Plan i ri investimesh, Gjiknuri: Po shtohet jetëgjatësia e minierës së Bulqizës

180

Në 2 vjet e gjysmë u realizuan investime në vlerë 10,6 milion USD

• Aktualisht, në Minierën e Bulqizës është realizuar tashmë rreth 80% e volumit të punimeve të pusit nr.9 të thellësisë. Në përfundim të këtij investimi, do mund të zgjatet jeta e minierës për të paktën edhe 25-30 vite të tjera duke hapur rezerva të reja minerare

Në seancën e fundit për këtë sezon, Parlamenti miratoi dy projektligje të rëndësishme për sektorin minerar në Shqipëri që kanë të bëjnë me shtyrjen e afatit të koncesionit për koncesionin e Minierës së Bulqizës; Fabrikës së Pasurimit Bulqizë, Impiantit të Seleksionimit Klos; Uzinës së Ferrokromit Burrel dhe Uzinës së Ferrokromit në Elbasan.
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri deklaroi se deri në vitin 2013, për shkak të mungesës së monitorimit nga qeverisja e kaluar, këto marrëveshje koncesionare mund të cilësoheshin të dështuara për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve për planin e investimeve.
Miniera e Bulqizës kishte humbur sipas tij përspektivën duke rrezikuar të mbyllej ndërsa puna për hapjen e Traverbankut të Klosit dhe dhe Pusit të thellësisë nuk kishte filluar. “Uzina e Ferrokromit në Burrel ishte në konservim dhe as këtu nuk ishte investuar për tu vënë në punë. Uzina e Ferrokromit në Elbasan punonte me kapacitet të reduktuar, me një furrë me eficencë të ulët. Investimet u gjetën në fazën e tyre fillestare të inicimit nga koncesionari i ri”, theksoi Gjiknuri.
Ai sqaroi se Qeveria e re ndërmori një kontroll dhe monitorim intensiv të të gjithë sektorit minerar përfshirë e në veçanti edhe marrëveshjet koncesionare në shfrytëzimin e mineralit të kromit.
“Përmes edhe deri masave pezulluese për një periudhë të caktuar, qeveria detyroi koncesionarin që të fillonte zbatimin intensiv të programit të investimeve. Në 2 vjet e gjysmë u realizuan investime në vlerë 10,6 milion USD, aq sa koncesionari i mëparshëm kishte investuar në 12 vjet. Kjo bëri natyrisht që objektet koncesionare të rikthehen në eficencë të plotë por edhe tu kthehet përspektiva thuajse e humbur plotësisht. Aktualisht kemi të bëjmë me një koncesion që punëson mbi 1000 persona dhe operon me kapacitet të plotë në sektorin minerar shqiptar, pavarësisht luhatjes së fortë në përkeqësim të çmimeve të mineraleve në tregjet ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj situate të pafavorshme, prodhimi i mineralit të kromit në Bulqizë u rrit ndjeshëm. Nëse në vitin 2013 prodhoheshin 268,120 ton krom, në fund të vitit 2015 prodhimi në Bulqizë arriti në 424,486 ton.”, nënvizoi z.Gjiknuri.
Në përputhje edhe me objektivin e programit të qeverisë për zhvillimin e industrisë përpunuese dhe për krijimin e ciklit të plotë brenda vendit është bërë e mundur që të rritet ndjeshëm prodhimi i ferrokromit.
“Vënia në shfrytëzim e fabrikës së ferrokromit Burrel dhe përpunimi i skorjeve të ferrokromit në Elbasan çoi prodhimin e ferrokromit në Shqipëri për vitin 2015 në 43,669 ton. Mjafton të kujtojmë se në vitin 2013 niveli i prodhimit të ferrokromit në vend ishte vetëm 24,018 ton. Ky përmirësim në prodhimin e kromit dhe ferrokromit u bë i mundur vetëm në sajë të masave dhe kontrolleve të ushtruara nga ana e institucioneve përgjegjëse shtetërore”, u shpreh z.Gjiknuri.
Aktualisht, në Minierën e Bulqizës është realizuar tashmë rreth 80% e volumit të punimeve të pusit nr.9 të thellësisë. Në përfundim të këtij investimi, do mund të zgjatet jeta e minierës për të paktën edhe 25-30 vite të tjera duke hapur rezerva të reja minerare.
Është kryer një investim i rëndësishëm në minierën e Qafëbuallit e cila është rikthyer në punë duke prodhuar tashmë 1500 ton krom/muaj. Pavarësisht vështirësive teknike, ka ecur me ritme të kënaqshme hapja e Traverbankut të Klosit, një prioritet për shmangien e rrezikut të përmbytjeve të minierës. Pavarësisht se koncesionari kishte ezauruar që prej vitit 2012 detyrimet e investimeve në Uzinën e Ferrokromit Elbasan, gjatë viteve 2014-2015 u investua për kalimin e dy furrave në dopio nivel çka mundësoi punën me kapacitet të plotë.
Në Qershor 2015 u vu në punë edhe furra nr.2 ndërsa Uzina e Ferrokromit Burrel tanimë është funksionale duke prodhuar mineral të cilësisë së lartë për tregun evropian.
Investimet e realizuara nga Janari 2013 deri në Qershor 2015 kanë arritur në vlerën totale 10,6 milion USD. Mbeten për tu investuar për një periudhë 8 vjeçare edhe 24,2 milion USD të tjera.
Nga vlera totale e planit të investimit, vetëm 11,4 milion USD janë detyrime per investime të prapambetura të para vitit 2013 ndërsa diferenca prej 23,4 milion USD përfaqësojnë investime të reja shtesë të cilat merren përsipër tashmë nga koncesionari.
Për Uzinën e Ferrokromit në Elbasan, koncesionari ka një plan shtesë investimesh prej mbi 1 milion Euro me të cilin do të kryejë përditësimin teknologjik. Për vet aktivitetin e integruar nxjerrje minerali/pasurim/shkrirje, kjo uzinë është një nga asetet më të rëndësishme koncesionare.
Në uzinën e Ferrokromit Burrel, autoriteti e ka parë me interes të ndryshojë planin e investimit fillestar duke parashikuar tashmë investimin e një furre tërësisht të re, bashkë me gjithë impiantet përkatëse, në vend që të investohej sipas planit fillestar me rikonstruksion. Investimi për furrën e re parashikon gjithashtu investimin në sistemin e lëndeve të para, në impiantin e ri të thyerjes së ferrokromit, sistemet e pluhur-kapjes etj.
Me miratimin e ndryshimeve të paraqitura, hapet prespektiva e objekteve koncesionare, hapet mundësia e investimeve të reja. Kjo realizohet vetëm me anë të zgjatjes së afatit të koncesionit të domosdoshëm për të bërë të mundur rikthimin e investimeve.
Ndalimi i transferimit të marrëveshjes së koncesioneve te palët e treta pa miratimin e autoritetit kontraktues (qofte edhe brenda të njëjtit grup kompanish) është një tjetër çështje shumë e rëndësishme që trajtohet nga shtesa e marrëveshjes. Kjo bën të mundur kontrollin më të fortë nga ana e autoritetit kontraktues. Risi e shtesës është forcimi i instrumentave të monitorimit të zbatimit të marrëveshjeve nga autoriteti kontraktues. Vihen afate të qarta për mbledhjen e penaliteteve, çdo Shumë Penaliteti, nëse ka, do paguhet nga Koncesionari Autoritetit Kontraktues në përfundim të çdo Faze Investimesh brenda 2 (dy) muajve nga kërkesa me shkrim që i dorëzohet Koncesionarit. Ky është një ndryshim shumë i rëndësishëm në favor të Autoritetit Kontraktor, pasi nuk pritet përfundimi i periudhës së investimeve për të parë nëse Koncensionari ka zbatuar apo jo detyrimet e tij për të bërë investime, por periodikisht, në fund të cdo faze investimi. Dicka e tillë, do ta bëjë planin e investimeve shumë më të monitorueshëm dhe detyrimin e Koncesionarit për të investuar në kohë, shumë më të prekshëm.
Përmes këtij projektligji përcaktohen qartësisht një seri detyrimesh që i takojnë koncesionarit dhe autoritetit kontraktues për ruajtjen dhe menaxhimin e aseteve gjatë periudhës së koncesionit dhe dorëzimit të tyre në përfundim të tij.
Shtesa rregullon çështjen e financimeve të mundshme pasi në kohën kur është lidhur marrëveshja koncesionare, praktika dhe eksperienca ndërkombëtare por edhe ajo vendase nuk ishin në nivelin aktual.
Përgatiti: Halil RAMA

S'KA KOMENTE