USHTARAKËT, TË MUNDUARIT E PANJOHUR DHE TË PAVLERËSUAR, PJESË ELITARE E KOMBIT

159

Publicisti ushtarak  Sakip  Cami flet për jetën ushtarake, por dhe për kontributin në Bulqizë

-Ka shumë histori me të rinjtë e asaj kohe, që mësonin në shkollën Skënderbej apo në Shkollën e Bashkuar. Ishte dëshira juaj për vazhdimin e  Shkollës së Bashkuar dhe si nisët studimet në këtë shkollë
Unë kam qëndruar 31 vjet nën armë, 27 vjet oficer dhe 4 vjet shkollë ushtarake, përveç kurseve kualifikuese. Një jetë e tërë nën rrobat kaki. Pa i hequr për anjë minutë as edhe në dasma. Kam  hyrë në Shkollën e Lartë Ushtarake nga gjimnazi. Ishte viti 1972. Kishte nevojë për oficerë dhe për këtë degët ushtarake morën porosi për të rekrutuar studentë  ushtarakë nga gjimnazet, pasi Shkolla “Skënderbej” nuk i plotësonte nevojat dhe se pikërisht në këtë kohë do të kalohej në arsimin e lartë ushtarak.  Unë në atë kohë isha në gjimnazin “Ismail Qemali “ të qytetit të Laçit. Për hir të së vërtetës kisha mbaruar me mesatare 9.5 dhe dëshiroja të vazhdoja për mjekësi ose për gazetari. Ishte sezon provimesh, qershor 1972 dhe në gjimnaz vjen shefi i degës ushtarake  të rrethit të Krujës. Bisedoi me drejtorin e shkollës dhe përzgjodhi 5 vetë, midis tyre edhe mua. I thashë se unë dua të vazhdoj për mjekësi. Ç’ke ti, do të vazhdosh për mjekësi ushtarake, më tha shefi i degës ushtarake, të cilin nuk e fiksova as për emër dhe nuk e takova më. Babai im ish partizan dhe ish ushtarak më nxiti që të shkoja dhe unë si fëmijë  i bindur, në fund të gushtit të vitit 1972 u ndodha në oborrin e shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Gjëja e parë që na u bë ishte qethja tullë. Dy shokë të mi ish gjimnazistë kërcyen nga muret e shkollës dhe nuk u kthyen më. Pranuan të shkojnë ushtar dhe nuk vazhduan më shkollën ushtarake. Unë vazhdoja të bindesha dhe të prisja se çfarë do të bëhej me mua. Nuk mund të bëja më mbrapsht. Pastaj na veshën me rroba ushtari. Na thanë se do të bëjmë një vit ushtri dhe më pas dy vjet shkollë ushtarake. Ndonëse kishim shkuar për shkollë të lartë ushtarake tre dhe katër vjeçare me program universiteti. Me ne ishin edhe skëndebegasit, të mërzitur njëlloj si ne, të ardhurit nga jeta civile. Ata kishin veshur rrobat ushtarake që në moshën 14 vjeçare. Deri në këtë kohë kishin humbur katër vjet nga rinia e tyre dhe do të humbnin edhe katër vjet të tjera shkollë ushtarake.

-Si e filluat shkollën, si ishte dita e parë
Si e fillova ¬. U bë si u bë dhe përfunduam në Plug të Lushnjës, në fermë, për të ndihmuar dhe për të punuar në mbledhjen e misrit. Aty ishin edhe të internuarit, edhe banorët, edhe ne. Na futën në një stallë pulash. Gjasme e kishin pastruar. Nuk kishim as edhe 50 cm vend për të fjetur. Duhet të flije në ije.  Kjo ishte dita më e vështirë e jetës deri në këto çaste. Isha njeri i vuajtur. Vija nga fshati dhe nga qyteti, por kështu nuk kisha parë e dëgjuar. Ushqeheshim me gaveta, pinim ujë fushe.

-Po pas aksionit në Lushnjë
Pas aksionit të Plugut të Lushnjës na kthejnë në Tiranë dhe na rreshtojnë në oborrin e shkollës për të marrë caktimet e degëve të shkollës. Më në fund Ministria e Mbrojtjes kishte vendosur me e hapur shkollën e Lartë Ushtarake tre vjeçare. Unë prisja se do të shkoja për mjekësi  ushtarake. Akoma në atë anë flija. Ndërkohë kishin lëvizur miqtë dhe shokët për degët e mira. Më caktojnë në degën e Artilerisë Kundër Ajrore. U mërzita jashtë mase, por nuk fola me asnjeri. Me kë të flisja ? Çfarë mund të thoja ? Kujt mund ti ankohesha ? Ju nënshtrova përsëri fatit dhe degës së caktuar. Ishim 30 studentë kur filloi kursi, skëndebegas  dhe nga jeta civile. E përfunduam 19 veta. Nuk e përballuan 11 veta. Disa dolën të paaftë (me dëshirë) , disa ndrruan degët, disa mbetën në provime. Shkollën e lartë të Bashkuar e ndanë në tre pjesë në Shkollën e Bashkuar aty ku është edhe sot, në Shkollën e Artilerisë tek Rrapi i Treshit dhe në Shkollën e Tankeve në Zall Herr. Ne ishim tek Rrapi i Treshit dhe kishim komandant Mustafa Novin, ushtarak artiler shumë i përgatitur që kishte mbaruar në Rusi dhe që kishte qenë partizan në Br 18 . Njeri i jashtëzakonshëm. Kuadër dhe prind i shkëlqyer njëkohësisht.

-Si i kujton pedagogët e tu
Kujtoj me respekt komandantin e Grupit Kreshnik Lushaj, yllin e paradës dhe të paraqitjes, Real Kuzmin një oficer qytetar me botë, Sazan Matlliun, Hysen Qamiranin, Limoz Veliun  etj, pedagogët e nderuar Rrahim Hallaçi, Piro Jançe, Fahri Allushi, Agim Qoku, Vullnet Didini , Dhimitër Vllahu, Dino Ahmeti, Nebi Koni etj. Disiplina ishte e lartë. Kërkesa e llogarisë gjithashtu, por binte në sy njerzillëku dhe bashkëpunimi. Ngriheshim në orën 05.30. Dilnim në gjimnastikë mëngjezi, gjimnastikë i thëncin se ishte vrap 5 km çdo ditë. Në ditët me shi kapotat i vendosnim midis batanijeve për tu tharë me ngrohtësinë e trupit. Pothuajse cdo muaj ditën e dielë bënim krosin deri në malin e Dajtit dhe kthim. Pastaj të lahesh e të vishesh me uniform liridalje për të shëtitur mbas dite në qytetin e Tiranës. Të dielat në Tiranë  i  kujtoj me nostalgji. Disa nga ne mbanin fshehurazi rroba civile për xhiro.

-Në vitet e shkollës a e frekuentonit teatrin
Po. Porositnim bileta në Teatrin Popullor. Pikërisht në ato vite me ato aktor të mëdhenj kam parë në skenën e teatrit dramën “Arturo Ui”. Dhe kur e shoh sot me aktorë të dubluar, me skenë të sakatuar ndjej dhimbje. Jeta artistike për hir të së vërtetës gumëzhinte në Tiranë.  Shfaqeshin 14 filma artistikë në vit. Çdo muaj një film i ri. Shkolla kishte edhe një rreth letrar të organizuar që drejtohej nga Fluturak Gërmenji. Bëheshin konkurse artistike midis batalioneve me pjesëmarrjen në juri të artistëve të mëdhenj si Margarita Xhepa, Kadri Roshi etj.

-Këtu  fillojnë bashkëpunimet  tuaja me gazetën Luftëtari dhe me revistën 10 Korriku
Unë në atë kohë bashkëpunoja me gazetën “Luftëtari” dhe me revistën “10 Korriku”. Letërsinë dhe gazetarinë e kisha pasion të hershëm që në gjimnaz. Shkruaja për shokët. Redaksia e gazetës kishte gazetarë të përgatitur, që kishin mbaruar edhe shkollën “Skënderbej”  edhe fakultetin e gazetarisë. Edhe pas mbarimit të shkollës ushtarake dhe vazhdimit të punës si oficer unë kurrë nuk e ndërpreva bashkëpunimin me shtypin ushtarak dhe me gazetën lokale “Ushtima e Maleve”. Ruaj kujtimet më të mira për bashkëpunimin me krijuesit ushtarakë Fuat Çeliku, Demokrat Anastasi, Thanas Tane, Mina Qirici, Lirim Deda etj.
Shërbeva rreth 20 vjet në Burrel, Peshkopi e Bulqizë. Zura rrënjë në Bulqizë sepse në atë vend të ftohtë nuk shkonte njeri. Edhe në Bulqizë kishim një shtëpi ushtarakësh me aktivitet të dëndur artistik . Shtëpia e Ushtarakëve kishte drejtues gazetarin ushtarak Demir Rusi dhe  libretist Halil Ramën. Në atë shtëpi kemi ndenjur me Dritëro Agollin, Anastas Kondon, Zija Çelën , Luan Malajn, Apostol Dukën, Sami Milloshin, Hysni Milloshin etj.
Për herë të parë në Peshkopi kam takuar dhe jam njohur me shkrimtarin ushtarak Agim Hila. Aty jam njohur me artistin e merituar Hazis Ndreu, me shkrimtarin Xhafer Martini dhe me shumë njerëz të letërsisë dhe artit në këtë qytet.
-Nga puna si korespondent shtypi a ke pasur dhe momente të vështira
Nga puna si korespondent shtypi dhe oficer njëkohësisht kam edhe  momente  të vështira. Në vitin 1989 shkrova në gazetën “Zëri i Popullit” vëzhgimin me titull “Kur do të rregullohen rrugët dhe ndriçimi në qytetin minator  të Bulqizës ? “ Por ajo kohë nuk ishte si sot që shkruhen me mijëra artikuj dhe nuk reagon askush as Presidenti, as Parlamenti, as Kryeministri, as Kryebashkiaku, askush. Të gjithë heshtin që të mërziten dhe të lodhen së heshturi gazetarët dhe populli. Me të dalë artikulli kërcitën telefonat nga Komiteti i Partsië, Komiteti Ekzekutiv etj. Kishin verifikuar faktin se artikullshkruesi ishte oficer në Bulqizë dhe kishin sinjalizuar komandën e Divizionit të Bulqizës. Komandanti i Brigadës kishte nisur korrierin drejt meje. Çfarë ke bërë more, mu drejtua mua. Të kërkon Zv kryetari i Komitetit. Shko dhe jepu përgjigje S’kam bërë gjë, kam shkruar një shkrim në gazetën e Partisë dhe të Popullit, i thashë duke u larguar.
Komisari dhe komandanti i Divizionit G. Hoxha dhe T. Hila mbajtën qëndrim shumë të mirë dhe realist. Nuk keni punë me oficerin, shkoni dhe rregulloni rrugët ku po i nxjerrim sytë çdo natë , thanë ata. Oficeri ka shkruar të vërtetën. Kështu u mbyll kjo çështje. Pas vitit 1985 gjërat u vështirësuan edhe më shumë. Ra ekonomia. Nuk kishte furnizime as për popullin dhe as për ushtrinë. Shpërthyen demonstratat në Kosovë  dhe Millosheviçi ashpërsoi makinën e tij ushtarake.

-Cilat janë momentet më të vështira në këtë periudhë
Isha me shërbim komandant reparti në një repart buzë kufirit. Një herë në dy javë vija tek familja. Kisha gruan për lindje dhe nuk shkova dot. Kush e lexon, nuk e beson ose do të më konsiderojë naiv. Por duhet ta kthesh aparatin e memories në atë kohë dhe në ato kushte.
Pas vitit 1990 erdhi demokracia. Nga ushtarakët pati edhe pro edhe kundra. Nuk është e vërtetë se ushtarakët nuk e deshën demokracinë. Të vuajturit kurrë nuk e vrasin shpresën, por njerëzit e mësuar me rregull dhe disiplinë nuk pajtohen me kaosin dhe rrëmujën, me mungesën e disiplinës dhe të organizimit.
Përsëri bashkëpunova me shtypin, këtë herë me gazetën “Ushtria”. Në vitin 1999 Shqipëria dhe ushtria e saj u vu përpara provës së madhe, të ndihmës së saj ndaj Kosovës dhe ndaj NATO-s. Në këtë kohë ndodhem në Rinas dhe ftohem nga shtypi ushtarak.
Tek gazeta Ushtria gjej miqtë  e mi të mrekullueshëm , drejtorin Beqir Skreli, kryeredaktorin Thanas Tane, gazetarët Afrim Imaj, Xheladin Çelmeta, Agustin Gjinaj, Nexhbedin Basha, kryeredaktorin e revistës Mbrojtjes Halil Katana, gazetarët Sadik Muraj dhe Halil Bucpapa, piktorin Kosta Raka, artistë dhe njerëz të mrekullueshëm. Po të shfletosh shtypin e vitit 1990 nga janari deri në fund të luftës më 10 qershor 1999 do të lexosh kryetitujt: “Tym e flakë Grykë e Morinit” “Plagoset Ram Buja” etj Gazeta Ushtria ishte bërë zëdhënëse e luftës së Kosovës dhe e reparteve tona që kishin shkuar në kufi, në Kukës dhe në Tropojë. Korespondentët Azem Parllaku në Kukës dhe Asllan Osmani në Tropojë  njoftonin direkt nga fronti i luftës. Gazetarëve ushtarakë  Sadik Muraj dhe Xheladin Xheladin u shpërtheu predha e mortajës para syve në Grykën e Morinit. Komandanti i Divizionit të Kukësit Gjeneral Kudusi Lama në një dhomë priste gazetarët e CNN dhe në dhomën tjetër komandantët e UÇK me të cilët kordinonte veprimet. Në atë periudhë kishim një ministër mbrojtje si Luan Hajdaraga që e demokratizoi shtypin ushtarak dhe e la të lirë të shkruante realisht pa shtrëngesa, një ministër mbrojtje dhe një shef shtabi të përgjithshëm si Aleks Andoni që e xhvendosën zyrën në Kukës pranë frontit.
Kujtimet për atë periudhë janë të shumta dhe impresionuese. Disa prej tyre i përmblodha në një libër. Kam edhe shumë për të shkruar.

-Si e kaloi ushtria jonë provën gjatë luftës në Kosovë
Ushtria shqiptare e kaloi provën e madhe  me sukses gjatë konfliktit të Kosovës si për mbështetjen e UÇK ashtu edhe për bashkëpunimin me NATO-n. Jo rastësisht Shqipëria u pranua para që në vitin 2008 në NATO, ndonëse politika dhe ekonomia nuk i kishte realizuar plotësisht objektivat.
Edhe sot duhet pranuar me dhimbje se ushtarakët nga elitë dhe pararojë janë kthyer “vetëm për nevoja të ngutëshme”. Është e pafalshme që buxheti i ushtrisë të jetë më pak se 2 %, ndonëse është edhe detyrë nga NATO që të jetë mbi 2%. Ish ushtarakët trajtohen si mjeranë , si gjynahqarë dhe si mëkatarë. Politika ua ul me vendime antikushtetuese edhe pensionin e parakohshëm , i shpall  debitorë (a thua se kanë vjedhur) , më pas ua “fal” debitë.
Në një stërvitje shumëkombëshe në Nju Jork të SHBA e pyeta një koleg amerikan se sa paguhej. Ai mu përgjigj 3 mijë dollar në muaj. Kur më pyeti  ai,  unë i thashë 3 qind dollar.
Dhe më tej vazhdoi bisedën majori amerikan :” Ti i dashur koleg përveç gjuhës tënde të nënës di edhe anglisht, kurse unë vetëm gjuhën time të nënës. Pra ti je më i përgatitur se unë”.
Në çdo mision ku kanë shkuar oficerët shqiptarë janë shquar për disiplinë, përgatitje dhe nivel të lartë.
Realizimi i detyës ndaj atdheut për çdo shqiptar është raporti me pavarësinë e vendit. Dhe në këtë kontekst ushtarakët shqiptarë janë krenarë sepse në asnjë kohë nuk e vunë në diskutim mbrojtjen dhe pavarësinë e vendit, e mbrojtën atë me gjak, prandaj shoqëria shqiptare duhet t’ju kushtojë më shumë respekt dhe përkrahje ekonomike e shoqërore këtyre njerëzve që sakrifikuan gjithçka për atdheun.

Intervistoi: Albert Zholi

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakSHENJTORJA SHQIPTARE
Artikulli tjetërJeta dhe femrat

S'KA KOMENTE