Zgjatet koncesioni i minierës. Parlamenti shtyn edhe 10 vjet afatin për ACR Holding

248

Koncesioni i shfrytëzimit të kromit në Bulqizë do të zgjatet edhe për dhjetë vite më shumë nga kontrata fillestare, për t’u shtrirë deri në vitin 2040

• Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike z. Roland Keta tha se ky ligj ka një rëndësi të veçantë për qytetin e Bulqizës, sepse i jep një shpresë të madhe minatorëve, për punësimin, zhvillimin ekonomiko-social, sigurinë në punë. Sipas deputetit democrat, koncesioni i Bulqizës është i lidhur ngushtë me jetëgjatësinë dhe shtimin e vendeve të punës

Parlamenti zgjati edhe me 10 vjet të tjera afatin e koncensionit të Minierës së Kromit në Bulqizë, për kompaninë private, ACR Holding, pjesë e Balfin Group. Ministri i Energjetikës, Damjan Gjiknuri tha se zgjatja e këtij afati deri në vitin 2040, lidhet me investimet shtesë që do të kryejë koncesionari në Bulqizë.
Në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar, më 25 korrik 2016, Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për miratimin e shtesës së marrëveshjes së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, si autoriteti kontraktues, dhe ACR Holding, S.R.L., si koncensionari, për rehabilitimin, operimin dhe transferimin e Minierës së Kromit, Bulqizë, të Fabrikës së Pasurimit Bulqizë, të Impiantit të Seleksionimit, Klos dhe të Uzinës së Ferrokromit, Burrel”.
Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike z. Roland Keta tha se ky ligj ka një rëndësi të veçantë për qytetin e Bulqizës, sepse i jep një shpresë të madhe minatorëve, për punësimin, zhvillimin ekonomiko-social, sigurinë në punë. Sipas deputetit democrat, koncesioni i Bulqizës është i lidhur ngushtë me jetëgjatësinë dhe shtimin e vendeve të punës.
Ndërsa deputeti i PS-së, Ervin Bushati sqaroi se kjo marrëveshje koncensionare do të ketë efekte pozitive në rritjen e punësimit dhe përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë për minatorët, forcimin e instrumenteve të monitorimit të zbatimit të kontratës nga autoriteti kontraktor, rregullimin e çështjes së financimit e të investimeve, etj. “Nga ana e shoqërisë koncesionare është ofruar mundësia e një investimi në vlerë të konsiderueshme rreth 24 milion dollarë në 8 vite për thellimin e pusit të minierës dhe përmirësimit të kushteve teknike”,- vijoi z. Bushati.
Ky ligj u miratua me  95 vota pro dhe 2 abstenim.
Qeveria thotë se zgjatja e marrëveshjes do të ndikojë edhe në rritjen e jetëgjatësisë së minierës dhe investimeve që do të kryhen, e që do të mundësojnë nxjerrjen e 700 mijë tonë rezervave të tjera kromi.
Së bashku me koncensionin e Bulqizës, qeveria ka shtyrë me 10 vjet edhe afatin e koncensionit për Uzinën e Ferrokromit në Elbasan dhe për minerat e kromit të Përrenjasit e Pojskës.
Projektligj “Për miratimin e shtesës së marrëveshjes së koncensionit ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, si autoriteti kontraktues, dhe ACR Holding, S.R.L., si koncensionari, për ndërtimin, operimin dhe transferimin e Uzinës së Ferrokromit në Elbasan dhe për minierat e kromit të Prrenjasit e Pojskës” u miratua  me  95 vota pro dhe 2 abstenim.
Gjithsesi, gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, disa prej deputetëve patën shprehur rezerva për faktin që koncesioni ka ndërruar tre herë pronar, që nuk ka respektuar investimet e nënshkruara në kontratë, për fitimet e kufizuara për arkën e shtetit, por dhe për numrin e madh të aksidenteve me pasojë vdekjen e minatorëve, raporton Shqiptarja.com
Deputeti Genc Ruli vuri pikëpyetjen mbi gjobat e akumuluara në vite nga ana e koncesionarit, që arrijnë në miliona euro. ‘’Ka pasur një pikë shumë të debatuar në lidhje me investimet e parealizuara. Investimet kanë kondicionuar rritjen e prodhimit, nuk ka pasur prodhim sepse kanë munguar investimet’’, u shpreh Eduart Shalsi.  ‘’Doja të dija a janë zbatuar ndër vite kontratat nga këto kompani që kanë kaluar nga njëra tek tjetra? E dyta, a janë zbatuar investimet sipas kontratës të përcaktuar?’’, ka pyetur Rakip Suli.
‘’Në Shqipëri kemi një situatë dramatike për aksidentet nëpër miniera, jo konkretisht për këto dy kontrata por në përgjithësi për të gjitha llojet e liçensave që jep ministria juaj’’, është shprehur Mimoza Hajdarmataj. Por zyrtarë të Ministrisë së Energjitikës, kanë pohuar se ai ka qëllim rritjen e kohëzgjatjes së shfrytëzimit të minierës, por rregullon dhe raportet e shtetit me koncesionarin. Kjo sipas tyre për faktin se ‘’Nga ana e shoqërisë konçesionare është ofruar mundësia e një investimi në vlerë të konsiderueshme rreth 24 milionë dollarë përtej parashikimit fillestar për investim duke kërkuar miratimin e një plani duke qenë se këto investime do të shtrihen në një përiudhë 8-vjeçare’’.
Në këmbim të zgjatjes së kontratës, kompania koncesionare ka marrë përsipër të investojë 24 milionë dollarë në 8 vite për thellimin e pusit të minierës dhe përmirësimit të kushteve teknike.
Marrëveshja e konçesionit të Bulqizës është nënshkruar në vitin 2001 me afat fillestar 30 vjet. Por me ndryshimet e reja ky afat zgjatet në 40 vjet dhe përfundon në vitin 2041.
Qeveria e justifikon zgjatjen e afatit të koncesionit me argumentin se koncesionari do të kryejë investime të reja në minierë. Në dokumentet që shoqërojnë projektligjin, qeveria pretendon se në marrëveshjen e re parashikohet që kompania private të investojë edhe 24 milionë euro të tjera shtesë në minierën e Bulqizës dhe Uzinën e Pasurimit në Klos.
Sipas dokumenteve, këto fonde do të investohen në hapjen e pusit numër 9, si dhe tranverbankun e Klosit, dy investime që qeveria pretendon se do të bëjnë të mundur rritjen e jetëgjatësisë së minierës dhe nxjerrjen e rreth 700 mijë tonë rezerva të tjera kromi.
Ndërkohë, veç konçesionit të Bulqizës, qeveria ka shtyrë me 10 vjet edhe afatin e koncesionit për Uzinën e Ferrokromit në Elbasan dhe për minierat e kromit të Prrenjasit e Pojskës, të cilat zotërohen po nga i njëjti konçesionar, kompania ACR Holding.

PS në opozitë akuzonte
Gjatë kohës që ishte në opozitë partia socialiste ka hedhur akuza të forta kundër ish qeverisë së partisë demokratike se ishte duke favorizuar kompaninë koncesionare. Madje në atë kohë ish deputetët të majtë e cilësonin kompaninë që zotëronte koncesionin si e afërt me qeverinë.
Por me ardhjen  në pushtet duket se mendimet e Partisë Socialiste kanë ndryshuar. Me shtesën e re, koncesioni i minierës së kromit në Bulqizë, bëhet kështu koncesioni më i gjatë në vend me një afat rekord prej 40 vjetësh.

S'KA KOMENTE