BULQIZË -UJË TË PIJSHËM KA, POR DUHEN PROFESIONISTË PËR TA SJELLË

350

Mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm, një problem shumë serioz për qytetarët

Bulqiza prej vitesh ka mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, duke u kthyer në një problem shumë serioz për qytetarët, sidoms në këto ditë të nxehta vere. Këtë problem, në mënyrë më të theksuar e ka Lagjia e re, e cila ka orare shumë të shkurtuara të furnizimit me ujë të pijshëm, ndërsa në Lagjen e vjetër, situata paraqitet disi më ndryshe.
Në zgjedhjet e vitit 2013, kur në Bulqizë zhvilloheshin zgjedhjet si qendrore, por edhe lokale, deputeti i zonës, Shkëlqim Cani dhe kandidati i majtë për bashkinë i asaj kohe, Myfit Duriçi, premtuan furnizimin e qytetit me ujë të pijshëm 24 orë. Por edhe pse kanë kaluar tre vite, dhe rrethuar me burime, situata në Bulqizë për sa i përket furnizimit me ujë mbetet e njëjtë.
Sipas Planit Operacional të Zhvillimit Lokal të Bashkisë Bulqizë, furnizimi me ujë të pijshëm i popullsisë që mbulohet nga Sh.A.Ujësjellës Bulqizë është 6-9 orë në ditë, një tregues larg standarteve dhe objektivave të vendosura në Strategjinë Kombëtare të Furnizimit me Ujë 2011-2017.
Për këtë ishull.com ju drejtua me një shkresë për informim SH. A Ujësjellës Bulqizë, për të mësuar më shumë për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit.
Në përgjigjen e saj, datë 10. 08. 2016, Sh.A Ujësjellësi Bulqizë deklarojnë se Lagjia e vjetër furnizohet 10-12 orë në ditë, ndërsa Lagjia e re furnizohet 6-7 orë në ditë, kështu me fashat e orarit për të dyja lagjet.
Një vëzhgim empirik
Por ishull.com ka bërë një vëzhgim empirik, për të parë nëse oraret e furnizimit me ujë të qytetit zbatoheshin nga Sh.A Ujësjellës Bulqizë. Nga të dhënat e marra nga Sh.A Ujësjellës Bulqizë dhe vëzhgimet tona në terren rezulton se oraret e furnizimit me ujë janë të pasakta.

Banorët e Bulqizës kanë protestuar disa herë për mungesën e ujit
Rezulton se Lagjia e vjetër furnizohet me ujë të pijshëm 6 orë e 30 minuta ndërsa Lagjia e re 2 orë e 20 minuta në ditë, ku në fashën e orarit të drekës, presioni është shumë i dobët, dhe thuajse në katet e fundit të pallateve uji nuk shkon fare.
Banorët e Bulqizës kanë protestuar disa herë për mungesën e ujit, por zëri i tyre nuk është marrë parasysh.  Pyetur nga ishull.com, banorët akuzojnë ndërmarrjen e ujësjellësit, e cila nuk është në gjendje të menaxhojë situatën, pasi sipas tyre është e pa pranueshme që në qytetin e Bulqizës të mos ketë ujë kur ai zotëron burime të bollshme.
Në  lagjen e re, banorët na tregojë edhe për ndotjen e ujit në vitin 2015. Sipas tyre, uji vinte i ndotur, me erë të rëndë dhe nuk mund të përdorej për t’u pirë, por as edhe për larje, pasi nëse përdorej i ngrohtë lëshonte një erë tejet të rëndë.
Sipas Sh.A Ujësjellës Bulqizë, arsyeja pse qytetarët e Bulqizës nuk furnizohen me orar më të zgjatur gjatë periudhës së verës, janë paksimi i prurjeve të ujit në burime, humbjet e shumta të ujit për shkak të rrjetit teje të armortizuar si dhe mungesa e investimeve, sidomos për Lagjen e re dhe fshatin Vajkal. Bulqiza furnizohet me ujë të pijshëm nga Zona mineral mbajtëse D, depot: 41, Çupe, Allmete, Fushë-Hutër.
Për periudhën shtator 2014 – shtator 2015 në rrjetin e furnizimit me ujë janë kryer investime nga buxheti i shtetit, ku sipas Sh.A Ujësjellës Bulqizë kapin vlerën e 38, 996, 249 lekë. Edhe pse me një investim të tillë, situata në Lagjen e vjetër për sa i përket furnizimit me ujë, siç u përmend edhe më sipër është shumë problematike, me vetëm 6 orë e 30 minuta ujë në ditë.
Faturimi i ujit të pijshëm në Bulqizë në 95% të tyre bëhet afrofe, 5% bëhet me matës, ndërsa për institucionet shtetërore faturimi bëhet me matje. Konsumatorët familjar duhet të paguajnë afro 500 lekë në muaj. Sipas Sh.A Ujësjellës Bulqizë, mënyra e financimit të këtij institucioni është 85% me fondet e grumbulluara nga shitja e ujit të pijshëm dhe 15% nga subvencioni i shtetit.
Për vitin 2016 nuk është planifikuar asnjë projekt për investimin në rrjetin e ujësjellësit, ndërsa Sh.A Ujësjellës Bulqizë, bën vetëm mirëmbajtjen e tij, me fondet që ky institucion disponon.
Shqiptarët janë mësuar të dëgjojnë premtime për ujë dhe drita 24 orë, por duket se banorët e Bulqizës, në prag zgjedhjesh do ta dëgjojnë akoma premtimin për ujë 24 orë.
Ishull.com

S'KA KOMENTE