ALLIJET E STRIKÇANIT

360

Kohët e fundit jemi njohur me monografinë e shkruar nga Sabri Alliu me titull “Allijet e Strikçanit” ku autori shtron pyetjen: “Po qe se brezi ynë nuk përpiqet t’i zbulojë anët pozitive të të parëve tanë, ku do t’i gjejnë brezat që do të vinë të dhënat për ta?”   Qëllimi i autorit ka qenë që, të evidentoi vlerat e të parëve dhe të brezit tonë, për t’u lënë brezave të ardhshëm modelin më të mire, për të ndërtuar jetën.  Për këtë qëllim ai ka shfrytëzuar si material ndihmës, botimet që kanë përmendur Strikçanin dhe njerëz të tjerë me veprimtari të vlerësueshme për kohët që kanë jetuar.
Lexuesi në këtë monografi kupton se historia e fisit “Alliu” është e lidhur ngushtë me historinë e fshatit Strikçan të Grykës së Madhe dhe të mbarë Dibrës. Autori përshkruan pozicionin gjeografik të fshatit Strikçan me majat më të larta, si: Shkrepi i Madh, Qerrja e Sejdinit, Kodra e Rrahut të Madh ku shikon gjurmë llogoresh e istikamesh si dëshmie luftrave shekullore për liri e pavarësi. Me shembuj të shumtë dhe duke u mbështetur në autorë të ndryshëm, si Kristo Frashëri, Teki Selenica, Mois Murra, Sami Shehu, Fatos Daci, Fadil Shehu, Gafurr Zoto, Destan Rama, Bashkim Lami, ai ka paraqitur një tabllo të qartë për fisin dhe për fshatin e lindjes. Aty gjen fakte se Strikçani ka qenë dhe mbetet vendbanimi më i hershëm në Grykën e Madhe.Në verilindje të fshatit ka qenë ndërtuar një qytet i bukur antik që emërtohej “Qyteza Dibrana”. Nëpër këtë qytezë kalonte Rruga e Arbërit që të çonte në Strugën e sotme nëpërmjet luginës së Drinit të Zi dhe ndoshta kjo hedh dritë mbi emërtimin e fshatit Strikçan nga Stugçan (rruga që të çon në Strugë). Edhe në kohën e mesjetës Gryka e Madhe njihej me emrin “Tamadia”. Toponimet e ndryshme që kanë mbetur, si: Katunas, Mulliri i Doçit etj., tregojnë se ky vend ka qenë i banuar që në lashtësi. Fshatarët gjatë punimit të tokës në Fushë – Gurrë kanë gjetur qyngje ujësjellësi, tulla, etj., të cilat dëshmojnë se ky vend ka qenë një vendbanim i hershëm. Nga ana tjetër në libër përmenden fiset autoktonë dhe fiset e ardhur. Vetë fisi “Alliu” ka ardhur nga Bitoli (Manastiri) dhe është vendosur në fillim në Krujë dhe pastaj për arësye të ndryshme është shpërndarë në Fushë Bulqizë, Strikçan, Librazhd etj. Monografia ka më shumë karakter historik. Autori me kujdes ka sistemuar në monografi njohjen e të gjithë fisit “Alliu”, origjinën, pronat, aktivitetin e tyre për ta jetuar jetën dhe në dobi të vendlindjes.
Vend të veçantë zë përshkrimi i figurës së Ramiz Alliut si student në Stamboll dhe Vjenë që në vitet 1914 – 1916 ka punuar si mësues në Çepan të Skraparit dhe Çorrishtë të Mallakastrës. Veprimtaria e Ramiz Alliut është shumëplanëshe. Së bashku me patriotë të tjerë, si: Mehmet Duriçi, Hasan Pata, Destan Puca merr pjesë aktivisht në mbrojtjen e vendit tonë nga pushtuesit serbë. Vend të veçantë zë dhe përshkrimi i Kuvendit të Dhoksit.  Ku së bashku me patriot të tjerë, si: Bajram Curri, Elez Isufi, Halit Lleshi, Ramiz Daci, Mehmet Duriçi, Zija Dibra, Destan Puca, Bajram Zeneli, etj biseduan për taktikat ushtarake që referoi Ramizi që ishte shkolluar si ushtarak.
Ramiz Alliu kishte ndjekur me interes ngjarjet në Kuvendin e Arrasit, ngjarjet në Gropat e Ujkut etj. Në vitet 1921-1924 Ramiz Alliun e gjejmë mësues në shkollën e rihapur në Zerqan ku u shkolluan bijtë e bija nga fshatrat e Grykës Madhe, ndërsa në vitin 1923 ai ishte mësuesi që hapi shkollën e parë në Fushë Bulqizë. Pas viteve 1932 Ramizi gjëndet mësues në fshatin Zogje së bashku me Abdulla Basharin dhe Rremzi Pustinën, më pas punoi si sekretar komune në Zerqan dhe mësues në fshatrat e ndryshme të Dibrës,. Ai dha ndihmesën e tij të pakursyer për dy problemet më kryesore të kohës: Mbrojtja e tërësisë territorial nga pushtimi serb dhe përhapja e arsimit shqip.
Ramiz Alliu që kishte mbaruar liceun francez në Stamboll dhe Akademinë Ushtarake në Vjenë ishte njohës i shtatë gjuhëve të huaja, pavarësisht se kishte qenënë një bankë shkolle me Ahmet Zogun Ai kishte pikpamje politike të kundërta me të. Ahmet Zogu ishte për monarkinë, kurse Ramiz Alliu për demokracinë republikane dhe simpatizonte Fan Nolin. Kudo ku punoi, njohu varfërinë e madhe të popullit dhe për këtë i bëri një letër mbretit Zogu i I-rë duke i shprehur mendimin për nevojën e reformave radikale në të gjitha fushat.
Letra u keqinterpretua në pallat dhe miqtë e tij e këshilluan të largohej nga vendi se rrezikohej për t’u burgosur. Kështu veproi e iku në Bosnje – Hercegovinë në Fushën e Bonatit nga viti 1935 deri në vitin 1939 kur Shqipëria u pushtua nga italianët.  Ai kthehet në atdhe. Në fillim shërbeu si mësues në Zogje dhe pastaj në fshatin e tij të lindjes në Strikçan.  Pushtimin fashist e urrente në kulm. Një ish nxënës i tij tregon se copave të leximit që lavdëroninfashizmin u hiqte një kryq dhe porosiste nxënësit se nuk duhen besuar.
Në vitin 1938 filluan punimet për ndërtimin e shkollës në Strikçan e cila u bë gati me 10 shtator 1940.  Për të arritur në këtë ditë të shënuar u bën përpjekje të mëdha nga banorët arsimdashës të fshatit. Përpjekjet e disa brezave u realizuan. Mësuesi i parë që priti me dashuri vocrrakët që do të nisnin rrugën e dijes ishte Ramiz Alliu. Ai e mbajti shkollën hapur gjatë Luftës së Dytë Botërore duke përdor shpenzimet e veta për libra e fletore.
Pas kapitullimit të Italisë fashiste, nazistët shkrumbuan çdo gjë në Sofraçan. Predhat e mortajave godisnin pa pushim kodrat e Strikçanit. Të armatosur gjer në dhëmbë gjermanët rrethuan Kodrën e Allie-ve. Ramizi që nuk pati kohë të largohej u ndodh para komandantit gjerman. Ai iu përgjigj pyetjeve të oficerit gjermanisht gjë kjo që e bëri shumë kurioz se si një shqiptar në këto anë e fliste aq mirë gjuhën e tij. Ky komunikim i Ramizit me gjermanët e zbuti për momentin situatën dhe gjermanët ndaluan djegiet e reprezaljet në këtë fshat.Të nesërmen partizanët në të gdhirë sulmuan gjermanët duke u zhvilluar betejë mjaft e ashpër. Këtu ra heroikisht në tokën shqiptare mitralieri Italian, Zhuzepe Pigmatore, duke u bërë i paharruar në rradhët e njësive partizane.
Ramiz Alliu kishte ndërruar jetë 20 janar 1947. Emri i tij dhe i shumë intelektualëve të Grykës Madhe që ishin patriotë mbeten si yje që rrezatojnë dritë në errësirën shekullore të padijes për luftrat ndaj pushtuesve të huaj. Pas vdekjes autoritetet më të larta të vendit e kanë dekoruar Ramiz Alliun me titullin “Naim Frashëri” të klasit të parë.
Figura e mësuesit të përkushtuar Hysen Alliu qënë kujtesën e njerëzve mbeti modeli i njeriut në shërbim të njerëzve paraqitet me realizëm nga autori. Shkolla ku shërbente mësues Hyseni rrezatonte dritë e kulturë. Ai mbetet një shëmbull për të tjerët si arsimtar, si prind e punëtor i palodhur. Më 10 qershor 2010 u përkujtua në Strikçan, 70 vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe. Fjalën e hapjes e mbajti ish mësuesi i kësaj shkolle, z.Naxhi Hasa. Ndër të tjera në kumtesë ai trajtoi përpjekjet e banorëve të Strikçanit për arsimim që në kohë të vjetra. Janë mbi 50 arsimtarë nga ky fshat dhe gjysma nga këto i përkasin fisit “Alliu”. Në këtë përvjetor foli para pjesmarrësve Sabri Alliu, si djali i mësuesit të parë të shkollës në Strikçan që problemin e zhvillimit të arsimit e trajtoi në dy drejtime: së pari; Strikçani ka nxjerrë shumë arsimtarë të cilët kudo që kanë shërbyer kanë rrezatuar dije e kulture, së dyti: Nga gjiri i fshatit kanë dalë shumë kuadro që shërbejnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Kujtimet e Mustafa Tolles, Medi Beqirit për mësuesit e tyre të parë u pritën me kurreshtje.
Selim Alliut që u bë legjenda e arsimit në Dibër zë vendin që i takon të në monografi. Në ato vite, Ai, prioritet i dha lidhjes së teorisë me praktikën, aftësimit të brezit tëri për jetën e punën dhe nderimit të figurës së mësuesit si figurën kryesore të shkollës dhe të dijes e kulturës në mjedisin ku jetonte. Selimi ishte një intelektual i kompletuar që u përkiste të gjithëve. Mendja e tij e kthjellët dhe e thellë, puna me pasion e kompetencë, kultura shkencore dhe letrare, erudicioni i gjërë ishin tipare që Ai mbeti pishtari më i spikatur për arsimimin e Dibranëve.
Ai duke kërkuar zbatimin në praktikë të metodave më të pavarura të kohës ishte frymëzues e nxitës ndaj mësuesve, jo vetëm në drejtim të mësimdhënies, por edhe në drejtim të mbledhjes së trashëgimisë kulturore. Me veprimtarinë e tij të shquar vuri bazat e arsimit e kulturës në Dibër duke dhënë një ndihmë të madhe në përgatitjen e kuadrove në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ai mbeti arkitekti i mendimit pedagogjik dhe i konsolidimit të shkollës dhe për arritjet e tij është titulluar “Mësues i Popullit” dhe “Qytetar Nderi” i Peshkopisë dhe i Zerqanit.
Monografia është plotësuar me foto të ndryshme që plotësojnë përmbajtjen e saj. Monografinë e bëjnë tërheqëse figurat letrare që autori i përdor në funksion të idesë, si:
krahasime: si rrezet e diellit; si vullkan; e bardhë si shpirti; si mjergull; si përrallë; si pika uji; si hijet e vdekjes, etj. Epitete: pyll i bekuar; uji i kristaltë; peisazh përrallor; cicërima të ëmbla; trimëri e pashoqe, etj. Retiçenca: dhomë në katin e dytë… e shtruar me dërrasë… disa ibrikë bronxi… etj.
Monografia mbyllet me kapitullin “Zemërgjërësia e malit të Strikçanit” ku autori me një metaforë shumë domethënëse, pasi nuk është as mjek e as herbalist, por është një amator e admirues i mjeksisë alternative që vetë problemet shëndetësore të tij e kanë shtyrë për më shumë se një gjysëm shekulli të merret me bimët mjeksore. Këtu ai don të tregoj begatitë e mëdha që mbartin ato vise të vendlindjes së tij në dobi të jetës e shëndetit.
Në fund monografia mbyllet me anaforat:
Lamtumirë, o mori kodër
Lamtumirë dhe ti livadh
Më dhatë shumë shpresë
Më dhatë shumë mall.
Në këtë monografi që është libër i hapur edhe për të tjerë, vendosen nga autori me mënyrën e tij vijat e bardha të jetës nga duhet të ecin brezat që do të vijnë.
Të parët tanë mbollën farën e dijes dhe rezultatet brezat po i jetojnë.
E ardhmja do të jetë më premtuese.
B.L

S'KA KOMENTE