SHENJTORJA SHQIPTARE

183

Shoqata Atdhetare-Kulturore “Bulqiza” ka përshëndetur aktin historik të Papa Françeskut

Data 4 shtator e këtij viti do të mbetet ditë historike për mbarë njerëzimin! Papa Françesku ka shpallur shenjtore humanisten shqiptare Nënë Tereza. Humanistja shenjtërohet 13 vite pas Lumturimit nga Papa Gjon Pali i II-të dhe 19 vjet pas vdekjes

Papa Françesku shpalli shenjtore Nënë Terezën në një ceremoni madhështore dhe shumë emocionuese në sheshin “Shën Pjetër” të mbushur me qindra e mijëra besimtarë nga e gjithë bota ku binin në sy flamujt shqiptar dhe ai i Kosovës.
Papa Francesku lexoi formulën e shenjtërimit në gjuhën latine e më pas shpërthyen duartrokitjet. Në altar u vendosën relike të shenjtores së saposhpallur. Ati i Shenjtë u shpreh se murgesha shqiptare u angazhua në mbrojtje të jetës dhe ngriti zërin aq sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, ndërsa theksoi se mëshira ishte për Nënë Terezën dritë për njerëzit e varfër.
“Sot po ju dorëzoj këtë figurë emblematike! Ajo qoftë modeli juaj i shenjtërimit! Ndoshta do të jetë e vështirë ta thërrasim Shën, por Shenjtëria e saj është kaq pranë nesh! Një Nënë që u bë Shenjt. Nënë Tereza e ngriti zërin dhe sfidoi të pushtetshmit e tokës, fajtorë të varfërisë” u shpreh Ati i Shenjtë në fjalën e tij para 100 mijë besimtarëve dhe 13 delegacioneve zyrtare mes tyre edhe personalitete te politikes shqiptare.
Papa Françesku tha se Nënë Tereza ishte një bujare e mëshirës hyjnore që do të kujtohet gjithmonë nga të gjithë.
“Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse e mëshirës hyjnore, duke qenë gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtjes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e të flakur tutje.
U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ua njohur dinjitetin, që ua jep vetë Zoti; e ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre.
Mëshira për të ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.
Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje.
Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh”. Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë” tha Papa.
Mesha në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan u mbajt në disa gjuhë dhe së fundi, në gjuhën e Shën Terezës në shqip.
Në mbarë botën, e jo vetëm në Kishë, u përjetua me gëzim pritja për shenjtërimin e Nënë Terezës.
Nënë Tereza bëhet shenjtore, me rastin e 19 vjetorit të vdekjes së saj dhe nga 4 shtatori i këtij viti, çdo 4 shtator do të njihet si dita e festës së Shën Terezës.
Të pranishëm në Vatikan në shenjtërimin e Nënë Terezës ishin edhe krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Presidenti Bujar Nishani, Zonja e Parë, Kryeministri Edi Rama kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe kreu i PD, Basha ishin në selinë shenjtë. Në Vatikan ishin edhe drejtuesit e besimeve fetare në Shqipëri.
Shenjtërimi i Nënë Terezës është festuar edhe ne Kalkutë. Ndërsa në Shqipëri u zhvilluan një varg aktivitetesh.
Shenjtërimi i Nënë Terezës është një moment historik për të gjithë shqiptarët në mbarë botën, teksa një pjesë e tyre ishte edhe në Vatikan.
Sheshi ‘Shën Pjetër’ ishte blinduar nga masat e rrepta të sigurisë me 3 mijë agjentë, ndërsa ishin mbi 100 mijë besimtarë, 15 delegacione dhe mbi 600 gazetarë që përcollën shenjtërimin e Nënë Terezës.

 

SHOQATA “BULQIZA” përshëndet aktin historik të Papa Françeskut

Shoqata Atdhetare-Kulturore “Bulqiza” ka përshëndetur aktin historik të Papa Françeskut, duke e konsideruan shenjtërimin e  Nënë Terezës, ngjarje të jashtëzakonshme për shqiptarët.
Kryetari i kësaj shoqate, z.Bashkim Lami vlerësoi Shenjtërimin e Nënë Terezës një ngjarje për të gjithë njerëzimin.
“Shenjtërimi i Nënë Terezës apo procesi i kanonizimit, padyshim që është një ngjarje për të gjithë njerëzimin sepse Nënë Tereza i përket mbarë njerëzimit me modelin e jashtëzakonshëm që ajo solli dhe frymëzoi në të gjithë botën për të ndihmuar dhe për t’i shërbyer njerëzve më të varfër, më të uritur, më në nevojë, në një mënyrë tepër të thjeshtë, të përulur dhe modeste. Dhe padyshim që edhe për ne si shqiptarë, kudo ku jemi dhe jetojmë, është një ngjarje e jashtëzakonshme për shkak të origjinës dhe të gjakut të saj”, shprehet z.Lami. Ai e konsideron Shenjtërimin e Nënë Terezës, edhe një detyrim për të reflektuar edhe më shumë në këtë moment kur e gjithë bota nderon një figurë të shquar. “Padyshim që kjo na bën që të krenohemi, por sigurisht kjo na detyron të reflektojmë edhe më shumë në këtë moment kur e gjithë bota nderon një figurë të shquar dhe krejt të veçantë të njerëzimit në mënyrë që të punojmë të gjithë më shumë për të qenë të përulur para atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë dhe për mbështetjen tonë, për më shumë solidaritet dhe shpirt sakrifice ndaj tyre. Dhe natyrisht edhe për të qenë më paqësor dhe bashkëpunues me njëri-tjetrin dhe me të gjithë në jetën tonë të përditshme”, theksoi z.Lami.

 

 

Nëna u bë Shenjt, “Jemi krijuar për të dashur”

Nënë u bë Shenjt, dhe shpirti i bamirëses do të thoshte; “Ne kemi ardhur në këtë jetë nga dashuria, jemi të ndërtuar nga dashuria dhe jemi krijuar për të dashur”. Dashuria është motivi që preku zemrat e miliona dëshmitarëve të mrekullisë së saj.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkut, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e lume nga Papa Shën Gjon Pali II.
Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, e cila në vitin 2012 përbëhej nga më shumë se 4500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që vdesin nga HIV/AIDS, lebra dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet të përmbahet betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për t’i dhënë “shërbimin falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve”.
Gjatë viteve, bamirësia e misionareve të Nënë Terezës u zgjerua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë “me të varfërve nga të varfërit” në 450 qendra në mbarë botën. Nënë Tereza fliste rrjedhshëm pesë gjuhë: Bengalisht, Shqip, Serbisht, Anglisht dhe Hindisht.

S'KA KOMENTE