të shkojnë të marrin nusen. Ato përcillen me këngë: “ Udha e mbarë o krushq bujarë, / thoni nuses të mos qajë, / se Artanin e kemi djalë të mbarë… “ Ahengxhinjtë me lodër e cyrle shoqërojnë me muzikë gjithë rrugës krushqit deri në afërsi të fisit të nuses ku ulen për të pritur daljen e nuses. Pritësit ju urojnë mirëseardhjen dhe ju nxjerrin krushqëve kafe e duhan. Është rit i veçantë momenti i heqjes së një shamije të vogël tek veshi i kalit të përgatitur për nusen. Shamija duhet të hiqet pa u parë, ndryshe shkakton mjaft debate nga palët. Brënda në shtëpi fillojnë të qarat e nuses e ai zë shpon muret e banesës ku ajo u rrit. Njerëzit më të afërm e nxjerrin nusen e mbuluar me duvak të kuq tek dera e shtëpisë. Në kokë i vendoset një kurorë, një pasqyrë dhe zbukurime tradicionale. Vëllezër e kushërinj e mbajnë nusen me rradhe deri sa e hypin tek kali. Kali shoqërohet nga krushqit dhe përcjellësit që mbajnë një farë distance, nusja vazhdo të qajë me oii e përkulur deri sa dy ndrikullat i thonë të pushojë duke ia drejtuar trupin. Kur kalojnë tek varrezat e fshatit nusja përkulet përsëri. Rrugëtimi vazhdon me aheng dhe valle të krushqve. Shfaqja më e bukur e dasmës është mbritja e nuses në shtëpinë e dhëndrit ku buçasin këngët: “ Po na vjen një hanë e kuqe, / për midis të atyre krushqve , / Dil o dajë se qënka nuse…” Derdhen kokrra gruri mbi kokat e krushqve dhe të përcjellsave. Pasi ulet nusja nga kali, një djalë i vogël hypet e zbritet nga kali i nuses tre herë. Tek praku i shtëpisë nusja shemb enën me ujë dhe hyn brënda me këmbën e djathtë në fillim tek oda ku është magja dhe në dorë të nuses vendoset një bukë e zbukuruar me rrathë dhe që ka sipër një dorë sheqer. Këngët e gëzuara këndohen pa pushim. Të afërmit e familjes së re përshëndeten duke marrë secili nga pak sheqer. Dasmorët këndojnë: “ Erdhe me sheqer në dorë, oj nusja jonë, / embëlsove vjerrën fort, oj nusja jonë, …”
Pas këtyre riteve fillon vallja e kënduar e mirseardhjes: “ Po vjen vallja rreth e mbarë, / po martojmë Artan aganë, …” ose “ Hanë  e vogël si fisheku, / sa hije t’paska jeleku. / hanë e vogël si gjylpana, / sa hije t’paska dallama, …” etj. Dasmorët ulen nëpër dhoma dhe fillon pija e rakisë me faqore e kërcejnë e këndojnë deri në të gdhirë. Tek dhoma e grave këngët kanë ngjyrime të ndryshme të gëzueshme dhe humoristike si: “ çupa, çupa në kularë, / du raki se jam e parë, / çupa, çupa nënë shkallë, / nesër nuk jam në mëhallë, / jam për shkarpa lart në mal, / nisem shpejt, dielli pa dalë…” etj. Nusja qëndron dy ditë në shtëpi dhe duvaku i zëvëndësohet me një shami të bardhë të zbukuruar me thekë mëndafshi, sipër kësaj shamije vendoset një tjetër e kuqe me zbukurime të ndryshme. Nusja ulet në një karrike dhe ngrihet sa herë hynë e dalin nga dhoma njerëzit e pranishëm të cilët e dorovisin nusen me monedha sipas zakonit. Në ditën e tretë, nusja e shoqëruar me një djalë të vogël shkon tek burimi me mbush ujë me dy enë. Më pas përgatitet për të vajtur tek prindërit.
Ishin këto disa nga traditat e dasmave të Martaneshit që për renditjen e tyre u frymëzova në dasmën e Selman Bamit që martoi djalin. Ishte ndoshta e para dasëm pas shumë vitesh që përsëriten me kujdes disa nga ritet që e bënë dasmën shumë të bukur me këto elementë tradicionalë. Mendoj se ajo që ka vlerë më shumë është ruajtja e traditave të bukura për t’ia transmetuar brezave, si vlera të çmuara të një shoqërie në progres të vazhdueshëm. Ishte hera e parë që u ndjeva aq mirë dhe u gëzova me këtë dasëm që manifestoi edhe rite tradicionale. Do të doja që këto element tradicionalë të përdoren edhe në dasma të tjera për t’i lënë trashëgim brezave të ardhshëm duke gërshetuar me rite të reja që dasmat tona të marrin identitetin e nevojshëm.

*Drejtuesi grupit artistik në shoqatën “Martaneshi”

S'KA KOMENTE