Okshtuni në këngët e trimërisë

1755

Prof. As. Nazmi Koçi

Pak ditë më parë u zhvillua një aktivitet lidhur me një vjetorin e parë të botimit të gazetës “Bulqiza”. U mblodhën në një nga sallat e hotel “Tirana International “ mjaft bashkëpunëtorë të gazetës, redaktorë e lexues, bashkëpunëtorë të stafit si dhe botuesi Edmond Isaku e kryeredaktori Halil Rama. U ndodha dhe unë midis tyre. Pas kryeredaktorit, Rama foli edhe Kryetari i Këshillit botues, shkrimtari i mirënjohur Lutfi Hanku. U bënë edhe shumë përshëndetje e u dhanë ide për përmirësimin e punës së gazetës për vitet që do të vijnë, të cilat u shoqëruan me urimin për të festuar edhe shumë përvjetorë të tjerë në të ardhmen e unë bashkohem me urimin e tyre.
Tek i dëgjoja pjesëmarrësit, ekspertë të fushave të ndryshme, duke diskutuar edhe si ekspertë të gazetarisë, mendja më shkoi të një ngjarje që një i afërmi im më kishte treguar që kur isha fëmijë në shkollë fillore. I shtrënguar nga hallet e jetës, ai, siç bënin zakonisht shumica e burrave nga anët tona, kishte shkuar për të punuar në Shkodër. E kishte bërë rrugën nga Okshtuni në Shkodër në këmbë dhe kur kishte arritur, i lodhur nga udhëtimi i gjatë, ishte ulur në kafe të madhe për të pirë një kafe e për t’u çlodhur pak. Dy të rinj që e kishin vënë re dhe e kishin kuptuar nga qeleshja e bardhë se duhej të qe dibran, i ishin afruar për të ”nxjerr kunj” me të, por ai i zgjuar siç ishte e kishte kuptuar menjëherë. Të rinjtë i thanë të pinte kafen dhe pastaj do të shkonte me ta. Ai piu kafen dhe i pyeti: përse me doni? Ata i qenë përgjigjur se nga veshja duhet të jesh dibran, ju merreni me ndërtime dhe ne kemi nevojë të na ndërtosh një hajat për gomarë. Po, u qe përgjigjur ustai, por si e doni dy hajate veç e veç, apo një për të dy së bashku? Ata e kishin kuptuar ironinë therëse dhe kishin dashur të justifikoheshin. Ai më tej kishte sqaruar: Unë vërtetë jam dibran dhe merrem me ndërtime, por veproj sipas rastit. Kur e do puna ndërtoj shtëpi, po kur ma do puna edhe djeg shtëpi. Bashkëbiseduesit qenë larguar kokë ulur.
M’u kujtua kjo ngjarje pasi jemi mësuar ta njohim Bulqizën si vendi i kromit, i minatorëve, i nëntokës e i galerive, i njerëzve të ndershëm e punëtor. Por nuk dimë sa duhet për vlerat e zonës, për patriotizmin dhe trimëritë e bulqizakëve, për traditat dhe mirësitë e tyre. Gazeta Bulqiza me sa duket tenton të rrokë këtë dimension jo krejt të njohur të Bulqizës, jo vetëm atë të vendburimit të katërt të kromit në botë. Kur po largohesha nga ai takim, kryeredaktori më përcolli deri te dera, më falënderoi për pjesëmarrjen dhe më sugjeroi: jeni i mirëpritur edhe me ndonjë shkrim në gazetën tonë. E vlerësova shumë mirësjelljen e tij. Në një farë kuptimi edhe unë jam bulqizak dhe kam detyrimet e mija. Okshtuni nga unë jam është një zgjatim i Bulqizës e Zerqanit, ka qenë historikisht pjesë e asaj nënprefekture dhe veshja, sidomos ajo e grave, gjuha dhe zakonet tona kanë një ngjashmëri që e vë re kushdo. Ndaj vendosa të shkruaj diçka për fshatin tim.

* * *
Krahina e Okshtunit shtrihet në pjesë jugperëndimore të Dibrës dhe kufizohet me Çermenikën në jug dhe me Martaneshin në jugperëndim, është kufi ndarës i tre rretheve, pjesë e rëndësishme e Dibrës që e lidhte atë me Shqipërine e Mesme. Siç do të theksonte studiuesi ynë i mirënjohur Kristo Frashëri, kufijtë e trevës në shumicën e rasteve i ka përcaktuar vetë natyra – male të larta, të vështira e të pakapërcyeshme (2). Okshtuni, i ndodhur në kufi të tre rretheve dhe nën trysninë e vazhdueshme të ambicieve të krahinave të tjera për territore e kullota, i ka vendosur kufijtë e tij historikisht sipas rrjedhjes së ujërave (4,5). Rrethohet nga tre anë me male të larta: Në lindje ndodhet mali i Brezhnikut, Maja e Zylit, maja e Gurit (lartësi 1850 m. mbi niveli e detit). Nga jugu ka Qafën e Prevallit që e lidh me Çermenikën, majën e Kalasë dhe fushën e Kolgirekut, ndërsa nga perëndimi malet e fushës së Kuqe, fusha e Drenit dhe Kaptina (1900m). Nga veriu kufizohet nga Fusha e Kishës, Mali i Zi, Shullani i Kuq, kodrat e Golemaranes dhe përroi i Cenajve. Okshtuni kufizohet nga lindja nga fshatrat Sebisht e Zabzun, nga jugu me Prevallin, në jug perëndim me Kostenjën dhe Martaneshin, nga veriu me Tërnovën dhe Lejçanin. Ka një sipërfaqe territori prej rreth 140 km2 dhe përbëhet prej 5 fshatrave: 1. Fshati Prodan, fshati im i lindjes, me një historik shumë interesant (5) dhe qytezë ilire(7) e që shtrihet më në jug, 2. Okshtuni i Vogël që ka dy lagje, Shulla e Plepe e shtrihet në perëndim të zallit Prodan e Shulla, 3. Fshati Oreshnjë me lagjet Oreshnjë e Golemarane e që ndodhet në perëndim të zallit të Okshtuni, 4. Fshati Muglicë që shtrihet në perëndim të zallit të Sebishtit dhe 5. Okshtuni i madh me lagjet Katund, Cenaj e Ballaj.
Okshtuni është një krahinë krejt e veçantë, pjesë e rëndësishme e Dibrës, e gjeografisë dhe historisë së saj. Edhe pse ka qenë në kufij me krahina e rrethe të tjerë, ka jetuar në fqinjësi të mirë me ta (kur një gjë e tillë është varur prej tij) dhe po ashtu ka ruajtur besnikërisht traditat e zakonet e veta dhe ka luftuar në shekuj për lirinë, gjuhën e pavarësinë e vendit të vet e ndër shekuj është krenuar me përkatësinë e tij si trevë e Dibrës. Ka luftuar e derdhur gjak për të dhe i ka kënduar me pathos këngë Dibrës dhe shqiptarisë. Fqinjësia me krahina të tjera as nuk e ka asimiluar dhe as e ka tjetërsuar këtë krahinë. Një përcaktim të qartë për Okshtunin si trevë dhe banorët e tij ka bërë autori Imer Stojku në librin e tij “Dibra në vite “, botuar në vitin 2002 (7). Popullsia e Okshtunit vitet e fundit është rrudhur së tepërmi.

* * *
Duke qenë një krahinë tejet specifike, me tradita të vyera ku spikatin besa e bujaria, dashuria për krahinën dhe për vendin, trimëria e zgjuarsia, mikpritja e kultura e punës, dashuria deri në vetëmohim për gjuhën shqipe, arsimin, kulturën dhe folklorin e Dibrës e plot cilësi të tjera të veçanta, Okshtuni meriton të studiohet e vlerësohet në meritë si një trevë dinjitoze (7). Ka shumë gjëra për të thënë për Okshtunin e banorët e tij, kësaj radhe unë zgjodha të shkruaj disa radhë për këngët e tij. Kjo gjë merr rëndësi të posaçme në këtë kohë pasi shumë nga banoret e Okshtunit në vitet e demokracisë janë larguar nga krahina dhe janë vendosur në rrethe të ndryshme për një jetë më të mirë. Shumë nga pasardhësit tyre kanë ikur të vegjël, disa kanë lindur në vendbanimet e reja. Pas disa vitesh ata do të dinë pak për vendin e origjinës së tyre dhe për historinë e Okshtunit. Gjithashtu një ndarje territoriale e viteve të demokracisë bëri disa bashkime jo natyrale dhe e kaloi një pjesë të Okshtunit me komunën e Steblevës dhe këtë të fundit ja kaloi rrethit të Librazhdit, u bënë dy tjetërsime njëherësh, mbi të gjitha u cënua përkatësia e Okshtunit si pjesë e Dibrës. Megjithatë këto janë masa të karakterit administrativ. Okshtuni ishte dhe është pjesës e Dibrës.
Këngët, veçanërisht ato të trimërisë, të cilat kanë ardhur nëpër shekuj deri sot, me tekstet e tyre tregojnë ngjarje, ndodhi ku okshutnasit janë përballur me dinjitet për familjen, për pronën, për fshatin, për krahinën, për Dibrën dhe për vendin. Ata kanë dhënë edhe jetën, por nuk kanë pranuar të nëpërkëmben nga të tjerët edhe kur janë ndodhur në rrethana të pa favorshme a të vetmuar. Tekstet e këtyre këngëve kanë secili nga një histori. Copëzat e historisë, bëjnë historinë e krahinës, të Dibrës dhe më gjerë.
Nuk është qëllimi im të sjellë në këto radhë besnikërisht tekstet e plota të këngëve të krahinës, qëllimi është të evokojmë disa ngjarje dhe kontekstin në të cilin ato janë krijuar e kënduar. Lidhur me tekstet e këngëve të trimërisë të Okshtunit kanë shkruar shumë autorë si Haki Stërmilli, Bilal Salku, Selman Koçi, Imer Stojku e ndonjë tjetër (1,4,5,7).
Një nga këngët e vjetra që i këndon trimërisë së kësaj zonë është ajo e Selman Stafës. Sipas shumicës së autorëve që janë marrë me këtë problem, ajo daton më shumë se dy shekuj më parë, i kushtohet një ngjarje që ka ndodhur rreth gjysmës së para të shekullit 19-të (4,7). Burrat e kësaj zone duke jetuar në një vend malor e me pak tokë, detyroheshin të emigronin më shumë se gjysmën e vitit për të përballuar vështirësitë e jetesës. Ata rrahën rrugët e kurbetit në Stamboll e Selanik, shkuan gjer në Bullgari e Rumani, por për ta ishin të zakonshme lëvizjet brenda territorit shqiptar ku punonin si specialistë në Dibër, Strugë, Gostivar, Elbasan, Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Mat, Shkodër e gjetkë. Në një rast të tillë Selman Stafa nga Okshtuni u ndodh në Shkodër së bashku me mikun e tij nga Ternova, Osman Gjokën. Një mbrëmje Selmani po kthehej i vetëm në banesën ku flinin, i lodhur, i veshur me rrobat e pluhurosura të punës dhe duke medituar për hallet e familjen e vet. Befas u ndodh përballë me valiun turk të Shkodrës, Haxhi Mela, i cili i hipur në kalë dhe i rrethuar nga 20 sejmenë në të dy krahët, po bënte xhiron e mbrëmjes. Kur e vuri re, Selmani ishte mjaft afër tij, sejmenët i bënë shenjë që të hapte rrugën dhe ai atë tentoi të bënte. Sidoqoftë rrugicat e ngushta dhe eskorta e madhe nuk i dhanë hapësirë sa duhet. Ai u mbështet pas murit, por kur kaloi Valiu, shpata e tij preku në rrobat e ustait dhe ai mbajti kalin. “Nga je ti?” – e pyeti. “- Nga Dibra”, ju përgjigj tjetri. “Ore ‘goge’ Dibre, a nuk e sheh se me bgane tagane” (me bëre pis shpatën). Ustai u ndodh i vetëm dhe i paarmatosur. U largua i mërzitur për në banesën e tij. Ai tashmë e kishte marrë një vendim. Nuk kishte armë, por ishte i armatosur me krenarinë e dibranit dhe mjeshtërinë e përgatitjes artizanale të armëve. Kështu ju fut menjëherë punës për përgatitjen e një naganti. Kur erdhi Osmani e gjeti të mërzitur e duke përgatitur armën. Ai e pyeti shumë herë se përse ishte mërzitur, por nuk mori përgjigje. Pasi insistoi shumë herë Selmani i tha se kishte vendosur të vdiste të nesërmen. “Përse?,  i tha Osmani, në se është nevoja do të vdesim të dy bashkë”. Ai i tregoi historinë me valiun, por Osmani u përpoq ta qetësonte. Po ne “goge” jemi vërtetë përderisa nuk na mban vendi jonë dhe detyrohemi të endemi për të mbajtur familjen. Por Selmani ju përgjigj shkurt. Ai nuk më tha “Goge”, por “Goge Dibre”,nuk më shau si person, por më shau Dibrën. Sonte në Shkodër Dibrës vetëm unë i kam qëlluar, nesër do t’i dal zot. Përgatitën të dy nga një nagant, i provuan në një pys aty afër dhe që të ishin të sigurt u lidhën me tela nga dy plumba, në mos i pari i dyti do të ndizte. Të nesërmen Selmani në të njëjtën orë ja zuri me qëllim rrugën valiut. Pranë kishte dhe Osmanin. Kur kaloi aty valiu ai e preku me qëllim, valiu e njohu, mbajti kalin dhe ju drejtua: Prapë ti,”gogë dibre”, por Selmani ju përgjigj: “E kë shan ti qafir Anadolli, nuk jam goge dibre, por zog dibre” dhe e qëlloi në mes të 20 sejmenëve mu në kraharor. Kur valiu po rrëzohej nga kali, Osmani nga prapa shokut e qëlloi mes këmbëve të tij direkt në kokë dhe valiu vdiq në vend. Sejmenët i ndoqën, ata e kapën Osmanin, por Selmani u fsheh, shkodranët e mbrojtën atë duke rrezikuar jetët e tyre. Dhe populli thuri këngë:

Ç’asht kjo luftë e ky tufan
Lufte po bajn nja dy dibranë
Selman Stafa me Osmanë
Haxhi Melës sa mirë ja banë
Hajde, hajde Haxhi Mela
Nuk asht sharra, nuk asht turrela
Asht pushka e Dibrës lidh me tela
Lidh me tela e zinxhirë
Qenka mbushur për vezir
Lidhur plumbat bisht për bishti
Të dy djemve u lumtë gishti
Haxhi Mela nxjerr taganë
Don me vra usta Selman
S’ mund ta vrasësh usta Selmanë
se shoq të mirë kishte pas Osmanë
Selman Stafa një burrë i vogël
nam të madh ka lan në Shkodër.

Ngjarja vazhdoi me hakmarrjen e pushtetit të kohës, perandoria u trondit. Për kokën e usta Selmanit, motra e valiut vuri gjysmën e Shkodrës. Shkodranët qëndruan, nuk e dorëzuan trimin nga Dibra, ai ishte bërë idhulli i tyre.

Dhe kënga mbyllet me vargjet:
Ty o Shkodër të qofsha falë
M’u bëre nënë , t’u bëra djalë.

Vargjet e këngës kanë arritur deri në kohët tona, me ndonjë ndryshim të vogël ajo vazhdon të këndohet edhe sot e kësaj dite.(3,4,5,7).
Kënga e Selman Likës i kushtohet një trimi nga Prodani. Fisi Likaj në vitin 1987 kishte 48 shtëpi dhe banonte në Prodan dhe në Muglicë(4). Ngjarja së cilës i kushtohet kënga ka ndodhur aty nga mesi i shekullit të 18-të (1,4,7). Sipas thënieve të Hoxhë Gjokës(4), Selman Lika kishte patur miqësi me Avdi Canin nga një fshat me ne thellësi te Dibrës. Prishja e miqësisë kishte ndodhur nga një shkuesi. Avdi Cani kishte kërkuar të merrte një vajzë nga Sebishti për djalin, por atë e kishte kërkuar me parë dhe e mori Selmani për djalin e tij (4). Avdiu vendosi të hakmerrret ndaj Selmanit ditën e fundit të dasmës që ky bëri për martesën e djalit të tij. Me shumë rreth e miqësi të gjerë Avdi Cani mblodhi te Ura e Qytetit 600 burra pa u treguar përse i kishte thirrur. Kur u tregoi planin se donte të plaçkiste bagëtitë e Selman Likës që ta turpëronte atë, një pjesë refuzoi. Ata e njihnin Selman Likën dhe nuk donin të luftonin kundër tij. Në krye të 300 burrave Avdiu u nis të sulmonte stanin e Selman Likës në mesnatën e dasmës së djalit të këtij të fundit. Stani ishte në kodrën e Muglicës dhe Selmani e kishte atë rreth një orë larg shtëpisë. Te stani filloi grabitja, por edhe pushka. Barinjtë të vetëm rezistuan., njëri nga djemtë e Selmanit, Musai mbet i vrarë. Dhe populli thuri këngë. Tekstin e kësaj kënge e sjell edhe shkrimtari ynë i mirënjohur Haki Stërmilli i cili ka jetuar 6 muaj te Likaj në Prodan gjatë dimrit të vitit 1943-1944 (1).

Vargjet e këngës thonë:
Hajde, hajde Selman Lika
Sot me sot na qenka dita
Qenka dita për me vdek
300 huta ranë te dhent
Ranë te dhent e ranë te dhitë
Erdh haberi se u vranë baritë
Prej barive kush ka mbet
Mbet Musai që gjetë rahmet
Ja merr hakun baba i vet
Se për një ai vret njezët.

Selman Lika rrëmbeu armët dhe u nis me shpejtësi, me të u nis dhe Selman Troshku, një mik i tij nga Prevalli që ju ndodh afër. Bagëtitë e grabitura po zbrisnin nga ara e Shermetit në Krahavec për të dalë te livadhet e Hysjet për të kaluar të tre urat, zabelet mbi Çekiren, nën drurin e bukur për t’u futur në pyllin me pisha të Tërnovës. Të moshuarit tregonin se ajo natë kishte qenë e kthjellët e me hanë të plotë. Selman Lika me djemtë e njerëzit e tij i arrin kur ata e kishin kaluar Krahavecin dhe po dilnin përballë për t’u ngjitur në drejtim të Oreshnës. Vendi ishte i zhveshur por Selmani zuri vend pas ca gurëve dhe u vuri pushkën. Ai bëri kërdinë. Filluan të zbrazen pushkë edhe nga lagjet e tjera Ballaj, Katund e Oreshnjë. Lagjet sipër të dominuara nga fisi Koçi, edhe pse asokohe kishin qenë në hasmëri, morën rrugën me shpejtësi mbi zabelet e Plepës për t’u prerë rrugën grabitësve para se të futeshin në pyjet e Tërnovës. Grabitësit të tmerruar nga kjo rezistencë e pa menduar u shpartalluan keqas. Disa të plagosur e me plagët që kullonin gjak vazhdonin të ziheshin për një dash apo për një dele. U vranë mbi 20 vetë dhe shumë të tjerë u plagosën, ikën nga sytë këmbët në panik të plotë. Dhe kënga vazhdon :

Mun te ura me kama druni
Po lufton Selman Okshtuni
Mun te qarri, aty te qoshku
Po ndihmon dhe Selman Troshku
Avdi Cani gupa madhi fort po ikën atij shullani
Po piskat ky Selman Lika
Avdi Cani e ty te raft pika
Nuk je burrë, por je si gru
mblodhe të shitun e më re mu
Ikin grabitësit tuj rënkue
Na kanë vra na kanë dërmue
Si në Okshtun se kemi psue.

Okshtunas na paraqiten ndër shekuj të urtë e punëtorë, të ndershëm e njerëz të fjalës së mbajtur, por dhe trima e guximtarë. Një këngë gjithashtu e vjetër që nga koha e parandorisë turke, bën fjalë për rastin e të riut Avdi Hoxha. Në të vërtetë ai ishte nga fisi Sollaku, por me që i ati kishte qenë hoxhë, thirrej me mbiemrin Hoxha. Avdiu kishte studiuar në shkolla turke dhe duke qenë nxënës i shkëlqyer e kishin dërguar në Universitetin e Stambollit ku kishte studiuar shkenca ushtarake. Aty nga fundi i shekullit 19-te ai i përfundoi me sukses studimet dhe vendosi të vinte në shtëpi të shihte familjen, bleu dhe një manxerrë turku dhe mjaft fishekë dhe u nis për në Okshtun. Aso kohe rruga ishte e gjatë e plot rreziqe dhe kishte banda hajdutësh që zinin rrugën e zhvishnin dhe grabisnin kalimtarë e karvane nëpër qafa malesh apo shtigje të ngushta. Kështu i ndodhi edhe djalit të ri, Avdi Hoxha, prej Okshtuni. Kur arriti në Derven të Stebleves, aty ku sot është kufiri shtetëror me Maqedoninë, një bande prej 8 grabitësish i kishte zënë prite. Ata i bënë thirrje të dorëzohej. Djali nuk u dorëzua por zuri pozicion pas një guri. Vendi ishte i zhveshur dhe maskimi i vështirë. Askush nga 8 burrat në pritë nuk e mori seriozisht të riun që vendosën ta grabisnin. I bënë thirrje të lidhej, por përgjigja qe: vetëm një herë më ka lidh nëna në djep. Ata qëlluan ta trembnin, ai qëlloi që të mbrohej. Vrau tre dhe plagosi dy, u plagos rëndë dhe vetë. Në agoni vrau dhe të katërtin, plagosi dhe një tjetër dhe banda u shpartallua. Populli me autor anonim e përjetësoi Avdi Hoxhën në një këngë trimërie. Disa nga vargjet e kësaj kënge thonë:

Avdi Hoxha t’u dalë prej mejtepi
Ne ate Derven ç’e zu gazepi
Jalla nane më dalsh lule xheneti
Të m’i thoni nanës njerke
Të ma bajë hallall hyzmete
Se jam rrethue nga tetë vetë
Nga tetë vetë, jam rrethue
i kam vra e i kam dërrmue
Në kuaj të Rekës i kam ngarkue…
Të lumtë gryka moj martine
Se sot e bane ispate Avdinë…
L. Isaku e L. Bodurri
Si dhi për qafe nuk lidhet burri
Se më thonë djalë Okshtuni
Djalë Okshtuni e biri i plakut
Nuk ja lashë marren oxhakut.

Ngjarjet që i vunë shpesh në provë banorët e Okshtunit dhe që u përjetuan në kënge janë të shumta. Kam përshtypjen se tekstet e këtyre këngëve jo gjithmonë ja kanë arrit të shprehin madhështinë e veprës për të cilën bëhet fjalë, por se paku ja kanë dalë t’i ruajnë këto ngjarje në memorien e njerëzve deri sot. I kanë mbrojtur nga harresa dhe bjerrja e përjetshme.
Një ngjarje e tillë është ajo e një fshatari të varfër nga Oreshnja, Musa Mema. Sipas të dhënave duhet të ketë ndodhur aty nga mesi i shek. 18 (4). Populli i varfër me shumë vështirësi mezi arrinte të përballonte hallet e jetës. Mbi këto halle ishin detyrimet që duhet t’i paguanin pushtetit të kohës dhe taksambledhësit që merrnin përqindje nga taksat e mbledhura, ishin të pamëshirshëm. Një i tillë kishte qenë edhe Hamit Markja nga një fshat i Dibrës që sot bën pjesë në territorin e Maqedonisë. Ai e shtrëngoi shumë Musa Memën që t’i paguante taksat detyrimisht pa u larguar ai nga fshati. Musai ju përgjigj se jam dakord, por nuk kam asnjë mundësi veç të të jap shpirtin në këtë moment. Unë dhe atë ta marr i tha taksambledhësi, por me që nuk ke çfarë të më japish, atëherë, më jep gruan i qe përgjigjur me përçmim pushtetari. I varfër, por kurajoz, njeriu i urtë i qe përgjigjur: atë po, po ta jap, por me prit pak sa ta thërras. Musai u fut në shtëpi, nxori tapanxhën e sermit me gurë stralli që e ruante me shumë kujdes, e kontrolloi dhe e rregulloi mirë dhe ja dha me vrap në derë. Ja vendosi armën në gjoks dhe i tha: Kjo është gruaja ime, merre, ma gëzofsh dhe i tërhoqi këmbëzën. Taksidari mbeti në vend i vrarë. Fshatarët për të mos u ndotur vendi e varrosën te xhamia në katund… Askush nga të afërmit e tij nuk erdhi në Okshtun për ta kërkuar varrin. Deri në kohët tona ai vend quhet te varri i Hamit Markes. Për një ngjarje me të njëjtin motiv ka lindur e këndohet dhe në kohët tona, kënga e Halil Gashit. Okshtuni e kishte patur me kohë një trim të tillë. Musa Mema e mbrojti nderin e familjes së tij. Pushteti i kohës dërgoi të nesërmen në Okshtun një togë me 30 zaptije dhe një toger që t’i komandonte me detyrën që ta arrestonin Musa Memen. Ngarja që vijon është vërtet interesante. Kryeplaku dhe populli i Okshtunit u bënë atyre një lojë dhe ju deklaruan: ju keni hyrë në këtë fshat, por nuk do të dilni gjallë asnjë. Pas disa traktativash, i lanë të iknin me kushtin që të vendoseshin në rresht për një, pushkët do t’i vendosni në sup me tytën poshtë dhe do të ecnin deri në qafën e Lejçanit (është afër një orë rrugë), pa e kthyer kokën as majtas e as djathtas. Xhandarët pranuan dhe u larguan të turpëruar nga Okshtuni, ndryshe do t’i kishin bërë shoqëri Hamitit, aty të xhamija.
Histori trimërie të banorëve të Okshtunit, herë të përjetuara në këngë e herë jo, ka pa fund. Ndoshta ato kulmojnë me atë të patriotit të madh dibran, njeriut të shekullit, Okshtunasit Hasan Shermeti (Hoxhe Muglica). Në 15 Qershor të vitit 1915, forcat shoviniste serbe e arrestuan atë, e çuan të vendi që quhet ara e Shermetit, e dhunuan fizikisht e psikologjikisht, e detyruan të hapte vetë varrin e tij. Dhe Hoxha e hapi vetë varrin. Po ndëshkohej për patriotizmin e tij dhe punën që kishte bërë për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe. I kërkuan të deklaronte se kjo tokë nuk është shqiptare. Fjala e hoxhës peshonte shumë në krahinë dhe me gjerë. Këtë Hoxha nuk e bëri. Ai bëri deklaratën lapidare:

Në këtë vend ku unë po bi
Ka qenë asht e do jetë Shqipni.

U pushkatua dhe mbeti i pavdekshëm aty te ara e Shermetit, bashkë me shokun e tij, Avdi Sallakun, të varrosur në një varr. Dy ditë më vonë fshatarët e Okshtunit e morën prej aty dhe e varrosën me nderimet më të mëdha idhullin e tyre. Për këtë ngjarje ka realizuar një monografi dinjitoze studiuesja e re Valbona Ramçi. Edhe për Hoxhë Muglicën Okshtuni thuri këngë.
Gjatë kryengritjes së popullit të Grykës së Vogël, populli i Okshtuni i udhëhequr nga Hoxhë Muglica, luftoi së bashku me luftëtarët e tjerë të Dibrës te Ura e Spiles e kodrat e Vrabiçit, i bëri pritë heroike armikut që la rreth 1500 të vrarë. Por pati dhe 80 dëshmor (7), midis tyre 25 nga Okshtuni (4). Serbet dogjën vetëm në Okshtun 120 shtëpi (përfshirë edhe shtëpinë e autorit të këtyre radhëve), por luftëtarët mbrojtën popullsinë që po emigronte drejt Elbasanit e Tiranës (4,7).
Ka këngë e heroizma dhe për periudhën e luftës nacionalçlirimtare e pas saj.
Populli thuri këngë edhe për Sabri Cakën që u vra në lulen e rinisë duke luftuar heroikisht në Tendën e Qypit në janar të vitit 1944.
Këngë u thur edhe për Imer Koçin që strehoi shtabin e përgjithshëm dhe misionin anglez gjatë dimrit të vitit 1943-1944. Ndërsa Haki Stermilli na sjell dëshminë e tij kur strehohej në Prodan. Ai kishte takuar aty partizanët e Brigadës së Parë sulmuese dhe komandantin e tyre. Kur i thashë se një forcë gjermano-balliste kishte filluar marshimin drejt nesh, ai m’u përgjigj. Jemi të lodhur dhe do të pushojmë në këtë fshat mikpritës, por në se ata do të guxojnë, ne do ta shndërrojmë këtë fshat në një Stalingrad të vogël(7,8).
* * *
Në formatin e një shkrimi të tillë nuk mund ta rrokish në përmasat që ka, trimërinë dhepatriotizmin e një populli punëtor, të ndershëm e bujar, me cilësitë e shqiptarit e të dibranit të kulluar, si ai i Okshtunit. Do të duhen studime e shkrime të gjëra, monografi a libra të tër a të tipit të monografisë së Valbonës, si ai me titull: Hoxhe Hasan Muglica- klerik dhe luftëtar i shquar për lirinë dhe gjuhën shqipe.
Prandaj zgjodha t’i mbyll këto radhë me një ngjarje që ma ka treguar vetë Okshtunasi legjendar Gani Hajri (Koçi). I ditur e i matur, komandant vendi në Dibër e në Mat në vitet e para te pushtetit popullor, njeriu që për efekt të detyrës që kryente mbante armë, por që kurrë nuk i përdori ato me popullin e vet, pasi arma më e fuqishme e tij ishte fjala e Dibranit, ma ka treguar këtë me gojën e tij. Unë sapo kisha mbushur 22 vjeç dhe me dhanë një emërim për të punuar si mjek në Grykë të Vogël. Ganiu, shok e fis i babait tim e priti shumë mirë. Do ta kalosh shumë mirë më tha. Janë popull punëtor dhe shumë të zgjuar e me tradita dhe tregoi një ngjarje të jetuar: Në vitet e para të pushtetit, puna e solli që njëherë me një grup shokësh përfunduam një natë te një familje e përmendur te Lleshet e Zogje në Grykë të Vogël. I zoti i shtëpisë na priti e na nderoi, por me që ishim me uniforma e pati vështirë të na ulte e sistemonte në dhomën e miqve. U sistemuam si mundëm. Më pas gjatë muhabetit ai na pyeti nga ishim dhe sa këngë trimërie kishte fshati apo krahina nga vinim. Folën të gjithë, fola dhe unë. Pasi unë mbarova, ai me tha: Çohu ti dhe ulu këtu në qoshe. Dhe ju drejtua valles: Ju të tjerët, nga do qofshi, nga jugu apo veriu, kurrë të mos ja zini vendin këtij burri.
Më vonë unë qëndrova më shumë se 15 vjet në Grykë të Vogël dhe pata rastin ta prek nga afër mençurinë dhe mirësinë e atij populli. I vërtetova të gjitha ato që më pat thënë Ganiu, për njerëzit dhe traditat e tyre. Ata e donin veçanërisht Okshtunin nga unë vija, prandaj unë u ndjeva aty si në shtëpinë time.

Burime:
1. Haki Stermilli : Shtigjeve të lirisë. Tiranë, 1966
2. Kristo Frashëri: Historia e Dibrës, Tiranë 2012.
3. Elliott Muglica: Burri i madh Hasan Muglica, Tiranë 2012.
4. Bilal Salku: Historiku i zonës së Okshtunit, Dibër (dorëshkrim), 1987.
5. Selman Koçi: Historiku i fshatit Prodan, (Muzeu i rrethit Dibër), 1969
6. Valbona Ramci: Hoxhe Hasan Muglica- klerik dhe luftëtar i shquar për lirinë dhe gjuhën shqipe. Tiranë 2012.
7. Imer Stojku: Dibra në vite, Tiranë 2002.
8. Sotir Andoni: Në gjurmët e inkursionit, Tiranë 1970.

S'KA KOMENTE