MERGIM TANÇI, EMRI QË KUJTON NJË HISTORI NJERËZORE TË FAMILJES PATRIOTIKE

895

Nga Halil RAMA

Në analet e historisë së Bulqizës, Familja “Tançi” zë një vend të veçantë. Breza të tërë të kësaj familje kanë bërë emër për besë e burrëri, trimëri e mençuri të rrallë. Gjatë kohës që punova në Bulqizë (në ish-Shtëpinë e Ushtarakëve, por edhe në Komitetin Ekzekutiv Pluralist të Rajonit e në Këshillin e Rrethit) pata fatin të njohë nga afër pinjollë të kësaj familjeje emërndritur, si të ndjerin Shefqet Tançi, vëllain e tij, Mërgimin, por edhe Fehmiun, këtë djalë me intelekt të rrallë, kurajoz e të përkushtuar ndaj demokracisë e shtetit ligjor. Në takimet e shumta me ta, mësova për historinë e kësaj familje, që përballoi me stoicizëm genocidin e pashembullt gjatë viteve të diktaturës, histori, të cilën e gjej me vend ta publikoj në këtë nr. të gazetës “BULQIZA”.

KOHA KUR JETUAN E SHËRBYEN NË MITROVICË

Në prill 1939, pas qëndresës në luftë me italianët në Durrës, Elmaz Tançi bashkë me shumë oficerë shkojnë në Gostivar. Vendoset këtu bashkë me familjen e tij. Më pas i dërgojnë në Foça të Bosnjë-Hercegovinës, pastaj i kthejnë në prefekturën e Mitrovicës, që me nënprefekturat Podujevë e Vuçiternë, ishin si një krahinë e pavarur. Elmazi kishte me vete villain, Limanin, gruan Sabrien dhe tre fëmijët, Shefqetin, Fiqirijen dhe Farien.
Në nëntor 1941, në Vuçiternë i lindi djali i dytë, të cilit i vendosën emrin Mergim, që lidhej me gjëndjen stresante të gjithë familjes në ato kohë të vështira të luftës, kur ishin larguar nga Atdheu për të mos rënë në dorën e pushtuesve.
Elmazi, që në moshën 12 vjeç, kishte shkuar si kurbetçi në Turqi. Në Stamboll kishte punuar si shegert në kafenetë e dibranëve të atjeshëm, ku mësoi të flasë, të lexojë e të shkruajë turqishten. Kthehet në Shqipëri pas 12 vjetësh dhe më 1923, futet në xhandarmëri. Falë aftësive të tij e bëjnë nënoficer. Në qershor të 1924-ës, Elmazi arrestohet nga nolistët që i djegin edhe shtëpinë në Vajkal për t’u hakmarrë. Më pas vazhdoi disa shkollime ushtarake; gradohet aspirant e caktohet me shërbim në Korçë, Elbasan, Shkodër, Maqellarë. Në Burrel ishte kapiten i II-të, kur caktohet komandant kompanie në Shkollën Ushtarake.
Familja “Tançi” kujton me nostalgji tregimet e Elmazit, kur në Mitrovicë, Vuçiternë e Podujevë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u krijua një “Shqipëri e Vogël”, që ashtu i thonin atëherë. Elmazi drejtoi xhandarmërinë në Vuçiternë, ku vendosi marrëdhënie besimi e mirëkuptimi me komunitetin kosovar.
Muharrem Tançi që gjendej student në Modena, arrestohet nga gjermanët e dërgohet në Kampin e Robërve të Luftës (XVII A me Nr. ushtarak 307/25622) në Austri. Pasi u lirua, në Korrik 1944,  kthehet përmes shumë peripecive në Kosovë, tek vëllezërit.
Fill pas çlirimit, në Dhjetor 1944, të tre vëllezërit “Tançi” vijnë në Shqipëri.
Elmazin e caktuan partizan për disa muaj dhe më 1946 e nxjerrin në lirim, por pak ditë më pas, bashkë me disa ish oficerë të tjerë, e arrestojnë dhe e dënojnë me tre vjet burg politik, sipas Vendimit Nr. 150 të vitit 1947, të Gjykatës Ushtarake, Tiranë.
Muharremin e caktojnë instruktor në Shkollën e Bashkuar të Oficerave në Tiranë për 15 muaj, por pas dënimit politik të vëllait e pushojnë nga puna.

MERGIMI TRASHËGOI KULTURËN E
DINJITETIN NJERËZOR TË FAMILJES

Mërgim Tançi, shkollën fillore e vazhdoi në Vajkal në vitet 1948-1952 dhe shkollën unike në Zerqan në vitet 1952- 1955, që i mbaroi me rezultate të larta.
Më 1952, e gjithë familja “Tançi” u cilësua “kulak”, vetëm pse kanë qenë oficerë të Mbretërisë së Zogut dhe e keqja nën diktaturën komuniste vazhdoi egërsisht. Familjet në Vajkal, të ish oficerëve të Mbretërisë, Zenel Shehu, Elmaz Tançi, Dile Voci e Shahin Lami, mbaheshin nën vëzhgim të rreptë. Drejtuesit mediokër komunistë, herë pas here i demaskonin në popull, duke mos i lënë në morte e dasma. Ata përhapnin opinionin që të mos i pranonin për miqësi. Duke ju përmendur kudo biografinë, i pengonin për shkollim e punësim edhe pse këta ishin shumë të aftë e të kulturuar. Ju vunë tatim shtesë si kulakë, etj.
Muharremin, me akademi ushtarake dhe dy vjet specializim pasakademik, e lanë punëtor në ish- kooperativën bujqësore, ndërsa Elmazi e Kamberi u lanë pa punë, derisa vdiqën.
Mergimi filloi të punojë në fshat dhe në brigadën e transportit në Minierën e Kromit Bulqizë.  Në vitet 1962 –1964 kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Grabian të Lushnjës, ku dallohej për sjelljen e tij shembullore dhe kryerjen e detyrave me përkushtim. Më 1965 filloi punë në Ndërmarrjen Komunale në Bulqizë, ku ishte ndër punonjësit më të dalluar, por askush nuk guxonte ta vlerësonte publikisht punën e tij për shkak të biografisë së familjes, ndërkohë që e respektonin drejtuesit, pa ra në sy të punonjësve të tjerë.
Familja e Elmaz Tançit me 35 anëtarë në Bulqizë, në çdo kohë ishte familja që priti e përcolli me derën të hapur, njerëz të thjeshtë e burra të fisshëm, duke mbajtur të paharruar traditën e mikpritjes në Odën Bulqizake. Kjo familje ishte modeli i ruajtjes së atdhetarizmës, duke lartësuar dinjitetin njerëzor të saj, në luftrat me pushtuesit dhe në kushtet e një shtypje çnjerëzore 45-vjeçare nga diktatura komuniste.
Në këtë kohë, në shtator të vitit 1967, Mergimi iu gëzua hapjes së shkollës së Mesme në Bulqizë, në fillim e përgjithëshme, por që me kërkesën e drejtuesve vendorë dhe të vetë nxënësve u kthye në profesionale me tre degë teknike: minierë, gjeologji dhe elektro-mekanike. Ai ishte ndër të parët që vijoi mësimin në shkollën e natës. Në vitin e dytë u ndanë degët dhe Mergimi u caktua të vazhdojë për teknik gjeolog. Shkollën e mesme e mbaroi në vitin 1971 dhe sapo mbaroi provimet, duke qenë se kishte rezultate të larta caktohet të punojë teknik gjeolog në minierë, por më pas e kaluan për nevoja pune me markshedërat tek Pusi Nr 2. Në punë ruajti kulturën e korrektësinë në plotësimin e detyrës dhe vazhdoi deri në vitin 1992 kur doli në pension. Megjithëse herë pas here i përmendej fshehtas biografia, ai e ruajti rregullshmërinë e tij për përmbushjen e detyrës me profesionalizëm e shumë kulturë në marrëdhëniet me punëtorët, teknikët e inxhinierat, që e donin dhe e vlerësonin.
Mergimi, bashkë me vëllain e tij Shefqetin, përkrahën vendosmërisht ndryshimet demokratike të vitit 1990. Shefqeti u aktivizua në Partinë Lëvizja e Legalitetit. Mësuesi shembullor i sa e sa brezave, punoi për organizimin e degës së kësaj partie në Rrethin e Bulqizës e u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të PLL-së në Tiranë. Ai mendonte se vetëm një qeverisje demokratike, do të ishte prosperiteti i Shqipërisë së Re.
Edhe në kushtet e reja të jetës demokratike, kjo familje ishte shembull i kulturës dhe mirësisë me të gjithë fshatarët.

VIZIONI I MERGIMIT: VEMENDJE BASHKËFSHATARËVE, PËRKUSHTIM PËR ZGJIDHJEN E PROBLEMEVE ME PAJTIM

Mergim Tançin, në vitin 2000, banorët e fshatit Vajkal e zgjedhin në detyrën e kryeplakut, të cilën e kreu me devotshmëri e përkushtim maksimal deri në 2015-ën. Ai ndoqi me urtësi marrëveshjet për pronësitë, duke shuar çdo konflikt që krijohej në fshat, duke thënë gjithmonë fjalën e drejtë e të argumentuar. Priti e përcolli me dashuri çdo fshatar që i trokiti në derë, për të qarë hallet sëbashku, dhe për këtë i është mirnjohës çdokush, që dëgjoi këshillat e urta e të drejta të tij, duke i besuar për qëndrimin parimor e ligjor. Mergimi ka marrë pjesë në komisionet e ndarjes së tokës në fshat, ku i udhëzonte bashkëfshatarët për zgjidhjen e drejtë me marrëveshje. Pati shumë vështirësi në vendosjen e rregullit për përdorimin e ujit të pijshëm dhe atij vaditës. Gjatë gjithë viteve kërkoi e ndoqi me kujdes investimet për përmirësimin e rrugëve të fshatit, furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të tjera që kanë banorët. Ai mbajti në qëndër të vëmendjes problemet sociale të familjeve, duke qenë transparent në dhënien e përkrahjes sociale për familjet në nevojë. Si kryeplak, bashkëpunoi me urtësi me Këshillin e Bashkisë Bulqizë, Kryetarin dhe administratën, për të futur në rrugën e zgjidhjes problemet më specifike që shqetësonin banorët dhe për çdo rast fjala e tij e arësyetuar dëgjohej e zbatohej.
Mërgimi, duke pasur respektin shoqëror, arriti të sigurojë përkrahjen e drejtuesve të ndërmarrjeve, për punësimin e të rinjve nga familjet me pak tokë dhe me jetesë të vështirë. Banorët e Vajkalit, shembullin e Mergim Tançit e ruajnë në mendjen dhe zemrat e tyre si një model që duhet ndjekur për urtësinë, dashurinë e përkushtimin e tij në zgjidhjen e problemeve të ndryshme që ka jeta në fshat dhe për këto ai mbetet shembull për më të rinjtë në kryerjen e detyrave që u besohen.
Në Vajkal, gjatë këtyre vitete të demokracisë është përmisuar jetesa dhe infrastruktura, por ende ka probleme që kërkojnë zgjidhje, sidomos çështja e vaditjes në të gjitha lagjet që kërkon investime për sigurimin e ujit dhe betonimin e kanaleve. Ndërkohë, duhet të vazhdojë përmisimi i rrugëve e mirëmbajtja e tyre si dhe shfrytëzimi e punimi me mekanizma i tokës bujqësore për të rritur rendimentet. Vajkalit i duhet një plan zhvillimi afatmesëm e afatgjatë për tu bërë fshat i zhvilluar bashkëkohor. Referimi në përvojën e Mërgim Tançit, do të mundësonte përmbushjen me sukses të projekteve zhvillimore për Bulqizën.

S'KA KOMENTE