MYFIT DERVISHI, KONTRIBUT REAL PËR ZHVILLIMIN E METEJSHËM TË ARSIMIT NË QYTETIN E BULQIZËS DREJTOR SHKOLLE DHE QYTETAR NDERI ME VLERA TË ÇMUARA

1984

Një drejtor shkolle mjeshtër në organizim dhe drejtim  Myfit Dervishi.
Lindi në fshatin Krajkë , komuna Zerqan , rrethi Bulqizë nga një familje me tradita atdhetare dhe liridashëse. Mbaroi shkollën fillore në vendlindje ndërsa 7-vjeçaren në Zerqan dhe më 1 shtator 1952 ka filluar punën si mësues në rrethin e Dibrës, pas një kursi 3-mujor me rezultate të larta për mësues, të organizuar nga Ministria e Arsimit. Filloi punën për herë të parë si mësues në shkollen fillore “Steblevë” të Klenjës, pastaj në vazhdimësi ka shërbyer mësues në fshatin Strikçan të Zerqanit, në fshatin Katund i Ri dhe Tomin të qytetit Peshkopi deri në vitin 1956-1957.  Gjatë periudhës së viteve shkollore 1953-1954 deri në Qershor 1957 vazhdoi studimet në Shkollën e Mesme Pedagogjike Peshkopi me rezultate të larta.
Më 1 shtator 1957 u emërua zv.drejtor i shkollës 8-vjecare “Demir Gashi” të qytetit Peshkopi, ku jepte lëndën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në ciklin e lartë të kësaj shkolle deri në fund të vitit shkollor 1960-1961. Në 1 shtator 1961 deri në vitin 1964 mbarovi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër në degën Gjuhë Shqipe, Letërsi dhe Histori. Në shtator të vitit 1964 u emërohet drejtor shkolle në shkollën 8-vjecare “Xhevdet Doda” Bulqizë. Me qene se i gjithë qyteti i Bulqizës kishte vetëm një shkollë 8-vjecare numri i nxënësve dhe i mësuesve u rrit shumë nga viti në vit. Në këtë shkollë arsimin 8-vjeçar të detyrueshem vinin edhe nxënësit e fshatit Vajkal. Kështu numri i nxënësve arriti në vitin 1988 në 2480 nxënës me 92 mësues.  Me një punë kembëngulëse dhe me ndërgjegje të lartë në punë u bë një kuadër i kompletuar dhe i aftë për të përballuar çdo detyrë në fushën e arsimit duke dëshmuar aftësi të larta shkencore dhe profesionale si mësues dhe drejtor shkolle. Gjithashtu për ngritjen e nivelit arsimor të klasës punëtore që punonin kryesisht në ndërmarrjen e mineralit të kromit, ndërmarrjen gjeologjike Bulqizë e institucione të tjera shtetërore u hap dhe shkolla e mesme pa shkëputje nga puna në degën minerale, gjeologjike dhe arsim të përgjithshëm në vitin shkollor 1967-1968,  ku e vazhduar këtë shkollë dhe u diplomuan me qindra kuadra punonjes të qytetit të Bulqizës. Shkolla që drejtonte Myfit Dervishi mori emrin Shkolla e Mesme e Bashkuar dhe si drejtor  filloi të reformojë  arsimin 8-vjeçar me shkëputje nga puna dhe arsimin e mesëm pa shkëputje nga puna.  Myfiti  kurdoherë pasionant në punë kishte një ritmikë dhe intensitetnë organizimin dhe kualifikimin e mësuesve duke e shndërruar institucionin e tij arsimor në një qendër të rëndësishme kualifikuese për Bulqizën zerqanin e më gjerë. Rigoroziteti dhe korrektesa, fryma motivuese dhe arti i drejtimit, bëri që Myfiti të dallohet në rrethin e Dibrës si një drejtues shembullor dhe me mjaft eksperiencë.  Nga vlerësimin e lartë që kishin për Të, opinioni publik dhe strukturat shtetërore të arsimit, arriti të punojë në të njejtin pozicion drejtimi 32 vjet rresht.  Gjatë gjithë viteve të kryerjes së detyrës si drejtor shkolle, dëshmoi aftësi të plota shkencore dhe specialisti mjaft të aftë . Jepte shembullin  personal si metodist për metoda të reja mësimdhënie dhe ngirjen cilësore të procesit mësimor edukativ. Punoi me ngulm dhe tërhoqi kolektivin pedagogjik me synime të qarta për ta vënë shkollën në baza të plota shkencore dhe pedagogjike. Si drejtor dhe mësues Myfiti kishte marrëdhënie shumë të ngushta me mësues e nxënës, nxiste ambicjet, aftësitë profesionale dhe imagjinatën krijuese të mësuesit me besim të plotë për të arritur objektivat e caktuara.  Ai ngjallte optimizëm dhe të shkëpuste si me magji për realizimin e ideve krijuese në procesin mësimor dhe edukativ. Punonte pa zhurmë duke shprehur energji të mëdha në profesionin e tij si mësues dhe drejtor. Myfiti ishte kërkues, profesionist në punë, i dashur dhe njohës i shkëlqyer i punës pedagogjike e psikologjike të problemeve që lidheshin me nxënësit. Për punën aktive në veprimtaritë sistematike , kualifikuese dhe me ndërgjejgje të lartë si mësues e drejtor në fushen e mësimdhënies , për rezultate të larta cilësore në procesin mësimor edukativ është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri” .
Në vitin shkollor 1975-1976 deri në vitin shkollor 1979-1980 e dërguan  për shkëmbim përvoje drejtor në shkollën 8-vjaçare “Asllan Keta” Fushë-Bulqizë. Aty ka punuar në mënyrë të palodhur si për ngritjen e nivilit mësimor, edukativ të shkollës, ashtu edhe për hapjen e një shkolle të mesme të re bujqësore me dhe pa shkëputje nga puna për koperativistët dhe kuadrat e administratës së Kooprativës së Bashkuar Bujqësore Bulqizë , ku dolën kuadro të vlefshëm si juristi Ali Shehu dhe të tjerë si Gani Keta , Agim Tuci , Ramazan Kica etj. Në vitin shkollor 1980-1981 e sollën përsësi drejtor në shkollën e mesme të bashkuar të qytetit Bulqizë , ku vazhdoi punën me këtë detyrë deri në fund të vitit 1994, vit, i cili doli në pension .
Vitin shkollor 1989-1990 u ndje nevoja që qyteti i Bulqizës të kishte 2 shkolla 8-vjecare, pasi numri i nxënësve sa vinte e rritej si pasojë e lëvizjen domografike të popullsisë së qytetit me familje punëtorësh, që zhvendoseshin në qytetin e ri , i cili po zgjerohej me pallate të reja gjithnjë e më shumë. Me kërkesë të vazhdueshme qoftë nga drejtoria e shkollës dhe këshilli i qytetit u dha fondi për ndërtimin e një shkolle të re nga komiteti ekzekutiv i rrethit, e cila u ndërtua dhe filloi ndarja e nxënësve  në këtë shkollë të re e quajtur shkolla 8-vjeçare “Lagjia e Re” që sot emërtohet shkolla 8-vjeçare “Shefqet Tançi”.  Mësues të vjetër dhe me provojë ju shkëputën shkollës “Xhevded Doda” për të vazhduar procesin mësimor-edukativ në shkollën e re, e cila e nisi mësimin me mjedise, infrastrukturë të re dhe palestër. Shkolla kishte 4 kate me një numër nxënësish prej 970. Vitet e para me gjithë vështirësitë e veta u menaxhuan me profesionalizëm nga një numër kuadrash me vlerë me në krye drejtorin e parë të kësaj shkolle z.Myfit Dervishi, i cili me mençuri tërhoqi pas vetes mësuesit më të mirë të këtij qyteti.  Puna plot pasion dhe përgatitja e lartë profesionle e drejtorit dhe mësuesve, përkushtimi dhe sakrificat e kolektivit pedagogjik e ngritën shumë shpejt emrin e mirë të kësaj shkolle.
Kolektivi pedagogjik aktual i kësaj shkolle tashmë krenohet me historikun e saj dhe kujton me nostalgji emra mësuesish që kanë dhënë mësim gjatë viteve si : Myfit Dervishi ( drejtor e mësues ), Naile Karai, Vjollca Bici, Emin Gjapi, Rustem Murrja, Suzana Gurra, Altina Lusha, Bashkim Novaku, Salman Alla, Bashkim Lami, Halil Begu, Skender Murrja, Elmira Përhati, Medin Karai e shumë e shumë të tjerë. Shembulli model dhe i lartë në punë gjatë 42 viteve të z.Myfit Dervishi në arsim, sidomos në qytetin  e Bulqizës, do të mbetet për kolegët e tij si frymëzim i gjallë për mësuesit e ardhshëm në profesionin fisnik të mësuesit.
punës në arsim, z.Myfit Dervishi është aktivizuar edhe në aktivite shoqërore të qytetit të Bulqizës për problemet edukative ku ka punuar me shumë intensitet të lartë në bashkëpunim me organet e pushtetit dhe organizatën e gruas për forcimin e unitetit në popull tek qytetarët e Bulqizës, sidomos për problemet shqetësuese sociale, për forcimin e unitetit në familje, zhdukjen e konflikteve bashkëshortore në familje dhe problemet e tjera të edukimit të qytetarëve dhe moshës rinore në shkollë, familje e shoqëri. Ka qenë 10 vjet me rradhë anëtar i këshillit popullor të Bulqizës ku mbulonte problemet e arsimit e të kulturës.
7 mars 2011 me vendim të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Bulqizë iu dha titulli Qytetar Nderi i këtij qyteti.  Në ceremoninë e organizuar për këtë qëllim në kinemanë e qytetit Bulqizë me të gjithë mësiesit e dy shkollave 8-vjeçare, mësues të  shkollave të mesme dhe qytetar të shumtë z.Myfit falenderoi Bashkinë dhe të gjithë qytetarët e Bulqizës për këtë vlerësim të lartë që i bënë, ku ai kaloi moshën e rinisë dhe pleqërisë të jetës së tij në shërbim të zhvillimit të arsimit për 36 vjet me rradhë ( nga këto 32 vjet drejtor shkolle ). Me këtë rast Bashkia Bulqizë dhe vetë Myfiti përshëndetën me kënaqësi dhe emocione kolegët mësues e  nxënës që me shumë mund, përpjekje e sakrifica punuan me këmbëngulje e ndërgjegje të lartë për ngirtjen cilësore të procesit mësimor edukativ në shkollë, edukimin e brezit të ri dhe zhvillimin e mëstejshëm të arsimit në qytetin e Bulqizës.
Me 32 vjet punë   si drejtor shkolle, Myfit Dervishi, përbën një shemull sinjifikativ, që kur një drejtues shquhet për inteligjenca të shumëfishta që lidhen me drejtimin, organizimin, kualifikimin personal, motivimin e burimeve njerëzore, etikën dhe estetikën e punës, dashurinë dhe pasionin e parreshtur për të shërbyer në sferën e edukimit, krijon koherencë dhe e thyen mitin e ndërrimit të drejtuesve për arsye  qarkullimi. I tillë njihet Myfit Dervishi në karrierën e tij intelektuale. Tani është në pension , me një mendje të kthjellët dhe vital. I urojmë pleqëri të mbarë
H.M.

S'KA KOMENTE