Haxhi dede Edmond Brahimaj, “Qytetar Nderi i Bulqizës”

146

Këshilli i Bashkisë Bulqizë nderon Kryegjyshin Botëror Bektashian, Baba Mondin

Këshilli i Bashkisë Bulqizë nderon Kryegjyshin Botëror Bektashian, Haxhi dede Edmond Brahimaj. Ceremonia ka qenë krejt e veçantë për qytetin e Bulqizës, për qindra dibranë dhe qindra të tjerë të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosova, Maqedonia, diaspora, në evenimentin e veçantë, shpalljen “Qytetar Nderi i Bulqizës” të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.  Kinoteatri i qytetit, ishte tepër i vogël për të mbajtur brenda kontureve të tij atë fluks qytetarësh, ndërkohë që transferimi i evenimentit në sheshin qendror (krejt  natyrshëm),  shënoi një ngjarje tepër të veçantë emocionale, shpirtërore dhe shoqërore. Protagonistë të këtij evenimenti nuk ishin vetëm drejtuesit vendore (titullarët e Bashkisë, Këshillit Bashkiak, funksionarë shtetërorë e drejtues të faktorëve socialë), por dhe deputetë, diplomatë e miq të besimit bektashian.

* * *

Ceremonia e dhënies së titullit  “Qytetar Nderi i Bulqizës” për Kryegjyshin Botëror dede Edmond Brahimaj, nga bashkia vendase, ishte konceptua në formën e një spektakli kulturor-artistik, me tematikë  funksionale e vlerësuese për qytetarin më të ri të kësaj treve të njohur. Në fillim ishte z. Bektash Jangulli, përfaqësues i teqeve bektashiane në qarkut të Dibrës, i cili ndër të tjera tha: “…Dhënia e këtij titulli nderi për kreun tonë shpirtëror gëzon pa masë çdo zemër bektashiane, që beson fort në Islamin tradicional të mbështetur në Kuranin Famëlartë dhe në familjen Profetike, ku paqja, mëshira dhe shpëtimi i Zotit raftë mbi ‘Ta.
Nuk e teproj kur them se sot gëzohen shumë shpirtra të shenjtë misionarësh, që na prunë Islamin Muhamedan. Le të kënaqet sot pra shpirti i shenjtë i vetë Ballëm Sulltanit… Le të kënaqet shpirti i pastër i Sari Salltik Sulltanit. Le të kënaqet shpirti i Shenjtë i Hidër Baba Kërçovës, shpirti i Shenjtë i Baba Rrahmanit të Madh, le të kënaqen shpirtrat e pastër të Xhelil Babait të Krajkës, i Baba Shab Dedes në Gjoricë, i Këllëç Babës Dibër e Madhe,  Murat Ded` Babës po në Dibër të Madhe, i Baba Hysen Kukelit me origjinë nga Dibra e Madhe, i Baba Fejzë Bulqizës, i baba Isuf Bllacës etj… Bektashizma ka patur ulje-ngritjet e veta gjatë gjithë  historisë 800-vjeçare, por një gjë që e ka patur, e ka dhe do ta ketë të pa ndryshuar, janë rregullat  kanunore të lëna nga vetë Haxhi Bektash Veliu dhe Piri i dytë i Bektashizmës Ballëm Sulltani. Kjo besë e lënë e pandryshuar dorë pas dore na bën t`i hedhim një shikim pamjes ëngjëllore të Hiresisë së Tij Haxhi Dede Edmondit. Ai na kujton amanetin e përtej oqeanit, që duhet ruajtur fort ashtu siç e ruajti shenjteria e Tij, i paharruari në zemrat tona, shenjtori i pavdekur, Haxhi Dede Reshat Bardhi…”.
Më pas, fjalën e mori Kryebashkiaku i Bulqizës, Melazim Damzi, mes të tjerave theksoi: “…Dhënia e titullit ‘Qytetar Nderi i Bulqizës’ nga këshilli bashkiak për baba Mondin,
për meritat e tij  në forcimin e tolerancës fetare në Shqipëri e më gjerë, në predikimet për më shumë dashuri, paqe e mirësi mes njerëzve, është një nder jo vetëm për ne drejtuesit vendor, besimtarët bektashian e besimeve të tjera, por për të gjithë faktorët relevantë të shoqërisë…!”. Më tej, kryebashkiaku vendas, duke ftuar në skenë Baba Mondin i dha atij certifikatën me motivacionin: “Për kontributin e Tij të spikatur në kuadër të harmonisë fetare në krahinën e Bulqizës, Shqipërisë dhe mbarë botën, misionar i paqes, i cili mbanë lart vlerat më të pastra njerëzore, shpirtërore dhe kombëtare”.

* * *
Pas marrjes së certifikatës, në praninë e trupës artistike në konteks të një dekori të rrallë, Kryegjyshi Botëror pohoi: “…Të nderuar personalitete të kulturës, besimtarë, vëllezër të mij, klerikë! E quaj veten me fat të marr pjesë në këtë ceremonial modest dhe më lejoni që në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, t’ju uroj fat e mirësi ju dhe familjeve tuaja. Zoti i Lartë i pastë në vëmendjen e Tij, devocionin dhe mirësinë që ju keni shpërndarë dhe shpërndani në rrugën plot mundim të Hakut! Sigurisht që e prita me emocion dhënien e titullit të lartë “Qytetar Nderi i Bulqizës”, sepse kam të drejtë të mendoj, se kjo marrëdhënie e klerikëve bektashianë me popullin e mençur dhe largpamës të këtyre trojeve arbërore, nuk mund të jetë një trëndafil i çelur sot.
Padyshim, ka një marrëdhënie 700 vjeçare të bektashinjve të nderuar dhe të respektuar të Martaneshit me klerikët e tyre dhe, unë jam i lumtur që marr këtë mirënjohje të thellë për urtësinë që ne rrezatojmë.
Jam gjithashtu me fat që marr këtë vlerësim kaq të madh, pas vlerësimit të marrë nga myrshidi im dhe i juaji, i përndershmi dhe shenjtori dede Reshat Bardhi, Zoti qoftë i kënaqur me jetën dhe veprën e Tij në këtë botë dhe në tjetrën! Ndërsa jam plotësisht i bindur se ky falënderim  dhe respekt për mua, u shkon sot të gjithë dervishëve dhe baballarëve  jo vetëm në Shqipëri, , por edhe në Kosovë, në Maqedoni dhe deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët mbajnë të ndezur qiririn e Haxhi Bektash Veliut, duke i dhënë përmbajtje të re, akoma më frytdhënëse dhe të begatë, traditës tonë shekullore. Respekti i popullit, i besimtarëve dhe i krejt forcave politike të Martaneshit e kësaj treve  për mua, është tek e fundit, respekt për udhën nga kemi ardhur dhe nga do të shkojmë, respekt për vlerat e djeshme, të sotme dhe të kohërave që do të vijnë. Përpara pak kohe, në krye të delegacionit bektashian, unë isha në Romë, në takim të veçantë me Papa Françeskun. Duke dëgjuar fjalët e ngrohta dhe kurajën me të cilën Ai përkufizoi besimin tonë, e sigurova se Selia e  Shenjtë Bektashiane, jo vetëm që po bën çmos për ruajtjen e traditës më të mirë, por edhe për ta pasuruar këtë traditë në aspektin doktrinor, moral dhe social, të bindur se do të ecim kurdoherë me hapat përparimtarë të shoqërisë njerëzore. Ne sot jemi krenarë që ecim të bashkuar në krah të civilizimeve dhe besimtarëve të tjerë të përparuar, në rrugëtimin drejt Krijuesit, me dashurinë e thellë për atë që Zoti na e ka dhënë në krahë, pa asnjë lloj paragjykimi dhe në luftë të vazhdueshme me çdo lloj formacioni të Islamit radikal.  Edhe një herë më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve, që jeni sot të pranishëm në këtë ceremonial mirënjohje! Zoti ju bekoftë të gjithëve!”

* * *
Pas ceremonisë, ku mes të tjerave u ndoq me shumë interes koncerti artistik me pjesë forklorike, instrumentale e interpretime nga artistë vendas e të ardhur nda Tirana,  organizatorët nuk kishin planifikuar ndonjë gjë tjetër. Por krejt natyrshëm, bulqizakët e vazhduan gjatë këtë ngjarje mbresëlënëse, në forma të ndryshme, krejt spontane, njerëzore e shumë domethënëse.  Nëpër rrugë, në kafene, por dhe në dreka kolektive, bisedat mbi bektashizmin e vjetër dhe të sotëm, shpërndanin frymën e dashurisë së thellë për Zotin, për jetën njerëzore.evenimenti ishte pjesë e indikator i bisedave e grumbullimeve të shumta.

Arbër Kujtimi

S'KA KOMENTE