Jeta dhe femrat

223

Vrasje, përdhunime, vjedhje… Fatalitet!

Nga Hysen Kica

Më duket se po ecim në një rrugë vërtetë fatale. Sapo të kontaktosh me mediat do ndeshesh me lajme për vrasje, përdhunime, drogë dhe aksidente tragjike. Çuditërisht ata i transmetojnë me dhjetra herë dhe me dëshirë të madhe sikur kanë gjetur një lajm të bukur. Ndoshta mendojne se duhet të edukohen, të bashkëjetojnë dhe të pajtohen njerëzit me psikologjinë e krimit!
Nuk e di. Unë nuk mendoj ashtu. Do mundohem ta them mendimin tim dhe arsyet pse mendoj ndryshe duke ruajtur gjithmonë respektin për të gjithë ata që më lexojnë. Arsyeja pse dua ta them mendimin tim është shumë e thjeshtë. Dua të ndihmoj që njerëzit ta ndjejnë pak më shumë përgjegjësinë dhe dhimbjen e këtyre dukurive.
Për mendimin tim njerëzit kanë ardhur në këtë jetë për të buzëqeshur e për të gëzuar, pa u bërë keq të tjerëve dhe duhet të udhëhiqen nga motivi se të gjithë duhet të jenë të barabartë. Në rrugën e gjatë të ecjes së njerëzimit nuk ka patur kurrë barazi dhe më tepër ka sunduar ligji i pyllit sesa i qytetërimit. Të gjithë të pafajshmit kanë thirrur e vazhdojnë të thërrasin por nuk i dëgjon askush. Mua më duket se kjo padrejtësi rëndon më shumë mbi femrat. Që në fëmijëri femrat shqiptare ndjehen jo të barabarta në shumë familje ku ka edhe raste që përdhunohen edhe nga babai i tyre, nga shokët e babait, shokët e mamit e të vëllait, nga kushërinjtë apo nga komshinjtë. Pastaj shantazhohen dhe detyrohen edhe të prostituojnë. Nuk më duket e drejtë të themi se shumë femra lindin prostituta. Po të lexosh edhe historinë e Matta Harit, të përkthyer nga professor Jashar Demiri, mëson se edhe ajo është detyruar të bëhet prostitutë.
Vajzat shqiptare gjenden para shantazheve të tilla që kur janë në shkollë. Ka raste që ndonjë  mësues u kërkojn marrëdhënie seksuale që t’i kalojë ndryshe… Nuk kalojnë. Shumë vajza vijnë nga zona me prapambetje të theksuar ekonomike e kulturore dhe detyrohen të prostituojnë për të siguruar të ardhurat e nevojshme ekonomike që u nevoiten për të kryer studimet e larta. Këto raste gjuajnë ata që quhen “ biznesmenë “ dhe u hedhin prangat e varësisë ekonomike e seksuale këtyre vajzave të mjera pavarësisht se janë më të moshuar se edhe prindërit e tyre.    Poshtërsitë nuk kapërcehen më kurrë. Edhe të kërkojnë një vend pune në shtet apo në privat shumë vajza duhet të shëndërrohen në “ dashnore “ të punëdhënësve. Ndryshe nuk ka as punë dhe as perspektivë për të ardhmen e tyre. Plaku “ dashnor “ bëhet edhe xheloz. Nuk i lejon të dashurojnë e të ndërtojnë jetën e tyre familjare. I torturon, i kërcënon, i lidh, ua djeg mishin me cigare, u ngul thikën apo plumbin, u merr jetën dhe… I hedh në humnerë. Opinioni dënon viktimën e mjerë dhe jo kriminelin se ai është “ boss “ dhe e blen pafajsinë.
Ka edhe plot vajza që nuk arrijnë dot të vazhdojnë as shkollën e mesme. Në rastet më të pafat ato mbeten të mbyllura në shtëpi dhe të pamundura të martohen. Pasi kalojnë vitet ato trajtohen si të huaja e të ofenduara edhe në shtëpinë e prindërve të tyre dhe shuhen kështu ëndërrat e tyre të bukura për jetën. Shëndërrohen në krijesa të pafat e të mjera dhe mund të bien pre e trafikantëve apo mashtruesve që gjuajnë çdo rast të tillë.
Kam mësuar se në Gjermani dhe pothuaj në gjithë shtetet europiane, u sigurohen kurse kualifikimi, punë dhe banesë të gjitha vajzave që mbushin moshën 18 vjeçe dhe që nuk e kanë mbështetjen e prindërve. Për gjithë kohën që janë të papunë ato mbahen me asistencën sociale. Këto janë realitete shumë humane.
Po në Shqipëri! Kam dëgjuar se edhe vajzat e jetimores i nxjerrin në rrugë sapo mbushin moshën 18 vjeçe. Ku dhe si duhet të jetojnë vajzat shqiptare!

S'KA KOMENTE