BULQIZA – TREVË ME TRADITA DHE HISTORI

777

Ymer STOJKU*

Bulqiza është një nga trevat e Dibrës me histori disi të veçantë.
Ku qëndrojnë të veçantat e saj?
Ajo është bërë e njohur në botë, jo vetëm për luftrat e saj për liri e pavarësi në shekuj, por edhe për thesaret e mineralit të kromit, të fshehura në “barkun”e maleve të larta.
Sa u takon luftrave për liri e pavarësi në shekuj, është e njohur Beteja e Skënderbeut në vitin 1465 kundër turqve në Fushën e Vajkalit, Beteja e Baba Fejzë Bulqizës e Xixëllit të Martaneshit kundër turqve, e gushtit të vitit 1860, si dhe betejat e Dalip Karajt, përfaqësuesit të Bulqizës si Mal më vehte, i cili së bashku me kretët e Nëntë Maleve të Dibrës, që nga viti 1872 organizuan kryengritjet e armatosura kundër turqve. Ndër këto beteja, të udhëhequra nga Dalip Karaj, është lufta e 500 bulqizakëve në Zallin e Fushë Bulqizës kundër turqve, të cilët edhe shtëpitë i kthyen në kala, duke luftuar, jo vetëm me pushkë e jataganë, por me ç’të mundnin, me sopata, thika etj, dhe duke i shkaktuar armikut humbje të mëdha.
Për këto flet dhe kënga popullore:
“Kush e ngriti flamurin tek Hani (Hani i Bobës)
Dalip Karaj e Mal Dani…..”
Këto ishin në atë kohë edhe dy shtëpitë e përmendura, të pasura e të njohura si patriote.
Edhe në vitet e zjarrta të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, shumë bulqizakë luftuan për çlirimin e atdheut. Pati edhe dëshmorë, si Asllan Keta, etj.

MINIERA BEGATOI BULQIZËN, DIBRËN DHE MBARË SHQIPËRINË

Siç e thamë, Bulqizën e bëri të njohur në botë edhe minerali i çmuar i kromit. Më 18 shkurt 1948 u krijua miniera e parë dhe më e madhe në vend për mineralin e kromit, e njohur edhe në botë. Kështu, me milionat e tonëve të mineralit të kromit të Bulqizës gjatë viteve 1948-1990, u begatua Bulqiza, Dibra dhe mbarë Shqipëria.
Ishte kjo minierë, që me kalimin e viteve e 5-vjeçarëve, nga pionierja e parë e industrisë minerare u bë një gjigande e vërtetë. Miniera ishte një burim i pashtershëm i të ardhurave, jo vetëm për 14 mijë qytetarët e Bulqizës, por për qindra e mijëra të tjerë në të katër anët e vendit. Krijimi i kësaj miniere, ishte në radhë të parë, një shans i mirë për bulqizakët, sepse kjo bëri që çdo familje bulqizake, për vite me radhë të kishte nga një deri në dy të punësuar në minierë.
Veç kësaj kjo bëri që bulqizakët me të ardhurat nga miniera e Bulqizës të ndryshonin gradualisht edhe mënyrën e jetesës. Kështu, në sajë të masave të marra edhe nga qeveria e asaj kohe, vendin e pishës dhe kandilit e zuri drita elektrike, vendin e sofrës e zuri tavolina, e kështu me radhë.

BULQIZA MBAHET MEND EDHE PËR FERMËN E SAJ BUJQËSORE E BLEGTORALE

E pashembullt në histori ishte tharja e kënetës së Bulqizës pas çlirimit dhe kthimi i saj në tokë buke, duke hapur kanale kulluese përmes saj e kanale të tjera. Kështu, pas bonifikimit ajo u kthye në tokë prodhuese. Ferma bujqësore që u krijua, me drejtor Isuf Koçin, mundësoi jo vetëm punësimin e grave, vajzave e bujqve bulqizakë, por dhe furnizimin e familjeve bulqizake me prodhime bujqësore e blegtorale. Ferma e Bulqizës ishte furnizuesja kryesore edhe për qytetarët dhe për punëtorët e Bulqizës, si me produkte bujqësore ashtu dhe me ato blegtorale (mish dhe qumësht).
Kështu, në sajë të këtyre masave ishte e vështirë të dalloje mënyrën e jetesës së familjeve bulqizake nga ato të qytetarëve të Bulqizës. Në analet e historisë së Bulqizës kjo fermë ka hyrë me dinjitet. Puna shkencore e drejtorit Isuf Koçi dhe e stafit të tij, për vite me radhë ngjalli interes në gjithë vendin. Ndaj dhe bulqizakët ruajnë të pashlyer në kujtesë  birin e tyre, që e lartësoi Bulqizën, krahas minierës në rang kombëtar.

RESURSET JANË TË SHUMTA, RRUGA E ARBËRIT SJELL ZHVILLIM

Bulqiza pati shansin që para tre vitesh të shikojë e para segmentin e parë të Rrugës së Arbërit.  Me  ndërtimin e këtij segmenti të  Rrugës së Arbërit, (Qafë e Buallit-Shupenzë), jo vetëm qytetit të Bulqizës, por edhe rrethit të Bulqizës iu krijuan mundësi të mëdha dhe iu hapën perspektiva të reja zhvillimi. Kjo për faktin se Bulqiza është ndoshta i vetmi rreth që natyra i ka falur pasuri të mëdha e të paçmuara natyrore. I ka falur male të tëra që nga Ura e Qytetit me gurë gëlqerorë për prodhimin e çimentos e gëlqeres, fusha të gjëra me toka argjilore për prodhimin e tullave e tjegullave…..
Bulqiza ka fusha të mëdha për prodhime bujqësore e blegtorale, si ajo e Gjoricës, Boçevës, Shupenzës e Okshtunit, të cilat në atë kohë, por edhe sot janë hambari i Dibrës. Është detyrë e organeve kompetente që të marrin të gjitha masat e duhura për t’ju krijuar fermerëve dibranë kishtet që të rikthehen e të bëhen përësëri hambari i Dibrës në brigjet e Drinit të Zi.
Është gjithashtu detyrë e qeverisë aktuale, që krahas shpejtimit të punimeve për Rrugën e Arbërit, të sigurojë investime të firmave të fuqishme, që këto pasuri të kthehen në qarkullim ekonomik, duke ndërtuar vepra prodhuese, fabrika apo linja për prodhim çimentoje tek Ura e Qytetit, linja për prodhimin e gëlqeres tek Çezmat e Sofraçanit, fabrika ose kombinate për prodhimin e tullave dhe tjegullave, e gjer te shfrytëzimi për turizëm e peshkim i Liqenit të Zi të Tërnovës, etj.
Bulqiza është nga vendet e rralla që përshkohet nga dy burime të fuqishme, nga Zalli i Okshtunit në Lindje dhe nga i Bulqizës në Perëndim, me rezerva të shumta hidrike si burim për ndërtimin e hidrocentralëve të vegjël.
Treva e Bulqizës, e vogël ndoshta si sipërfaqe,  por me histori të madhe është kthyer ndër më të zhvilluarat, ndër më të bukurat e Shqipërisë Verilindore. Bulqiza, si qytet-qendër e rrethit ka të gjitha institucionet e nevojshme shtetërore, kulturore, arsimore e shëndetësore.
Zbulimi dhe shfrytëzimi i mineralit të kromit ndër vite, mbledh këtu qindra e mijëra familje nga Dibra dhe nga e gjithë Shqipëria. Midis tyre ishim edhe ne që jetuam dhe dhamë kontributin tonë këtu,  për mbi 40 vite me radhë. Dhe ajo që e bëri më të këndshme jetesën tonë këtu ishte mundësia e punësimit për të gjithë. Edhe shkolla përgatiste nxënës e kuadro me njohuri të thella profesionale e shkencore. Ndaj, edhe pse i moshur e i larguar, i kujtoj me nderim e respekt mësuesit e asaj kohe, si Myfit Dervishin, Bashkim Lamin, Osman Mihën, Musa Vladin etj.

“TË RUAJMË QYTETAT TONA NGA MASAKRA URBANE”

Dibra, siç dihet ka dy qytete të ndërtuara pas çlirimit, qytetin e Peshkopisë dhe atë të Bulqizës. Në të dy këto qytete është mundi, djersa dhe sakrificat e panumërta të  të qindra e mijëra dibranëve, si dhe puna e kontributi im në Dibër dhe për Dibrën, sidomos në qytetin e Bulqizës.
Për të gjitha këto mbresa, kujtime dhe kontribute më se 75-vjeçare mes dibranëve, unë edhe pasi dola në pension në vitin 1990, nuk qëndrova duarkryq. Megjithë kapacitetin e pamjaftueshëm intelektual punova me përkushtim dhe gjatë gjithë kohës hodha në letër, shkrova dhe botova librin tim “Dibra në vite, tregime veterani”. Shkrova por nuk arrita t’i botoj edhe pesë vepra të tjera, si: “Puna me rininë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pas çlirimit”, “Historikun e Familjes”, “Mesazh brezash”, “Ngjarje dhe përjetime në vite”, si dhe “ Kujtime nga jeta në 2014”. Botova edhe mbi 65 artikuj në shtypin e ditës (2003-2016).
Nga këto botime e shënime vjen msazhi i qartë, jo vetëm t’i ruajmë si sytë e ballit qytetet tona, se këtu është derdhur djersa, por edhe është shkruar historia, por me punën e brezit të ri t’i çojmë më përpara këto arritje.

*Ish kuadër drejtues në Dibër dhe Bulqizë

S'KA KOMENTE