KOVAÇI, TRADITË FAMILJARE QË PO E MBAN GJALLË KËTË ZANAT

386

ZABIT KODRA, që i vogël është aktivizuar me grupet artistike. Tani është pjesë e Qendrës së Kulturës Bulqizë

Zabit Kodra është një kovaç, i cili punishten e tij e ka në tregun e Bulqizës, ngjitur me një servis makinash, si për të treguar dy skaje, në një njërin krah zanati dhe në krahun tjetër modernizimi. Në punishten e tij, Zabiti  pret kërkesat që i vijnë nga klientët, kryesisht për vegla bujqësore, si: lopata, sopata, apo edhe porosi të ndryshme nga subjektet minerare që veprojnë në Bulqizë.
Teksa vendos hekurin mes flakëve të zjarrit dhe fillon ta rrahë fort, Zabiti fillon të na tregojë rreth zanatit të tij:

1.    Z. Kodra, mund të më thoni, që kur e keni filluar këtë zanat?
-Kam qenë 13 – vjeç, sapo kisha përfunduar klasën e tetë, kur babai më mori në punishten e tij. Unë që në atë kohë nuk merresha vetëm me punishten e babait, por isha edhe i angazhuar në grupet artistike të kohës, që këtë angazhim e kam ruajtur edhe sot. Fillova punë, fillimisht me gjëra të vogla, pastaj duke mësuar pak nga pak.

2.    Këtë zanat e keni të trashguar brez pas brezi?
-Po, stërgjyshi, gjyshi, babai tani edhe unë. Ne vetëm me këtë zanat jemi marrë. Siç mund ta shikosh këtu kam edhe kullën, e cila shërben për t’i dhënë forma hekurit trashëguar brez pas brezi. Pra kjo kullë është aq e vjetër, po aq sa edhe historia e familjes sime në këtë zanat.

3.    Po gjatë periudhës së komunizmit si keni punuar?
-Unë gjithmonë kam punuar privat. Edhe atëherë edhe pse ishte e ndaluar prona private, ne nuk na ka ngacmuar njeri, kemi punuar të lirshëm. Gjithashtu kishim marrëdhënie pune me kooperativat e zonës, që iu shërbenim me vegla pune që ju duheshin.
4.    Vetëm në Bulqizë keni punuar apo edhe keni lëvizur në zona të tjera?
-Pjesën më të madh të punës time e kam bërë këtu në Bulqizë, por jam zhvendosur edhe në minierën e Batrës në Martanesh, ku kam punuar afro tetë vite, ku jam marrë me nevojat e minierës. Pastaj jam rikthyer sërish në Bulqizë ku kam vazhduar punën. Sot kam këtë barakën që e kam marrë me qera dhe që mundohem t’iu shërbej klientëve sadopak.

5.    Z. Kodra, mund të më tregoni diçka më shumë rreth mjeteve të punës që ju keni këtu në punishte?
-Patjetër, le t’ja nisim nga kjo furra këtu. Kjo është me tulla dhe në të është e mbushur me qymyr, ku pastaj vendoset në të hekuri. Hekuri i nxehur në furrë vendosat tek kjo kulla, të cilën unë jua tregova në fillim, ku i japim format që na duhen. Kjo furra më parë ka pasur një manivel që çonte ajrin tek qymyri, ndërsa sot kam vendosur një elektromotor i cili ma ka lehtësuar punën, punuar nga unë vetë. Kemi edhe këtë rrotullën këtu, e cila është prej guri ezmerili që shërben për të mprehur veglat e punës. Kjo është e trashguar prej brezash. Punon mekanikisht, me anë të këtij mekanizmit që vendoset tek këmba.

6.    Keni menduar që zanatin e kovaçit t’ja lini edhe brezave të tjerë, ashtu siç jua kanë lënë juve?
-Po. Jam munduar që së paku fëmijëve t’ua lë trashëgim. Por normalisht të flasësh për ditët e sotme, ky zanat është bërë shumë i vështirë, fitimet janë shumë të pakta, sa nga një anë s’ja vlen për ta vazhduar.

7.    Sa ka ndikuar industrializimi në punën tuaj?
-Shumë, se sot thuajse çdo gjë mund ta gjesh me lehtësi, por nga ana tjetër edhe me një kosto edhe më të ulët. Këtu pastaj nuk mund të flas për cilësinë e tyre, pasi ne i kushtojmë më shumë rëndësi. P.sh ne e rrahim hekurin dhe pastaj i lëshojmë edhe ujë, në mënyrë që të ketë një fortësi më të lartë, por edhe jetëgjatësi.
8.    Cilat janë porositë më të shpeshta që ju merrni?
-Si mund të them, kjo është në bazë të stinës. P.sh në këtë moment ato që nevoiten më shumë janë: sopatat, pasi ju duhen për sistemimin e druve; lopatat; drapëri, me pak fjalë mjetet e punës për bujqësi. Por normalisht edhe gozhda, ganxha që duhen për në galeri.

9.    Këtu shikoj që ke edhe një daulle, mund të tregosh diçka më shumë për të?
-Unë përpos kovaçit jam edhe muzikant. Siç iu thashë edhe në fillim, që i vogël kam qenë i aktivizuar me grupet artistike. Tani jam pjesë e Qendrës së Kulturës Bulqizë. Kam marrë pjesë në shumë koncerte apo aktivitete artistike. Këtu mund të përmend Festivalin Folklorik të Gjirokastrës.
Z. Kodra shumë faleminderit për intervistën, punë të mbarë!
-Faleminderit edhe prej jush!
Ishull.com

S'KA KOMENTE