Kërkoj fjalë për të vërtetën Bulqizë

1394

Cikël poetik nga Martin Cukalla

Shënim:
 Ua dedikoj këto vargje burrave të njohur e të panjohur që kanë punuar apo që punojnë ende në minierat e kromit të Bulqizës. I kam shkruar si nderim dhe respekt për ata. Shpreh mirënjohjen time për z.Halil Rama  sepse, me kërkesën e tij për të botuar një cikël poezish në gazetën “Bulqiza”,  më dha mundësinë të ringjall kujtimet e mia dhe të shkruaj diçka për njerzit që respektoj dhe nderoj pa kushte:puntorët e nëntokës Bulqizë…   

1. kërkoj fjalë për të vërtetën Bulqizë
përzgjedh disa fjalë që i shkojnë të vërtetës aty:
e para është natyra
ka qënë tepër e pakursyer në hiret e saj
mrekullisht e pasur
(por dhe shumë e paqartë)
motivoi njerëzit për shumë arsye të trimërohen
e të ndërtojnë në akull e acar
jetë për kundër erës së veriut!

e dyta: ndoshta njeriu aty mëson të jetojë
në paqe
mrekullisht çiltër
(por dhe shumë i paqartë):
shumë e acaruar jeta, brejtur nga ankthet e moteve
dhe fjalë të pathëna,
fsheh urrejtje apo është pjesë e urrejtjes?

Fjala e tretë fjala e katërt e më, nuk janë lutje:
vëllazëri e besë!
i drejtë dhe i gabuar kisha pas qënë,
më shumë si fakt i gjallë, i pa histori
atje ku provohet të bëhet historia
në do të pranojë.
ajo që nuk do të pranojë:
a është prekur një nerv mrekullie i jetës?

fjala e parafundit është errësirë arkivoli
shumë e saktë
e pa etiketuar
flet për të ngatërruar moshat dhe epokat.
është marrë marrëzia nga duart e dikujt
dhe kujt i ka mbetur, babëzia
tjetërkujt
jo shkëmbit a njeriut ?!

Së fundi: dhelprat nuk durojnë
fjalët që thotë guri a zemra e burrit.
të njëjtët njerëz që thyejnë emrat e tyre
nuk mund të durojnë dritën e errësirës
që vjen prej galerive!
është çarë moti, ka pjellë nëpër ngrehina djaj
që klithin kryqëzimeve aty…

II. mirënjohje
jeta nuk më ishte një shelg, më qe një përrua!
zbriste i zemëruar, i brishtë e i gjakosur
çast pas çasti, ditë pas dite.
nuk më intervistonte koha.
detyrë e detyruar… nën vëzhgim… pa prehje…
aspak pronar
e aq më pak konformist…

dhe ishim një komunitet i planifikuar fjalimesh!

Fat dhe Mundësi!
një mbrëmje e akullt dhe një mëngjez i varfër
ishte takimi im me Bulqizën…
rrihte një telefon i prishur.
dëbora kërkonte të kuqin e zemrës së fëmijëve
dhe era ulërinte Qafës së Buallit në kërkim të presë-
ulkonjë  e pangjinjur.

dhe ishim një komunitet i planifikuar fjalimesh!

ishte nga ato gjëra jo aq të zakonshme përfshirja
në vorbulla të kthjellëta:
sy më sy e zemër më zemër, shkëmbi mund të na merrte jetën!
dhe ish i njëjtë për çdo njerin.
më pak shanse kish në mua.
tek ju, orë e çast në përgjim!
orë e çast në përgjim dhe syri i mëmave tuaja
si dritë kandili…

dhe ishim një komunitet i planifikuar fjalimesh!

unë nuk jam gjyshi që them:
ju falënderoj fëmijë të dashur për supën…
jam zgjuar çdo mëngjez duke ju pritur e duke më pritur.
ankth ishte dreka, mbrëmja po ashtu shkonte në hyrje të galërisë
si të ishte fëmijë, me vështrimin pezull në sfond,
një fantazëm në qiell, qeshur mbi ju…
një fantazëm në qiell, qeshur mbi mua…

dhe ishim një komunitet i planifikuar fjalimesh!

Fat dhe mundësi!
Ju më çelët dritare që nuk i kisha parë kurrë!
pimë nga i njëjti burim. kemi ngrënë nga e njëjta bukë.
fjala e ashpër vërtet por mbante zemrën në dorë.
drithëronte syri i palotë, sy luftëtarësh që i kuptojnë shënjat e luftës,
nuk trëmben,
as shkruajnë komente për aktrim
në mëngjezet e lamtumirës.

III. përtërij kujtimet
natë e zymtë sonte, hëna mbështell dherat.
forma e errët qiellit zbret të gjejë gjelbërim.
Unë, zhytur në brengë, shkoj më larg në kujtime.
prirem e mpiksem. rrahje e nxehtë e erës
nëpër rrugët me zhurmë…

as e lodhur dhe as si në mjegull kujtesa çiltër:
çdo sekondë minute, çdo minutë ore, çdo orë die 24orëshe!
kështu për muaj, kështu për vit, dhjetë vjet rresht!
burrë e shkëmb, akull e fjalë, buzëqeshje, vështrime, lodhje,
këngë … ngjeshur e ngjeshur. asgjë e përsëritëshme, asgjë vetmitare,
turne. brigada. fëmijë. Vagona. vagona
ecin e vijnë.
një valle lufte…

një valle lufte ishte vërtet!
luftëtarët vinin të lodhur mbi ca stola të drunjtë në Zisa të mbuluar,
kthenin nxitimthi një dopio fërnet në klubin  e madh,
iknin nëpër fronte me një “Mirëdalç!”. të buzëqeshur
i përpinin galeritë. e ata i dërgonin jetës jashtë lumin e kromit
të mbahej jeta në këmbë… a të shërohej e nesërmja…

të shërohej e nesërmja?! ndoshta…
nuk ishin të heshtur e ishin heronj të vërtetë!
jo nga ato kokrra që i ka shtrirë mbi dafina çasti a lemeria.
dinin ku qenë dje, dinin ku po shkon sot dhe do të vinin sërish nesër.
burrërisht e pa naze. duke buzëqeshur e duke sfiduar malin – zemrën e tij
ndonjëherë hileqare.
as të çmendur, as të çuditshëm, minatorët nuk binin kurrë në gjunjë
e nuk dështonin kurrë! as bënin bëma të rreme!
peng ndershmërie ishin…

kafe dhe sheqerpare. zhurma pinte konjak dhe fërnet.
ngjyrë të gjelbër kish shkëmbi, shplarë nga dëbora ajo.
ajri nuk kishte asnjë infrastrukturë. hynte e dilte gjallë
mbushur me frymë minatorësh…
gjithmonë e kujtoj!
nuk gjej asnjë ngjyrë të pikturoj braktisjen!

IV. impresione peisazhi në vetvete
çka ka era që klith? çka ka era…
nuk është era, nuk është era, është vaji i kalit…
zëra misteri. ngritje shkëmbore me pluhur të gjelbër.
i lodhur qielli shtrihet fle në liqene.
yjet grinden, akull i hidhur ajri.
fshatrat shtrirë në rrëzë të malit.
varfëria në myk, në myk varfëria…

shtëpi e pashpresë. njerëz të pastër, të freskët.
shumë të lodhur fëmijët, copë e rëndë e kromit
ushqen shtegun e  hidhur të krimit.
jeta aty nuk ka fund, as dhimbja nuk ka anë!
sytë e ndezur flasin më shumë se gjuha.
ndjenjë e fshehur. një cep i vetmuar lumturie.
vrasja e ardhëshme…
vrasësi lëvdon të vdekurit e vet…

disa thonë: kjo shtëpi është e pashpresë!
disa thonë: vrasja e ardhëshme nuk duhet lavdëruar!
vdekja është përshtatur me një klikë të mjerë
rrethuar nga servile.
një kohë e gjatë kjo, nuk ka nevojë për mëshirë, durimi soset.
datoni të mirën tuaj, o njerëz!

datoni të mirën tuaj, o njerëz!
e bardha e dëborës fsheh plagë dhe qelb.
jeta i ngjitet shkëmbit. rrënja është në rrjedhat nëtokësore.
Shpërthen, jo mina, gjelbërimi dhe frutat e djersës.
i takojnë shtëpisë tuaj
me themele bulqize….

V. ndëprerë…
nuk është një trokitje në derë!
besoj fort në fatin e përbashkët,
jo tek paratë e mallkura, tek puna që i jep vlerë virtutit.
nuk më kanë munguar ëndrrat, as vullneti.
kam kapërcyer frikën. vëndi ish i panjollë. burrat nuk rrinin në tym.
shkëmbi dhe shkëmbi dhe shkëmbi sërish merrte frymë nga ne.
meritonim një shtëpi në diell!
meritonim një pagë kyeministrore!
meritonim pak ushqim në pluhurat që grinin fytin…

vëndi është i panjollë.burrat nuk rrinë në tym.
shkëmbi dhe shkëmbi dhe shkëmbi sërish merr frymë nga ju!
meritoni një nshtëpi në diell!
mertoni një pagë kryeministrore!
meritoni pak ushqim në pluhurat që ju grijnë fytin…
dhe nuk janë kjo lumturia që meritoni…

ëndërra ime
ndërprerë…

VI. mozaik-haiku
1. nën dëborë
shtëpi pemë e mal
shtirë nën dëborën e ngrirë…
burri mbetet gjallë!
2. malet
Struken e struken tek njeri tjetri
qiellin zënë qielli ikën më lartë…
ani pse nën këmbë njeriu

3. veshjet e vajzave
zi syri, kuq e zi veshja,
e bardhë e dëborës është sfond…
e bardhë… e bardhë zemra
4. ëndrrat e mëdha
nuk e kam kuptuar kurrë
pse lindin në arkivol ëndrrat e mëdha
edhe kur janë pjesë e të nesërmes…
5. pronarët e galerive
vrapojnë kokëposhtë shaka natyre.
vrapojnë djemtë e mëdhenj duke shkatërruar
udhët e një qyteti. në bast e dehur dita…
6. e shtënë kundër një muri
nuk jam i dehur dhe as bëj shaka!
ferri nuk është çmënduri dhe as i lodhur.
ferri është bëmë: njeriu ia punon njeriut!
7. Një ulërimë mali
heshtja është e mallkuar.
me sy të gjelbër buzëqesh ligësia.
i tronditur mali,shqyen krahërorin dhe nxjerr zëmrën nga brinjët…

8. është mbrojtje
çfarë është bota jote e sigurtë, njeriu i galerisë?
duart lidhur, këmbët lidhur në një sistem shinash
i bie të fikët akullit të fjalës…
9. shtëpia
banesën  e mbartim në shpinë, nuk e humbasim darkën aty, as mëngjezin.
shtëpia është shtegu nga vijmë.
Bulqiza është shtëpia ime, druri i djegur i kujtimeve…

S'KA KOMENTE