“Rruga e Arbërit” gjithë mistere, Haxhinasto: Në lojë ka hyrë edhe një firmë shqiptare !….

536

“Rruga e Arbërit” gjithë mistere, Haxhinasto: Në lojë ka hyrë edhe një firmë shqiptare !….

Gjatë një interpelance për Rrugën e Arbërit në Parlamentin shqiptar, kërkuar nga deputetja e PDIU, Mesila Doda, Ministri i Trasnportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto  ka deklaruar se kompania kineze deri në këto moment ka dorëzuar 5 propozime, por asnjëri nuk është kualifikuar.
Ministri i transportit Edmond Haxhinasto, duke dhënë shpjegime për ecurinë e punimeve për “Rrugën e Arbrit” ka thënë se deri më sot janë investuar 6 miliardë lekë, por sipas tij qeveria e mëparshme kishte lënë një projekt 50 përqind të papërfunduar. Ministri Haxhinasto tha se për përfundimin e veprës janë paraqitur 5 oferta konçesioni nga kompani kineze dhe shqiptare, ndërkohë që pritet dhe një ofertë e gjashtë nga një tjetër kompani kineze.
“Në thelbin e tyre ofertat kanë qenë të papranueshme nga ana jonë, që nga vlerësimi në Gusht të 2014 nga Ministria e Financave, sepse duhet t’ju kujtoj që vlerësimi është bërë nga 3 institucione njëkohësisht, Ministria e Transporteve, Ekonomisë dhe Financave. Së fundmi kompania ndërkombëtare prestigjoze e konsulencës “Roland Berger”, e cila është kontraktuar nga Qeveria Shqiptare për të asistuar në kuadër të procesit të Berlinit, dhe në kuadër të këtyre projekteve madhore në investime, e ka marrë, e ka shqyrtuar dhe e ka arritur ekzaktësisht atë konkluzion që ka arritur Qeveria Shqiptare. Me kosto investimi të lartë, me kosto ndihmëse shumë të lartë dhe me kosto financimi të lartë. Së fundmi kemi patur edhe një ofertë nga një kompani shqiptare, për ta ndërtuar dhe investuar vetë këtë rrugë. Zhvillim shumë pozitiv që unë e përshëndes, por jemi gjithashtu në pritje dhe komunikim me ta, deri sa të përgatisin një ofertë. Ndërkohë mund të them që në mënyrë prioritare do të vlerësojmë një ofertë që do të vijë së shpejti nga ana e kompanisë kineze”, tha Haxhinasto.
Por Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda, tha se kjo rrugë është përdorur politikisht, ndërsa akuzoi ministrin e Transporteve se nuk ka vullnet për ta përfunduar, dhe se zona verilindorë përfshirë Dibrën, është lënë në harresë.
“Sot shqiptarët duhet ta dinë nga ajo që ju thatë: nuk do të bëhet për sa kohë që nuk vendosim të gjithë bashkë këtu në Parlament që është projekti më i rëndësishëm dhe duhet të gjejmë fondet aty ku duhet të jenë”, tha deputetja e PDIU-së.
Në kundërpërgjigje Haxhinasto shtoi se qeveria shqiptare është në pritje të një oferte tjetër nga kompania kineze, por edhe një shqiptare ndërkohë që dha dhe disa të dhëna për investimet në këtë rrugë dhe afatet e reja që kanë ofruar firmat.
“Përveç shumës që kërkon segmenti prej 27 km, është edhe kosto për përfundimin e kësaj rruge, rreth 30 ml euro të tjera. Përsa i takon kohës së nevojshme për realizim e kësaj rruge, ajo është 3 vjet, në të gjitha ofertat që na kanë ardhur. Sigurisht që modeli financiar ka pasur alternimet e tij, e përsëris që kërkon një angazhim përtej mundësive aktuale të buxhetit të vendit, 30-37 ml varionin ofertat e ndryshme, ndërkohë që ju përsëris që paratë në dispozicion për sektorin e rrugëve , janë 3,7 mld lekë. Të gjithë deputetët dhe ministrat dhe qytetarët e zonës  janë të interesuar për këtë rrugë, por s`mund të mos kemi ndjeshmëri për mënyrën si shpenzohen paratë publike. Është mirë që ketë çështje mos ta trajtojmë nga këndvështrimi partiak por ta diskutojmë kur flitet për buxhetin, dhe të kemi një qëndrim të përbashkët.
“Rruga e Arbrit bëhet me njerëz seriozë dhe nuk bëhet me njerëz që thjeshtë imagjinojnë vepra të tilla dhe para se s’i t’i imagjinojnë mendojnë edhe se si t’i taksojnë”, ishte përgjigja e deputetes Doda.  Para dy muajsh gjatë një takimi me qytetarë të Dibrës, Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë tha se rruga e Arbërit, rruga që lidh 25% të shqiptarëve, duhet të ishte ndërtuar tashmë. Z.Idrizi u zotua se bashkë me deputetët e PDIU-së do të bëjnë gjithashka që kjo rrugë të ndërtohet.
Ndërkohë, me gjithë misteret që fsheh, edhe Ministri i transportit dhe infrastrukturës Edmond Haxhinasto, nuk mundi ta fshehë faktin që ndërtimi i “Rrugës së Arbrit” është projekti madhor i qeverisë Rama. Kjo vepër me një gjatësi prej rreth 75 kilometra, do të lidhi Tiranën me Dibrën dhe më tej Maqedoninë. Rruga që e ka origjinën nga Periudha Romake, do të kalojë në 10 zona dhe do të shkurtojë me rreth 70 kilometra rrugën e sotme nga Burreli. Ky variant i shmanget në mënyrë të ndjeshme lartësive mbi 900 metra mbi nivelin e detit si dhe është varianti me kushte më të mira gjeologo-inxhinierike e hidrologjike.

S'KA KOMENTE