Kompozitori dhe dirigjenti Xhelil Ymeraj, një jetë në pentagram

571

Nga Hajri Mandri

Lindi më 22.09.51 në Zall-Kalis të Sllovës, Dibër. Në moshën 7-vjeçare filloi shkollën në fshatin e lindjes, me mësues Uk Shehun, dhe Rexhep Çoren dhe më 1972 vazhdoi shkollën 7-vjeçare si vullnetar së bashku me Elmaz Muratin dhe Lazam Elezin,  ku do të bashkoheshin me shokë të tjerë: Zylfi Hoxha, Bashkim Beqiri, Nexhmi Beqiri, Mentor Beqiri, nën edukimin pasionant të mësuesve: Rruzhdi Biba, Halim Shehu, Alush Cala, Ibrahim Daci, Han Poka. Në vitin 1965, pas një konkursi fiton të  drejtën e studimit për të vazhduar Shkollën e Mesme të Kulturës, Tiranë, ku u diplomua për mësues muzike. Mësuesja e solfezhit Evgjeni Kosharja i dha mësimet e para muzikore por ai që la mbresa në edukimin e tij  estetik ishte Muhamet Prodani një kompozitor i famshëm, mjaft modern për kohën.
Ai u rrit dhe u edukua midis shokëve të mrekullueshëm që e deshën dhe e inkurajuan në udhën e bukur të artit. Kontaktin e parë me punën Xhelili do ta merrte në shtëpinë e kulturës së Kalasë së Dodës Dibër më 1969. Një vit më vonë emrohet në Sllovë në Shtëpi të Kulturës, dhe pas konkursit  në Institutin e Lartë të Arteve, fitoi të drejtën e studimit më 1971. Me mbarimin e studimeve të larta për dirigjim koral dhe teoritik, emrohet në estradën profesioniste të Peshkopisë, ku pas një viti stash pune mbroi diplomën me një koncert artistik me këngë korale, valle, pjesë instrumentale në shfaqjen e  ansamblit “Dibra” të qytetit të Peshkopisë. Komisioni i ardhur nga Tirana me përfaqesues të shquar si personalitete të artit muzikor si dirigjent Mustafa Krantja, Konstandin Traka, Hamide Struga, Nexhmedin Doko i cili ishte pedagogu i dirigjimit.
Një punë e madhe me profesionalizëm e  përkushtim  bëri së bashku me udhëheqësin e diplomës, kompozitori Zef Çoba.  në kontekstin shoqëror Xhelil Ymeraj rrethohej me kolegë që performonin cilësisht në fushën artistike.

Shokët e kursit:

Fatmir Hysi, pedagog në Akademinë e Arteve
Josif Minga, kompozitor, Korçë.
Gazmend Mullai, kompozitor, Tiranë.
Keti Qosja, pianist, Elbasan
Thanas Caci, pianist, Vlorë.
Kosta Loli, Gjirokastër, nga shokët më të ngushtë.

Në vitin 1977 transferohet në Pallatin e Kulturës Bulqizë, me detyrën e shefit të muzikës.
Këtu janë të shumta veprimtaritë muzikore që përbënin pothuaj bërthamën e tërë veprimtarisë kulturore të programuar për qytetin dhe punëtorët e minierës. Intensiteti i veprimtarive javore nxiti shkathtësinë dhe shprehi të shumta për t’iu përgjigjur vakumit estetik të atij mjedisi punetorë dhe industrial, me punë, përpjekje, fantazi, kreativitet, këtij mjedisi social që duhej patjetër të zbukurohej dhe të zhurmohej përmes muzikës si joshje dhe relaks pas betejave të punës së vrullshme të qytetit minator. Vetë puna dhe jeta e këtij qyteti përbënte një temporitëm  të formalizuar që në harmoni me kontekstin politik, shoqëror dhe ekonomik, duhej t’i përgjigjej mesazhit që prodhonte mjedisi edhe me produkt estetik. Ndaj qindra aktivitete, koncerte fetivale për fëmijë dhe të rritur, drama e variete, fanfara dhe kinemaja konkurse artistike dhe letrare,  forma të tjera kulturore përmbushnin dhe mbanin gjallë jetën shpirtërore të qytetit.
Pasioni dhe vullneti i artistëve Azem Teta, vëllezërit selmani: Besim, Ramazan e Novruz Selmani, këngëtarët Defrim Mandri, Jeta Mazari, Fllanza Cupi, Hide Jangulli, Myrteza Gjoka, Dashamir Islami etj. Kështu u shfaqën talente në të gjitha fushat si trupa e cirkut, e estradës, ansambli artistik “Bulqiza”, banda e qytetit , kinemaja, biblioteka, rrethi i letrarëve, teatri etj. Nga këtu do të zënë fill talente të mirënjohura në shkallë kombëtare si aktori Behar Mera e muzikanti Genc Sharku. Cilësia e interpretimeve erdhi në rritje sidomos në interpretimin e këngëve korale ku demostrohej një nivel i lartë kompozimi, orkestrimi dhe interpretimi në shumë zëra, duke sjellë në shijen e publikut vlera cilësore të estetikës muzikore.
Më 1986,  Xhelil Ymeraj u emrua Drejtor i Pallatit të Kulturës duke qenë jo vetëm një menaxher arti por edhe një producent i fuqishëm dhe udhëheqës artistik skupuloz dhe me shije të lartë. Mbështetur në vlerat kulturore dhe arritjet si në drejtim dhe metodologjinë kulturore, Xhelili do të emrohej Inspektor i Kulturës së rrethit Dibër, pranë Seksionit të Kulturës së këtij rrethi nga viti 1989 deri më 1992 dhe më pas mësues në Shkollën e Mesme të Muzikës, Peshkopi.
Në vitin 1998, transferohet në Tiranë ku punon për një kohë të gjatë si mësues i pjanos pranë shkollës Kombëtare Koreografike të Baletit. Kjo shkollë është njëkohësisht për Xhelilin një mjedis profesionistësh e cila do të stimulonte dhe do të ngrinte në një shkallë më të lartë edhe standartin e vlerave dhe arritjeve artistike.
Stimuli i brendshëm pedagogjik që e motivinte Xhelilin si mësimdhënës i artit ishte njëkohësisht një përgjigje në konteks i mesazheve dhe pritshmërive të artistëve të vegjël që mësonin me zell nga profesori i muzikës Xhelil Ymeraj. Niveli i lartë ideoartistik i veprimtarive artistike si shfaqjet gala, me një interpretim mjeshtëror dhe virtuoz të artisteve të ardhshëm krijonin në shpirtin e Xhelilit një ndjenjë të fuqishme emocionale që do të shndërrohej në motiv permanent për të mbajtur gjallë dëshirën dhe përkushtimin për vetëpërsosje si leitmotiv i artit dhe i artistëve. Në turnetë dhe shfaqjet e shkollës do të promovohen talentet e reja në muzikë dhe koreografi duke bërë që të përjetohen emocione të bukura në realitetin psikoestetik që të jep puna në fushën e artit të sotëm, i cili është në kërkim të vazhdueshëm të formave moderne për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të shijes së publikut. Kontributi i Xhelilit do të jetë evident në promovimin e vlerave edhe në aktivitete ndërkombëtare të trupës së shkollës së Baletit, si ato në Spanjë, Itali, Francë, Poloni, Rumani, Turqi etj. Aktiviteti krijues i Xhelilit do të shtrihet edhe në anketat muzikore të Radio Tiranës gjatë viteve 80-90. Pjesëmarrja me krijimtari muzikore në festivalin e këngës për fëmijë në Shkodër në vitet 1995, 1996, 2002 si dhe në qytetin e Peshkopisë ku ka qenë edhe drejtues i festivalit në vitet 94-98.  Më vonë do të marrë pjesë në disa festivale fëmijësh në Shkup, Maqedoni.
Krijimtaria muzikore e Xhelil Ymerajt përfshin një gamë të gjerë dhe duke e shtrirë në vite, kompozimet e këngëve të reja dhe orkestracionet janë me qindra dhe nuk mund të përmenden të gjitha por të përshkruajmë karakteristikat dhe veçoritë krijuese të këtij artisti. Fillesat e krijimtarisë së tij do ta marrin spunton nga folklori i vendlindjes së tij, Sllovës, rreth vitit1971, ku Xhelili me një intuitë të hollë do të gjejë linja origjinale dhe të thjeshta muzikore në terrenin folklorik dhe do t’i ngrejë në nivele të larta përpunimi,  si  këngën “Hej, Sllova jonë”, duke ia rikthyer publikut si këngë për solist e kor, me një dritë të re dhe vlerë të re artistike. Në vitin 1975  ka qenë drejtues artistik dhe dirigjent në dekadën e Majit, me rajonin nr. 3 Tiranë, ku u dallua në kompozimet për solist dhe kor. Në vitin 1978  në  Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjrokastrës, Xhelili ishte dretuesi i grupit të Dibrës. Interpretimi virtuoz me kavall të mjeshtrit Isuf Tusha, kishte në themel fantazinë dhe kreacionin e Xhelil Ymerajt.  Ndërsa në takimin e ansambleve në Durrës më 1981, Xhelili ishte në funksionin e dirigjentit të ansamblit Dibra. Në festivalin folklorik Kombëtar të Gjirokastrës 1978 do të jehonte kënga e Xhelil Ymerajt “O mirë se na erdhe”, e kënduar nga këngëtarja e mrënjohur Saje Poleshi. Kjo këngë ishte fryt i hulumtimeve të variacioneve muzikale folklorike të fshatit Zall-Dardhë, ku Xhelili dinte të përzgjidhte nektarin e këngëve popullore duke   përpunuar aty-këtu motive  të rralla, si xixëllonjat në fusha, ata forma melodioze,  interpretuar nga të moshuar. Pas viteve  ‘90 kur populli u motivua drejt hapësirave të reja demokratike natyrisht do të trazonin edhe në shpirtin e kompozitorit Xhelil Ymeraj, impulse të reja krijuese dhe frymëzuese. Mori një zhvillim të ri kocepti mbi çështjen kombëtare dhe qasja artistike e temës së  Kosovës. Me poetin e shquar të këngës Naim Plaku, kompozoi këngën “ Jam Kosovë kam le me emër” të cilën e interpretoi me mjaft pathos dhe profesionalizëm këngëtari Qerim Sula.
Më pas vijon kënga “Ma gëzofsh Kosovë lirinë” me tekst të Gjokë Becit dhe interpretuar nga këngëtari brilant Arif Vladi, si dhe një set këngësh ku preket sentimenti njerëzor dhe thellimi i humanitetit, si këngë kushtuar Gëzim Prençit, Semiha Jatës,  Bajram Dedës, Albert Zhukës, Abaz Agë Vleshës, me përpunime të këngëve matjane, duke bashkëpunuar me këngëtarin e shquar Esat Ruka, përpunime të këngëve dibrane për solist dhe kor, muzikë vallesh të interpretuara nga ansambli “Dibra” me motive nga krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe të interpretuara nga trupa artistike të rretheve të tjera dhe trevave shqiptare. Krijimtarinë e Xhelilit do ta rrisin në vlera interpretuese  këngëtarë profesionistë dhe të njohur si Sherif Dervishi, Denis Delia, Vitore Matoshi , Albert Ymeraj Defrim Mandri e Jeta Mazari.
Xhelil Ymeraj është edhe një kritik arti, vlerësues dhe eseist. Ai shkruan dhe me një sens kritike, kërkon të tërheqë krijimet dhe interpretimet drejt arritjeve dhe vlerave të larta. Kërkesat e reja dhe gjithmonë në rritje të Xhelilit për përsosmëri të formës dhe përmbajtjes artistike, është veçori e trendit dhe modernitetit të produksionit dhe karrierës së tij. Në shkrimet më të përmendura janë artikujt: Veçori dhe karakteristika të këngëtares Liri Rasha; nga jeta dhe krijimtaria e kompozitorit Muharrem Xhediku; Mbi disa veçori të muzikës dibrane; studim rasti për këngët “Shkon djali termale”, dhe “Këngë për Elez Isufin” si dhe një sërë kumtesash dhe trajtesa akademike në simpoziume kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në vitin 1984 dekorohet nga Kuvendi Popullor me medaljen “Naim Frashëri”, dhe në vitin 2015, këshilli bashkiak i Peshkopisë i jep titullin “ Nderi i kulturës dibrane”. Që nga viti 1970 e deri më sot ka me qindra inçizime në radio dhe televizionin shqiptar krijime muzikore të llojeve të ndryshme, si muzikë për fëmijë, muzikë për të rritur, muzikë të lehtë, popullore të përpunuara, orkestrale dhe forma moderne muzikore si kantata pjesë për pjano dhe orkestër, muzikë për vallë popullore dhe për balet etj,
Xhelil Ymeraj shfaqet si një personalitet artist shumëdimensional me produksion multidisiplinar si kompozitor dirigjent dhe kulturolog, me iteligjenca muzikore konstruktive me një fantazi dhe prirje natyrore që vërteton që është një personalitet elitar dhe me prirje dhe intuitë në punën drejtuese kulturore drejt një qasjeje të këndëshme dhe buonsens social dhe filozofik.  Me një sjellje shembullore ai u jep përgjigjen e duhur në kohën e duhur mesazheve estetike, kulturore, politike, sociale e morale për të mbetur një figurë e nderuar dhe një model i rrallë intelektuali që meriton nderim e respekt jo vetën nga audienca artistike por edhe ajo sociale. I dashur dhe konfident me njerëzit e  tij të gjakut dhe të familjes, Xhelili është një shembëlltyrë humaniteti. Si një prind parimor dhe me principe të traditës së familjeve intelektuale shqiptare, rriten më tej vlerat,  kompletojnë personalitetin dhe individualitetin, formatojnë figurën dhe begraundin e tij. Bashkëpunime të mrekullueshme ka patur me mësues dhe krijues që e rrethonin përgjatë verimtarisë së tij të cilët janë: Naim Plaku, Xhafer Martini, Lutfi Hanku, Avni H. Ndreu, Gjokë Beci, Jorgo Papingji, Munir Hoxha, Hysen Dervishi.
Xhelili kujton me respekt disa nga shokët e shkollës me të cilët ka ruajur kontakte të vazhdueshme:
Kolë Susaj, kompozitor
Naim Gjoshi, kompozitor, Elbasan.
Hysen Dervishi, regjisor,  Dibër.
Ndriçim Shani, kompozitor, Elbasan.
Vakthi Sheme, kompozitor, Fier.
Feraset Jaho, mësues muzike, Berat.
Bajram Ymeri, mësues muzike ,Tropojë
Njoftime Iskurti, muzikante, Peshkopi
Davë Gjini, muzikante, Mirditë
Bashkëpunimi me muzikantët e shquar shërbyen si një shkollë kualifikimi dhe shkëmbimi i përvojave krijuese:
Zef  Çobaj, kompozitor i shquar shkodran.
Përparim Tomçini, kompozitor i njohur dibran.
Edmond Zhulali, kompozitor i shquar në RTVSh.
Muzikantë e instrumentistë të shquar të estradës profesioniste të Peshkopisë; Nuredin Mazari, Adriatik Lamallari, Imer Seferi, Lahim Kola, Hyqmet Hoxha, Haki Shehu, Faik Vojka, Majlinda Lushi, Luan Murra, Islam Vani, Shpend Markja, Sherif Mera, Genti Shehu, Met Melani, dhe Isak Shehu, instrumentist, dekan i Institutit të arteve Tiranë.
Me këngëtarët e talentuar dibranë, Xhelili bashkëpunoi ngushtë me Arif Vladin, Liri Rashën, Vera Laçin, Flora Shabanin, Saje Poleshin, Abdyl Sturçe e Ali Sturçe.
Po kështu në Bulqizë bashkëpunoi ngushtësisht me Hysen Dervishin, Hajri Mandrin, Azem Tetën, Nesim Hykën, Genc Sharkun, Myrteza Gjokën, Bashkim Duriçin, Ramazan e Besim Selmani, Shyqiri Daçi, Sazan Bajrami, si  dhe këngëtarët e njohur të këtij qyteti: Defrim Mandri, Jeta Mazari, Fllanza Çupi, Hide Jangulli, Engjëllushe Shaholli, Fatbardha Jella, Dashamir Islami e Flutura Musaj.
Midis qindra këngëve dhe pjesëve të kompozuara ndër vite po japim një skedë të përzgjedhur të këtyre këngëve që transmetohen dhe përbëjnë ende vlera në fondin e artë të kulturës sonë kombëtare që ndodhen në fonotekën e Radio Tiranës.

Repertori i zgjedhur  krijues:

1. Këngë popullore e përpunuar. Kënduar nga Keti Angjeli dhe kori i ansamblit artistik tiranë. Dekada e majit, 1975.
2. Në ballë të 5 vjeçarëve. Këndoi Pëllumb Elmazi. Anketa muzikore në Radio – Tirana. Dhjetor, 1980.
3. Hekurudha e re. Këndoi Klotilda Daliu. Anketa muzikore në Radio Tirana. Shtator 1980
4.  Sa korabi . Këndoi grupi i burrave Bulqizë. Mars, 1984.
5.  Pse ashtu e pse kështu. Këndoi Asia Zeme. Festivali i fëmijëve Tiranë,1999. (Fituese e çmimit të parë.)
6. Ç’u mbush mali me brezare. Këndoi Arif Vlasdi e Gorentina Gjoka. Anketa muzikore Radio Tirana. Prill, 1980. ( Fituese e vendit të parë.)
7.  Pranë Jonit.  Këndoi Elida Koreshi.  Anketa muzikore, maj 1983
8.  Shoqja ime gjeologe Këndoi Vitore rusha, anketa muz., shkurt 1985.
9.  Lidhja e Prizerenit. këndoi Defrim Mandri, Bulqizë 1979
10. Pema e lirisë. Këndoi Hide Jangulli, Bulqizë 1979
11.  Moj e mira e malit.  Këndoi Fllanza Çupi e Defrim Mandri
12.  Fluturim shqipja ka marrë. Këndoi Defrim Mandri, Bulqizë 1979
13. I flet zemra zemrës. Këndoi Saje Poleshi,  Fest. Peshkopi,1982
14. Lulja qëndis lulen. Këndoi Rexhina Kthella, Fest. këngës Tiranë.
15. Nuk ke vend në truallin tonë. Grupi i burrave Bulqizë,1983.

Repertori i këngëve për fëmijë:

Në festivalin e Fëmijëve në Peshkopi të viteve 1994, 1995, 1996 kompozimet e Xhelil Ymerajt kanë fituar vendin e parë.
1. Me kukull s’luaj. Shkodër, 1995
2. Fili-fili. Shkodër, 1996
3. Këngën e tij këndoj tani. Peshkopi 1995. Fitoi çmimin e parë.
4. Pse ashtu e pse kështu. Tiranë, 1999. Fitoi çmimin e parë.
5. A e gjeni dot. Peshkopi, 2000.
6. Jetoj për ty Kosovë. Peshkopi 2001.
7. Veç me top do të luaj. Tiranë 2001.
8. Sa dëshirë kam. Shkup 2002.
9. Dy motrat. Peshkopi 2001. Fituese e çmimit të parë.
10. Aventura e maçokut. Tiranë 2001.
11. Fluturon a s’fluturon. Tiranë 2001.
12. Çanta me kontratë. shkodër 2002.
13. Imituesja. Tiranë 2004
14. A e gjeni dot. Tiranë 2005
15. Dallëndyshja dhe trumcaku. Tiranë 2006.
16. Biçikleta nuk ka tru. Tiranë 2007.
17. Dordolecin e kam shok. Tiranë 2008.
18. Lamtumirë fëmijëri. Tiranë 2010.
Talenti dhe dhuntia krijuese e Xhelil Ymerajt nuk mund të lindëte në një truall të zbrazët porn ë një trevë me tradita të herëshme krijuese, apasionantë dhe dashurues të artit. Ndoshta genet dhe lidhjet genetike e afërsisë së gjakut të çojnë drejt  Muharrem Xhedikut, Liri Rashës, Haziz Ndreut, Skënder Calës, prej nga rrjedh edhe delli krijues.   I urojmë krijimtari të ftytshme  !

S'KA KOMENTE